Sonte në Kinemanë ABC u shfaq filmi ‘Skënderbeu’, i cili për publikun shqiptar po shfaqej për herë të parë i restauruar dhe i përpunuar në laboratorët e Italisë, shkruan KultPlus.
Me filmin ‘Skënderbeu’, u hap edhe ‘Java e filmit shqiptar’ e cila pritet të vazhdojë për tre ditë me radhë, ku në natën e dytën më pas do të shfaqet ‘Nëntori i dytë’, i regjisorit të famshëm Viktor Gjika, i cili është restauruar e përpunuar në Amerikë, ndërsa natën e tretë dhe të fundit do të shfaqet filmi ‘Tomka dhe shokët e tij’.
‘Skënderbeu’ u shfaq para një publiku modest, të cilët duket se e pritën mjaft mirë filmin tashmë të përpunuar në zërim, ngjyra, video-efekte etj.

‘Skënderbeu’ është një film histoik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Në film trajtohet mënyra sesi Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe kështu duke organizuar besëlidhjen e Lezhës. Por, përballet edhe me tradhëtinë e nipit të tij, Hamza Kastrioti. Filmi paraqet skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Ky film njëherit është edhe filmi i barë artistik i cili është realizuar në bashkëpunim shqiptaro-sovjetik.
‘Skënderbeu’ është shpërblyer me ‘Palmën e artë’ në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë. Filmi daton nga viti 1953.
Java e filmit shqiptar organizohet nga Kosovafilmi, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Arkivi i Filmit Shqiptar./ KultPlus.com

