Cineplexx organizon eventin “Women’s Day” për nder të Ditës së Grave ku ka bërë një super-ofertë me filmat më të shikuar në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.
Më 8 Mars, mund ta kaloni Ditën Ndërkombëtare të Grave nën shoqërinë e filmave më të shikuara të gjinisë femëror në Cineplexx. Dy filmat të cilët do të shfaqen këtë ditë janë, Zgjoi, një dramë e suksesshme vendore e cila ka thyer rekorde te shikueshmërisë dhe Marry Me, një komedi/romancë nga mbretëresha e këtij zhanri, Jennifer Lopez. Duke e shikuar njërin nga këta filmat ju mund te përfitoni nga super-oferta: 1 biletë, 1 Popcorn M, 1 pije 0.5L për vetëm 5.90€.
Filmi përcjellë Fahrijen (Yllka Gashi) e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë përpos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Ngjarja e filmit zhvillohet rreth yllit të muzikës, Kat Valdez (Jennifer Lopez) e cila bashkë me Bastian (Maluma) do të martoheshin drejtpërdrejtë përpara një audience botërore fansash. Por kur Kat mëson shumë pak sekonda para premtimeve të saj, se Bastian e ka tradhëtuar, ajo vendos të martohet me Charlien (Owen Wilson), një të panjohur prej publikut. Ndërsa rrethanat komplikohen për çiftin e porsamartuar, ata duhet te vendosin nëse dy njerëz nga bota kaq të ndryshme mund ta gjejnë dashurinë e vërtetë së bashku.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com
Filmi “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit do të vazhdojë aventurën e tij në Zvicër, shkruan KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Forumi për të Drejtat e Njeriut në Konkurrencën Fiction do të japë premierën e filmit kosovar.
“Më 9 mars, regjisorja Kaltrina Krasniqi do të jetë atje për ta prezantuar filmin. Shihemi së shpejti”, shkruhet në postimin e tyre.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Faruk Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.
Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).
Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com
Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.
E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.
E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.
“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.
Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.
“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.
Përballja me pandeminë
“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.
Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.
“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.
E “ardhmja”
“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.
Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar, derisa po shpreson që të nominohet më 8 shkurt, atëherë kur edhe do të bëhen të ditur emrat që do të marrin pjesë në galanë e 27 marsit, shkruan KultPlus.
Njëra prej aktoreve në këtë film, Adriana Matoshi, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar mbështetje në mënyrë që të Kosova të shkruajë histori.
“ZGJOI osht shembulli ma i mirë i suksesit, çmimeve, vlerave dhe ma e rëndësishmja, pasqyrimi ma i drejtë i realitetit tonë. Nuk e di pse disa njerëz ngurrojnë e nuk e përkrahin artin para se me arritë suksese të mëdha, po në fund krejt kanë qef me u identifiku edhe me u krenu me ato suksese.Hajde bashkë t’a shkrujmë historinë, tu e shpërnda e tu e bo ZGJOIN me qarkullu në krejt platformat sociale e mediale.Suksesi nisi në #Sundance, vazhdoi në shumë e shumë festivale prestigjioze, tash e kemi radhën me e shkrujt emrin e Kosovës edhe në #Oscars. Kosova meriton t’a ketë vulën e saj në kinematografinë BOTËRORE. Historia e zonjës Fahrie dhe grave të Krushës e meriton këtë sukses”, ka shkruar ajo.
Zgjoi tregon historinë e Fahrije Hotit, e cila duke shpresuar të sigurojë familjën e saj, së bashku me të vejat në vështirësi nisin një biznes për të shitur një produkt ushqimor vendas. Ato gjejnë shërim dhe ngushëllim në sipërmarrjen e re, por vullneti i tyre për të jetuar të pavarur së shpejti përballet me armiqësi.
Regjisorja e filmit, Blerta Basholli dhe protagonistja Yllka Gashi kanë hapur një kampanjë, përmes së cilës kanë kërkuar që posteri i filmit të shpërndahet sa më shumë në rrjete sociale. /KultPlus.com
Filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, po shkruan histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi që ekipi i filmit ka bërë në llogarinë zyrtare, aty shkruhet se ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm deri tani.
