Filmi “Ninullë” do të shfaqet në kuadër të festivalit të filmit “Zuger Filmtage” në Zvicër

Filmi i metrazhit të shkurtër, “Ninullë” me skenar dhe regji të Adrian Asllanit, i cili këtë vit pati debutimin në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, tashmë do të shfaqet për herë të parë në Zvicër në kuadër të festivalit të filmit “Zuger Filmtage”, përcjell KultPlus.

Filmi “Ninullë” do të shfaqet si film hapës para filmave në vijim:

E shtunë, 11 nëntor 2023

“Touch of Evil” nga Orson Welles, në ora 14:45 në Kino Gotthard (Gotthardstrasse 18, Zug).

“Psycho” nga Alfred Hitchcock, në ora 22:30 në Kino Gotthard (Gotthardstrasse 18, Zug).

“Blue Velvet” nga David Lynch, në ora 23:15 në Kino Seehof 2 (Schmidgasse 8, Zug).

E martë, 14 nëntor 2023

“Awards Night Zuger Filmtage”, në ora 18:30 në Kino Seehof (Schmidgasse 8, Zug)

Prej datës 11 deri me datën 14 nëntor mund të votoni online për filmin “Ninullë” në webfaqen e Zuger Filmtage (informacionet shtesë do të vijojnë së shpejti). / KultPlus.com

Filmi “Heshtja e Sirenave” me premierë botërore në Festivalin e Filmit Mostra në Brazil

Filmi “Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në edicionin e 47-të Festivalit të Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil, një prej festivaleve më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film vjen me regji dhe skenar nga Gazmend Nela.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se filmi u mbështet nga Qendra Kinematografike e Kosoves  dhe është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production.

“Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjoze në botë, Festivali i Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil (edicioni i 47, 19 tetor – 1 nëntor).

Me mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosoves filmi me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com

Filmi “And The Wind Weeps” shfaqi premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian

Filmi “And the wind weeps” i regjisores dhe skenaristes me prejardhje nga Kosova, Aulona Selmani dhe producent Lauro Jenni, shfaqi premierën botërore në edicionin e 71-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian të Spanjës i cili është një festival vjetor i filmit i kategorisë A i mbajtur në qytetin spanjoll të Donostia-San Sebastián, Basque Country.

Filmi prek temën e luftës së fundit në Kosovë dhe traumat që ajo ka shkaktuar. Në të luajnë pesë aktorë nga Kosova. Filmi është prodhim i Universitetit të Zvicrës dhe ko-producent është televizioni zviceran SFR.

Në shfaqjen e premierës së filmit ishin të pranishëm regjisorja dhe skenaristja e filmit Aulona Selmani, producenti Lauro Jenni dhe editorja Carmen Walker.

Pas shfaqjes së filmit feedback nga publiku ishte shumë i mirë dhe shumë pozitiv

Festivali i Filmit në San Sebastian po mbahet mes datave 22 deri më 30 shtator. / KultPlus.com

Rritje në cilësi dhe sasi e festivalit Kino Kosova në Bernë

Javën që lamë pas në Bernë u mbajt edicioni i katërt i festivalit KinoKosova, i cili, përveç në Bernë, mbahet edhe në Cyrih.

Nga 20 deri me 24 shtator, adhuruesit e artit të shtatë patën mundësi që për herën e katërt me radhë të ngujohen para ekranit të madh në Bernë e të ndjekin një program mjaft interesant, ku pos filmave, bënin pjesë edhe punëtoritë, panelet e diskutimit, një ekspozitë arti si dhe në fund, një koncert.

Filmdashësit iu gëzuan shfaqjes së mbi 30 filmave të metrazheve të ndryshëm nga artistë e regjisorë nga Kosova, si dhe të mysafirëve që kësaj radhe ishin kineastë nga Greqia, shkruan albinfo.ch. Kjo, për publikun ishte një mundësi e mirë për të përjetuar dhe mësuar nga perspektiva e rajonit të Ballkanit.

Tashmë me dy edicione brenda vitit, në Cyrih dhe Bernë, Kino Kosova ngadalë dhe sigurt po shndërrohet në një festival serioz, jehona dhe fama e të cilit nga viti në vit është duke shënuar ngritje të mirëfilltë.

“Konsistenca apo edhe lidhja për idenë e organizimit të një festivali më se të nevojshëm për komunitetin shqiptaro-zviceran, janë tashmë një ndër çelësat kryesorë të suksesit të vazhdueshëm të këtij projekti” tha për Albinfo.ch, drejtori artistik i KinoKosova, Sabahet Meta.

