Paslufta e Kosovës erdhi përmes filmit “Kukumi”, me një tematikë të veçantë e rrëqethëse.
“Kukumi”, film me regji të Isa Qosjës, është ai i cili bëri bujë të madhe si në vend ashtu edhe nëpër festivalet që është dhënë.
Filmi 107 minutësh, që u dha premierë në vitin 2005, sjellë në rolin kryesor aktorin e njohur kosovar Luan Jaha.
Kësisoj KultPlus, po e rikthen në vëmendjen e audiencës shqipfolëse edhe njëherë rolin e Luan Jahës, një rol që rrallë kush mund ta realizoj.
“Kukum ma pat lan emnin gjyshja. Thojnë që kur kom le’ pata kajt tri jav’. M’kishin pas qkri plum e mo s’kisha pas kajt”, nis rrëfimi i njërit nga të sëmurit psikik që menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë lirohen nga ai spital.
Kukumi, Mara e Hasani, të pavetëdijshëm për atë se çfarë duhet të bëjnë pastaj ata nisën në rrugët e Kosovës së pasluftës dhe shkojnë në fshatin e vëllait të Hasanit…
Një rol sa i vështirë për tu parë edhe më i vështirë për tu interpretuar ishte ai i Kukumit. Luan Jaha, një ndër aktorët më të mirë të skenës kosovare, e solli këtë rrëfim mrekullueshëm përmes trupit të tij, fytyrës, flokëve, duarve e mbi të gjitha përmes fyellit të tij që nuk e largonte asnjëherë nga vetja.
“Kukumi”, ishte laureat i shumë çmimeve nëpër festivalet botërore ndërsa ishte prodhim i KosovaFilm-it.
Përveç Luan Jahës në “Kukumi”, luajnë edhe aktorët si: Anisa Ismaili, Donat Qosja, Yllka Gashi, Xhevded Doda…/ KultPlus.com
“The Remigrant” me regji të Astrit Alihajdari, është filmi 18 minutësh i cili është pjesë e edicionit të 15-të të festivalit Tirana International Film Festival, shkruan KultPlus.
“The Remigrant” është filmi i cili e sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir Alihajdari. Ky film flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze Qena.
Filmi ka nis të shfaqet tani në TIFF./ KultPlus.com
Beyoncé ka konfirmuar se do të luaj në filmi ‘Mbreti Luan’, ku do ta sjellë rolin e Nala-s, shkruan KultPlus.
Pas shumë spekulimeve vetë këngëtarja e bëri publike këtë gjë përmes rrjetit të saj social Facebook.
Ikona e muzikës bashkohet me Donald Glover si Simba, Chiwetel Ejiofor si Scar dhe James Earl Jones, i cili po e rreshton rolin e tij si Mufasa.
Disney ka konfirmuar gjithashtu se do të jenë sërish këngët e filmit të vitit 1994, dhe pranon se filmi po prodhohet me shpejtësi, dhe mund të dalë verën e 2019./ KultPlus.com
Filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla është pranuar në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër – International Cinema of Tomorrow Competition në festivalin e kategorisë ‘A’ ku do të garoj për çmimin ‘Filmi më i mirë i shkurtër’ dhe për çmimin special të jurisë.
Cairo International Film Festival është themeluar në vitin 1976 dhe njihet si festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe gjithashtu bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garuese të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP). Edicioni i këtij viti fillon me 21 deri 30 nëntor 2017.
‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.
Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht Këshilli Drejtues i QKK-së ka formuar Komisionin e Vizionimit, të cilët do të angazhohen në dhënien e lejes për shfaqje publike të të gjithë filmave që prodhohen në Kosovë.
Në bazë të Ligjit për Kinematografi, neni 9, par. 9.1. dhe 9.2 Komisioni i Vizionimit ka të drejtë të jep leje për shfaqjen publike te filmit sipas kategorive, të cituar:
“9.1. Për çdo film vendës apo të huaj që synohet të shfaqet publikisht, para se të ketë shfaqjen e parë në Kosovë, distributori, përkatësisht shfaqësi duhet të merr lejen për shfaqjen publike të filmit. 9.2. Lejen nga paragrafi i mësipërm, e jep Komisioni i Vizionimit i QKK”.
