Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë, po ashtu edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të saj.
Pas “Danish Film Institut” dhe “Wiena Film Museum”, të cilët në vitet 2018 dhe 2019 i shfaqën disa nga filmat më të njohur e të vlerësuar të saj, në vitin 2021 është Roma që nderon regjisoren shqiptare.
“Festa e kinemasë në Romë”, çatia e dy festivaleve tashmë të mirënjohura jo vetëm në Itali “Festivali i Romës” dhe “Alice nella citta” u zhvillua nga data 14 – 24 tetor 2021.
Në këtë event të madh ndërkombëtar ku u shfaqën mbi 170 filma nga e gjithë bota dhe morën pjesë yje të kinemasë botërore si Quentin Tarantino, Tim Burton, Alfonso Cuaron e Johnny Depp, nuk mbeti jashtë vëmendjes as regjisorja shqiptare Xhanfise Keko.
“Alice nella città”, një festival që i kushtohet tërësisht gjeneratës së re, nga viti 2003 kur u krijua ka patur gjithmonë si objektiv parësor atë të konfigurimit të vetes si një ngjarje e konceptuar dhe ndërtuar për një auditor të ri.
Në të njëjtën kohë, ai u është drejtuar të gjitha kategorive dhe moshave të spektatorëve për të krijuar një hapësirë të rëndësishme në panoramën e ngjarjeve ndërkombëtare të filmit.
Së fundi duhet thënë se “Alice nella città” synon të vëzhgojë dhe të ofrojë në programin e saj filma të përzgjedhur nga gjithë bota, filma që lejojnë publikun të krahasojë dhe diskutojë vazhdimisht mbi teknikat, temat dhe gjuhët e kinemasë bashkëkohore.
Kjo është arsyeja që në konferencën për shtyp të organizatorëve, drejtori artistik i Festivalit, Gianluca Giannelli kur prezantoi homazhin dedikuar regjisores shqiptare, tha se, “për sa u përket homazheve, do t’i bëjmë një nderim të rëndësishëm regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Ka qenë e vetmja regjisore në Shqipërinë komuniste, një regjisore grua pak e njohur për publikun e gjerë, por e cila ka krijuar një filmografi të rëndësishme për sa i përket pikërisht rrëfimeve me fëmijë. I transformoi në instrumente edhe për të shpalosur shoqërinë ku jetohej në ato kohë, duke u dhënë edhe një rol politik nëpërmjet të cilit tregonte se nuk donte të qëndronte e mbyllur në kafaz. Për ne ky ishte një tjetër prej atyre mesazheve që donim ta përcillnim me anë të përzgjedhjes sonë”.
Gjatë ditëve të festivalit, në nderim të kontributit në kinematografi dhe personalitetit artistik të regjisores shqiptare Xhanfise Keko, në 20 tetor u shfaqën dy filma, “Beni ecën vetë” dhe “Mimoza llastica” në versione të remasterizuara, të cilët u mirëpritën nga të pranishmit.
Po ashtu, mbresëlënës ishte dhe prezantimi para publikut të huaj i aktoreve të vogla të filmit “Mimoza llastica” – Zhaklina Dhimojani, Teuta Doçi e Ema Shteto. Kjo ndodhi pas 48 vitesh në “Casa del Cinema” në Vila Borgese, në zemër të Romës./atsh/KultPlus.com