Sipas tij, festivali po rritet në mënyrë të natyrshme, duke u nisur edhe nga numri i drejtuesve dhe i afër 20 vullnetarëve, shkruan albinfo.ch. Ndërsa për numrin e shikuesve mjafton të thuhet se këtë vit, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme, shpesh herë ka ndodhur që shikuesit janë detyruar të ulen edhe në tokë, për të ndjekur programin e KinoKosova.

Lidhjes tashmë speciale mes Zvicrës dhe Kosovës, organizatorët ia kanë ofruar edhe këtë platformë, ku trajtohen shumë aspekte që e karakterizojnë shoqërinë kosovare (dhe atë evropiane), siç janë migracioni, gjinia, vizat, shpresat, ligjet dhe nevojat.

Pjesë e KinoKosova të edicionit të katërt ishte edhe filmi “Cascadeuses” i regjisores shqiptare nga Zvicra, Elena Avdija. Ai ofron njohuri mbi botën e rrezikshme të grave kaskadere, e cila është ende e padrejtë në krahasim me atë të burrave të këtij profesioni. Kujtojmë se Elena në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF, në progreamin “Focus”) vitin e kaluar ishte shpallur fituese për regjinë më të mirë. Ajo po ashtu është vlerësuar si Personalitet i Vitit 2022 në sferën e kulturës respektivisht filmit, nga redaksia e platformës mediale albinfo.ch.

“Cascadeuses” që u shfaq në natën e fundit të festivalit, ngjalli shumë reagime nga të pranishmit. Në fund shikuesit patën mundësi të marrin pjesë në rubrikën “Pyetje dhe përgjigje”, si platformë bashkëbisedimi mes shikuesve dhe regjisorëve/aktorëve.

Për regjisoren Avdija, që merrte pjesë për herë të parë në këtë festival, KinoKosova është një pasqyrë/platformë e mirë për shikuesit në Zvicër për të treguar se edhe në vende, si Kosova, ka filmbërës që me veprat e tyre dinë të japin mesazhe të fuqishme.

Si pjesë përbërëse e KinoKosova këtë vit ishin edhe panelet e diskutimit, ku u trajtuan tema të ndryshme, e jo vetëm të kinematografisë, raporton albinfo.ch. Ato u moderuan nga gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila që nga edicioni i parë është pjesë e KinoKosovës.

Hiltmann deklaroi për albinfo.ch se ky edicion ka qenë një sukses i madh jo vetëm për nga numri i shikuesve, por edhe nga cilësia e filmave, si dhe nga programi më se i pasur i festivalit.

Ekspozita e artistit të mirënjohur kosovar, Jakup Ferri, ishte ngjarja tjetër që e pasuroi edhe më shumë KinoKosovën.

Jakup Ferri vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Bienalen e Venecias, ku përmes artit ngacmon vizitorët me imagjinatën e tij të gjallë, ngjyra të fuqishme, një shije delikate të humorit si dhe pafajësinë fëmijërore.

Festivali KinoKosova, siç është bërë tashmë traditë, u përmbyll në mënyrën më të mirë me një koncert, ku për të pranishmit u përkujdesën Edona Vatoci me grupin e saj dhe Leart Rama nga Kosova, si dhe DJ PanoΣ. / KultPlus.com

Kosova nuk propozon film për garën e çmimeve Oscars, nuk kishte prurje adekuate

Kosova këtë vit nuk propozon film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për edicionin e radhës të Oscars 2024.

Për një dekadë të tërë, Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve Oscars dhe komunitetin e tij vlerësues. Por pas trajtimit të aplikimeve të këtij viti, anëtarët e komitetit selektues kanë vendosur mos të propozojnë film për edicionin e Oscars 2024.

Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këti viti, komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë deshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e Oscars 2024 të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova.

Në këtë vendim nuk u harrua të theksohet fakti se kualiteti i punëve të filmbërëseve kosovar të prezentuara në propozimet e filmave për Oscars deri tani ka ndërtuar reputacionin e kinematografisë tonë në këtë platformë globale, duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021. / KultPlus.com

Përmbyllet me sukses KO:SH Film Fest 2023, shpallen fituesit

Ka përfunduar me sukses Festivali i Filmit KO:SH.