“Çfarë udhëtimi, Gishtat e kryqëzuar për kapitullin tjetër”.
“Zgjoi” po tenton që të shkruajë histori edhe një herë tjetër, duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.
Votimi nga antëtarët e kësaj Akademie kanë filluar më 27 janar, derisa do të zgjasë deri në ditën e sotme.
Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremonin gala më 22 mars.
“Zgjoi” po vazhdon ekspeditën në vende të ndryshme të botës, derisa vitin e kaluar ishte filmi më i shikuar në kinemanë e Kosovës “Cinneplex”. /KultPlus.com
Filmi “Zgjoi” dhe aventurat e tij në botë vetëm po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.
Filmi që theu rekorde në arenën ndërkombëtare, do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe gjashtë të tjera në Zelandë të Re.
Më pas, Blerta Basholli ka konfirmuar se filmi do të rikthehet në Evropë, ku gjatë muajit mars do të shfaqet në Angli dhe Gjermani.
‘Zgjoi’ përcjell Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi), e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të. /KultPlus.com
Mungesa e informacionit është signifakt real mbi krijimin e paragjykimeve dhe sterotipeve mbi një shtresë të caktuar. Kultura, gjuha e tradita, përcaktojnë një komunitet, romët aq të pasur dhe të bukur e kanë kulturën, muzika e tyre vetëm e përthakon një trashëgimi të lashtë kulturore. Promovimi e dokumentimi i kësaj kulture, në mënyrë flagrane ka nevojë të promovohet më shumë sidomos tek pjestarët jo-rom.
Duke promovuar, ruajtur e dokumentuar kulturën, ky projekt do të përgjigjet në pjesën e përmismin të diapazanit kulturor tek një shtresë e komunitetit të caktuar me anë të filamve dokumentarë të pëpunuar nga regjisori autodidact i komunitetit rom Benjamin Menekshe. Filmat dokumentar janë nocion adekuat të cilët përfaqësojnë romët dhe kulturën e tyre.
Shfaqja e filmave do të pasohet me një panel të profesionistëve, përfaqësues të instucioneve dhe akterëve relevant dhe përfshirjen e publikut mbi diskutimin e publikut
Filmat dokumentar të larte cekur do të shfaqen me datën 15 janar (shtune)2022 duke filluar nga ora 19:00 në objektin e Doku Kino Prizen.
Ky projekt është project individual i regjisorit Benjamin Meneskhe, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit. /KultPlus.com
Pa yje e me shumë çmime është bërë edhe ndarja e çmimeve “Golden Globes”, përcjell KultPlus.
Në mbrëmjen e 9 janarit filmat “West Side Story” dhe “The Power of the Dog” ishin fituesit kryesor në ceremoninë e këtyre çmimeve, ngjarje që është mbajtur në Los Angeles.
Si asnjëherë më parë, kjo ceremoni është mbajtur pa pjesëmarrje të ndonjë ylli të filmit ose ndonjë transmetimi televiziv.
Një format i tillë është rezultat i supozimeve për korrupsion dhe mungesë të diversitetit në trupin votues.
Si rezultat, ceremonia e vogël e këtij viti është mbajtur në Los Angeles pa tepih të kuq apo qasje zyrtare të mediave.
Regjisori Stevel Spielberg me filmin West Wide Story, ka fituar çmimin në kategorinë e filmit muzikor.
Në anën tjetër, filmi “The Power of The Dog” është kurorëzuar me çmimin për dramën më të mirë dhe regjisorja, Jane Campion fitoi çmimin kryesor. /KultPlus.com
Shkencëtarët në Kopshtin Botanik Mbretëror, Kew, thonë se donin të nderonin yllin Leonardo di Caprio për ndihmën e tij në shpëtimin e një pylli, përcjell KultPlus.