Anëtarët e Komisionit të Vizionimit të emëruar nga QKK janë: Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit DokuFest, Linda Gusia, sociologe, Imer Mushkolaj, publicist & aktor, Birol Urcan, regjisor, dhe një person ad-hoc, i cili caktohet nga QKK, i ndryshëm për secilin film.
Komisioni i Vizionimit pritet të luaj rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për publikun e të gjitha moshave si dhe parandalimin e shfaqjes së filmave që nxisin urrejtje etnike, raciale, religjioze etj.
Një vëmendje e veçantë kërkohet nga distributorët dhe festivalet e filmave në Kosovë të cilët duhet të respektojnë kategorizimin gjegjësisht të kërkojnë për filmat vendas pëlqim-lejen ndërsa për filmat e huaj të respektojnë kategorizimin nga vendi i origjinës apo nga distributori Ndërkombëtar./ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘pa/maskuar’, i lulia Enkelanës, është përzgjedhur në garën zyrtare, në seksionin ‘metrazhe të shkurtër eksperimental’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, përcjellë KultPlus.
Sipas portali kulturor rumun Agenția de Carte, filmi është një metaforë e rrjedhës së kohës në përpjekje për të njohur dhe për t’u njohur, për të provuar maska dhe ëndrra, por sidomos për të mos hequr dorë nga fëmijëria. Jo të gjitha maskat janë të dëmshme; jo çdo fshehje e lëvizjeve të shpirtit është negative.
Rolin e protagonistes e luan Alida-Marena Kyçyku, ndërsa muzika është kompozuar nga Philip Landini (SHBA).
“Ke përshtypjen sikur të gjitha kërkimet e vetmisë së një vajze marrin fund kur unazat që ka ëndërruar i rrinë përsosur në gishta, – shkruhet në paraqitjen e filmit. Por atëherë zënë fill kërkimet, nganjëherë në të kaluarën, e një gruaje”, thuhet në njoftim.
E lindur në Bukuresht, Iulia Enkelana është autorja e disa filmash të metrazhit të shkurtër dhe esesh pamore, e një pjese teatri, e disa prozave të shkurtra dhe e albumeve ‘eyeland‘ (vizatime) dhe ‘do you remember your first loneliness?’ (fotografi).
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (Tirana International Film Festival / TIFF Tirana), u themelua në vitin 2003 dhe vlerësohet si një nga evenimentet më të rëndësishme në Shqipëri. Ky festival drejtohet nga Agron Domi./ KultPlus.com
Më 15 tetor të vitit 1940, aktori Charlie Chaplin publikoi filmin e tij të parë me zë të titulluar “Diktatori i madh”. Në këtë film, Chaplin u shfaq me mustaqe të njëjta me ato të Hitlerit.
Vet presidenti Franklin D. Roosevelt u tremb, druhej se filmi mund të shfaqte polemika mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës, pasi shfaqeshin fraza të tilla si ‘urrejtja ndaj meshkujve do të kalojë, diktatorët vdisnin dhe fuqia që kishin rrëmbyer, do t’i kthehej popullit”.
Fjalimi i aktorit në këtë film konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori. Duke marrë parasysh referencat antinaziste që përmban fjalimi në filmin dhe faktin se është publikuar në vitin 1940, kohë kur Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet, mund të thuhet se ky fjalim së bashku me filmin është një vepër e papërsëritshme. Filmi shpreh një satirë të fortë të drejtpërdrejt ndaj Adolf Hitlerit, por është edhe një britmë kundër të gjithë regjimeve autokratike.