Gjatë pesë ditëve të festivalit u shfaqën 42 filma të shkurtër ku 36 prej tyre garuan në tre kategoritë kryesore si kategoria e filmit ndërkombëtar, kategoria e filmit studentor dhe kategoria e filmit kombëtar.

Ky edicion u zhvillua tërësisht pranë ‘Kinema Majestic’ duke e kthyer kinemanë më të vjetër në Shqipëri përsëri në funksion të filmit.

Juria e festivalit ishte e përbërë nga Ilija Piperkoski, regjisor, skenarist (Maqedonia e Veriut), Lulzim Hoti, drejtor i organizatës 7Arte (Kosova) dhe Florenc Zerellari, skenarist (Shqipëri).

Juria vendosi të shpërblejë me çmim sipas kategorive 4 filma:

Filmi më i mirë i shkurtër – Bellus | Alexis Pazoumian | Francë

Filmi më i mirë i shkurtër, gara ndërkombëtare – Radio Qetësia | Kerren Lumer-Klabbers | Danimarkë

Filmi më i mirë i shkurtër, gara kombëtare – Prishtinë, 2002 | Trëndelina Halili | Kosovë

Filmi më i mirë i shkurtër, gara studentore – Fundi tjetër i rrugës | Kálmán Nagy| Hungari, Austri (Akademia e Filmit Vienë)

Ndërkohë çmimi i publikut shkoi për filmin Richter nga Koloreto Cukali, Shqipëri.

Edicioni i sivjetshëm i Korça International Short Film Festival, ishte tepër i suksesshëm dhe numri i publikut krahasuar me vitin paraardhës shënoi rritje me 68%.

KO:SH Film Fest 2023 u zhvillua falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Korçe, Teatrit Korçë, Goethe Institute dhe Oberhausen Film Festival.

Në muajt në vazhdim filmat fitues të KO:SH Film Fest, do të shfaqen në disa qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë thirrja për edicionin e ardhshëm do të hapët së shpejti. / KultPlus.com

Filmi “The Expendables 4” në kinematë amerikane

Në kinematë amerikane u lansua filmi i ri “Expendables 4”. Në të me rol sërish paraqitet aktori tani 77 vjeçar, Sillvester Stallone. Në lidhje me këtë film për AP ka folur regjisori i tij Scot Waugh.

Regjisori i filmit të katërt “Expendables” ka një histori të gjatë me yllin e filmit Sillvester Stallone.

Regjisori Scott Waugh iu bashkua ekipit realizues të këtij filmi katër javë para xhirtimeve të tij. Ai ka treguar se me Stallonen ka punuar kur ai ishte në fillim të karrierës së tij.

Waugh ka thënë se me Stallonen apo siç e quajnë Sllaj, ka punuar edhe para shumë kohësh. Kur u vendos për projektin filmik Hidden Strike, në të me role u paraqitën Jackie Chan dhe Sllaj.

Waugh ka thënë se gjithmonë ka qenë fans i Sllaj. Kështu, kur agjenti i tij e ka thirrur për tu bërë pjesë e këtij projekti, menjëherë ka pranuar. Më pas Sllaj u rrëzua, por se në vend të tij ka angazhuar Xhon Sinën. Xheki e Gjon përshtateshin mire me njëri-tjetrin, dhe filmi ka dalë shumë i mirë. Një ditë u fol për projektin filmik The Expendables, që regjisori i caktuar i tij kishte vendosur të mos e vazhdonte punën në të, dhe se kishin katër javë deri në xhirime. Vog ka treguar se ka pranuar një thirrje ku i është kërkuar që të bënte regjinë e tij, se Sllaj dhe të tjerët ishin të pajtimit që ai të bënte regjinë e tij, dhe kështu edhe ndodhi.

Regjisori Waugh për Sllaj ka thënë se atij nuk i kujtohet që me të ka bashkëpunuar në filmin ‘The Specialist’, në Majami. Ai ka luajtur rol në të. Waugh ka thënë se skena e tij ishte kur Sllaj e hedh atë nga dritarja, por se Sllaj-it nuk i kujtohet kjo. Waugh ka thënë se kur të rrijë me Sllaj më gjatë, do t’i tregojë për këtë skenë.

Në filmin Expendables 4, veç Stallones me role paraqiten edhe: Jason Statham, “50 Cent”, Megan Fox e disa aktorë të tjerë.