Pema, së cilës i është dhënë emri zyrtar, Uvariopsis dicaprio, rritet vetëm në pyllin e Kamerunit, i njohur për biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm.
“Ne mendojmë se ai ishte vendimtar për të ndihmuar në ndalimin e prerjeve të pyllit Ebo,” tha Dr Martin Cheek nga Kew.
Pema “dicaprio” është bima e parë e re për shkencën që u emërua zyrtarisht nga shkencëtarët e Kew në vitin 2022, përmes botimit në revistën shkencore, PeerJ.
Pema e vogël tropikale me gjelbërim të përhershëm ka lule të verdha me shkëlqim që rriten nga trungu i saj. /KultPlus.com
Edhe pse i ri në moshë, sukseset e shënuara nga regjisori kosovar, Zgjim Terziqi, flasin shumë për karrierën e tij. Duke debutuar fillimsht me filma të metrazhit të shkurtër, Terziqi ishte gati profesionalisht sa për të realizuar edhe një film të metrazhit të gjatë siç është ai “2000: A post-war Odyssey”, shkruan KultPlus.
Vështirësitë që janë paraqitur dhe që pritet të paraqiten në inçizimet e këtij filmi, regjisori Terziqi i ndanë në një intervistë ekskluzive për KultPlus, duke shpalosur detaje të ndryshme nga jeta e tij profesionale.
KultPlus: Realisht dy vitet e fundit kanë qenë të suksesshme, jo vetëm për kinematografinë e Kosovës, por sidomos për juve. Sa është e vështirë puna e një regjisori në Kosovë?
Zgjim Terziqi: Për fushën e filmbërjes unë jam shumë i ri dhe çfarëdo suksesi që mund të kem pasur që nga 2017 ka vetëm hapësirë për rritje. Gjithçka është e vështirë kur mundësia për ta kryer atë proces është shumë e limituar. Në sport duhet të ushtrosh çdo ditë për të krijuar aftësitë për sukses, njëjtë vlen edhe për filmin, duhet të krijoni sa më shumë për të rafinuar aftësitë e juaja. Mirëpo, duke pasur parasysh se filmbërja është proces që kërkon buxhet dhe ekip, bëhet e ndërlikuar në Kosovë për t’u bërë rregullisht,
KultPlus: Filmi juaj “2000: A post-war Odyssey” ka arritur që të marr çmime akoma pa u publikuar, pa u realizuar plotësisht? A mund ta shpjegoni shkurtimisht?
Zgjim Terziqi:“2000: A post-war Odyssey” është subvencionuar vitin e kaluar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për prodhimpor për momentin jemi duke kompletuar buxhetin me co-produksione në shtetet bashkëprodhuese që i kemi: Francën dhe Turqinë. Çmimet që i kemi marrë kanë qenë për skenarin, projektin dhe prezantimin në tërësi të projektit.
KultPlus: Cila po mendon se do të jetë sfida kryesore në realizimin e këtij filmi?
Zgjim Terziqi: Rrëfimi zhvillohet në vitin 2000, pak muaj pas luftës dhe është një “road movie”, pra, nuk do të jetë e lehtë që të ndryshojmë gjithçka përreth që të duket si fillim i mileniumit në Kosovë, mirëpo kur e kompletojmë buxhetin dhe ekipin, beosj se do minimizohet edhe kjo sfidë.
KultPlus: Në Kosovë, ka aktorë të jashtëzakonshëm, por sa është e vështirë zgjedhja e një “cast-u” të suksesshëm?
Nuk është e vështirë. Lehtësimi i procesit të punës me aktorë behet gjatë përzgjedhjes. Kur e bëni një “castin” të përshtatshëm, gjithçka është më e lehtë në set.
KultPlus Keni qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme këtë vit, si është kjo eksperiencë. A mund të llogaritet filmi edhe si një lloj “ambasadori” i shtetit të Kosovës?
