“Mbijetesa dhe shkolla” i regjisorit Ilir Kabashi, merr Çmimin e Kritikës në Singapor

Filmi dokumentar ”Mbijetesa dhe shkolla” është vlerësuar me Çmimin e Kritikës në Festivalin e Filmit: “World Film Carnival” të Singaporit.

Deri me tani filmi ka marr pjesë në 11 festivale në vende të ndryshme dhe ka fituar 6 çmime.

5 herë është vlerësuar si-Dokumentari më I Mirë  dhe këtë herë me çmimin e kritikës në Singapore.

‘Mbijetesa dhe shkolla’ është një tregim i bukur për një kohë të keqe. Një oazë paqeje në kohë lufte. Një shkollë najloni e ndërtuar në malet e Berishës që kishte tubuar rreth 200 nxënës të fshatrave përreth.

Fate njerëzish që shihen në harkun 20 vjeçar në xhirime autentike të kohës dhe të tashmes në rrethana krejtësisht të ndryshme, na shpalosin më së miri fatin gri të njeriut.

Filmi është mbështetur nga  Qendra Kinematografike e Kosovës.

Producent dhe skenari: Nuhi Bytyçi, Regjisor: Ilir Kabashi, DOP: Bekim Qyqalla, Muzika: Shkodran Tolaj. / KultPlus.com

“Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa shpërblehet me çmim në Basel

Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, i cili premierën botërore e kishte në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë Kosovar që mori pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë, tashmë është shpërblyer në Basel me çmimin “The Peter Liechti Award”, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenoë, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Kosova në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores Luana Bajrami

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, përcjellë KultPlus.

“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë.

Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, u shpreh Luana, regjisorja e filmit.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës. / KultPlus.com

Cher paralajmëron filmin e saj, pritet të shpaloset jeta e këngëtares

Ditën e djeshme, këngëtarja amerikane Cher ka festuar ditëlindjen e saj të 75-të duke u konfirmuar një lajm të shumëpritur adhuruesëve të saj, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Cher ka bërë të ditur se karriera e saj shumëvjeçare do të shfaqet në një film.

Prapa këtij filmi qëndrojnë producentët Judy Craymer dhe Gary Goetzman, të njohur për mjuziklin ‘Mamma Mia’, ndërsa skenari do të realizohet nga Eric Roth.

Cher ka karrierë 60-vjeçare në muzikë, flm, teatër dhe television, ku gjatë këtyre viteve ajo ka fituar çmime të mëdha si Emmy, Grammt dhe Oscar. / KultPlus.com

Regjisori i ‘Parasite’ flet kundër dhunës anti-aziatike dhe rolin e filmit në trajtimin e kësaj teme

Bong Joon-ho ka folur kundër dhunës anti-aziatike dhe asaj që krijuesit në industrinë e filmit mund të bëjnë për t’u përballur me çështje sociale.

Duke adresuar sulmet e fundit në SHBA,përfshirë edhe të shtënat masive në 16 mars në Atlanta që la tetë persona të vdekur, regjisori i Parasite pranon se ai ka një perspektivë të jashtme, duke folur nga shtëpia e tij në Kore, por thotë:

“Si dikush që është pjesë e njerëzimi, si person, është mjaft e frikshme të shikosh krimet e urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve dhe lëvizjen BLM. ”

“Unë mendoj për atë që industria e filmit mund të bëjë në këtë kohë,” shton ai, në intervistën e transmetuar në Universitetin Chapman të Kalifornisë, përcjell KultPlus.

“Mirëpo përmes filmave, krijimi i një filmi kërkon shumë kohë dhe shumë para; është një njësi e madhe që nuk mund t’i përgjigjet me të vërtetë shpejt çështjeve që po ndodhin aktualisht në shoqëri ”.

Sidoqoftë, ai thotë se mendon se krijuesit “mund të jenë më të guximshëm” kur bëhet fjalë për t’u marrë me çështje shoqërore bashkëkohore: “Ata nuk duhet të kenë frikë të ballafaqohen me to.”

Si një shembull i mirë i krijimit të filmit që qëndron kundër padrejtësisë shoqërore, Bong veçon filmin e Spike Lee-ut Do The Right Thing, i cili, siç sugjeron Lee në filmin e tij të shkurtër 3 Brothers, përfshin paralele shqetësuese me vrasjet e George Floyd dhe Eric Garner .

“Roli i një krijuesi”, thotë Bong, “jo domosdoshmërisht për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në shoqëri, por për të përdorur depërtimin tuaj për të portretizuar çështjet që aktualisht po ziejnë nën sipërfaqen e shoqërisë që mund të shpërthejnë me vonë”. / KultPlus.com

Ndahen shpërblimet ‘SAG’

Edhe pse pandemia bëri që ceremonia shpërblyese “SAG” të mos mbahej në formën tradicionale, mbrëmja sërish ishte një festë absolute e projekteve kinematografike dhe televizive.

Drama e platformën Netflix, “The Trial of Chicago 7”, në të cilën luajnë aktorët Yahya Abdul-Mateen, Joseph Gordon-Levitt dhe Michael Keaton, u nderua me çmimin kryesor të mbrëmjes, “Kasta më e mirë në film”, përmes ceremonisë e cila u mbajt në formatin virtual, përcjell KultPlus.

Filmi i regjisorit Aaron Sorkin bazohet në ngjarjen e vërtetë të vitit 1969 ku shtatë burra paditen për konspiracion nga qeveria federale.

Aktori i ndjerë, Chadwick Boseman, e fitoi çmimin e radhës postmortum duke u shpallur “Aktori më i mirë në film”. Ai u nderua për performancën e shkëlqyer në filmin “Ma Rainey’s Black Bottom”. Kurse kolegia e tij në film, Viola Davis, u nderua me shpërblimin “Aktorja më e mirë në film”, për portretizimin e kryepersonazhit në këtë film.

Sa i takon shpërblimeve për televizion, “Drama më e mirë” u shpall seriali i Netflixit “The Crown”. Jason Bateman u shpall “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në serialin “Ozark”, derisa Gillian Anderson u nderua me çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, për portretizimin e mrekullueshëm të kryeministres Margaret Thatcher në serialin “The Croën”.

Në kategoritë për projektet më të mira të zhanrit komedi, seriali “Schitt’s Creek”, u shpërblye me çmimin kryesor “Kasta më e mirë në komedi”, dhe protagonistja e këtij projekti, Catherine O’Hara, e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë në komedi”. Kurse Jason Sudeikis u nderua më shpërblimin “Aktori më i mirë në komedia”, për rolin e tij në serialin “Ted Lasso”.

