Ata që janë më të ngadalshëm në marrjen e një premtimi janë më besnikë në kryerjen e tij

Jean-Jacques Rousseau (Zhan-Zhak Ruso) i quajtur “Filozofi i Gjenevës”, ishte dijetar dhe shkrimtar.

Ai lindi më 28 qershor 1712 në Zvicër dhe vdiq më 2 korrik 1778.

Filozofia e tij politike ndikoi në Revolucionin Francez, si dhe në zhvillimin e mendimit politik, sociologjik, dhe arsimor bashkëkohor.

Rousseau ishte gjithashtu kompozitor i suksesshëm; autor i 7 operave, si dhe muzikë zhanresh të tjera; ai dha ndihmesë në muzikë edhe si teoricien.

Gjatë periudhës së Revolucionit Francez, Ruso, me idetë e tij, ishte filozofi më popullor mes anëtarëve të Klubit Jakobin.

Shkrimet e tij autobiografike – përbëjnë fillimin e zhanrit të autobiografisë siç njihet sot.

Rousseau u varros si një hero kombëtar në Panteonin në Paris, në vitin 1794, 16 vjet pas vdekjes.

25 thenie nga Jean-Jacques Rousseau

1. “Personi i parë që rrethoi me gardh një copë tokë, pastaj u tha njerëzve se ishte e tija dhe ata e besuan, u bë themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile.

Nga sa shumë krime, luftëra, vrasje, mizori raca njerëzore do të kishte shpëtuar sikur një person të kishte dalë e ta rrëzonte gardhin, dhe t’u thoshte të tjerëve: ‘Mos e besoni këtë mashtrues’.

Ju jeni të humbur nëse harroni se frutat e dheut u përkasin të gjithëve dhe toka asnjërit!” -“Social Contract”, Jean-Jacques Rousseau

2. Të gjitha fatkeqësitë e mia vijnë nga që kam pasur mendim tepër të mirë për miqtë e mi.

3. Edhe pse modestia është e natyrshme për njeriun, ajo nuk është e natyrshme për fëmijët.

Modestia fillon vetëm me njohjen e së keqes.

4. Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël.

5. Çdo njeri ka të drejtë të rrezikojë jetën e tij në mënyrë që ta mbrojë atë.

Është thënë ndonjëherë se një njeri që hidhet nga dritarja për të shpëtuar nga një zjarr është fajtor për vetëvrasje?

6. Fyerjet janë argumentet e përdorura nga ata që janë gabim.

7. Njerëzit të cilët dinë shumë pak janë zakonisht oratorë të mëdhenj, ndërsa njerëzit të cilët dinë shumë, flasin pak.

8. Mirënjohja është një detyrë që duhet të paguhet, por që askush nuk ka të drejtë ta presë këtë.

9. Gënjeshtra ka një pafundësi kombinimesh, por e vërteta ka vetëm një mënyrë për të qenë.

10. Është një mani e filozofëve të të gjitha moshave për të mohuar atë që ekziston dhe për të shpjeguar atë që nuk ekziston.

11. Ne kemi të lindur të dobët, ne kemi nevojë për forcë: të pafuqishëm, ne kemi nevojë për ndihmë; qesharakë, ne kemi nevojë arsye.

E gjitha që na mungon në lindje, e gjitha që ne kemi nevojë kur vjen puna te pasuria e njeriut, është dhuratë e arsimit.

12. Personi i cili ka jetuar më shumë nuk është ai me më shumë vite, por ai me përvojat më të pasura.

13. Unë i urrej librat; ata vetëm na mësojnë të flasim rreth gjërave për të cilat nuk dimë asgjë.

14. Unë mund të mos jem më i miri, por të paktën jam i ndryshëm.

15. Unë gjithmonë kam thënë dhe menduar se gëzimi i vërtetë nuk mund të përshkruhet.

16. Për të duruar, është gjëja e parë që një fëmijë duhet të mësojë, dhe atë që ai do të ketë më nevojë të dijë.

17. Natyra nuk na mashtron, jemi ne që e mashtrojmë veten.

18. Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë.

19. Ç’është lumturia? Një llogari bankare të mirë, një kuzhinier të mirë, dhe një tretje të mirë.

20. Është shumë e vështirë për të menduar fisnikërisht kur dikush mendon vetëm për të fituar jetesën.