Zgjim Terziqi: Këtë vit kemi marrë pjesë në disa festivale fizikisht, ndërsa në disa edhe online me filma të shkurtër. Kisha mall të udhëtoja në një festival, pasi kishte gati 2 vjet që nuk merrja pjesë në Berlinale. Vitet e fundit, në çdo festival filmi që shkon, kupton se të gjithë së paku kanë dëgjuar për Kosovën dhe kinematografinë e saj.
KultPlus:Dua të ndani me gjithë publikun se ku frymëzohesh më shumë? Si e gjen frymëzimin një regjisor? Gjithashtu, cili/a është regjisori/ja juaj e preferuar?
Zgjim Terziqi: Në pjesën e parë të pyetjes nuk kam përgjigje. Nëse kisha pas përgjigje, kish me qenë e lehtë me u frymëzu, do të shkoja gjithmonë aty për të marrë frymëzim, mirëpo kreativiteti është shumë më kompleks sesa një vend, send, apo edhe koncept metafizik.
Regjisor të preferuar kam shumë, por ndoshta do t’i veçoja disa influencë ndër vite, si: R.W Fassbinder, John Cassavetes, Robert Bresson, Fritz Lang dhe Jean-Pierre Melville.
KultPlus: Cila ka qenë eksperienca më e mirë që e keni përjetuar në punën tuaj?
Zgjim Terziqi: Eksperienca më e mirë është kur je në kinema dhe dallon që publiku qesh, qan, frikësohet ose shpreh çfarëdo emocione që ti ke pas në qëllim që ata ta ndjenjë përmes filmit. Fatkeqësisht këtë e shoh shumë pak për arsye që pas premierës nuk qëndroj më në sallë kur shfaqet filmi im. Nuk mund t’i përballoj emocionalisht reprizat e filmit tim.
KultPlus: Si pyetje të fundit po konsideroj pjesën ndoshta klishe, por patjetër më duhet si informacion. Cila është ëndrra juaj më e madhe në pjesën profesionale të punës?
Zgjim Terziqi: Ëndrrat le të mbesin ëndrra, ashtu si të paarritshme janë më interesant, më magjike është ndjekja e tyre. / KultPlus.com
Përkundër faktit se Kosova është një vend shumë i vogël dhe konsiderohet si pak i zhvilluar, sukseset nuk munguan aspak në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Kinematografia e Kosovës mund të thuhet se ka shënuar suksesin më të madh ndonjëherë, duke arritur që përmes filmit “Zgjoi” edhe të shkruhet historia.
Fillimisht duke fituar tre çmime, për herë të parë, në një festival të madh siç është ai i Sundance, rrugëtimi i “Zgjoi” e përmbylli vitin duke hyrë në listën e ngushtë të nominimeve “Oscar”.
Në anën tjetër, edhe filmi “Vera Andrron Detin” shënoi suksese prestigjioze në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në Festivalin e Venecias.
Tutje, filmi me regji të Kaltrina Krasniqit mori edhe çmimin special të jurisë në Festivalin e Selanikut.
Çmimet e tjera nuk munguan aspak dhe raportohet se ky film do të vijë edhe në Kosovë vitin që po vjen.
Kinematografia kosovare përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, hyri në histori, duke u bërë filmi i parë i gjatë kosovar që shfaqi premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.
Përveç këtyre filmave, janë realizuar edhe disa filma të tjerë të cilët, përpos çmimeve në Kosovë, u nderuan edhe në arenën mbarëkombëtare. /KultPlus.com
Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit “Vera Andrron Detin” ka bërë një postim falënderues në rrjetin social “Facebook”, duke treguar se tre muaj pas premierës kanë fituar një sërë çmimesh, shkruan KultPlus.
“Kanë kaluar vetëm tre muaj nga premiera jonë në La Biennale di Venezia . Që atëherë, ne kemi pasur premierë në shumë vende në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore dhe Azi, duke fituar katër çmime”, shkruhet në postim.
Ata gjithashtu kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen e jashtëzakonshme që e kanë ofruar për filmin e tyre, gjë e cila do të thotë shumë për ekipin.