Ndër aktorët e tjerë të shpërblyer gjatë mbrëmjes ishin: Anya Taylor-Joy, Mark Ruffalo dhe Daniel Kaluuya. Çmimet “SAG” i ndanë shoqata e aktorëve të hollywoodit. / KultPlus.com

Dua Lipa, e gatshme për t’i hyrë botës së filmit

Dua Lipa është aktualisht një prej pop këngëtareve më të nxehta në planet mirëpo atë shumë shpejtë do të mund ta shihni në një formë tjetër të artit.

Në një intervistë për “The Los Angeles Times”, këngëtarja kosovare ka bërë të ditur ndër të tjera se është duke u bërë gati për t’i hyrë botës së filmit.

Këngëtarja 25 vjeçare ka thënë se “është duke lexuar skriptat e një filmi në të cilin pritet të aktrojë”, duke mos dashur të jap më shumë detaje lidhur me këtë.

Ky lajm vjen vetëm pak ditë pasi Dua ka arritur të marrë “Grammyn” e saj të tretë në karrierën e saj.

Dua në ceremoninë e cila u zhvillua të dielën e kaluar ka marrë çmimin “Best Pop Vocal Album” për albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”.

Ndërkohë, ky album dhe disa prej këngëve të saj nga albumi janë vlerësuar këtë muaj si multi-platinum nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimit. /riaa/ KultPlus.com

Fusha magnetike dhe rrëshqitja e poleve të Tokës, si është “paralajmëruar” zhdukja e specieve

Filmat që paraqesin katastrofa natyrore kanë treguar se Hollywoodi mendon se mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë nëse polet e Tokës do të rrëshqisnin papritmas. Kjo po del të jetë shumë e mundshme.

Ne nuk dimë ende nëse kjo do të ndikonte në jetën e përditshme mirëpo shkencëtarët po kërkojnë prova për lëvizjet polare të së kaluarës, në mënyrë që të marrin një ide më të mirë në atë se çka na pret.

Studimi i fundit i botuar në Science ka ofruar disa informacione të dobishme falë një peme shumë të vjetër. Pema, e cila ishte ende në rritje kur ndodhi rrokullisja e fundit e polet magnetik rreth 42.000 vjet më parë, lë të kuptohet për ndryshime dramatike dhe ndoshta katastrofike që ndodhën në atmosferë dhe në sipërfaqe të planetit.

Shkencëtarët kishin përdorur këtë pemë, e cila ishte e vdekur prej kohësh mirëpo e ruajtur mirë, për ta kuptuar shtrirjen masive të historisë së Tokës. Duke studiuar rrathët e pemës, shkencëtarët morën detaje të thella prej afërsisht 1.700 vjetësh. Analiza e kryer me këto rrathë thotë se koha e shkuar ishte tejet sfiduese për çdo gjallesë në Tokë.

Ekipi i shkencëtarëve që ishte angazhuar në këtë studim u mor ekskluzivisht me shenjat e karbonit në njollat e pemës. Lloji i karbonit që shkencëtarët po e kërkonin krijohet kur rrezet kozmike janë në gjendje të godasin atmosferën e Tokës. Kur fusha magnetike e Tokës është e fortë, siç është sot e kësaj dite, sasia e karbonit e gjeneruar nga ky bashkëveprim është relativisht i ulët, mirëpo lë hapësirë kur fusha magnetike dobësohet dhe lejon që të depërtojnë më shumë rreze kozmike.

Ky lloj i veçantë i karbonit në rrathët e pemës thuhet se ishte prodhuar gjatë rrokullisjes polare, duke e lidhur drejtpërdrejt me një ndryshim dramatik të fuqisë së fushës magnetike të Tokës.

“Ky studim paraqet një rritje të konsiderueshme të përmbajtjes së karbonit-14 të atmosferës që kulmon gjatë periudhës së dobësimit të forcës së fushës magnetike, duke i paraprirë kalimit të polaritetit”, kanë shpjeguar shkencëtarët.

Bazuar në këto gjetje, studiuesit tutje kanë përmendur mundësinë e zhdukjes së shumë specieve në Tokë. Kjo vjen si pasojë e rrezatimit ultraviolet në Tokë, si rezultat i fushës së dobësuar magnetike dhe dëmtimit të shtresës së ozonit.

“Ne ende nuk kemi asnjë mënyrë për të ditur kur ose pse polet magnetike rrëshqasin, por sa herë që kjo do të ndodhë përsëri, mund të kemi një kohë të vështirë”, thuhet në këtë studim./ KultPlus.com

Një ikonë e papërsëritshme si Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu paraqet personalitet që zakonisht një populli mund t’i ndodhë vetëm një herë gjatë një shekulli, e pastaj të vazhdoj të jetojë për shumë shekuj. Ai madje pat refuzuar të ndryshonte emrin e tij për dhjetëra miliona dollarë  nga një shtëpi e njohur producente italiane filmash, e cila kërkoi që talentin e tij ta paraqes si talent italian. I vetmi nga e gjithë Evropa Lindore, ai luajti në shumë filma amerikanë e evropianë me shumë yje botërore.

Bekim Fehmiu kishte një personalitet unik, por zotësia e tij artistike ishte e tillë që ai të mund të luante dy personazhet e pazgjedhur. Në pyetjen: Çfarë korrelacioni mendoni se keni me personazhet Cagliostro dhe Balsamo, ai u përgjigj: Ne të gjithë mbajmë maska të ndryshme për arsye të ndryshme. Ne mbajmë disa maska, sepse ato përfaqësojnë vërtet atë që duam të jemi. Të tjerët, ne i veshim ato, sepse nuk kemi guximin të përballemi me atë që është me të vërtetë poshtë ose sepse je ajo që dikush tjetër do të kishte nevojë që ne të jemi.

Përveç zotësisë së tij, Bekimi ishte edhe shumë i saktë dhe i disiplinuar, kur merrte ndonjë rol qoftë ai kryesor apo edhe dytësor, ai duhet ta perfeksiononte atë deri në përsosshmëri.

Bekimi ishte i përkushtuar në punë. Ai aty garonte me të gjithë por dhe me veten e tij. Kur duhej të luaj në film tek burri i artistes Michel Morgann, atëherë një muaj mësoi intensivisht gjuhën frënge. Por projekti dështoj. Për filmin ” Aventurierët” duhej të mësoj të luaj golf, sport i rëndë dhe i rrezikshëm.

Ishte aq i qëndrueshëm, por edhe mbahej për gjërat që për të ishin thelbësore. Kur e thirri Dino de Laurentis për filmin “Odiseu”, regjisori Francesco Rossi ishte kundër zgjedhjes së tij.