Fjalimi në filmin “Diktatori i madh” (Charlie Chaplin, 1938)
Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qeniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njerëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë. Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qeniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë. Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive. Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku. Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur. Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qenies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve. Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit. Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga Njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njerëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur. Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdor si mish për top e ju trajton si bagëti. Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jo-njerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës. Ju s’jeni makineri ! Ju s’jeni skllevër ! Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër. Ju s’keni urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore dhe që nuk është e bërë prej dashurisë. Ushtarë mos luftoni për skllavërimin por për lirinë. Është e shkruar në ungjill, e sipas Shën Lukës « Mbretëria e Zotit është në qenien njerëzore », jo vetëm në një qenie njerëzore, as vetëm në një grup, por te çdo njeri, te ju o popull që e keni fuqinë : fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi. Ju o njerëz e keni pushtetin : pushtetin për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta bërë jetën aventurë të mrekullueshme. Pra në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet. Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re, botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë. Të ligjtë ju kanë premtuar shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë. Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt. Ndërsa neve na duhet të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Na duhet të luftojmë për të liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë. Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë ! Ana, më dëgjon ? Kudo që të jesh, hapi sytë! Hapi sytë Ana! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapi sytë Ana! Shpirti i njeriut mori më në fund flatra dhe po nis të fluturojë. Ai fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës. Shih lart, Ana! Atje tej !/ KultPlus.com
‘A long way home’ me regji të Ibër Dearit, mbrëmë ka marrë çmimin filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër maqedonas.
Ky çmim për ‘A long way home’, u nda në festivalin ndërkombëtar të filmit ‘Kinenova’ që është mbajtur në Shkup nga data 6 deri më 11 tetor.
Lajmin për çmimin e filmit, për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili ka treguar se ky është çmimi i dytë për këtë film të tij, i cili tash është duke garuar edhe në 15 festivale të tjera ndërkombëtare.
Juria e festivalit ‘Kinenova’, është përbërë nga: Goran Markovic (Serbi), Julia Uchansu (Turqi), Sinolica Trpkova (Maqedoni), Igor Galo (Kroaci), kurse në këtë festival kanë marrë pjesë filma nga shumë vende të ndryshme të botës.
‘A long way home’ sjellë në kastën e aktorëve Mirsad Abazin, Sefedin Shabanin, Musa Isufin dhe Ardian Kadriun./ KultPlus.com
‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt, ka nis sot xhirimet, shkruan KultPlus.
Ky film i metrazhit të shkurtër do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për nisjen e xhirimeve nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar vetë regjisori Lecaj.
“Dita e pare e xhirimeve te filmit “Klithma”, prodhim i shtepise filmike “Land Film”, me producent Besar Zahitin, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosoves. Ekipit te filmit tim, ju them, ju dua. Na shkoft mbare deri ne fund!
#day1 #Klithma #shooting”, ka shkruar Lecaj.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Hazir Haziri, Arjola Demiri, Arbnesha Grabovci-Nixha, Alban Zogaj, Kaltrina Zeneli dhe Rajmona Ahmetaj. Filmi pritet të përfundoj në nëntor të këtij viti./ KultPlus.com
Pas një jave plot filma, debate për filma dhe muzikë, mbrëmë mbaroi TIFF Oda film festival në Tetovë, i cili u përmbyll me filmin “Rregulla Arti”.
Drejtori i këtij festivali, Sabedin Selmani thotë se organizimi shkoi shumë mirë dhe se ky festival u mirëprit tejmase nga adhuruesit e filmit.
“Organizimi ishte shumë i mirë, dhe gjithashtu kësaj radhe kishim edhe shumë vizitorë. Kësaj radhe edhe mbylljen e kishim speciale, pasi që filloj jazzfesti. Gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe jemi shumë të kënaqur me këtë realizim që u bë”, tha për Portalb.mk, Selmani.
Ja çmimet që u ndanë në këtë festival:
Kategoria – WIN PANORAMA ( Filmat e shkurtër në konkurrim)
Përbërja e jurisë:
1.MEVLAN Shanaj
2.BURBUQE BERISHA
3.LLAZAR SEKULOVSKI
Filmi më i mirë
I’ve got you – Poloni
Regjia më e mirë
Approachhing- Republika Ceke
Montazhi më i mirë
Fight for death-Maqedoni
Kinematografia më e mirë
Bon appétit-Shqiperi
Filmi më i mirë i Animuar
Ethnophobia-Shqiperi-Greqi
Çmimi i publikut
Toka-Maqedoni
Kategoria: Student panorama
Filmat Studentor në konkurrim:
Dokumentari më i mirë studentor
Studants – FDU- Maqedoni
Filmi më i mirë Studentor
First Kiss-Fiofa
Çmim nderi
Man with the will of steel-Bosnja dhe Hercegovina
Ndryshe, ky festival u hap me festivalin “Hunting Flies” drejtuar nga Izer Aliu, film i prodhuar nga prodhimi norvegjez dhe i realizuar në Maqedoni. Qëllimi i këtij festivali është qasja e të gjithë artistëve të filmave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve, prezantimit të veprave kulturore, etj.