“Gëzuar festat dhe shihemi vitin tjetër! 2022 jemi gati!”, thuhet në fund.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
Një shtëpi e pazakontë që duket sikur ka ardhur nga një galaktikë e largët është shitur për 300.000 dollarë.
Shtëpia në formë bunkeri, ndodhet në malet e Tonasket, Uashington dhe ka një ngjashmëri të çuditshme me një prej ndërtesave në filmin legjendar “Star Wars”.
Bëhet fjalë për shtëpinë e personazhit Luke Skywalker, i cili ndodhet në planetin Tatooine në serialin e njohur.
Shtëpia-bunker është njëkatëshe, ka tre dhoma dhe rrethohet nga 38 hektarë tokë. Pronari i ri i cili ka bërë këtë blerje të guximshme, mund të shijojë një ambient të ngrohtë dhe një dekor të veçantë ku bie në sy përdorimi i gurit dhe drurit. /KultPlus.com
Filmi “Ditë e Kuqe” i metrazhit të shkurtër me regji të Besim Ugzmajlit, është zgjedhur që të marrë pjesë në festivalin e filmit në Itali “Girogirocorto”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë llogaria zyrtare e filmit, të cilët janë duke marrë pjesë në shumë festivale të ndryshme evropiane.
Festivali i Filmit Girogirocorto është një festival i filmit të shkurtër: vendi kryesor është Instituti Francez – Qendra Saint Louis pranë Piazza Navona, një nga atraksionet kryesore të kryeqytetit italian, para Krishtlindjeve.
“Ne do të shfaqim disa nga filmat më të mirë të shkurtër edhe në Arènes de Montmartre në Paris” thuhet nga Festivali.
Edicioni i gjashtë do të zhvillohet nga 15 deri më 17 dhjetor 2021. /KultPlus.com
Festivali i Filmit “Frankofon” po vazhdon shfaqjen e filmave në Prizren, Pejë dhe Prishtinë, shkruan Kult Plus.
Filmi që do të shfaqet sot, i quajtur “LA GRANDE BOUFFE” nga Marco Ferrerinë, i cili është më ndryshe sesa filmat e kaluara.
Përpos Kino Armatë, ky film do të shfaqet edhe në Pejë në Kino “Jusuf Gervalla” dhe në Prizren në “DokuKino”.
Ambasada e Francës është duke realizuar edicionin e 20-të të Festivalit të Filmit “Frankofon” në Kosovë.
Më 15 nëntor është bërë hapja e këtij festivali, derisa më 21 nëntor do të shfaqet filmi përmbyllës “Luanteshat e Kodrës”.
Frankofon ka njoftuar se ky film do të jetë në frëngjisht, por do të shfaqet edhe me titra në gjuhën angleze.
Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.
“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Njëra ndër figurat kryesore të epokës së re të Hollywood, padyshim që është Martin Charles Scorsese, i cili sot feston ditëlindjen e 79-të, shkruan KultPlus.
Scorsese është një regjisor, producent, skenarist dhe aktor amerikan, i cili ka prodhuar disa prej filmave më të shikuar ndonjëherë ndërkombëtarisht.
Goodfellas, Taxi Driver, Raging Bull, The King of Comedy, Mean Streets janë vetëm disa filma prej krijimtarisë së jashtëzakonshme të cilën e posedon tanimë 79 vjeçari.
Filmat e tij ndihen të gjallë, tërheqës – edhe kur personazhet e tij janë mafiozë ose përbindësha. Ato janë vepër e një besimtari të vërtetë.
Shumë njerëz nuk bien dakord se cili është filmi më i miri i tij, por padyshim që Goodfellas i dha një emër të madh regjisorit në fjalë./KultPlus.com
Pikërisht sot, në ditën kur filmi “Pa Vend” nga regjisori Samir Karahoda u nominua për filmin më të mirë evropian për këtë vit nga Akademia Evropiane e Filmit, në Ministrinë e Kulturës kanë marrë propozimin për shpalljen e filmit interes të veçantë shtetëror.
