Sot ka filluar votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”, shkruan KultPlus.
Aktorja që luan rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, Yllka Gashi dje ka bërë thirrje që të shpërndahet sa më shumë fotografia e filmit “Zgjoi” në rrjetet sociale, e që të njëjtën e ka bërë edhe regjisorja e filmit, Blerta Basholli.
E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi sot ka shpërndarë fotografinë e filmit “Zgjoi” duke shprehur se po ndjehet i lumtur që filmi Zgjoi ka arritur të jetë në mesin e 15 filmave më të mirë të botës.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Na dëshironi fat! Fat për filmin e fat për Kosovën! T’lumtun jemi që kemi mbrri në mesin e 15 filmave ma t’mirë t’botës. Edhe ma t’lumtun nëse kandidohemi për Oskar! Hera e parë që po ndihem i lumtun, mbas shumë dhimbjesh! Shpërndajeni, se nesër fillon votimi!/ KultPlus.com
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, përcjell KultPlus.
Më 8 shkurt bëhet e ditur lista finale e nominimeve. Ndërsa, nesër do të fillojë votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”,
Andaj, sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka treguar përkrahjen e tij përmes një postimi në rrjetin soical Twitter.
“Nesër fillon votimi i nominimit për Oscar, përfshirë edhe për “Zgjoi”. Ky film, i bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan qëndresën e grave të Krushës. Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëra-tjetrës”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com
Tomorrow Oscar nomination voting begins, including for Hive. This film, based on a true story, depicts the resilience of the women of Krusha. Their triumph came as a result of the strength they gave one another. #Hive2Oscars#TogetherWeCan#SupportHiveFilmpic.twitter.com/GhNtWBja5N
“Gold Derby”, shtëpia amerikane e parashikimeve dhe lajmeve të çmimeve, së fundmi ka realizuar një intervistë me regjisoren Blerta Basholli dhe aktoren Yllka Gashi, në lidhje me filmin Zgjoi, film ky që po shënon histori për shtetin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Në artikullin e ‘Gold Derby’, përveç përshkrimit të mesazhit që filmi Zgjoi përmban, shtjellohen edhe mesazhe e momente të ndryshme e të veçanta nga regjisorja Basholli dhe aktorja Gashi, të cilat shprehen se Kosova po bën tifo për këtë film.
“Filmi ka pasur një udhëtim vërtet interesant dhe të bukur që nga Sundance vitin e kaluar. 2021 ishte një rrugëtim i mirë për ‘Hive’ dhe për ne. Ne vijmë nga një vend i vogël dhe megjithëse kemi shumë histori të bukura për të treguar, ne vijmë nga një vend i vogël. [Pas hyrjes në listën e ngushtë] e gjithë Kosova po bën tifo për ne“, thotë Basholli.
“Presioni është shumë [i lartë] kur luan një person real që është gjallë. Ata mund të mos ju pëlqejnë ju ose mënyra se si i portretizoni ata. Ju keni këtë përgjegjësi të madhe për t’i nderuar ata dhe për t’u bërë atyre drejtësi. Ne nuk donim ta lëndonim Fahrijen, donim ta nderonim dhe të ndanim historinë e saj, sepse ne ishim të impresionuar prej saj. Si aktore e pashë. E pashë se si fliste. Vëzhgova qëndrimin e saj dhe mënyrën se si e trajtonte veten. Kjo ju ndihmon të dalloni tipare të vogla për t’ju ndihmuar të ndërtoni karakterin“, shpalos Gashi.
Më poshtë KultPlus ju sjell artikullin/intervistën e plotë të tyre:
Hyrja e Kosovës për filmin më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë në Çmimet e 94-ta të Akademisë, “Hive”, tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit (të luajtur nga Ylka Gashi), bashkëshorti i së cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë. Ajo ngre biznesin e saj të vogël për të siguruar jetesën e fëmijëve të saj, por ndërsa lufton kundër një shoqërie patriarkale që nuk e mbështet atë, ajo përballet me një vendim vendimtar. Filmi u drejtua dhe u shkrua nga Blerta Basholli, e cila është e emocionuar të përfaqësojë Kosovën për herë të parë në listën e ngushtë të Oscars 2022.
“Ndihem shumë mirë”, thotë Basholli. “Filmi ka pasur një udhëtim vërtet interesant dhe të bukur që nga Sundance vitin e kaluar. 2021 ishte një rrugëtim i mirë për ‘Hive’ dhe për ne. Ne vijmë nga një vend i vogël dhe megjithëse kemi shumë histori të bukura për të treguar, ne vijmë nga një vend i vogël. [Pas hyrjes në listën e ngushtë] e gjithë Kosova po bën tifo për ne.”