Brenda kësaj jave të festivalit janë shfaqur filma nga vende dhe artistë të ndryshëm.
Ndërkohë, pas mbarimit të festivalit të filmit, pas 3 viteve rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova./ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Toka’ me regji të Ibër Dearit, fitoi çmimin e audiencës në edicionin e gjashtë të festivalit TIFF-ODA.
Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili ka shprehur mirënjohjen ndaj këtij festivali dhe ndaj audiencës për këtë vlerësim.
TIFF-ODA, që mbahet në Tetovë, sivjet ka sjellë emra të ndryshëm të kinematografisë, poashtu gjatë një jave sa ka zgjatë festivali ka pasur debate, filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, dokumentarë, animacion…
Ndërkaq në filmin ‘Toka’, në rolet kryesore vijnë aktorët Adem Karaga dhe Afrim Muçaj./ KultPlus.com
“Liza në botën e çudirave” është padyshim një nga personazhet më të dashur të fëmijërisë, por pak kush e di se kush është vogëlushja që frymëzoi autorin e librit, Lewis Carroll.
Fotografitë e vajzës, te realizuara nga vetë Carroll do të shfaqen në një ekspozitë në “Nation Potret Galleri” në Londër, bashkë me imazhe të muzës së tij në moshë të re.
Akademiku i Oksfordit dhe autori i historive të “Lizës në botën e çudirave”, fotografoi Liza Liddellin, vajzën e fqinjëve të tij kur ishte e vogël. Shumë vite më vonë ajo u fotografua edhe nga Julia Margaret Cameron, fotot e së cilës përfshihen gjithashtu në ekspozitë. Magjepsja e Carroll me Liddell, e cila vdiq në moshën 82-vjeçare në 1934-n ka nxitur spekulimet se ai mund të ishte pedofil.
Por Phillip Prodger, kurator i ekspozitës tha se gjatë kohës që kishte jetuar autori nuk kishte pasur kurrë pretendime për sjellje të papërshtatshme nga ana e tij. Imazhet e Lizës së vërtetë rrallë janë shfaqur për publikun. / KultPlus.com
Filmi “Çmimi i dashurisë” ka hapur Javën e kinematografisë greke në Korçë.
Sipas konsullit grek në Korçë Georgios Alamanos, qëllimi i këtij aktiviteti është përcjellja e kulturës greke dhe përfshirja e saj në kulturën e qytetit të Korçës.
“Aktivitetin e quajtëm “Java e kinematografisë greke”. E zhvillon konsulta greke në Korçë. Janë 3 filma që do shfaqen e përmes tyre synojmë të hyjmë në jetën kulturore të qytetit. Korça është një qytet me identitet të theksuar kulturor dhe me njerëz që kanë të kultivuar ndjenjën e së bukures, ndaj dhe filmat që do paraqesim i kemi përzgjedhur me mjaft kujdes”, thotë zoti Alamanos.
Filmi “Çmimi i dashurisë“ është një histori dashurie, tradhtie dhe ndërgjegjësimi i mbështetur në romanin e Kostandin Theothokut “Nderi dhe paraja”. Filmi sjellë portretin e një bote në evolucion të vazhdueshëm shoqëror dhe ekonomik. Interesi i publikut për këtë film ishte i larte, duke mbushur plot sallën e kinemasë. Mbrëmjen e së enjtes dhe më 7 tetor do të shfaqen falas filmat: “ Dinakeri dhe kamuflazh” dhe “Kuzhina e Kostandinopojes” në orët 18:00 dhe 20:00. / KultPlus.com
Aktori me prejardhje shqiptare, që po prek tashmë majat e Hollivudit, Marko Caka, është pjesë e filmit ‘Shi në muze’ me regji të Woody Allen, shkruan KultPlus.