Në takim me grupin punues për kinematografi të përbërë nga Lum Çitaku (QKK), Ilir Gjocaj (KosovaFilm), Fatos Berisha (PriFest), Fatmir Spahiu (Aktor/Producent), Veton Nurkollari (DokuFest), Kaltrina Krasniqi (Shoqata e Producentëve), dhe Yll Uka (Shoqata e Producentëve), ministrit Çeku iu dorëzua zyrtarisht dokumenti që propozon shpalljen e Filmit Interes i Veçantë Shtetëror.
Republika e Kosovës po përfaqësohet në gjithë botën përmes kinematografisë. Regjisorët kosovarë, me sukseset e vazhdueshme në festivalet të rëndësishme ndërkombëtare po bëjnë histori. Entuziazmi dhe puna e palodhshme e komunitetit filmbërës që ka sjellë këto arritje të jashtëzakonshme po vlerësohen lartë nga juritë dhe akademitë e shteteve me traditë në kinematografi.
Shpallja e Filmit Interes i Veçantë Shtetëror ka për qëllim që t’i mobilizoj kapacitetet shtetërore për t’i dhënë filmit kosovar mbështetjen që e meriton. Dokument i propozuar përshkruan në vija të trasha hapat e nevojshëm që duhen ndërmarrë Qeveria dhe institucionet për ta bërë kinematografinë fushë me interes të veçantë shtetëror./KultPlus.com
Rreth 35 filma nga Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia janë në konkurrim në edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival” që hap nesër siparin në Pogradec.
Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani do të çelë edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival”.
Përgjatë 5 ditëve (1-5 shtator), edicioni i 11-të i festivali ballkanik të filmit do të sjellë produksione të ndryshme filmash shqiptarë dhe të huaj, që do të jenë në konkurrim.
Drejtori artistik i festivalit, Eno Milkani, tha se këtë vit festivali sjell në konkurrim rreth 35 filma nga vendet e Ballkanit. Ai theksoi se janë në program 4 filma artistikë me metrazh të gjatë.
“Filmi “Liqeni im” është xhiruar në Prespë, dhe në një farë mënyre është si një lloj premiere dhe për vetë Pogradecin. Kemi në program filmin “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, që është bashkëproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë, pastaj një film rumun “Mia misses her revenge” prodhim i vitit 2020, si dhe një film prodhim maqedonas “The happiness effect” dhe ky i vitit 2020″, tha Milkani.
Fatos Baxhaku është një nga krijuesit e festivalit dhe ky është viti i dytë që “Balkan Film Food Festival” zhvillohet pa të.
Drejtori artistik, Eno Milkani thotë se Pogradeci është përzgjedhur prej tij për këtë festival. Të ftuarit nuk kanë munguar çdo vit në festival. Aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Mevlan Shanaj etj, do të jenë në ditët e festivalit.
Juria me anëtarë të huaj do të vlerësojë filmat që janë në konkurrim në këtë edicion. Në juri këtë vit janë Vincenzo Filippo, producent “Lupin Film Itali”, Eloise Verekeen aktore nga Franca dhe Marco Cicolini “Artinvita Festival Selector”, Itali.
Sa i takon pjesës së kulinarisë në festival, të ftuarit që janë turq, rumun, maqedonas, grekë do të kenë një turn në Lin, Volorekë, etj, për të provuar gatimet vendase.
Filmat e shkurtër dhe të studentëve
Në festival filmat me metrazh të shkurtër janë të ndarë në dy seksione. Seksioni i parë dhe i dytë, janë të ndarë në nënkategori, film student, film i shkurtër i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, film dokumentar dhe fiction dhe filma vizatimor.
Sipas drejtorit artistik, Eno Milkani, në këtë program marrim pjesë rreth 30 filma të shkurtër, që gjithashtu do të jenë në konkurrim.