Gashi e dinte se donte të luante rolin e Hotit sapo të dëgjonte për filmin.
“Shkuam për të takuar Fahrijen për herë të parë”, përshkruan ajo. “Që atëherë, ‘Hive’ u bë një mision për ne. U bë një ëndërr për mua. E dija historinë e Fahrijes sepse ajo ishte shumë në TV. Ne pamë shumë histori për të vejat dhe se si ato po organizonin protesta për t’i bërë pyetje qeverisë për eshtrat e të dashurve të tyre. U desh mjaft kohë për të bërë filmin, nga viti 2011 deri në 2021 kur u shfaq premierë në Sundance. Kaq shumë gjëra ndodhën gjatë atyre viteve. Por unë kurrë nuk hoqa dorë nga kjo ëndërr dhe as [Blerta] nuk e hoqi dorë”.
“Presioni është shumë [i lartë] kur luan një person real që është gjallë”, vazhdon Gashi. “Ata mund të mos ju pëlqejnë ju ose mënyra se si i portretizoni ata. Ju keni këtë përgjegjësi të madhe për t’i nderuar ata dhe për t’u bërë atyre drejtësi. Ne nuk donim ta lëndonim Fahrijen, donim ta nderonim dhe të ndanim historinë e saj, sepse ne ishim të impresionuar prej saj. Si aktore e pashë. E pashë se si fliste. Vëzhgova qëndrimin e saj dhe mënyrën se si e trajtonte veten. Kjo ju ndihmon të dalloni tipare të vogla për t’ju ndihmuar të ndërtoni karakterin.”
Para se të xhirohej filmi, Basholli thotë se kanë kërkuar shumë fshatra në Kosovë për të gjetur një zonë që do të dukej realiste për kohën e portretizuar. “Ne po kërkonim një fshat që duket më i shkatërruar nga lufta,” shpjegon ajo. Në fshatin që ata filmuan, “Shtëpitë duken sikur të ishin djegur. Duket më e vjetër dhe duket më e vërtetë dhe autentike. Kjo është arsyeja pse vendosëm të xhironim atje. Ishte gjithashtu e vështirë për të xhiruar atje sepse rrugët janë shumë të vogla. Ne e donim fshatin dhe për fat gruaja që zotëronte shtëpinë ishte shumë e mirë për të punuar me të. Gjithçka që kërkova me të vërtetë nga të gjithë ishte të jem i sinqertë dhe i vërtetë. Le të mos përpiqemi të krijojmë diçka që nuk është e besueshme dhe autentike. Të gjithë vendosin zemrën dhe pasionin e tyre në këtë histori.”
“Hive” është filmi i parë ndërkombëtar që hyn në listën e ngushtë të Oskarit nga vendi i Kosovës. Është gjithashtu debutimi i filmit regjisorial nga roli i parë kryesor i Bashollit dhe Gashit.
Intervistën e realizuar nëpërmjet një video nga ‘Gold Derby’ e gjeni këtu. / KultPlus.com
Blerta Basholli, skenaristja dhe regjisorja e filmit të suksesshëm “Zgjoi” do të jetë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, e cila bashkë me producentët e filmit Yll Uka dhe Valon Bajgora do të flasin për suksesin e deritanishëm të filmit, propozimit të këtij filmi për Oscar, mundësitë rreth nominimit dhe pjesëmarrjes së filmit nëpër festivalet botërore, shkruan KultPlus.
Filmi “Zgjoi” është filmi më i suksesshëm i kinematografisë së Kosovës, film që numëron shumë çmime prestigjioze. Poashtu, filmi ka shënuar edhe rekord të shikueshmërisë në Kosovë, por në të njëjtën kohë po shfaqet edhe nëpër rrjet të kinemave nëpër Evropë dhe Botë.
Të pranishëm do të jenë edhe një pjesë e aktorëve që kanë marrë pjesë në këtë film, andaj, të gjithë ju që dëshironi ti dëgjoni për së afërmi këto rrëfime, ju ftojmë të jeni pjesë e kësaj mbrëmje që do të shënohet në kuadër të Festës së Flamurit.
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shpërblehet me çmimin ‘Fischer’ të publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.
Filmi “Zgjoi” ndërkaq sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngris lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.
Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. / KultPlus.com
Yllka Gashi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Valladolid, përcjell KultPlus.
Gashi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin “Zgjoi”, film ky i realizuar nën regjinë e Blerta Bashollit.
Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga aktorja Adriana Matoshi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila së bashku me njoftimin për çmimin e fituar, kishte shkruar:
Një çmim i meritum për Yllka Gashi në një festival të madh. Aktorja më e mirë e Festivalit International ‘Seminci’, Yllka me rolin e saj i tregoj botës, historinë e trishtë të zonjës Fahrije Hoti. Urime Yllka e ky është vetëm një fillim për sukseset e tua në vazhdim. / KultPlus.com
Filmi vendor Zgjoi mbajti premierën për publikun kosovar në Cineplexx më 28 tetor me rekord të shitjes së biletave.
Me 1926 bileta të shitura Zgjoi është bërë filmi shqiptar me më së shumti bileta të shitura në ditën e premierës. Për premierën e këtij filmi, Cineplexx me datën 28 tetor, në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, organizoi eventin Ladies Night, ku për të pranishmit u dhuruan shumë shpërblime nga partnerët e shumtë të kinemasë më të madhe në Kosovë.
Filmi Zgjoi ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek publiku Kosovar, duke bërë që biletat për premierën e filmit në kinemanë në Prishtinë të shiten të gjitha një ditë para shfaqjes. Ndërsa, gjatë premierës së filmit në Prizren, në kinema ishin prezente edhe zonja Fahrije Hoti dhe gratë e tjera nga Krusha, të cilat me prezencën e tyre i dhanë një ngjyrë tjetër të gjithë mbrëmjes së premierës së këtij filmi.
Zonja Fahrije mbajti një fjalim të shkurtër para shfaqjes së filmit ndërsa foli për përvojat e saja private, sfidat në realizimin e filmit si dhe knaqësinë që ia jep asaj interesimi i publikut shqiptar për ta parë dhe dëgjuar rrëfimin e saj, por duke shpresuar që do u shërbejë të gjithëve me një mesazh pozitiv dhe inspirim për të vazhduar përpara kundrejt të gjitha sfidave.
Filmi do të vazhdojë të shfaqet në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa kinemaja Cineplexx ka rezervuar 6 orare për shfaqjen e filmit këtë vikend, duke u mundësuar të gjithë të interesuarve për ta shikuar në termine të ndryshme.
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Oraret për filmin Zgjoi në Cineplexx mund t’i gjeni duke klikuar këtu / KultPlus.com
Tetë prodhime ndërkombëtare po konkurrojnë për çmimin “Die TILDA” në ‘Braunschweig International Film Festival’.
Çmimi i filmit për gratë, i pajisur me 5,000 euro, është dhuruar nga 65 gra nga jeta kulturore e Braunschweig. Qëllimi i çmimit është t’i bëjë gratë e filmave të dukshme në diversitetin e tyre. Dhe ka të bëjë me diversitetin në çdo aspekt – si për sa i përket zhanrit, llojit të rrëfimit dhe historive të treguara, ashtu edhe vetë regjisorëve, sepse çmimi i regjisorit të shpallur ndërkombëtarisht u drejtohet grave të të gjitha origjinave, orientimit seksual, ngjyrës së lëkurës, etj.
Filmat në konkurrencë janë:
(1) “Clara Sola” tregon historinë e një shëruesi që i shpëton kufizimeve shtypëse të nënës së saj dhe arrin të njohë veten. (2) Seyran Ateş: Seksi, Revolucioni dhe Islami – 2021 – Dokumentarë tregojnë luftën personale dhe ideologjike të Seyran Ateş për modernizimin e Islamit. (3) “Delia Derbyshire: Mitet dhe kasetat legjendare” tregon për një pioniere të muzikës së harruar, kasetat e të cilit (të regjistruara me temën e muzikës nga Doctor Who!) U gjetën në papafingo pas vdekjes së saj. (4) Gruaja e shoferit Legjenda e Molly Johnson ka të bëjë me Molly -n shumë shtatzënë, e cila nuk e lë veten të zbresë në fermën e saj në periferi të Australisë. (5) “Kodra ku ulërijnë luaneshat” është historia e tre grave të reja të fuqishme, e shkruar nga një regjisore e cila është vetëm 18 vjeç. (6) Në “Hive” (Zgjoi) e veja Fahrije në Kosovë rebelohet kundër normave të shoqërisë së saj – ajo drejton një makinë dhe fillon një kompani. (7) “Zjarri i egër” tregon se si dy motra përballen së bashku së bashku me të kaluarën e tyre të gjatë të ndrydhur. / KultPlus.com
Edicioni i 19 i “Tirana International Film Festival” është hapur me filmin “Zgjoi” nga Blerta Basholli, fitues i tre çmimeve në “Sundance Film Festival 2021”, festivalin më të rëndësishëm në SHBA.