Ky projekt i madh filmik i cili pritet të dalë ne vitin 2018-të, ka mbledhë rreth vetës një kastë aktorësh si: Selena Gomez, Jude Law, Elle Fanning… ndër ta është edhe aktori Marko Caka.
Një gjë të tillë e tregoi nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë Marko Caka, i cili poashtu ka publikuar edhe fotografi nga sheshxhirimi.
“On set with Woody Allen and Selene Gomez..
Nje falenderim special per regjizorin e madh Woody Allen qe me dha mundesine brenda 8 aktoreve, te jem pjese e vetem nje skene speciale te Selene Gomez “Shi ne muzeum” ne projektin e madh te tij filmik e te Amazon Studio per vitin 2018 me nje numer te yjesh, Jude Law, Elle Fanning
Megjithese kemi filluar xhirimet ne 3 te mengjesit, por ja vlen kur shikon gjithnje buzeqeshjen e Gomez duke na folur te gjitheve duke harruar shiun improvizus qe binte.. Nuk thuhet kot se Ëoody Allen ben vetem mrekullira ne sheshxhirim, qe duhet te jesh me fat ta perjetosh nga afer”, ka shkrua Caka./ KultPlus.com
Organizata ‘Europa Krijuese’ ka dhënë që prej vitit 2013, rreth 700 mijë euro për filmin shqiptar.
Por për producentët ai që mundëson financimin e një filmi, është një projekt i shkruar mirë. Në 20-të vjetorin e krijimit të kinemasë shqiptare, Ilir Butka thotë se është koha për të punuar më shumë për të pasur një produkt cilësor.
Regjisori Andemion Murataj, thotë se në aktivitetin ‘Balkan Film Market’ kanë ardhur producentë të njohur, dhe kjo është një formë që filmi shqiptar të fitojë më shumë të ardhura.
Në ‘Balkan Film Market’, do të prezantohet edhe projekti nga Kosova ‘Hana’ i regjisorit Ujkan Hysaj, i cili është mbështetur së fundmi nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
‘Balkan Film Market’ zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, dhe do të zgjasë deri në datën 7 tetor. / KultPlus.com
Edicioni i dhjetё i Festivalit tё Filmit Ndёrkombёtar “Hyjnesha nё Fron” (Hn’F) nё praninё e shumё mysafirёve dhe dhjetëra krijuesve filmik, tё shtunёn nё mbrёmje, nё stacionin e trenave nё Fushё Kosovё, pёrkatёsisht nё “Hotel Hyjnesha” i hapi portat e kinemasё dhe rampat e projeksionit pёrmes njё shёnimi jubilar dhe njё ceremoni festive.
Nё ceremoninë e hapjes ku ishin prezent shumё mysafirё dhe artistё filmbёrёs nga disa vende si Izraeli, Holanda, Gjermania, Franca, Beligjika… u tha se festivali ёshtё duke kaluar nёpёr zgjedhje dhe nёpёr ndryshime.
“Disa nga ju mbase e keni vёrejtur se festivali po kalon nёpёr ndryshime”, deklaroi drejtuesja e programit te Hn’F-sё, Makfire Morea nga cilёsia e moderimit duke theksuar pёr kushtet e limituara organizative pёr shkak tё zgjedhjeve nё vend si dhe lёvizjes sё lirё.
“Jemi tejet tё kёnaqur tё jemi nё mesin e miqve qё e ndajnё dashurinё tonё ndaj kinematografisё, jetёs dhe lirisё”, tha Morea nё vazhdim.
“Hyjnesha” u themelua nё vitin 2002 nga aktori, Besim Ajeti , si festivali i parё ndërkombëtar, i themeluar pak kohё pas lufte, nё Kosovё. Megjithatё, kanё kaluar mё shumё se pesёmbёdhjetё vjet, qё atёherё, festivali regjistron vetёm edicionin e tij tё dhjetё me radhё pёr shkak tё rrethanave shoqёrore.