U shpreh: Nuk vie në konsideratë. Është i ri.

E Dino e ndërpreu dhe ia ktheu: Perënditë përherë janë të ri.

Bekim Fehmiu u përket aktorëve të rrallë vendorë që shijuan famën botërore. / KultPlus.com

Sot, për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, çmimet e biletave duke filluar nga 2,80€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave, ku çmimet e tyre fillojnë nga 2,80€.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 8 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 19:00 në kinemë në Prishtinë, ndërsa deri në ora 21:30 në kinemanë në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:

1) The Little Things
Filmi flet për dy police që gjurmojnë një vrasës serial. Në film luajnë tre aktorë shumë të njohur, dhe fitues të çmimit Oskar, Denzel Washington, Jared Leto, si dhe Rami Malek.

2) The Marksman
Ylli i njohur Hollywood-ian Liam Nesson rikthehet në ekranet e mëdha me filmin The Marksman, që këtë të enjte arrin në Cineplexx si premierë e javës. Filmi nën regjinë e Robert Lorenz, dhe me aktorë të njohur si Liam Nesson dhe Kathryn Winnick, Theresa Luiz, flet për një një fermer në kufirin e Arizonës i cili bëhet mbrojtësi i një djali të ri meksikan i cili arratiset me dëshpërim nga vrasësit e kartelit që e kanë ndjekur atë në SH.B.A.

3) Come Away
Prindërit luftojnë për ta shpëtuar djalin e tyre kur një krijesë misterioze përdor pajisjet e tij elektronike për të hyrë në botën tonë.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmi Wonder Woman 1984, romanca After We Collided, komeditë The Stand In, 10 Days Without Mom, ndërsa nga filmat familjarë po shfaqet Fantastic Return to Oz.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)

Blerta Basholli pas suksesit të filmit: Pavarësisht që jemi Kosovë, me punë mund të arrijmë sukses

Jeta Zymberi

Qysh nga nominimi i filmit “Zgjoi” në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, regjisorja Blerta Basholli dhe gjithë ekipi ishin në ethe për premierën dhe kritikën që do t’i jepej filmit, ndërsa çmimet nuk i mendonin fare. Por premiera e filmit në Sundance bëri një kthesë të natyrshme edhe në pritjen e regjisores dhe gjithë ekipit, shkruan KultPlus.mirziamov.ru

Kritikat e mira dhe pritja që publiku i bëri filmit, e kthyen vëmendjen e tyre edhe tek çmimet, por asnjëherë tek tri çmimet kryesore të cilat njëherit do të thyenin rekordin e këtij festivali.

Kjo ndodhi për herë të parë me “Zgjoi”-n e Blerta Bashollit duke sjellë dje në Kosovë një emocion e gëzim të papritur. Këtij lajmi ju gëzua i gjithë vendi por në veçanti ata që qëndrojnë më afër industrisë së filmit.

“Zgjoi” i Blerta Bashollit dje bëri histori!

“Filmi më i mirë”, “Regjisorja më e mirë”, dhe çmimi i vlefshëm i publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA u dedikuan për “Zgjoi”.

Momenti ku Blerta e mori lajmin ishte i ndarë në dy pjesë. Ajo fillimisht u telefonua për të marrë lajmin për çmimin “Regjisorja më e mirë” dhe ky ishte një moment feste në zyrat e Ikonë Studio aty ku Blerta po priste telefonatën. Por lajmin për dy çmimet tjera të cilin e mori tek ditën e nesërme, ajo nuk po e priste fare.

“Kemi qenë në Ikonë Studio sepse lajmin e parë e kemi marrë menjëherë pas premierës se filmit, të dielën ku gjatë gjithë ditën ishim në ethe duke pritur se si po reagon kritika dhe si po e pret publiku. Pasi kritikat ishin shumë të mira dhe kemi marrë një reagim tepër të mirë dhe shumë pyetje nga audienca e filmit, menjëherë pas premierës na kanë telefonuar dhe na kanë dhënë lajmin për çmimin e “Regjisores më të mirë”, atë natë jemi gëzuar e kemi festuar shumë. Ndërsa të nesërmen kemi marrë lajmin për dy çmimet e tjera dhe normal që këto nuk i kemi pritë por që jemi jashtëzakonisht të lumtur”, tregoi kështu Basholli për momentin e marrjes së lajmit të madh.

Lajmin fillimisht ajo e ka ndarë me producentin e filmit Yll Uka, pasi ai ishte i pranishëm gjatë telefonatës që ju bë regjisores.

“Pasi producenti më ka parë duke qajtë e ka kuptuar që po bëhet fjalë për çmim, dhe kështu ai ishte personi i parë me të cilin e kam ndarë lajmin. Ndërsa personi i dytë ka qenë Artan Korenica, bashkëshorti, sepse është njëri nga njerëzit që ka besuar në këtë projekt qysh nga fillimi dhe një prej njerëzve që më ka ndihmu shumë”, u shpreh Basholli.

Por ky lajm duhej me patjetër të ndahej shpejt edhe me zonjën Fahrije Hoti, mbi historinë e secilës është realizuar filmi. Regjisorja e takoi live Fahrijen për të ja komentuar lajmin pasi dëshironte të merrte emocionin drejtpërdrejtë.

“Në momentin kur e kemi marr lajmin zonja Fahrije nuk ka qenë prezente, ndërsa të nesërmen kemi ngrënë mëngjes bashkë dhe i treguar për çmimet, është gëzuar shumë dhe nga emocionet fjalët e parë që i ka thënë kanë qenë: Më paske qit punë me gazetarë””, tregon regjisorja.

“Zgjoi” pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festival, ndërsa për momentin regjisorja ka treguar për KultPlus se janë në pritje të konfirmimit për premierën evropiane, teksa për premierën e filmit në Kosovë si mundësi e sheh fundin e vitit.

Krejt për fund Basholli ka një mesazh për të gjithë kineastët e rinjë.

“Kineastët e rijnë kanë shembuj shumë të mirë, jo në këtë rast vetëm për film timin por edhe shumë filma të tjerë që janë prodhuar në vitet e fundit, kështu që besoj që deri tani veç e kanë marr mesazhin që pavarësisht që jemi Kosovë e nuk ka fonde të mjaftueshme ende për filma në Kosovë, me punë edhe mund, munden me mbërri dhe këtë e kanë dëshmuar secili film që po udhëton nëpër botë  e festival të mëdha dhe po kthehen me çmime. Andaj mendoj që është një mesazh i mjaftueshëm që nëse veç e donë këtë punë, me besu  dhe me punu vazhdimisht sepse puna secilit i shpërblehet”, përfundon Basholli.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n, “Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com

Festivali i filmit në Cannes mund të shtyhet për në korrik

Në fund të muajit do të kuptohet nëse Festivali i filmit në Cannes do mbahet në maj apo do të shtyhet për në verë. Megjithatë, festivali po mendohet të mbahet në mes të 5-25 korrik, mëson Variety.