Regjisori Waugh ka thënë se me Sllaj ka bërë biseda interesante, se me të ka folur edhe rreth këtij filmi, të cilin secili mund ta vlerësojë si shumë serioz. Edhe Sllaj sipas fansave të tij është serioz, por në fakt ai është njeri i sofistikuar.

Waugh ka thënë se filmi The Expendables 4 ka skena aksion, të dhunshme, por që janë të realizuara në atë mënyrë që të duken interesante.

Filmi “Expend4bles” në kinematë amerikane u caktua për shfaqje nga data 22 shtator 2023./21Media/KultPlus.com

Nga ‘Babai i Tilit’ te ‘Tingujt e luftës’, rolet që e ngritën në piedestal Mjeshtrin e Madh Lutfi Hoxha


Kinematografia shqiptare mban zi ditën e sotme, pasi aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu” ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi.

Hoxha numëron shumë role në filmat shqiptar, mes tyre babai i Tilit, tek “Shoku ynë Tili”, “Dollia e dasmës sime”, “Tingujt e luftës”, etj.

Ai lindi më 1 Qershor 1934. Në janar 1953 ishte një nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku ai luajti deri në fund të karrierës së tij artistike.

Filmat ku ka luajtur:

Ne dhe Lenini (2009)
Një ditë e mrekullueshme (2003)
Vetmi (1990) – Leko
Pranvera s’erdhi vetëm (1988)
Nata e parë e lirisë (1984) – Hamalli
Shoku ynë Tili (1981) – Qemali
Në prag të lirisë (1981) – Veliu
Intendenti (1980) – File
Dollia e dasmës sime (1978) – Krushku
Një udhëtim i vështirë (1977)
Tingujt e luftës (1976)
Thirrja (1976) – Ndue
Pylli i lirisë (1976) – Nauni
Ilegalet (1976)
Rrugicat që kërkonin diell (1975) – Përgjegjës i bojaxhinjve – anëtar i njësitit
Detyre e posaçme (1963). / KultPlus.com

Filmi ‘Si Në Vaj’ shpallet fitues në dy kategori në Gässli Film Festival në Basel

Filmi ‘Si Në Vaj’ i regjisores Aulona Selmani është shpallur fitues në dy kategori, në festivalin Gässli Film Festival në Basel, shkruan KultPlus.

Filmi ka fituar në çmimin ‘SRG Regjisorja më e mirë’ që i është dhënë Aulona Selmanit dhe çmimin ‘Çmimi i Publikut’.

Përmes një postimi në facebook, regjisorja Aulona Selmani ka bërë të ditur se çmimet e fituara në  Festivalin e Filmit në Basel ia dedikon nënës së saj dhe aktorëve të cilët pumuan në realizimin e filmit

“Çmimin e parë i‘a dedikova mamit tim kurse çmimin e dytë ekipit dhe aktoreve që punuan për t‘a realizuar këtë film.

Ju falemnderit të gjithëve që keni votuar për çmimin e publikut!”/KultPlus.com

Nesër, filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ shfaqet në bulevardin Xhorxh Bush

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se nesër në bulevardin Xhorxh Bush do të shfaqet filmi “Luaneshat e Kodrës”, shkruan KultPlus.

QKK Përmes një postimi në facebook, u ka bërë thirrje të gjithë adhuruesve të filmave që marrin pjesë për të shijuar së bashku emocionet të dhuron sipas tyre filmi.

“Nesër në ora 20:00 do të shfaqet filmi “Luaneshat e Kodrës” në bulevardin Xhorxh Bush.

Ju ftojmë të na bashkoheni, t’a shijoni “Luaneshat e Kodrës” nën qiellin e Prishtinës dhe të rrëmbeheni nga emocionet që dhuron ky film”, thuhet në njoftimin e QKK në facebook./KultPlus.com

‘Barbie’ fiton 537 milionë dollarë në arkat e SHBA-së

Barbie vendos Warner Bros në pozitë të mirë financiare pasi u bë filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave të studios në kinematë amerikane.

Yjet Margot Robbie dhe Ryan Gosling e kanë ndihmuar studion ta kthejë kukullën në dollarë, duke fituar 537.5 milionë dollarë në arkat e brendshme që nga publikimi i filmit dhe duke kaluar kështu filmin e Christopher Nolan të vitit 2008, The Dark Knight.

Greta Gerwig është bërë regjisorja debutuese femër më e suksesshme e të gjitha kohërave, duke kaluar 153 milionë dollarët e marra nga filmi i suksesshëm i Anna Boden dhe Ryan Fleck për vitin 2019, Captain Marve l.