Ky event i cili nisi mbrëmjen e djeshme me pjesëmarrjen e protagonistëve të këtij festivali si dhe shumë të ftuar jo vetëm nga kinematografia, por edhe politika në Kinema “Millenium”, do të mbahet deri më 30 shtator 2021.
Ky edicion ka shënuar një numër rekord aplikimesh prej 2950 filma nga 118 vende të botës edhe për faktin se TIFF është Oscar qualifying dhe është një mundësi e madhe për ta të nominohen për Academy Awards.
Nga 40 vende të Evropës 1706 filma, nga 11 vende të Amerikës se Veriut 558 filma, nga 8 vende të Amerikës se Jugut 66 filma, nga 38 vende të Azisë 530 filma, nga 17 vende të Afrikës 34 filma dhe nga 4 vende të Australisë dhe Oqeanisë 56 filma.
Rreth 40 regjisorë dhe producentë, do të prezantojnë filmat e tyre në Tiranë . Sipas programit, janë 112 filma në competition në të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike, si Feature (all genres), EYE on TIFF (debut feature film competition), Short, Live Action, Animation, Student, që janë Oscar qualifying, Documentary (all lengths), Video Art & Experimental, Balkan shorts dhe In Albanian films.
TIFF këtë vit do të ketë 4 juri ndërkombëtare, që do të vendosin për çmimet me prezencën e personaliteteve fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, si: Mohamed Siam (Francë) dhe Basil Khalil (Palestinë), producente dhe regjisore, si dhe të dy anëtarëve të “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” SHBA, të cilët kanë të drejtën të vendosin për çmimet Oscar, Bogdan Muresanu (Rumani), fitues “European Film Award 2020”. Do të jenë gjithashtu në juri Giovanni Robbiano (Itali), Sandra Kaëar (Jordani), Simeon Ventsislavov (Bullgari), Alessandra Pastore (Itali), Nazl? Eda Noyan (Turqi), Maria Di Razza (Itali), Predrag Bambic (Serbi), Ismet Sijarina (Kosovë), Jean Paul Pauwels (Belgjikë), Barbara Gasser (Austri), Jen Alvares (USA), Sehad Cekic (Mal i Zi), Ben Apolloni (Maqedonia e Veriut), dhe Erenik Beqiri, Blerina Hankollari, Anila Varfi nga Shqipëria.
“FOCUS 2021” do të jetë një program special në bashkëpunim me “Danish Film Institute” me filma, debate dhe tryeza të rrumbullakta i quajtur “UN/DOGMATIC – Kinemaja Daneze” me 5 filma nga regjisorët më të famshëm e të vlerësuar sot në botë si Lars Von Trier dhe Thomas Vinterberg, ndërsa programi “Panorama” ka disa seksione me filmat.
Duke pasur parasysh rregullat e pandemisë ky do të jete një edicion me shfaqje të kufizuara në kinema si dhe online për ndjekësit në Shqipëri dhe në botë.
Festivali do të mbyllet me premierën kombëtare të filmit ‘Looking for Venera’ nga Norika Sefa, fitues i Tiger Award në Rotterdam International Film Festival 2021 dhe Winner Award for Promoting Gender Equality në Sarajevo FF 2021. / atsh / KultPlus.com
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në shkurt të këtij viti bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.
Pavarësisht kësaj, sukseset për këtë film duket se nuk kanë të ndalur.
Pas pjesëmarrjes në “Sydney Film Festival”, i njëjti po ashtu do të jetë në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato në Meksikë.
Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, aktorja Yllka Gashi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.
“Zgjoi” nuk ka të ndalur!!! Rrugëtimi i tij vazhdon në Meksikë në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato që mbahet nga 17 deri më 26 shtator në qytetet León, San Miguel de Allende & Irapuato. “Zgjoi” është në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë!
“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj;
Filmi “Zgjoi” nga Blerta Basholli është propozuar ditë më parë nga Kosova si kandidat zyrtar për garën prestigjioze “Oscars”. / KultPlus.com
Fituesi i çmimit të trefishtë Sundance filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli është një dramë e fortë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes, e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë, e për këtë histori e cila tashmë ka marrë vëmendjen e botës, është publikuar trileri zyrtar amerikan i tij, shkruan KultPlus.
Në mënyrë që të sigurojë familjen e saj në vështirësi, ajo bashkon vejushat e tjera në komunitetin e saj për të filluar një biznes që shet një produkt ushqimor vendas. Së bashku, ata gjejnë shërim dhe ngushëllim në shqyrtimin e një të ardhme pa burrat e tyre – por vullneti i tyre për të filluar të jetojnë në mënyrë të pavarur haset në armiqësi.