Sindikata e hoteleve të Cannes ka thënë se festivali me shumë gjasë do të shtyhet për në korrik.

“Do të preferonim që festivali të mbahet në maj, sigurisht, por do të jemi të lumtur të përgatitemi për ta hapur festivalin edhe në korrik; datat për të cilat jemi pajtuar janë në mes të 5-25 korrik. Kështu që, festivali mund të fillojë diku më 5 korrik, ose disa ditë më vonë”, ka thënë pronari i një prej hoteleve.

Në një vit normal, shtyrja e këtij festivali do të nxiste protesta nga pronarët e hoteleve, sepse Cannes është një zonë e nxehtë në Francë për turistët dhe korriku ashtu si edhe gushti është sezonë që zakonisht mbushet me turistë që kalojnë pushimet atje. /Koha/ KultPlus.com

Restaurohet “Vitet e Pritjes”, filmi mbi dramën shqiptare të emigrimit

Arkivi Qendror i Filmit ka njoftuar ditën e sotme se është drejt përfundimit  procesi i restaurimit të filmit “Vitet e Pritjes” (Shqipëria e Re, 1989).

Sipas njoftimit zyrtar restaurimi është realizuar nga regjisori  Steven Kastrissios  (i njohur për publikun shqiptar për realizimin e filmit të parë horror në  shqip “Bloodlands”).

“Vitin e kaluar Festivali i Filmit në Venecia dhe ai i Telluride, shfaqën premierë dokumentarin artistik TO THE MOON të Tadhg O’Sullivan, ku përfshihet edhe një segment i shkurtër nga VITET E PRITJES (1989) të Esat Musliut. Elementet origjinal u skanuan në laboratorin e arkivistit zviceran Reto Kromer, i cili ka mbështetur përpjekjet tona nëpërmjet ACP – Projektit të Kinemasë Shqiptare që nga 2012”, thuhet në njoftim.

I shfaqur premierë në vitin 1990 në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish, akoma me e fuqishme se ajo e viteve 1930, ky është bashkëpunimi i parë i Regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Lacco, bazuar mbi romanin e tij  “Lëndina e lotëve”.

Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”.

Skenaristi nuk kishte bashkëpunuar kurrë me regjisorin Esat Musliu, i cili aso kohe i kërkoi të bashkëpunonte dhe ai rekomandon pikërisht këtë roman, që përgjatë filmit iu shtuan shumë linja të reja, prej të cilave vlen të përmendet Magda e interpretuar nga Rajmonda Bulku.

Është mesi i viteve ’20. Gjon Kodri kthehet nga Amerika por e ka të pamundur të integrohet përsëri në jetë. Me një shtëpi të braktisur, nënë të vdekur dhe motër të martuar shumë larg, ai nuk nga t’ia filloj. Të gjithë e pyesin për emigrantë të tjerë që nuk kanë më lidhje me familjet por ai rri i heshtur dhe nuk është në gjëndje të komunikojë me të tjerët që e rrethojnë.

Është ky sinopsi filmit “Vitet e pritjes” ku interpretojnë aktorët më të njohur të kinemasë shqiptare si Xhevdet Ferri, Sheri Mita, Margarita Xhepa, Stavri Shkurti, Birçe Hasko, Marjeta Ljarja, Vasjan Lami, Birçe Hasko, Rozeta Ferri etj. Teodor Laço nuk ngurroi asnjëherë t’i rrëfente atyre të vërtetën e autobiografisë që shkroi. Ai e kishte vuajtur plagën e kurbetit qysh në fëmijërinë e hershme. Ishte një djalë emigranti që nuk mundi ta njihte të atin, i cili e la vetëm gjashtë muajsh duke ikur dhe u kthyer pas 22 vjetësh në Shqipërinë që jetoi vetëm katër muaj, për të ikur sërish.

“Jam nga Dardha e Korçës, ky fshat tipik kurbetllinjsh që ka pasur lidhje të ngushtë me Amerikën dhe ku gratë rrisnin vetë fëmijët. Jam nga fshati tragjedisë” , thoshte ai shpesh.

Është kjo arsye pse ndjehet kaq e theksuar në këtë film ky element, me të cilin Teodor Laço luan përmes metaforës me anë të këmbanës. Të gjitha lajmet vijnë nëpërmjet tingullit të saj, e cila në film quhet edhe “këmbana e gjëmës”. Një fakt ky, që na tregon dhe realitetin e asaj kohe sepse në fshat kur vinin lajme nga kurbeti, ajo binte në mënyrë të veçantë. Binte ngadalë dhe të gjithë familjet që kishin të afërmit e tyre në emigrim rrinin me zemër të ngrirë karshi të vërtetës së kobshme që do të dëgjonin. Gjëmën e përcillnin zakonisht burrat e moshuar të fshatit, sikundër në film ishin gjithnjë tre. Një traditë kjo që e përcillte pleqësia në mënyrë që të lehtësohej mundësia për të dhënë lajmin e keq. /dp/ KultPlus.com

Filmi “Flying Circus” – aktrimi si ngadhënjim mbi luftën

Shkruan Ballsor Hoxha

Filmi “Flying Circus” me skenar dhe regji të Fatos Berishës.

Çka ka më absurde, se në një kohë lufte dhe katastrofale si ajo e Kosovës në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, të jesh aktor. Të kesh shfaqje dhe aq më shumë të udhëtosh në festival të teatrove? Ku është kuptimi i artit dhe aktrimit në këtë brenda makinerisë së vrasjes së quajtur luftë e cila nuk pyet as për fëmijë e as për pleq? Por, pikërisht këtu shfaqet magjepsja dhe magjia e “koincidencës së rasëtishme” të artit vetë. Këtu regjisori Fatos Berisha e nisë shtjellimin e këtij paradoksi dhe vullneti të njeriut, aktrimit artistik edhe në luftë. Me mjeshtërinë e tij prej skenaristi dhe regjisori në filmin “Flying Circus” – shtrinë vullnetin e aktorit të realizojë ëndrrën e artit. Nisë një udhëtim të katër të pasionuarve pas aktrimit dhe teatrit, me gjithë absurdin e luftës, dhe brenda absurdit të luftës, bazuar në ngjarje të vërteta, të jetësoj vetë vullnetin e njeriut duke mos iu dorëzuar luftës, apo, aq më shumë, duke e ngadhënjyer absurdin e luftës me art.