“Balkan Film Food Festival” me drejtor artistik Eno Milkanin dhe drejtore ekzekutive Gerta Qurkun këtë vit sjell dhe shtatë filma, që janë bërë nga studentët e gazetarisë së Elbasanit dhe të Shkodrës vjet në bashkëpunim me USAID.
Në program janë dhe pesë filma të shkurtër fitues nga festivali i Strumicës, që u zhvillua para dy javësh dhe do të shfaqen në ditën e fundit në “Balkan Film Food Festival”.
Filmat do të shfaqen në Odeonin e qytetit dhe në kinema. Çmimet do të jenë si çdo vit, “Filmi artistik me metrazh të gjatë më i mirë”, “Filmi artistik më i mirë i shkurtër”, etj./atsh/KultPlus.com
Pothuajse dy dekada pasi bëri debutimin e tij në “8 Mile”, ku fitoi Oscar për këngën më të mirë, Eminem po i rikthehet aktrimit.
Reperi i famshëm është bashkuar me mikun e tij 50 Cent për dramën e tij të fundit, Black Mafia Family (BMF). Eminem do të interpretojë White Boy Rick (djalin e bardhë Rick) në një nga episodet e “BMF”, të prodhuar dhe drejtuar nga 50 Cent.
“Unë jam i nderuar dhe mirënjohës që miku im i mirë Em po mbështet shfaqjen time të re BMF,” tha 50 Cent në një deklaratë. “Ne nuk mund të bënim një shfaqje të bazuar në Detroit pa përfshirë legjendën që është Eminem.”, transmeton KultPlus.
Richard Wershe Jr., i njohur si White Boy Rick, ishte një informator i FBI-së, i cili që kur ishte vetëm 14 vjeç, shiste drogë dhe armë si anëtar i një bande të Detroitit ku ai ishte infiltruar. Wershe, tani 52 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për drogë, para se të lirohej në qershor të vitit 2020 me kusht.
Një film për jetën e tij, White Boy Rick, u publikua në vitin 2018 me protagonist Matthew McConaughey.
BMF, i prodhuar nga 50 Cent, bazohet në dy vëllezër, Demetrius “Big Meech” Flenory dhe Terry “Southwest T” Flenory, të cilët u ngritën nga rrugët e Detroitit jugperëndimor në fund të viteve 1980 dhe krijuan një nga familjet kriminale më me ndikim në vend.
Kasti i BMF gjithashtu përfshin aktorë si Russell Hornsby, Michole Briana White, etj. Gjithashtu Snoop Dogg dhe La La Anthony do të shfaqen në serialin, premiera e së cilit pritet të shfaqet në shtator. / KultPlus.com
Nga filmi i zhanrit muzikor “Vivo” e Lin-Manuel Miranda deri tek shpartalluesi i mbinatyrshëm “Candyman” dhe biografia “Respect” e Aretha Franklin, këta janë filmat që nuk duhet humbur këtë muaj, transmeton KultPlus.
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, përpos sukseseve të mëdha në fushën e muzikës, kësaj radhe do të marrë pjesë edhe në një projekti filmik, përcjell KultPlus.
Ajo tashmë prej muajsh ka njoftuar se do të bëjë debutimin si aktore në filmin e ri të titulluar “Queenpins”.
Krijuesja e shumë hiteve së fundmi ka shpërndarë në rrjetet sociale trailerin e filmit/
Artistja me prejardhje nga Dibra ka thënë se ndihet e entuziasmuar me filmin në të cilin ajo luan përkrah aktorëve të famshëm të Hollyëood-it si: Vince Vaugn e Kristen Bell.
“Jam e entuziasmuar të shpërndajë debutimin tim në filmin Queenpins, përkrah Kristen Bell, KirbyHoëell-Baptiste, Paul ëalter Hauser, dhe Vince Vaughn. Filmi është drejtuar dhe shkruar nga Aron Gaudet dhe Gita Paullapilly”, ka shkruar Bebe.