21. Ne nuk e dimë se çfarë është me të vërtetë fat i mirë apo i keq.

22. Ata që janë më të ngadalshëm në marrjen e një premtimi janë më besnikë në kryerjen e tij.

23. Sado natyral talenti i njeriu mund të jetë, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi përnjëherë.

24. Unë mbeta për një kohë të gjatë fëmijë, dhe jam ende fëmijë në shumë aspekte.

25. Çfarë diturie mund të gjeni e cila të jetë më e madhe se sa mirësia? / KultPlus.com

380 vite nga lindja e fizikanit Isak Njuton

Isak Njutoni ka qenë një fizikan, astronom, filozof, teolog dhe matematicien anglez i cili konsiderohet si një nga shkenctarët më me influencë i të gjitha kohërave dhe figura kyqe në revolucionin shkencor, shkruan KultPlus.

Njutoni ka formuluar tri ligjet kryesore të matematikës:

Ligjin e inercisë

Ligjin e veprimit dhe kundëveprimit

Ligji i forcës

Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe të gravitetit universal që dominoi pikëpamjen e shkencëtarëve të universit fizik.

Ai ka ndërtuar teleskopin e parë praktik reflektues dhe zhvilloi teorinë e ngjyrës në bazë të vëzhgimit se një prizëm zbërthen dritën e bardhë në shumë ngjyra të spektrit të dukshëm. Po ashtu ai ka zbuluar edhe një ligj empirik të ftohjes dhe ka studiuar shpejtësinë e zërit.

Ndërsa në fushën e matematikës, Njutoni në bashkëpunim me Gotfrid Lajbnicin kanë zbuluar njehsimin diferencial dhe integral. Ai gjithashtu e demonstroi  teoremën e binomit, dhe zhvilloi ‘metodën e Njutonit’ për gjetjen e zerove të një funksioni dhe kontribuoi në zbërthimin e funksioneve në seri potenciale të pafundme.

Së bashku me Gaussin dhe Arkimedin i takojnë ‘treshes së artë’ të matematikës.

Ai, ndër të tjera zbuloi se ndërmjet Tokës dhe Hënës vepron forca e gravitetit dhe se është njësoj me atë të Tokës. Forca e gravitetit vepron edhe ndërmjet Tokës dhe disa qindra satelitëve artificialë që sillen rreth saj.

Isak Njuton kishte lindur më  25 dhjetor 1642, në Woolsthorpe Manor, një fshat i vogël në qarkun e Lincolnshire./KultPlus.com

393 vite më parë vdiq astronomi Johannes Kepler

Johannes Kepler (27 dhjetor te vitit 1571 Gjermani) ishte një astronom, matematikan, astrolog, filozof natyror dhe shkrimtar gjerman në muzikë. Ai është një figurë kyçe në Revolucionin Shkencor të shekullit të 17-të, më i njohur për ligjet e tij të lëvizjes planetare dhe librat e tij Astronomia nova, Harmonice Mundi, dhe Epitome Astronomiae Copernicanae. Këto vepra gjithashtu dhanë një nga themelet për teorinë e Njutonit të gravitetit universal.

Kepler ishte një mësues matematike në një shkollë seminari në Graz, ku ai u bë një bashkëpunëtor i princit Hans Ulrich von Eggenberg. Më vonë ai u bë asistent i astronomit Tycho Brahe në Pragë, dhe përfundimisht matematikan perandorak i Perandorit Rudolf II dhe dy pasardhësve të tij Matthias dhe Ferdinand II.

Ai gjithashtu dha matematikë në Linz dhe ishte këshilltar i gjeneralit Wallenstein. Për më tepër, ai bëri punë themelore në fushën e optikës, shpiku një version të përmirësuar të teleskopit përthyes (ose Keplerian) dhe u përmend në zbulimet teleskopike të Galileo Galileit të tij bashkëkohor. Ai ishte një anëtar korrespondues i Accademia dei Lincei në Romë.

Kepleri jetoi në një epokë kur nuk kishte dallim të qartë midis astronomisë dhe astrologjisë, por kishte një ndarje të fortë midis astronomisë (një degë e matematikës brenda arteve të lira) dhe fizikës (një degë e filozofisë natyrore).

Kepleri gjithashtu përfshiu argumente dhe arsyetime fetare në punën e tij, të motivuar nga bindja dhe besimi fetar se Zoti e kishte krijuar botën sipas një plani të kuptueshëm që është i arritshëm përmes dritës natyrore të arsyes. Kepler e përshkroi astronominë e tij të re si “fizikë qiellore”, si “një ekskursion në metafizikën e Aristotelit”, dhe si “një shtesë e On the Heavens të Aristotelit”, duke transformuar traditën e lashtë të kozmologjisë fizike duke e trajtuar astronominë si pjesë e një fizikë matematikore universale.