Filmi “Flying Circus” i Fatos Berishës, është një udhë dhe udhëtim në kërkim të ëndrrës, ëndrrës së artit, thënë më saktësisht të aktrimit dhe teatrit. Por që për këtë rrugëtim duhet braktisur edhe familjen, shtëpinë, edhe jetën (fizike dhe të mirëqenies), edhe mundësinë për të mbrojtur shtëpinë dhe vendin, dhe, në fund, ndoshta edhe mundësinë për t’u kthyer ndonjëherë.

Është udhë e katër aktorëve, që braktisin të tërën që është, edhe luftën, edhe mundësinë për të mbrojtur familjet e tyre, për ëndrrën e tyre të aktrimit dhe të shfaqjes së tyre. Katër aktorë që nuk besojnë në atë që po bëjnë, katër aktorë që nisen nëpër katrahurat e luftës dhe të kufijve ballkanik (lexo: vullnetit të vrasësve të rastësishëm etj); duke qenë të dhunuar deri në mungesë ushqimi për fëmijtë e tyre, aktorë, por që megjithatë nuk ndalen, nuk mund të ndalen para ëndrrës së tyre, para artit, të tyre, para artit vetë. I bartë ëndrra vetë përmes “koincidencave të rastësishme”.

Nën regjinë e Berishës, kjo koincidencë e rastësishme bëhet e vërtetë. Katër aktorët kosovar nisen në këtë udhëtim, prej Kosovës/Prishtinës në Shqipëri, përmes Malit të Zi, në një festival të teatrove në Tiranë. E pikërisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën Tiranë ndodhet Michael Palin. E ndodh që Palin është një prej anëtarëve të grupit aktrues Monty Python, në bazë të të cilëve është ndërtuar dhe titulluar shfaqja e katër aktorëve kosovar – “Flying Circus” sipas “Monty Python’s Flying Circus”. Çfarë “koincindence e rastësishme” siç thotë profesori i katër aktorëve në film.

Berisha në regjinë e tij vazhdimisht thurë dhe ndërthur këto “koincidenca të rastësishme” gjë që edhe duke qenë të thurura në komunikimin ndër – kinematografik, e edhe duke qenë ndërthurje e ëndrrës së artistit/aktorit dhe realitetit absurd, krijojnë vetë këtë udhë të filmit si rastësi e ndërdijshme, apo thënë më saktë si shtytje për të ecur nëpër ëndrrën e artit.

Regjisori Berisha, duke e përmbyllur hyrjen e filmit, e le të zhveshur dhe të vetëm personazhin Lekë- Tristan Halilaj, që luan shkëlqyeshëm dhe krejtësisht natyrshëm natyrën lucide të artistit. E le përballë filmit të Bekim Fehmiut në përmbylljen e hyrjes së filmit “Flying Circus”, dhe me këtë e përmbyllë fatin e njeriut të zakonshëm, e përmbyllë, pasi që ka ndërtuar tërë atë që i mbetet njeriut të përballur me dhunën dhe robërinë – luftën si të vetmen mundësi. Por është pikërisht këtu ku lind ëndrra, ku lind arti,

si ëndërr e si realitet: life is a dream within a dream, thotë Leka në shqip, duke cituar Sheakespearin, pikërisht ë këtë skenë. Ai është duke shikuar Bekim Fehmiun duke prerë duart në fatin e tij po ashtu të mbyllur si personazh në filmin e tij të njohur “Mbledhësit e puplave”. “Jeta është ëndërr brenda ëndrrës”, thotë Leka, derisa ai dhe në të vërtetë të katër aktorët kosovar, dhe tërë Kosova është pikërisht përballë ortekut të absurdit të luftës që është lëshuar tatëpjetë Kosovës së viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo thënie hapë atë që arti, skena teatrore, filmi dhe mbi këto aktrimi janë të lindura për ta bërë: ëndrrën brenda ëndrrës, apo thënë më saktë ëndrrën brenda absurdit të luftës siç ndodh në këtë histori.

Berisha ndërton mjeshtërisht hyrjen dhe ndërtimin e kontekstit që është në prag të luftës, dhe në këtë e hapë, e lind një ëndërr, dhe atë jo të heroizmit apo të veprimit që e kërkon ky kontekst por, në të vërtetë, krejtësisht të kundërt, atë të luftës përmes artit/aktrimit.

Udha, udhëtimi i katër aktorëve kosovar, është udhëtim i cili zbulon natyrën e njeriut të mbetur në “koincidencën e rastësishme” të të pasurit një ëndërr arti, e që është edhe bekimi e edhe mallkimi i tyre. “Koincidenca e rastësishme” e këtij udhëtimi të Lekës së lartcekur, tërësisht të humbur dhe që jeton për artin dhe aktrimin, aktorit Fatmirit (Shpëtim Selmani) që luan shkëlqyeshëm intelektualin në natyrën e tij të brishtë në çdo rast, megjithëse di edhe të aktrojë “Cowboy”-in në rast rreziku, aktorit Kushtrimi (Armend Smajli) i cili luan babain e ndjeshëm por ende të papjekur, aktorit Donati ( Afrim Muçaj) i cili është “tough guy” i trupës dhe nuk kthehet asnjëherë nga ky udhëtim duke qenë se i bashkëngjitet UÇK në luftë, është në të vërtetë përballje me realen e kontekstit ballkanik dhe shqiptar në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Përballje që prej zyrës së kryetarit të qytetit të “Ulqinit” i cili citon “Hamletin”, e deri në birucat e policisë së “Shkodrës”, e deri në fshatrat zotit prapa shpine të periferisë së Shqipërisë. Është udhëtim i cili krijon botën unike dhe të veçantë shqiptare në këto vite, në këtë dekadë, dhe parakalon personazhe krejtësisht të paimagjinueshme por të vërteta, si në aktrim e po ashtu edhe në jetën e përditshme, posaçërisht si atij të Kristos (luajtur nga Armond Morina) dhe vëllai i tij.

Udha në të vërtetë, siç u cek më lartë, është e ndërthurur tërë kohën, ndërmjet reales dhe kërkimit të ëndrrës, dhe të ndër-thurjes së kinematografisë përbrenda jetësimit të ëndrrës së këtyre katër aktorëve.

Çdo gjë në këtë reale është kundër aktrimit, artit dhe ëndrrës, aq më shumë është kotësi qesharake dhe e paimagjinueshme, por që në të vërtetë zbulon natyrën e njeriut i cili për të luftuar (së paku paraprakisht) zgjedh artin. Të rrethuar me fusha të pafundme, hapësirë e zbrazëtirë të pamatë të periferisë së Shqipërisë, aktorët kosovar, të humbur, zotit prapa shpine, në periferi të Shqipërisë, pyesin kriminelë, një policë të korruptuar, e një bandë fshati kriminelësh, kah i bie Tirana?