Komedia fantazi paraqet Margot Robbie në rolin e Barbie dhe Ryan Gosling në rolin e Kenit teksa ata nisin një udhëtim të vetë-zbulimit pas një krize ekzistenciale.

Barbie tani është në rrugën e duhur për të kaluar filmin “The Super Mario Bros.” të Universal si filmin më të madh vendas të vitit 2023.

Prezantohet skenari i filmit “Lumi Na” në ScriptStation në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Skenari i filmit “Lumi Na” është prezantuar në ScriptStation në kuadër të Berlinale Talents Sarajevo në Festivalin e Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Skenaristja dhe regjisorja Anita Morina është momentalisht në Festivalin e Filmit në Sarajeve si pjesë e Berlinale Talents Sarajevo që perfaqëson vendet e Evropës Juglindore.

Anita Morina është perzgjedhur në programin prestigjioz të Script Station ku po prezanton dhe zhvillon skenarin për film të gjatë “Lumi Na” me mentore nga Festivale të filmit si Venecia dhe Locarno si dhe kosulente nga Finlanda dhe Anglia.

Talents Sarajevo është rezultat i bashkëpunimit midis Festivalit të Filmit të Sarajeves dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Nën drejtimin e Berlinale Talents, programi është plotesisht i integruar në CineLink Industry Days dhe ofron një mundësi unike për profesionistët e rinj të filmit që të përmirësojnë aftësitë e tyre, të zgjerojne rrjetet e tyre dhe të ekspozohen në industritë ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com

Fragment nga beteja te filmi Skënderbeu, muzika e kompozuar nga Çesk Zadeja (VIDEO)

Sot janë bërë 26 vite nga vdekja e kompozitorit të madh shqiptar Çesk Zadeja, shkruan KultPlus.

Zadeja gjatë veprimtarisë së tij artistike ka përpunuar mbi 100 këngë popullore, simfoni dhe muzikë filmash si:“Skënderbeu”, “Tana”,“Krevati i perandorit”, “Në kufi të dy legjendave”, “Flaka e maleve”; pjesë koreografike si: baleti “Delina”, “Shqiponja sypatrembur”, “Para stuhisë”, “Vajzat e qytetit të gurtë”, “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, “Poema vokale”,“Rapsodi për violinë”, “Hej ju male”etj.

KultPlus në 26 vjetorin e vdekjes së tij ju sjell një fragment nga beteja e Filmit të Skënderbeut, muzika e së cilit është komponuar nga Çesk Zadeja:

Filmi ‘Sirin’ shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi ‘Sirin’ është dhënë në premierën botërore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus. Filmi ‘Sirin’ nga regjisori Senad Sahmanovic, ku luan edhe aktorja jonë e njohur May-Linda Kosumovic po merr pjesë në kuadër të programit zyrtar (Open air Cinema) në Sarajevo Film Festival.

Me skenar të Claudia Bottino dhe Senad Šahmanovic, ky film është prodhim i produksioneve si: CUT UP, Sekvenca, On Film Production, BUKA, Dokument, APC.

Filmi ka për producent Velisa Popvic dhe Co-producent: Jure Pavlovic, Dritan Huqi, Fatmir Spahiu, Alem Bbaic Ines Tanovic dhe Jean-Cristophe Barret.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com

Filmi kosovar “Vera andrron detin” në kinematë e Selanikut

Nën organizimin e Komunitetit Shqiptar të Selanikut, filmi kosovar fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare “Vera andrron detin” do të shfaqet në dy kinematë e njohura verore të Bashkisë Neapoli-Sykies të Selanikut, përcjell KultPlus.

Për të gjithë të interesuarit, filmit do të shfaqet sipas programit të mëposhtëm:

Kinema “Παράδεισος”, zona Strembeniotis, Neapoli, më datë 3 – 6 gusht, ora 21:15 dhe në Kinema “‘Αλσος”, kodra e Alsos, Sykies, datë 7 – 9 gusht, ora 21:15.

Me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe e kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.

Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj. / KultPlus.com

Sot fillon “DokuFest”, programi i pasur i këtij edicioni synon të ju ofroj një eksperiencë unike

DokuFest, në tërësinë e tij, kapërcen thjesht etiketën e një festivali për Kosovën, ai përpiqet të jetë përfaqësues i dëshirës për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbrojtur hapjen, duke kultivuar në fund një hapësirë të lirë për të.