“Filmi, trenat dhe miqёsia ёshtё lidhja qё ne po mundohemi ta ndёrtojmё dhe ta mbajmё gjallё”, u tha Morea mysafyrёve tё mbledhur nё njёrёn nga tri tribunat, nё njё ambient me mot tё ftohtё, para se tё shfaqej premiera evropiane e filmit kanadez “Kiss and cry” (“Puthje e lot”).
Pasi u prezantuan dy juritё e festivalit, pёr film tё metrazhit tё gjatё nё krye me Mark Norfolk dhe atij tё shkurtё me nё krye Naser Shatrollin si dhe me njё pjesëmarrje nga vende tё ndryshme publiku u drejtua pёr nё sallёn e vogёl e tё ngrohtё ku mundi ta pёrcjellё me pёrkushtim projeksionin kinematografik qё ёshtё nё garё pёr njёrin nga çmimet e festivalit, pёrfshirё çmimin pёr filmin mё tё Mirё tё Hn’F-sё./ KultPlus.com
‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, është nominuar për çmimin e kritikëve të filmit holandez, shkruan KultPlus.
Filmi ka marrë pjesë në Festivali e Filmit Holandez i cili mbahet për çdo vit në fillim të vjeshtës. Ky film i cili pati premierën në Karlovy Vary, është filmi që do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar.
‘T’padashtun’ me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Ky projekt është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Fondi i Filmit Holandez./ KultPlus.com
Edicioni VI i TIFF – ODA do të nis më 3 tetor në Tetovë, Maqedoni, shkruan KultPlus.
Ky festival i cili ka për qëllim qasjen e të gjithë artistëve të filmit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore, do të mbahet deri më 7 tetor. Brenda kësaj javë do të shfaqen filma nda vende dhe artistë të ndryshëm.
Ceremonia e hapjes është më 3 tetor me fillim nga ora 20:00 me shfaqjen e filmit ‘Hunting Flies’, me regji të Izer Aliut./ KultPlus.com
‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt është ndër projektet që është mbështetur së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kësisoj ky film i metrazhit të shkurtër tashmë ka dhënë sinjalet e para për nisjen e xhirimeve që do të bëhen gjatë muajit tetor.
‘Klithma’ do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një rrëfim për KultPlus, regjisori i ‘Klithma’, Korab Lecaj, shpalosi detaje interesante për këtë projekt që rezulton i pari me këtë temë shumë të ndjeshme. Lecaj, foli për rrëfimin e filmit, aktorët, xhirimet, premierën e poashtu foli edhe për të veçantën e ekipit të filmit.
“Për përrallën e filmit mund të them shumë shkurt. Filmi “Klithma”, trajton temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të paluftës, që është, dhunimi seksual i meshkujve shqiptar, gjatë luftës në Kosovë. Kush janë personazhet? Si e mbajnë të fshehur dhe kur ata e bëjnë publike plagën e tyre fizike dhe shpirtërore, kjo mbetet të shihet në film. Mbi të gjitha mund të them se, filmi është i inspiruar nga ngjarje të vërteta”, nisi kështu rrëfimin për KultPlus, Korab Lecaj, i cili vazhdoi tutje të flasë për kastën e aktorëve duke shpalosur edhe personazhet e ‘Klithma’.
“Në film janë gjashtë personazhe: dy role kryesore, burri dhe gruaja, të cilët do të interpretohen nga Hazir Haziri dhe Arjola Demiri, dy role dytësore gruaja e komshinjve që do të interpretohet nga Arbnesha Grabovci – Nixha dhe roli i Ramadanit që do të interpretohet nga aktori Alban Zogaj, poashtu edhe dy role episodike, gruaja e Ramadanit që do të interpretohet nga Kaltrina Zeneli si dhe gruaja e komshinjve të Ramadanit që do të interpretohet nga Rajmonda Ahmetaj. Do të ketë të angazhuar edhe disa etatistë”, pohoi Lecaj, duke thënë që xhirimet do të realizohen gjatë muajit tetor dhe do të zgjasin shtatë ditë.