Derisa në ndër- thurjen kinematografike, Leka, aktori kosovar, shpëton shqiptarët nën mizërinë e ikjes nga lufta në një kafene të Malit të Zi përballë disa kriminelëve malazezë, duke përsëritur, apo duke përmbushur ëndrrën e tij të të përsëriturit të skenës së Bekim Fehmiut në realitet, duke prerë duart e tij në xhamin e birrës që ka qenë duke e pirë.

Me pasionin e pandalshëm, me ndërthurjen e “koincidencave të rastësishme”, ëndrra përmbushet dhe gjërat ndodhin si në filma. Krejtësisht në “koincidencë të rastësishme”, Kushtrimi ka plotësuar ëndrrën e tij dhe krejt çka ka për të thënë ai, apo secili nga ta, apo secili nga ne të gjithë pasi që e kemi parë këtë film, është “po shkoj në shtëpi”. Është sikur ai ka luftuar luftën e tij, ka ngadhënjyer dhe ka arritur lirinë e tij, qoftë edhe pse e thotë këtë derisa po kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij e cila po bëhet gati për luftën katastrofale të Kosovës.

Derisa i tërë filmi është i ndërtuar në motivin direkt të katër aktorëve kosovar për të takuar Michael Palinin e “Monty Python’s Flying Circus” në Tiranë, i tërë filmi, dhe e tërë ëndrra, dhe me këtë sidomos arti përmbushet në të vërtetë në tërë pastërtinë e ëndrrës së aktorëve për të shfaqur shfaqjen e tyre.

Duke qenë një arsyetim, një shtytje dhe një mbështetje në absurdin e të qenit aktor në luftë, Palin është në të vërtetë arsyetimi për të pasur një ëndërr për aktrim në kohë lufte. Është arsyetimi i të qenit i mallkuar me ëndërr edhe në luftë. Është arsyetimi i të qenit aktor edhe në luftë. Por në të vërtetë është motivi për të luftuar me teatër.

Në lidhje me këtë, skena në periferinë e Shkodrës, derisa këta katër aktorët kosovarë janë duke urinuar, shikojnë yjet në qiell dhe pyeten dhe përgjigjen vetë:

Sa shumë yje paska në qiell?!

Është sepse ka shumë terr në tokë?!

sikur e japin të vërtetën e ëndrrës, artit, dhe aktrimit: sa më terr në tokë aq më shumë ëndrra, aq më e magjishme ëndrra, aq më i fuqishëm ëndërrimi.

Në të vërtet brenda filmit edhe krijohet “koincidenca e rastësishme” e tërë përvijimit të stories, mundësia për të takuar Michael Palinin e “Fyling Circus” por Kushtrimi, i cili e ka këtë mundësi, është duke fjetur. I përmbushur. Duke iu kthyer familjes. Shtëpisë, dhe duke pas arritur ëndrrën e tij, të luaj, të aktrojë dhe aq më shumë të njihet për artin e tij bashkë me tre tët tjerët. Edhe kjo është “koincidencë e rastësishme”.

Por në të vërtetë, në shumë momente të këtij filmi hasim në këtë “koincidencë të rastësishme”. Sikur kjo është motivi i Berishës për të krijuar koincidenca shpërthyese dhe emocionale të cilat në vete bartin edhe moralin e të qenit i mallkuar me ëndrrën e artit e edhe të të qenit i bekuar me këtë ëndërrim.

Duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, pyetemi, a ia vlen arti/aktrimi në luftë? A ia vlente aktrimi në luftë, në Kosovë? Derisa shohim skenat në Tiranë të trupës teatrore të Prishtinës, teatrit Dodona, derisa shohim sytë shkëlqyes të tyre, derisa shikojmë në shkëlqimin e lirisë në sytë ngadhënjyes të njeriut mbi ëndrrën e tij, në aktorët kosovar të filmit “Flying Circus”, ia vlen gjithmonë. Është ngadhënjim mbi absurdin e luftës dhe absurdin e të ligës së njeriut, është ngadhënjim mbi dhunën! / KultPlus.com

Sandokani i kohëve moderne do të interpretohet nga aktori me origjinë shqiptare

Filmi “Sandokan” ka qenë ndër më të pëlqyerit dhe të dashurit e të gjitha kohërave, ku roli kryesor interpretohej nga aktori Kabir Bedi.

Sandokani do të rikthehet sërish, por tashmë nën interpretimin e një tjetër aktori, i cili është me origjinë shqiptare.

Turku Can Yaman do të interpretojë rolin e piratit rebel, mititi të viteve ’70-’80.

Seriali pritet të transmetohet vitin e ardhshëm, dhe do të ketë praninë e aktorëve të njohur italianë si Luca Argentero dhe Alessandro Preziosi.

Lindur në Stamboll, aktori 31-vjeçar ka pohuar vetë origjinën e gjyshërve të tij, ndërsa babai i tij ishte djali i një emigranti nga Prishtina.

“Nga ana e babait tim flasin shqip, por unë nuk flas se jam rritur me familjen e nënës”, ka deklaruar aktori, që ka pohuar edhe se ka ndenjur disa kohë në Tiranë.

Yaman nuk është aktori i vetëm turk që ka deklaruar prejardhje shqiptare. Diçka të tillë e kanë deklaruar publikisht emra të njohur si Kivanç Tatlitug, Halit Ergenç dhe Engin Altan Dyzyatan. /dp/ KultPlus.com

Nis restaurimi i filmit të parë shqiptar “Tana”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka bërë me dije pak ditë më parë se ka filluar procesi i restaurimit të filmit të parë shqiptar “Tana”.

Ky produksion kinematografik është realizuar në vitin 1958 dhe premierën e tij e ka patur po atë vit më datën 17 gusht. Skenari i këtij filmi mbanë autorësinë e Kristaq Dhamo dhe Nasho Jorgaqi. Rolin e protagonistes në këtë film e ka interpretuar aktorja Tinka Kurti.

Ky restaurim mundësohet nga i Ministria së Kulturës me laboratorët Cinegrell, Zyrih dhe PostFactory, Berlin.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptar ka nisur para disa viteve ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si  “Mimoza Llastica”, “Përrallë nga e Kaluara”, “Nëntori i Dytë”, “Skëndërbeu” etj.