Në zemër të kësaj eksperience, potencialisht transformuese qëndron programi muzikor i DokuNights. Ky, një element i domosdoshëm në arritjen e këtij qëllimi. Brenda skenës kosovare ofron një platformë për të gjithë që të vijnë dhe të angazhohen në të gjitha ngjyrat e tyre.

Sot, më datë 4 Gusht, në qytetin e Prizrenit, në ambientet e ndryshme kulturore, do të mbahen eventet të cilat edhe shënojnë edicionin më të ri të këtij festivali i cili zgjatë deri më 12 Gusht.

Këtë vit DokuNights, kuruar me kujdes nga Leart Rama, sjell një formacion yje që mbeten të përkushtuar në mënyrë të palëkundur thelbit të lirisë.

Qëllimi i procesit kuratorial është të krijojë një utopi ku të përqafohet identiteti unik i çdo personi, dhe përmes mediumit të muzikës, ky vizion të bëhet i prekshëm.

Nga ikonat feministe tek pionieret e muzikës elektronike, ato njihen si përfaqësues të lirisë së shprehjes. Disa kanë marrë atë që është konvencionale dhe e kanë bërë unike të në mënyrën e tyre, të tjerë kanë krijuar hapësira për të ekzistuar në mënyrë alternative brenda konformave të shoqërisë.

Të jesh dëshmitar i kësaj mjeshtërie do të thotë të hedhësh një hap në një përvojë zhytëse të një utopie të propozuar të vetë-shprehjes së lirë.

Deklarata e kuratorit të programit, Leart Rama:

Jam i kënaqur dhe i nderuar që kam rastin të kuroj programin muzikor për Dokunights edhe për një vit. Ky formacion është një udhëtim i pafund përmes zërit, duke rrëfyer një histori unike për secilën zemër që dëgjon.

Si një regjisor dhe DJ i ri, magjepsja ime me muzikën avangarde filloi me Dokunights në vitin 2014. Pra atëherë kur e gjithë kjo lindi nga frymëzimi i përjetshëm i Nita Dedës.

Që atëherë e kam imagjinuar gjithmonë ditën kur do të mund të performoja në skenën prestigjioze të Andrrës. Megjithatë, mundësia për të kuruar të gjithë programin i tejkaloi edhe ëndrrat e mia.

Formacioni i krijuar me kujdes mishëron thelbin e lirisë dhe pikturon një realitet utopik që rezonon me emocionet tona më të thella.

Duke jetuar në një vend të izoluar, mendjet tona shpesh enden dhe eksplorojnë përmes ëndrrave dhe imagjinatës.

Ky formacion është një manifestim i atyre pikave më të ëmbla nga ëndrrat tona, të thurura me tingujt më të bukur që na transportojnë në vende ku nuk kemi qenë kurrë.

Programi:

Aug 04: Peaches // Steffi // Ivana Dragsic

Aug 05: Higher Intelligence Agency // Interstellar Funk // Gent Vargmal

Aug 06: Yiochi Kurokawa – Kinema Lumbardhi

Aug 06: Willikens & Ivkovic — All Night Long – Skena Andrra

Aug 07: Lyra Pramuk // Space Africa – Skena Sonar

Aug 07: Islandman// Uj pa gaz – Skena Andrra

Aug 08: Josh Caffe // Johnny Aux // Gemza

Aug 9 : ë (Stadt ) // Vagina Corporation // The milk snatchers

Aug 10: Besa M & Bimbimma // Killua // Despoti

Aug 11: Herrensauna Showcase +010010*

Aug 12: Dopplereffekt // Reptant // Isabella // Genc Elezaj. / KultPlus.com

Coppola parashikon epokë e artë për kinemanë

Regjisori Francis Ford Coppola ka parashikuar që një “epokë e artë” e kinemasë ëshë afër.

Ai e ka thënë një gjë të tillë pasi i ka quajtur sukseset e filmave “Oppenheimer” dhe “Barbie” si triumf të kinemasë.