Burrat në fshat dënojnë përpjekjet e Fahrijes për të fuqizuar veten dhe gratë përreth saj, duke filluar një grindje që kërcënon sovranitetin e tyre të ri – dhe të ardhmen financiare të familjes së Fahrijes. Në sfondin e trazirave civile të Evropës Lindore dhe misogjinisë së vazhdueshme, Fahrije dhe gratë e fshatit të saj bashkohen në një luftë për të gjetur shpresë përballë një të ardhme të pasigurt.
Fituesi i Çmimit të Publikut, Çmimit të Regjisorit dhe Çmimit të Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore në Sundance, ‘Zgjoi’ është një portret i rëndë, shkatërrues i humbjes dhe udhëtimeve tona përpjetë drejt lirisë. / KultPlus.com
Frymëzuar nga një histori e vërtetë, filmi “Zgjoi” mbrëmë para publikut kosovar në edicionin e 13 të PriFest, shpalosi të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.
Pak para se ora të shënonte 21:00, ishte pamja para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ajo që kapte vëmendjen e çdo kujt që kalonte pranë. Sytë e moshave nga më të ndryshmet po vëzhgonin tapetin e kuq të shtruar e në të cilën reflektoheshin dritat e kaltërta e vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’. E nën meloditë e këngëve të bendit ‘Sytë’, artdashës të shumtë po kaplonin vendin ngadalë për të mbushur komplet secilën hapësirë të shkallëve të Teatrit, një nga tre vendet në të cilat u shfaq premiera e filmit ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.
Tashmë kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë, e nën dritën e hënës dhe errësirës që rrethonte të pranishmit, nisi filmi në ajër të hapur.
I vendosur në fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, personazhi i Fahrije Hotit i mbushur deri në pikën e fundit me shpresë të pakrahasueshme, po jeton vërtet në një gjendje të paqartë e të mbushur me përplot dilema, një nga to mbetet edhe supozimi se burri i saj i zhdukur është mbytur apo pushkatuar. Teksa, Fahrija jeton me vjehrrin e saj i cili po ashtu shpreson se djali i tij një ditë do të kthehet, ajo përballet çdo ditë me dhimbjen e luftës civile jugosllave por të cilën nuk e shfaq para askujt deri në një moment ku ajo shpërthen dhe qan duke pranuar tashmë se ëndrra e saj në fakt është një ëndërr e pamundur.
Ndonëse, ëndrra e saj që burri një ditë do të kthehet nuk ka një rezultat në realitet, ëndrrat e tjera të saj që të ndihmonte akoma më shumë familjen e saj vetëm sa vinin e fuqizoheshin nga momenti në moment. Derisa biznesi i vogël i mjaltit të familjes së saj mezi arrinte të mbulonte disa fatura, ajo papritmas mendon të filloj të shesë ajvar shtëpiak, një ushqim me të cilin të gjithë banorët e fshatit ishin të njohur.
Regjisorja Blerta Basholli, solli para publikut një vështrim të qartë të një shoqërie patriarkale ku puna, dëshira e pasioni për të arritur diçka në jetë, në një fshat të tillë konsiderohej shenjë e mosrespektimit të burrit. Por, regjisorja, frikën, brengën e shpresën i ngërthen në një fuqi të vetme, përmes së cilës personazhi i Fahrijes arrin të realizojë edhe marrëveshjen e shumëpritur me një blerës të një supermarketi për të shitur ajvarin e përgatitur nga duart e tyre të arta.
E se si ka filluar çdo nisje e një biznesi të vogël në Kosovë, filmi e tregon këtë më së miri. Heshtja e vazhdueshme e rolit kryesor të luajtur nga aktorja Yllka Gashi, ndaj jo vetëm epiteteve të ndyra që vinin nga burrat e atij fshati, problemeve që i shkaktonin asaj për arsyen se ajo ka arrirë të ngasë një makinë, thashethemeve, sulmeve fizike, por edhe mosbesimit të shfaqur nga dy fëmijët e saj, tregon se regjisorja pavarësisht pengesave të vazhdueshme, vazhdimisht nxjerr në pah rëndësinë e arritjeve të Fahrijes të cilat janë krejtësisht natyrale e të domosdoshme për të mbijetuar pa pasur frikë deri në palcë.