Filmi ndërkaq parashihet të shfaqet premierë në kinema në shtator të këtij viti. / KultPlus.com
Këngëtarja e njohur botërore, Dua Lipa, do të dëshironte të bëhet aktore.
25-vjeçarja Lipa e cila me prejardhje është nga Kosova, është e intriguar dhe e emocionuar në lidhje me idenë e ndërtimit të një karriere në film, në bazë të përvojës që ajo e ka fituar nga aktrimi në videoklipet e saja muzikore, por nuk dëshiron që menjëherë të debutojë me një rol protagonist.
E pyetur rreth mundësisë për ta provuar veten në aktrim, Lipa tha: “Mendoj se do të më pëlqente kjo gjë. Aktrimi është definitivisht diçka që do të doja ta eksploroja dhe ta përjetoja, por fillimisht me ndonjë rol të vogël. Ndjej se tani kam vetëbesim më të lartë, ngaqë kam krijuar eksperienca të shumta dhe mendoj se anën kreative të aktrimit e kam zbuluar nga realizimi i videoklipeve muzikore. Prandaj ndihem e intriguar dhe mjaft e emocionuar rreth mundësisë që në një pikë të jetës ta provojë edhe këtë fushë të artit”.
Dua në veçanti e ka shijuar transformimin në videoklipin e saj të fundit, “Love Again”.
“Më ka pëlqyer shumë transformimi në këtë klip, dhe jam argëtuar shumë. Me këtë projekt doja të provoja gjëra të reja. Unë dhe stilisti im, Lorenzo, bashkëpunojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kur e krijuam këtë ide, ajo vazhdoi të zhvillohej tutje dhe u shndërrua në diçka që të dyve na pëlqente shumë. Jemi argëtuar shumë gjatë xhirimit të këtij klipi dhe e kam shijuar personazhin që e kam portretizuar”.
Edhe pse aktualisht, ajo po jeton në Los Angeles, Lipa e cila është në lidhje me modelin Anwar Hadid, thotë se nuk përmallohet për vendlindje deri në momentin që prishet moti.
“Është qesharake, sepse kur bie shi në L.A., atëherë unë kam mall për Londrën. Kështu që është në rregull tani, dielli po shkëlqen dhe gjithçka është mire”.
Dhe ylli i hitit “Levitating” gjithmonë mund ta bëjë veten të ndihet më mire, duke u kënaqur me ushqimet e saj të preferuara.
“Rehatinë e preferuar e gjej tek ushqimi. Thjeshtë më pëlqen ta ngushëllojë veten përmes ushqimit. Më pëlqen shumë peshku dhe patatet e skuqura, dhe më pëlqen të ha çipsa. Në fakt më shumë më pëlqejnë produktet e njelmëta. Por, në raste të caktuara kam dëshirë të ha petulla me xhem të mjedrës. Mirëpo varet nga disponimi dhe fakti se çfarë dite kam kaluar”.
Lipa gjithmonë është karakterizuar për zërin e saj unik dhe të shterur, por këngëtarja insiston se kjo nuk ka të bëjë asgjë me shprehitë e këqija.
“Unë gjithnjë e kam pasur një zë paksa të shterur, qysh në moshë të re. nuk vjen si rezultat i pirjes së duhanit. Po bëjë shaka, unë e kam lënë duhanin tash e sa kohë”.
Ylli i hitit “One Kiss” ka deklaruar që mezi prej të kthehet në rrugë me turne, tani që i është dashur t’i shtyjë sërish datat e koncerteve si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Vonesa një vjeçare e turneut e ka bërë atë edhe më emocionues për mua. Jam shumë e gatshme të kthehem në rrugë dhe mezi prej të performoj live para publikut”.
Para pak ditësh, bukuroshja me prejardhje kosovare i informoi fansat për shtyrjen e datave të koncerteve, dhe njëkohësisht u kërkoi atyre t’i ruajnë biletat e blera tashmë, si dhe u premtoi që do të mundohet t’i shtoj edhe disa koncerte në kuadër të turneut të ardhshëm. / Koha.net / KultPlus.com