Ai vdiq më 15 nëntor 1630 në Regensburg të Gjermanisë/KultPlus.com

Si të sundoni mbi emocionet tuaja, këshilla e një mbreti-filozof

Nga Kevin Dikinson

Mark Aureli e sundoi Romën në një kohë të trazuar. Murtaja Antonine e dërrmoi perandorinë. Dy luftëra në kufi dëmtuan rëndë ushtrinë dhe e boshatisën arkën perandorake. Një gjeneral i besuar, Avid Kasi, udhëhoqi një rebelim kundër tij. Dhe në fund vetë Marku pati jo pak probleme shëndetësore, ndërsa djali i tij Komodo ishte një njeri shumë i lig.

Pavarësisht këtyre sfidave, historia e vlerëson lart Mark Aurelin dhe udhëheqjen e tij. Sepse ai shmangu ndarjen e perandorinë, miratoi ligje për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe skllevërve, dhe madje mund të ketë dërguar një mision diplomatik në Kinë për të krijuar një rrugë tregtare disa shekuj përpara udhëtimit të famshëm të Marko Polos.

Për arritjet e tij, ai konsiderohet i fundit nga Pesë Perandorët e Mirë, dhe një simbol i Epokës së artë të Romës. Po si ia doli vallë? Si çdo figurë historike, përgjigja është e shumëanshme. Sigurisht, një rol të madh luajti përkushtimi i tij personal ndaj arsimit, filozofisë dhe punës së palodhur.

Një element tjetër ishte temperamenti i tij ndaj politikës dhe ligjit. Por sipas meje, avantazhi iMarkut ishte kultivimi i inteligjencës së tij emocionale, dhe aftësia e tij për ta përdorur atë në momentin më kritik. Siç përcaktohet nga Daniel Goleman, inteligjenca emocionale (EI) është “aftësia për të njohur ndjenjat tona dhe ato të të tjerëve, për të motivuar veten dhe për të menaxhuar mirë emocionet në vetvete dhe në marrëdhëniet tona”.

Ajo përfshijnë aftësi të tilla si vetëdija, motivimi, vetë-rregullimi emocional dhe ndërgjegjësimi social. Ndërsa është e sigurt se Mark Aureli nuk do të ketë menduar në terma kaq modernë, ai e kuptoi gjithsesi vlerën e aftësive të tilla në aspektin e etikës praktike.

Siç vëren Kristofer Xhill, profesor i mendimit të lashtë në Universitetin Ekster:“Vetëkontrolli dhe vetë-reflektimi ishin tipare standarde të praktikës filozofike në atë kohë, dhe metodat e etikës praktike të evoluar në atë periudhë, i inkurajuan njerëzit të ecin përpara me vetë-përmirësimin e tyre.”

Prania e inteligjencës emocionale tek Marku, është e qartë në menaxhimin që i bëri rebelimit të lartpërmendur. Në vitin 175, Kasi përhapi zëra mbi vdekjen e Markut, për të grumbulluar mbështetje në provincat lindore dhe për ta shpallur veten perandor. Në atë kohë, Mark Aurelipo luftonte në veri, por kur mësoi për kryengritjen, bëri menjëherë paqe me fiset gjermane dhe e ktheu vëmendjen drejt lindjes.

Megjithatë, të dy nuk do të luftonin kurrë, pasi ambiciet mbretërore të Kasit u ndërprenë nga kama e një vrasësi. (Mos e nënvlerësoni rolin që luan fati në histori). Ashtu si shumë monarkë para dhe pas tij, Marku mund të kishte shfrytëzuar rastin për të shtypur armiqtë e tij dhe nënshtruar me dhunë provincat.

Por në vend të kësaj qasjeje, ai tregoi vetëpërmbajtje. I fali bashkëpunëtorët e gjeneralit rebel. Në këtë mënyrë tregoi një vetëdije të pabesueshme për një lider të epokës së tij, si dhe një ndërgjegjësim shoqëror për mënyrën e rinovimit të besnikërisë. Një shembull tjetër është vendimi i tij për të sunduar së bashku me vëllain e tij të birësuar, Lucius Verus.