‘’Zgjoi’’, një xhevahir kinematografike, përqendrimin e ka në fuqizimin e personazheve të cilat kanë një synim apo mision, e për të cilën edhe pas dështimeve të shumta, biznesi i tyre vazhdon të jetësohet tutje. E teksa këto gra vajtonin zhdukjen e personave më të dashur, për të cilët nuk dihet se ku gjenden, ato vazhdojnë të ‘lundrojnë’ në jetë po njëlloj si lundrimi i shpresave e ëndrrave të tyre, pavarësisht habisë së madhe që ka kapluar fshatin nga arritjet e tyre këmbëngulëse e të njëpasnjëshme.
Fahrija, një rol me përmbajtje të guximshme, përfaqësoi një numër të madh grash në fshatin kosovar, burrat e të cilave u zhdukën gjatë luftës e trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Kurse përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të zhdukurit ishin tejet zhgënjyese. Zgjuarsia e Fahrijes, mbi kaloi sfidat që banorët e fshatit me një mendësi të palëkundur kishin shtruar para rrugëtimit të saj, duke fuqizuar kështu një komunitet të grave për të qenë të pavarura.
E gjithë kjo histori e ngërthyer brenda 1 ore e 24 minutave, paraqiti shfaqjen e jashtëzakonshme e shumë emocionuese të aktores Yllka Gashit dhe debutimin e rrallë të regjisores Blerta Basholli. E momentet kulminante që hynin thellë brenda shpirtit njerëzor të pranishëm, ato nga të cilat nuk ka nevojë për fjalë, ishin pikërisht shkrepjet e kamerës në një distancë të afërt ndaj gjelbërimit të pasur e ujit të kaltër, që portretizuan faktin se përmes dëshpërimit në heshtje, kjo histori intime arriti të tregojë detajet e vogla se si bletët paksa agresive qysh në fillim, rolit kryesor i kanë gumëzhuar në vesh për të ecur drejt pranimit të faktit që një ditë eshtrat e burrit të saj do të jenë në një nga ato qeset e bardha që mbërrijnë me kamionë të mbushur e ku më në fund paqja do të mbizotërojë në shpirtin e saj.
Pas shfaqjes së filmit që u shoqërua me qetësinë absolute të të pranishmëve por edhe me zhurmën e përditshme të qytetit, ishin duartrokitjet e brohoritjet e publikut që thyen heshtjen e gjatë duke mos u ndalur në asnjë sekondë të vetme. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Zgjoi’ të cilët ngadalë dolën në skenën e Teatrit Kombëtar për një fjalë rasti.
“Fillimisht, jemi shumë të emocionuar për shkak të temës. Ne po qajmë sonte e Fahrija e familjet që i kanë personat e pagjetur, qajnë çdo ditë edhe i presin çdo ditë edhe ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre”, thotë Basholli.
Sipas saj, ajo shpreson se filmi ka arritur që sado pak të portretizojë dhimbjen e tyre për arsye se ka qenë shumë e vështirë, mirëpo në anën tjetër përkundër dhimbjes që këto gra e kanë edhe sot, ato e kanë gjetur forcën që të punojnë për fëmijët e tyre e për të mbijetuar përkundër paragjykimeve, pengesave, e vështirësive tjera që i kanë pasur si gra.
“Pa këto gra, pa Fahrijen, as Krusha e Madhe nuk do të ishte e njëjtë sot, e as Kosova nuk do të ishte e njëjtë sot, as për mua e as për vajzat tjera, e as për djemtë e burrat sepse puna e tyre na ka bërë që ti perceptojmë ndryshe gratë. Për mua, Fahrija ka qenë inspirim prej ditës së parë që e kam takuar, ashtu edhe gjithmonë do të jetë”, përfundon Basholli.
Po ashtu, Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik, tregoi rreth kësaj eksperience të veçantë.
“Ka qenë e vështirë në vitin 1999 por tash Krusha ka një format krejt tjetër ku tash edhe burrat kanë nisur të bëjnë ajvar. Pavarësisht nga gjithë ajo që e kam përjetuar unë, por edhe shumë gra të tjera, Krusha tani zhvillon një ekonomi shumë të mirë” ka thënë Hoti.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Zgjoi’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli, producenti Yll Uka dhe producenti Valon Bajgora.
“Për ne është kënaqësi me qenë në PriFest në Prishtinë për të shfaqur filmin. Ne kemi kaluar shumë mirë me publikun tonë. E për çmime është shumë mirë që i kemi por tani shohim se si do të na shkojë në PriFest”, thotë Basholli.
Sipas saj, kur filmi është bazuar në ngjarje të vërtetë, përgjegjësia ka qenë shumë e madhe, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme siç është tema e personave të pagjetur në Kosovë.