Ndërkohë, regjisori Lecaj, tregoi për veçantin që do të ketë ky projekt. Ai për KultPlus, tregoi se në fillim të tetorit në Prishtinë nga Bosnja do të vjen drejtori i fotografisë, së bashku me ekipin e tij, Almir Xhikoli. “Almiri është njëri prej drejtorëve në të mirë të fotografisë nga Bosnja, i cili ka xhiruar dhjetëra filma të gjatë artistikë me regjisorë të njohur. Pra, ne kemi nderin pjesë të ekipit të filmit “Klithma”, ta kemi këtë artist”, theksoi ai.
Korab Lecaj si ko-skenarist dhe regjisor i këtij projekti, tha se për të personalisht është sfidë goxha e madhe, së pari tema e filmit që sipas tij është shumë e ndjeshme, pastaj barra artistike që e ka karshi kësaj teme. “Sfidues për mua e bën këtë projekt edhe fakti se ky është filmi i parë që e realizoj me para të taksapaguesve, që do të thotë projekt i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, tha tutje Lecaj.
Krejt në fund, Korab Lecaj shpalosi edhe muajin se kur pritet të dalë me premierë ky film.
“Filmi “Klithma”, në fund të nëntorit 2017 do të jetë i gatshëm, fillimisht për festivale ndërkombëtare të filmit, sepse synimi i ynë si ekip është që premierë botërore filmin ta japim në ndonjë festival të kategorisë A. Se si do të rrjedh ky proces, prite të shihet. Sigurisht për ne festivalet ndërkombëtarë janë të rëndësishme jo vetëm për faktin artistik, por edhe për temën e filmit, sepse synim yni është t’i tregojmë botës se çfarë kanë bërë serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999”, përfundoi Lecaj.
Ky film është prodhim i shtëpisë ‘Land Film’s’, ndërsa producent i tij është Besar Zahiti./ KultPlus.com
Kurse ky projekt është njëri nga filmat që ka mbledhë një kastë të aktorëve të shkëlqyer, duke përfshirë: Arta Dobroshi, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, shkruan KultPlus.
Ky projekt edhe pse është mbështetur në vitin 2016-të nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ende nuk ka nis xhirimet e krejt kjo për shkak të buxhetit të ulët. Për këtë gjë, për KultPlus njoftoi vetë regjisori Qosja, i cili tha se është në pritje të fondeve nga shtete e tjera, pasi që shuma prej 120 mijë eurosh është shumë e ulët për ta jetësuar këtë projekt.
“Ne kemi pas plan që xhirimet t’i nisim në shtator të këtij viti por për shkak të buxhetit të vogël jemi detyruar që xhirimet t’i zhvendosim për maj të vitit të ardhshëm. Kemi aplikuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe në Francë. Tashmë jam në pritje të përgjigjeve që do i marrë nga këto institucione”, tha për KultPlus, regjisori Isa Qosja.
Në një intervistë të mëhershme Isa Qosja, pati treguar ekskluzivisht për KultPlus se Arta Dobroshi do të jetë në kastën e aktorëve të filmit ‘Skype’. Poashtu në kastën e këtij filmi do të jenë edhe aktorë të tjerë të si: Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, Arben Bajraktaraj, Mirush Kabashi.
“Skype”, do të sjellë disa përralla për një vend dhe për njerëzit që jetojnë atje. Për Plavën dhe Gucinë…Por edhe për të gjithë ne. Në fakt regjisori ka folur me gjuhën dhe ndjenjat e njerëzve nga realiteti jetësor aty. Për hallet e tyre karshi shpërnguljes së pandalur në Amerikë. Në “Skype”, regjisori do të sjellë edhe shitblerjen e grave në të dy anët e kufirit dhe për tri gjenerata të humbura të femrës shqiptare, pikërisht si pasojë e emigrimit./ KultPlus.com
E vështirë të thuhet nëse regjisori australian Steven Kastrissios ka një marrëdhënie me hakmarrjen, por dy filmat kryesorë të jetës së tij shikojnë nëpërmjet saj. Pas “The Horseman”, që e shpërndau fillimisht nëpërmjet tregut amerikan, ai vjen në Shqipëri me të parin film horror shqiptar.