“Ende nuk i kam parë, mirëpo fakti që njerëzit po i mbushin kinematë për t’i parë, dhe që ajo janë as vazhdim-filmi e as filma paraprijës, dhe që janë njëmend të përveçëm…është një triumf për kinemanë”./KlanKosova/KultPlus.com

‘Dokufest’ shpall filmin hapës dhe përmbyllës të këtij edicioni

Në përputhje me temën qendrore të festivalit I AM AI AM I duke synuar të eksplorojë dhe të sjellë në diskutim fenomenin e Inteligjencës Artificiale dhe lidhjen e saj me ne njerëzit, festivali ka vendosur t’i kushtojë një pjesë të vogël të programimit të tij zhanri i filmit fantastiko-shkencor. 
Të dy filmat hapës dhe mbyllës do të shënojnë këtë homazh për vetë zhanrin, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në historinë e kinemasë.   

Filmi i hapjes

Një pikë referimi e kinemasë fantastiko-shkencore, një artefakt i çuditshëm i viteve 1960 dhe padyshim një nga filmat më të bukur e madhështor të të gjitha kohërave, 2001: A Space Odyssey është kryevepra par excellence e Stanley Kubrick – një operë dërrmuese hapësinore e kërcimit vizual dhe një film që parashikoi një të ardhme realiste, shumë të detajuar për udhëtimin njerëzor në hapësirë.

Filmi mbyllës

I cilësuar si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave fantastiko-shkencore, një shembull kryesor i kinemasë neo-noir dhe një vepër themelore e zhanrit cyberpunk, Blade Runner i Ridley Scott është një vizion i Los Anxhelosit në 2019 si një ferr përrallor rrokaqiejsh dhe fabrika monolitike Fritz Lang.

U  deshën 25 vjet dhe tre modifikime në kinema që Ridley Scott të arrijë në versionin e ri përfundimtar të kryeveprës së tij fantastiko-shkencore, Blade Runner: The Final Cut dhe DokuFest do ta  të prezantojë këtë version të zgjeruar si filmin përmbyllës të festivalit./GazetaExpress/KultPlus.com

Filmi i regjisorit Sovran Ndrecaj me premierë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi “Fran and Verka; or a usual day in an abandoned village” nga regjisori Sovran Ndrecaj, do të ketë premierën botërore në edicionin e 29-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, një ndër ngjarjet më të mëdha të filmit në rajon, përcjell KultPlus.

Festivali do të zgjasë nga data 11 deri më 18 gusht, ku në fund fituesit do të marrin trofeun “Zemra e Sarajevës”.

Filmi nga Kosova konkurron në kategorinë “Dokumentari më i mirë i shkurtër” dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Këtë vit, programi i festivalit përfshin 22 premiera botërore.

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në rrjetet sociale janë shprehur se pjesëmarrja jonë dëshmon shkëlqimin artistik të vendit dhe urojmë që udhëtimi i filmit të përfundojë me triumf dhe brohoritje ndërkombëtare. / KultPlus.com

Inteligjenca Artificiale pjesë e filmit të ri T.I.M.

Në këtë kohë kur thuajse çdonjeri ka në mendje Inteligjencën Artificiale, nuk është befasi që me këtë vjen në pah edhe urgjenca për reflektim të avantazheve dhe rreziqeve nga kjo teknologji.

Kur jemi te kjo, Spencer Brown ka realizuar filmin e ri T.I.M., në të cilin me role paraqiten Georgina Campbell e Famon Farren, e që flet për këtë teknologji.

Në filmin Tim, Campbell luan rolin e Abi-t, një inxhiniere robotësh e cila shkon në një fshat për të punuar në një kompani teknologjie që zhvillon shërbëtorin me Inteligjencë Artificiale, Tim-in.

Ajo shpreson se kjo punë për të është një fillim i mbarë, pasi që ia mundëson të pajtohet me burrin e saj i cili e tadhton me një tjetër, dhe të krijojnë familje.

Si përfitim nga kjo punë, asaj i jepet prototipi TIM. Por ky robot shpejt fiksohet pas saj dhe bën çdo gjë për t’ia zënë vendin burrit të saj. Kështu, ai fillon të ketë qasje në të dhënat e tij, manipulon me to duke e nxitur Abi-n të mendojë se burri i saj e tradhton sërish.

Dhe çfarë mund të bëjë ajo kundër një inteligjence që bën fals zërin, ka qasje në llogarinë bankare, që kontrollon çelësat në shtëpi dhe kontrollon edhe veturën që ngitet pa shofer?

Po, skenat në të duken si nga seriali Black Mirror, megjithatë nga parqitja e parë e trailerit, ai premton po ashtu se në të ka edhe skena të freskëta dhe interesante.