“Për mua ka qenë sfidë shumë e madhe sepse Fahrija ka qenë shumë në televizion e në filma dokumentarë dhe normalisht është që të mendojmë se çka duhet të mbajmë në film e çka jo sepse duhet të përcjellësh vijën dramaturgjike. Ajo ka qenë pjesa më sfiduese sepse në kuptimin e artistikes dhe dokumentarit, ne e kemi zgjedhur një qasje dokumentareske për shkak të vërtetës, të realizmit sepse doja të kem një qasje më realiste në film edhe një qasje ku fokusohet aktrimi dhe karakteri kryesor”, thotë Basholli.
Ndërsa, producenti Yll Uka foli rreth se sa me fat është industria e filmit që arrin ti tregojë temat interesante që posedon Kosova.
“Ne jemi shumë me fat që kemi shumë tema interesante. Kritikë të filmit gjithmonë na kanë thënë se kemi tema shumë të mira që Evropa nuk i ka e sidomos Kosova. E sukseset e viteve të fundit në kinematografinë e Kosovës, pikërisht kanë qenë këto tema. Unë besoj dhe do kisha dëshirë që edhe të tjerët të punojnë sa më shumë me këto tema”, thotë Uka.
Po ashtu, producenti tjetër Valon Bajgora, tregoi përshtypjet e tij ndaj çmimeve të fituara nga një vend i vogël sic është Kosova.
“Ne jemi një popull i vogël por kemi kujtime shumë të mëdha. Kur ballafaqohemi me filma të tjerë në festivale që kanë tema të tjera, e temat tona janë tema sociale të cilat trajtojnë etapat në të cilat ka kaluar populli ynë, dhe kur arrijmë që të fitojmë çmime atëherë kjo neve na bënë shumë krenarë dhe na inkujaron që ne të vazhdojmë tutje sepse tregimet tona kanë interes”, thotë Bajgora.
Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë nga Kosova, “Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli, bëri historinë duke fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. / KultPlus.com
Filmi ‘Hive’ është përzgjedhur për të marrë pjesë në festivalin “Karlovy vary “Horizons” – (një përzgjedhje e filmave më të shquar bashkëkohorë), përcjellë KultPlus.
Datat e shfaqjes:
a) Kinema Pupp – Salla 1P3 – 20/08 E Premte 16:00, b) Salla e Kongreseve 436 23/08 E Hënë 22:00, c) Kinema B, Salla 651 25/08 E Mërkurë 09:00, d) Teatri Husovka – Salla7H3 26/08 E Enjte, 16:30).
‘Zgjoi’, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Kujtojmë se bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA./ KultPlus.com
Të bësh një karrierë si krijuese filmi kërkon vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vizion të përpiktë. Mund të jetë një rrugë e vështirë për të udhëtuar, por dashuria dhe përkushtimi për punën është ura lidhëse për të arritur sukses.
Regjisorja Blerta Basholli, duke ndjekur dëshirën për të bërë filma, ajo gjithashtu punoi punë të ndryshme duke përfshirë: asistente administrative, menaxhim të projekteve humanitare, marketing etj. Por ka një moment kur tek njeriu ndezët dashuri për një profesion të caktuar të cilit pastaj i vihet pas. Por kjo dashuri padyshim që kondensohet dalëngadalë, e një rol kyç në këtë pikë e ka edhe familja. Kështu ndodhi edhe me Blertën. Shikimi i shumë filmave bashkë me babin dhe pasioni i tij për fotografinë dhe pikturën, ka ndikuar te Blerta, ku syrin për kompozicion dhe dashurinë për fotografinë e ka marrë nga i ati. Përderisa të qenit një grua e fortë ka ardhur nga mbështetja e pakursyer e nënës.
Një përgatitje e tillë qysh nga fëmijëria, sigurisht do ta sillte Blertën në një vajzë që i përkushtohet shkollës e punës.
Blerta Basholli ka studiuar në Fakultetin e Arteve, dega Regji Filmi, Universiteti i Prishtinës, kurse Studimet Master i ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në New York University, drejtimi Film dhe Televizion si bursiste e “Dean’s Fellowship”. Momentalisht është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”.
Pas disa filmave të shkurtër e dokumentarëve, Basholli vendosi të sfidojë veten me një film të gjatë.
“Zgjoi” është filmi debutues i regjisores që qysh në fillim dha dritën e gjelbër që kjo regjisore do t’i shkelë kufijtë.
Përzgjedhja e filmit në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’, i fali asaj një ndjesi tejet të mirë.
“Kemi bërë një punë shumë të madhe, me shumë dashuri e përkushtim, andaj hyrja në “Sundance” është një shpërblim shumë i mirë për punën tonë”, thotë Basholli për KultPlus.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.