“Bloodlands” vjen në kinema që prej së premtes, nën inerpretimin e Gëzim Rudit, Ilire Vincas, Suela Bakos e të tjerë.
“The Horseman është i gjithi një film për hakmarrjen. Bloodlands nuk eksploron hakmarrjen në vetvete, pavarësisht se e përdor atë. Është një film rreth familjes dhe traditës”, thotë vetë regjisori Steven Kastrissios.
Edhe ky film et për dhunën. Një vajzë mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Izolohet në mal edhe shndërrohet në një shtrigë të vërtetë, e cila mbledh rreth vetës një grup njerëzish, të cilët njëlloj si asaj shoqëria ua ka kthyer shpinën. Edhe më herët regjisori është shprehur rreth dhunës.
“Dhuna është diçka që e marr seriozisht dhe e konsideroj, sepse nuk duhet të futësh ide të këqija në kokën e njerëzve. Ajo që bëj është që i trajtoj historitë me shumë përgjegjësi dhe rolin e dhunës në to”, vijon ai. Ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.
Përveç kësaj dhe origjinalitetit të filmit, regjisori ka një ftesë për publikun. “Produksioni i këtij filmi është i ndryshëm nga çdo film tjetër në Shqipëri. Postproduksionin e kemi bërë në Australi për dy vite dhe duhet t’i shohësh këta artistë të Shqipërisë në ekranin e madh të kinemasë. Me një aktrim për të cilin reagimi ka qenë se është puna me e mirë e tyre ndonjëherë”, thotë ai, transmeton tch./ KultPlus.com
Në Tiranë ka filluar edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), me shfaqjen e filmit dokumentar “Dugma: The Button”.
Temë qendrore e këtij edicioni është “Populizmi dhe Radikalizmi”, ndërsa ceremonia e hapjes së festivalit është mbajtur në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.
Në ceremoninë e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili theksoi se arti i përket dhe është domethënës për të gjithë njerëzit, pavarësisht sfondit të tyre kombëtar, kulturor apo shoqëror.
“Çdo vjeshtë festivali tërheq artistë, shoqërinë civile, institucionet shtetërore dhe plot të ftuar nga mbarë bota. Elementi i veçantë është se ne vijmë këtu jo thjesht për të vlerësuar artin, por me dëshirën që ky vlerësim të na bëjë të kuptojmë më gjerë dhe më thellë problematikat aktuale të të drejtave të njeriut. Në 20 vitet e angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Shqipëri, ne e kemi shpallur zëshëm mbështetjen tonë për promovimin e të drejtave të njeriut. E kemi parë se si aktualisht racizmi dhe nacionalizmi po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në Evropë dhe në botë. Kushtet themelore për demokracinë, si respekti për faktet, lirinë e shtypit dhe vlerën e barazisë mes njerëzve, po injorohen në mënyrë flagrante”, u shpreh Borchardt.
Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Zvicra, Australia, Spanja, SHBA, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Holanda, Franca, Norvegjia, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania, Gjeorgjia, etj. IHRFFA do të vazhdojë deri më 23 shtator, ndërsa Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe OSBE-së.
Sipas organizatorëve edicioni i 12-të i këtij festivali ka shënuar një shifër prej 3000 aplikimesh, ndërsa janë përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilëve më çmime në festivale të ndryshme ndërkombëtare.
Tema e këtij edicioni, ku hyrja do të jetë e lirë për publikun, do të trajtohet edhe gjatë debateve, forumeve dhe shfaqjeve të këtij festivali. / KultPlus.com
Tre personazhe të ndryshme që sjellin përmes 90 minutave “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” apo “To Want, To Need, To Love”, filmin dokumentar të regjisorit të ri Ilir Hasanaj, shkruan KultPlus.
Ky film i cili mori çmimin e audiencës në edicionin e sivjetmë të DokuFest, më 29 shtator vjen në Prishtinë.
Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Genc Hasanaj janë personazhet që shpalosin jetën e tyre private në këtë film. Filmi më 29 shtator me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet në Termokiss në kryeqytet./ KultPlus.com