Këto produksione po kalojnë në një proces të mirëfilltë dixhitalizimi si në video ashtu edhe në audio për të qenë një pasuri e veçantë në fondin e kinematografisë shqiptare.

Ky proces pritet gjithashtu të vijojë edhe me restaurimin e të tjerë tituj filmash në të ardhmen. /a.a/ KultPlus.com

Tepia e kuqe e Berlinales do të ‘shtrohet’ virtualisht në mars

Festivali prestigjioz i filmit, i cili mbahet në Berlin këtë vit nuk do të mund të organizohet në muajin e zakonshëm, në shkurt, shkruan KultPlus.

Berlinalja është shtyer për në mars për shkak të pandemisë Covid-19 si dhe do të realizohet virtualisht.

 “Edicioni i 71-të i Berlinales do të zhvillohet në “dy kohë” me një garë në internet dhe dhënien e çmimeve në mars, si dhe projeksione të hapura për publikun në muajin qershor”, theksuan dy drejtuesit e festivalit në një komunikatë.

Festivali i Filmit në Berlin tërheq 480 000 kinaestë, yje filmash dhe adhurues në kinematë e kryeqytetit gjerman.

Statuja “Ariu i Artë” është edhe çmimi simbol i këtij i festivalit, i cili njëherit është edhe ndër çmimet më prestigjioze në Europë, së bashku me festivalin e Kanës në Palme d’Or të Francës dhe çmimin Lion i Artë i Festivalit të Filmit në Venecia. / KultPlus.com

Tepihi i kuq u zëvendësua me ekranin digjital, Europian Film Awards shpalli fituesit

Tepihi i kuq i Europian Film Awards është zëvendësuar me kumtimet digjitale për ndarjen e çmimeve, shkruan KultPlus.

Edicioni i 33-të i festivalit prestigjioz të filmit është kushtëzuar që të organizohet virtualisht, për shkak të pandemisë Covid-19. Përgjatë natës së sotme, duke filluar nga ora 20:00 u ndanë çmimet kryesore të Festivalit, duke përfshirë kategorinë kryesore “Filmin më të mirë europian” që është votuar nga 3800 anëtarë të Akademisë së Filmit si dhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, regjisorin, skenarin dhe filmin më të mirë dokumentar.

Çmimi për aktorin europian 2020 shkoi për Mads Mikkelsen. Ndërkaq aktorja europiane 2020 u zgjodh Paula Beer për rolin e saj në “Undine”.

Me çmimin “regjisori europian 2020” u nderua Thomas Vinterberg.

Në anën tjetër çmimi EFA për rrëfimin kreativ shkoi për filmin e Mark Cousins, “Woman make film: A new road movie through cinema”.

Çmimi europian “Discovery 2020” i shkoi Carlo Sironi për “Sole”.

Carlo Sironi director, Valparaiso, Pardi di domani

Skenari më i mirë ishte ai i Thomas Vinterberg dhe Tobias Lindholm.

“Collective” nga Alexander Nanau është vlerësuar si Dokumentari europian 2020.  / KultPlus.com

Aktori i mirënjohur Petrit Malaj feston 56 vjetorin

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë Petrit Malaj sot mbush 56 vjeç.

Ai u lind në Orikum të Vlorës në 12 dhjeror të vitit 1964. Që në fëmijërinë e tij të hershme familja transferohet në qytetin e Bajram Currit, qytet nga i cili familja e tij është edhe me origjinë. Në vitet 1975-1981 kreu gjimnazin në qytetin e Bajram Currit ndërsa Institutin e Lartë të Arteve e ndoqi gjatë viteve 1981-1985 ku edhe u diplomua në specialitetin “Aktor”

Pas diplomimit ai pati një karrierë të gjatë dhe të sukseshme në teatër por më tepër në kinematografi ku vlejnë të veçohen rolet në ” Qortimet e vjeshtës ” 1981, ” Besa e kuqe ” 1982, ” Nëntori i dytë ” 1982, ” Vendimi ” 1984 ,” Gjurmë në dëborë ” 1984, ” Dasma e shtyrë ” 1985, ” Kur hapen dyert e jetës ” 1986, ” Militanti ” 1984, ” Hetimi vazhdon ” 1986, ” Balada e Kurbinit ” 1988 “, Viktimat e Tivarit ” 1991, ” Bardh e zi ” 1991,” Telegrami ” 1992, ” Skënderbeu ” 1995, ” Kolonel Bunker ” 1998, ” Lule të kuqe, lule të zeza ” 2002, ” Dhimbja e dashurise ” 2008, ” Lindje, perëndim, lindje ” 2008.

Gjatë karrierës së tij si aktor Petrit Malaj ka punuar me regjisorët dhe aktorët më të mirë të vendit. Gjithashtu ka mbajtur edhe disa nga postet më të rëndësishme në Universitetin e Arteve  si Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Artit Skenik.

Petrit Malaj është vlerësuar edhe me shumë çmime të rëndësishme ku do të veçonim, medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë, medaljonin e festivalit në “Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar” si dhe shumë diploma të tjera për aktivitetin krijues e artistik. /ata/ KultPlus.com

Ka vdekur regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk

Regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk ka vdekur si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, shkruan KultPlus.

59 vjeçari ishte nga Korea e Jugut dhe kishte arritur suksese të shumta në fushën kinematografike.

Kim ishte një nga drejtuesit e parë të frymës së re koreane që pushtoi skenën ndërkombëtare, duke shfaqur drama tronditëse, përfshirë “The Isle” në 2000 dhe “Spring, Summer, Fall, Winter and Spring” në 2003.

Filmat e tij kanë marrë shumë çmime nëpër festivale, duke e bërë atë një nga regjisorët më të rëndësishëm bashkëkohorë aziatikë të filmit. Ai ka arritur të fitoj çmime në festivalin e Venecias, të Berlinit dhe shumë vende të tjera.

Vepra  e tij ka shënuar një histori të rëndësishme për kinematografinë koreane. / KultPlus.com

Hillary Clinton me të bijën do të themelojnë kompani produksioni filmik

Themelimi i një kompanie të produksionit filmik është ajo që do të bashkoj Hillary Rodham Clinton dhe të bijën e saj Chelsea në një projekt, shkruan KultPlus.

Dy zonjat Clinton kanë thënë se do ta bëjnë këtë për të treguar histori të njerëzve, zërat e të cilëve nuk dëgjohen sa duhet.

Emri i kompanisë së tyre do të jetë “Hidden Light”, teksa ato do të fillojnë me një seri dokumentarësh që ia ka vënë emrin “Gutsy Women”. Këtë projekt të parë “Apple TV+” ka njoftuar se do ta transmetoj në një datë të papërcaktuar.