Filmi T.I.M. do të lansohet në Netflix në Britani me 16 gusht 2023./21Media/KultPlus.com

Johnson me pagesë rekorde për filmin e ri ‘Red One’

Filmi i ri “Red One” bëri aktorin Dwayne Johnson rekorder të filmave, kjo pasi që ai u pagua me shumë rekorde për paraqitje në të.

Ky sukses i tij erdhi pasi që ai u paraqit në filmin “Black Adam” dhe në serinë dedikuar jetës së tij, Young Rock. Pra, Rock është gati edhe për hitin e ri.

Filmi “Red One” ku ai paraqitet bashkë me aktorin Kris Evans, do të shfaqet këtë dhjetor. Siç parashihet, Rock mund të arrijë rekord në karrierën e tij filmike edhe me paraqitje në të.

Sipas një burimi, Rock ka fituar nga 50 milionë dollarë në ditë për xhirimin e “Red One”, duke bërë që kjo të jetë pagesa më e lartë në baza ditore sa i përket një aktori për një rol.

Johnson veç rolit në këtë film, paraqitet me një prej roleve ikonike në Moana.

Ai paraqitet edhe me aktorët Ryan Reynolds e Gal Gadot në filmin vazhdim “Red Notice”.

Tani për tani nuk ka të dhëna të tjera për filmin e ri “Red One”, megjithatë dihet se ai i dedikohet kremtave të fundvitit./21Media/KultPlus.com

Filmi “Hana e Re” dhe “Prishtinë 2002” me premierë kombëtare në Doku Fest

Dy projekte të subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të kenë premierën Kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest, përcjell KultPlus.

Filmi “Hana e Re” dhe filmi “Prishtinë 2002” do të kenë premierën kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest.

Filmi “Hana e re” është në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi trajton rrëfimin e katër shoqeve, të cilat në një udhëtim të menduar për qejf, zbulojnë të vërteta për njëra tjetrën.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike Kanape, me skenar dhe regji të Jehona Berisha dhe producent Jetmir Zenelaj.

Në rolet kryesore janë: Rozafa Çelaj, Era Balaj, Blerta Ismaili, Qëndresa Jashari.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002”, me regji të Trëndelina Halilit dhe producent Ermal Gërdovci është gjithashtu në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Në rolet kryesore janë: Hana Limani dhe Rrezarta Haziraj.

Edicioni i 22-të i Doku Fest do të mbahet me 4-12 gusht, 2023. / KultPlus.com

Tirana mirëpret kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota

Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike. Edicioni i dytë i Travel Fest Albania ka ngritur siparin në Amfiteatrin e Tiranës, falë një ekrani gjigand e plot filmave premtues.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Fotografisë “Travel Fest Albania” në Amfiteatrin e Tiranës!Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike”, thekson Veliaj.

Në tërësi do të shfaqen 112 filma të përzgjedhur, të cilët i adresohen njeriut, qenies që mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton e vepron.

Ekrani i madh në zemër të Amfiteatrit të Tiranës tërhoqi pas vetes grupmosha të ndryshme. Dhe ekrane të ngjashme premtojnë se do të dallohen nga i njëjti pasion e dashuri për kinematografinë, për plot 4 ditë dhe në qytete të tjera.  /tvklan.al/ KultPlus.com

Nis festivali i filmit të shkurtër në Dropull

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dropull 2023” mbërrin në edicionin e tij të tretë.

40 filma kryesisht të regjisorëve grekë, shqiptarë dhe kosovarë janë në konkurrim, 11 prej të cilëve filma të animuar për të rritur. Një pjesë e tyre u projektuan mbrëmë në amfiteatrin e Sofratikës, në Adrianopol, aty ku 2000 vjet më parë kanë interpretuar poetët, filozofët, oratorët dhe janë luajtur dramat e tragjeditë e mëdha të kohës.

Në festivalin e Dropullit konkurojnë filma të metrazhit të shkurtër.

Ata janë realizuar nga regjisorë të rinj e sjellin tematika të përditshmerise. Ka filma që kanë në qendër forcën njerëzore mbijetesën dhe shpesh absurdin e diktuar prej zhvillimeve pa busull.

Festivali është një maratonë 4-ditore jo thjesht e filmit por edhe artit pamor, vizatimit, muzikës, zakoneve e jetës lokale.

Mbrëmja e parë, në teatrin antik të Adrianopolit, solli një koncert në kitarë dhe një film të shkurtër grek të realizuar në vitet `60./atsh/KultPlus.com