Të kthyerit në film një histori si kjo e Fahrijes, Blertës i erdhi si ide pasi ka dëgjuar një storje televizive rreth kësaj gruaje.
“Ideja ka lindur pasi kam dëgjuar një storje televizive rreth një gruaje (Fahrije Hoti), e cila përkundër nevojës për mbijetese dhe mbështetjes qe iu ofron edhe grave te tjera te veja, të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Fahrijen, iniciativa e saj për të punuar nuk shihet me sy të mirë nga rrethi patriarkal ku ajo jeton”, tregon regjisorja rreth përmbajtjes së filmit.
“Zgjoi” do të jetë filmi që botës do t’i shpalosë një tregim nga Kosova, në mesin e shumë tregimeve të tjera që bota duhet t’i dëgjojë nga ky vend. Ky sukses padyshim që regjisoren e bën shumë krenare.
“Kemi shumë tregime interesante dhe shumë gjëra për të treguar. Fakti se një tregim nga Kosova do të shihet e dëgjohet nga një publik i gjerë më bën shumë krenare e aq më tepër për shkak të temës të cilën e trajton.”
Përkundër sfidave dhe vështirësive që ka Fahrija gjatë procesit, në thelb filmi përmban një tregim inkurajues dhe shpresëdhënës. Sipas regjisores, secila vajzë, grua, por edhe burrë që do ta shoh filmin mund të motivohet nga një sukses i tillë.
Të qenit vetë skenariste dhe regjisore e filmit, për Bashollin ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Por, ajo beson se falë këtij angazhimi është rritur e zhvilluar edhe si person, por edhe si profesioniste.
“Skenari është proces i rritjes dhe me ka ndihmuar shumë që të kuptoj edhe më thellësisht temën edhe karakterin. Sa ka qenë e vështirë aq mendoj se edhe më ka ndihmuar për të depërtuar pak më brenda karakterit.”
Pjesëmarrja në ‘Sunndance’ është shenja e parë që ky projekt filmik është shumë premtues, por regjisorja rrugëtimin e filmit shpreson ta pasuroj edhe me shumë çmime.
“Fillimi është shumë i mirë, tani të shohim. Kur futesh me një festival si “Sundance” rrugëtimi i mirë është i sigurtë. Shpresojmë që filmi të vlerësohet edhe me çmime sepse ashtu do të ketë vërtetë rrugëtimin e suksesshëm.”
Të nisësh një karrierë është me të vërtetë e vështirë, por vazhdimi duket sikur është një tjetër sfidë më vete. Regjisorja beson që me dashuri do t’i kaloj të gjitha. Ndërsa përkushtimin e sheh si çelës të suksesit në secilin profesion.
Përderisa gjatë jetës marrim mësime që në momente të caktuara kanë efekte pozitive, një mësim të tillë regjisorja e ka zbatuar gjatë krijimit të filmit. Këmbëngulësia dhe puna përzistente ishin cilësi që i ndihmuan gjatë procesit të punës. Sipas Bashollit duhet të insistojmë dhe të punojmë shumë deri sa të arrihet rezultati i kënaqshëm në çdo fazë të procesit.
Teksa biseduam për kriteret që e bëjnë një film të shkëlqyer, Basholli si vlerë kyçe e sheh ndjesinë që të ofron një film.
“Për mua ndjesia që të krijon ai film, nëse bota e krijuar aty brenda është e besueshme dhe të merr me vete pa bërë asnjë pyetje atëherë filmi është i mirë. Pastaj natyrisht skenari është kryesori, aktorët, kamera e shumë elemente.”
Gjatë jetës, Blerta është frymëzuar nga shumë filma dhe regjisorë, qoftë edhe shqiptarë, por ajo përmend një ndër filmat që ka pasur më së shumti ndikim te ajo.
“Ka shumë filma dhe shume regjisorë e regjisore edhe nga Kosova edhe nga Bota që më frymëzojnë. E kam shumë të vështirë t’i listoj me të vërtetë. Një prej filmave që ende e përmend është “Dancer in the Dark” nga Lars von Trier, por ka shumë shumë filma që më frymëzojnë. Tregimi, qasja e regjisorit e më së shumti aktrimi janë ato elemente që më tërheqin edhe te ky film, por edhe tek shumë filma të tjerë.”
Krejt për fund, Basholli e cila vitin 2020 e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm, shpreson që viti i ardhshëm t’i shtrojë filmit “Zgjoi” një rrugë edhe më të gjatë e të suksesshme, përderisa premton që do të vazhdoj të punoj intenzivisht. / KultPlus.com