Mirëpo, frymëzim i këtij rrugëtimi që do ta nisin Hillary dhe Chelsea Clinton ka qenë libri “The Book of Gutsy Women: Favorite Stories of Courage and Resilience” i vitit 2019..

“Për shumë kohë, u është kushtuar vëmendje zërave më të lartë në dhomë. Ka pasur gjenerata të njerëzve që mund t’i ndryshojnë gjërat në botë dhe do të vazhdojnë ta formësojnë botën tonë – zakonisht pa shumë zhurmë, duke mos u vërejtur fare”, ka thënë Hillary Clinton.

Këta ndryshues të botës sipas Clinton zakonisht nuk vërehen, e që historitë e tyre do të transmetohet nëpërmjet produksionit filmik në ardhje.

“Historitë që i tregojmë dhe përvojat që i shpërndajmë e formësojnë mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin dhe na ndihmojnë ta kuptojmë vendin tonë unik në botë”, ka thënë Chelsea Clinton, lidhur me projektin.

Një nismë të produksionit filmit e ka marrë më parë edhe çifti Obama, nëpërmjet hapjes së kompanisë familjare “Higher Ground Productions”, e cila rezultoi me sukses edhe nga Oscar. / KultPlus.com

Angelina Jolie do të drejtoj filmin autobiografik për fotografin e konflikteve dhe trazirave

Aktorja e famshme Angelina Jolie kësaj radhe do të na shfaqet si regjisore, nëpërmjet filmit në ardhje ‘’Unreasonable Behaviour’’, shkruan KultPlus.

Filmi regjinë e së cilit do ta kryej Jolie, do të jetë autobiografi e fotografit të famshëm të luftës Don McCullin me skenarin e adaptuar nga Gregory Burke.

McCullin jeta e të cilit do të shfaqet si film, është një nga fotografët më të njohur të luftës, konfliktit dhe varfërisë në kohët e fundit.

‘’Jam e përulur që kam një shans për të sjellë jetën e Don McCullin në film”, tha Jolie. “Më tërhoqi kombinimi i tij unik i pa trembësisë dhe njerëzimit, angazhimi i tij absolut për të dëshmuar të vërtetën e luftës, ndjeshmëria dhe respekti i tij për ata që vuajnë pasojat e saj. Shpresojmë të bëjmë një film që është pa kompromis si fotografia e Don, për njerëzit e jashtëzakonshëm dhe ngjarjet që ai pa, për ngritjen dhe rënien e një epoke unike në gazetari”, ka shtuar Angelina Jolie.

Filmi do të prodhohet nga ‘’Working Title’’ bashkë me kompaninë e ‘’Hadry Son and Baker’’.

Shumica e filmave ku Jolie ka pasur rolin e regjisores kanë pasur tematikë të konflikteve bashkëkohore. Debutimi i saj më 2011 në filmin ‘’In the Land of Blood and Honey’’ kishte të bënte me një romancë gjatë luftës në Bosnjë, ndërkaq ‘’Unbroken’’ trajtoi. kujtimet e vrapuesit olimpik Louis Zamperini, i cili u kap nga japonezët gjatë luftës së dytë botërore. /The Guardian/ KultPlus.com

Del në ankand pistoleta e përdorur në filmin e parë “007”

Pistoleta “Walther PP” e përdorur nga Sean Connery në filmin e parë të James Bond-it do të dalë në ankand muajin tjetër në Los Anxhelos, me një çmim bazë midis 150 000 dhe 200 000 dollarë.

Aktori i madh skocez, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar në moshën 90-vjeçare, në shtëpinë e tij në Bahamas, e përdori këtë pistoletë në filmin e vitit 1962 “Dr.Jo”, që nisi sagën shumë të suksesshme të agjentit sekret britanik.

“Silueta e agjentit 007, i cili mban këtë armë, u bë imazhi më ikonik në ekskluzivitetin e James Bond dhe një nga referencat më të njohura të kulturës pop të të gjitha kohërave”, tha Martin Nolan, drejtori ekzekutiv i shtëpisë së ankandeve Julien.

Në filmin “Dr. Jo”, krerët e Shërbimit Sekret Britanik e urdhërojnë Bondin ngurrues që të ndërrojë pistoletën e tij të vjetër “Beretta” me një “Walther”.

Variantet e “Walther” do të mbeten arma e zjarrit e 007 për gati 25 filma./atsh/ KultPlus.com

epa04979562 A handout photo provided by ‘Madame Tussauds London’ on 16 October 2015 of the wax figures of all six ‘James Bond’ actors, with five completely new wax 007s joining the existing figure of Daniel Craig (3-L). To coincide with the release of the latest 007 movie ‘Spectre’, the line up of (L-R) Roger Moore, Timothy Dalton, Daniel Craig, Sean Connery, George Lazenby, and Pierce Brosnan will appear at the Legendary London attraction for six weeks only, before embarking on a tour of Madame Tussauds locations worldwide on 01 December. EPA/JONATHAN HORDLE/MADAME TUSSAUDS/HANDOUT HANDOUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES

Filmi i ri shfaqet në vendin e masakrës në Srebrenicë

Filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores Jasmila Zbanic për masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë është shfaqur për herë të parë në Bosnjë të shtunën, në qendrën përkujtimore të qytetit.

Bazuar në ngjarje të vërteta, filmi tregon ngjarjen e një gruaje boshnjake, Aida, e cila tenton të shpëtojë veten, burrin dhe djemtë e saj derisa punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara.

Në shfaqje pjesëmarrës ishin të mbijetuarit e masakrës dhe dëshmitarët, por edhe djem e vajza të rinj që i kishte ftuar Zbanic, shkruan AP.

Në mesin e audiencës, ishte edhe Almasa Sekovic, e cila ishte dëshmitare teksa vëllai i saj adoleshent ishte marrë për t’u ekzekutuar. Ajo tha se filmi kishte sjellë “aromën dhe zhurmat” e Srebrenicës të korrikut 1995.

“Mendoj se është e rëndësishme që sa më shumë njerëz ta shohin këtë film”, thotë ajo.

Masakra e Srebrenicës, e definuar si gjenocid ndaj civilëve boshnjakë, ka qenë kulmi i luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë, e cila pas më shumë se dy dekadash mohohet nga liderët serbë të politikës.

Zbanic ka kaluar 10 vjet duke studiuar, duke folur me të mbijetuarit e masakrës dhe dëshmitarët.

Ajo ka thënë se shpreson se filmi i saj të shërbejë si “urë emocionale’ jo vetëm për rininë e shtetit të saj por edhe për gjithë botën. / KultPlus.com

Foto: AP
Foto: AP