Kur Senati i dha Markut titullin perandor, mbreti-filozof refuzoi ta pranonte atë nëse Luciusinuk emërohej bashkë–perandor me të. Sipas historianit Frenk Meklin, Marku bëri këtë zgjedhje si një mjet për të “zhdukur mundësinë e një grushti shteti nga klani rival Seionius”

Po si kultivoi ai inteligjencën emocionale? Një nga metodat që përdori ishte ditari, dhe ne e dimë këtë nga fletoret e tij që i mbijetuan kohën atij në formën e “Meditimeve”. Sot ato lexohen shpeshherë si një tekst i rrymës së stoicizmit. Por dëshmitë sugjerojnë se Marku nuk i shkroi për t’u botuar ose mësuar të tjerët.

Xhill thotë se ato nuk kanë ndonjë renditje të veçantë. Temat përsëriten shpeshherë, ndërsa në disa raste Marku grupon bashkë citate nga autorë të ndryshëm. Këto dhe shenja të tjera tregojnë se vepra ishte një ditar personal, të cilin e mbante gjatë fushatave të tij ushtarake në Evropë.

Ashtu si shumica e njerëzve, Mark Aureli e kishte të vështirë të ngrihej nga gjumi herët në mëngjes. Por duke u përballur me kohëra të trazuara, e kuptoi nevojën për ta bërë zakon këtë gjë. Por përveç eksplorimit të inteligjencës së tij emocionale, ai mund të ketë pasur përfitime shtesë nga zakoni i mbajtjes së ditarit.

Studimet moderne tregojnë se shkrimi ekspresiv, pra ditari, mund të rrisë mirëqenien psiko-fizike rë njeriut. Një përmbledhje e hulumtimeve klinik e publikuar në “Advances in Psychiatric Treatment”, zbuloi se kjo praktikë lidhet me përmirësimin e humorit, një mirëqenie më të madhe psikologjike dhe përmirësim të gjendjes shëndetësore, siç është presioni i ulët i gjakut.

Edhe pse studiuesit nuk mund të përcaktojnë një arsye të saktë për këto përfitime, ata supozojnë se ditari i ndihmon njerëzit të zhvillojnë një narrativë koherente, e cila “i ndihmon në riorganizimin dhe strukturimin e kujtimeve traumatike, duke prodhuar skema të brendshme më përshtatëse”.

Por inteligjenca emocionale nuk ndërtohet brenda një dite. Ju nuk keni nevojë të shkruani ditar për orë të tëra çdo ditë, derisa të keni “Meditimet” tuaja si Mark Aureli. Ekspertët rekomandojnë disa hapa të vegjël gradualë.

Vendosini vetes synimin që të shkruani ditar çdo ditë për 30 ditë, por kufizohuni të shkruani për vetëm 5 minuta maksimumi, apo edhe një fjali të vetme. Kjo strategji mund t’ju ndihmojë të ndërtoni zakonin dhe vrullin. Pas kësaj, mund ta rritni kohën, të themi në 10 minuta ose disa fjali.

Dhe kështu me radhë. Por kini kujdes, sepse vetë-reflektimi mund të ketë edhe anën e tij të errët. Psikologia organizative Tasha Eurih thotë se përpjekja për të kuptuar pse ndihemi ose veprojmë në një mënyrë të caktuar, mund të na çojë në kuptime të gabuara.

Për shembull, një prind që reflekton mbi një incident, në të cilin i bërtiti fëmijës së tij, mund të supozojë se e bëri këtë sepse ai është një person i keq, në vend se të arrijë në përfundimin se është një njeri i mirë që ka pasur në përgjithësi një javë të keqe në punë.

Për të shmangur këtë prirje, Eurih rekomandon heqjen dorë nga eksplorimi i pyetjeve emocionale që nisin me “Pse”, dhe fokusimin më tepër tek pyetjet që nisin me “Çfarë”.

Për shembull, në vend se të nisni një shënim në ditar me pyetjen “Pse i bërtita fëmijës tim?”, do të ishte më mirë të pyesnit “Cila ishte situata që ju bëri të zemëroheni kaq shumë me fëmijën tuaj? Çfarë mund të bëni për të parandaluar ndodhjen e një situatë të ngjashme në të ardhmen?”.

Një mënyrë tjetër për të marrë një distancë emocionale nga një situatë e caktuar, dhe që ditari të mos përforcojë emocionet negative, është të përfshiheni në biseda të distancuara me veten. Biseda me vetveten në distancë është kur i flisni (ose shkruani) vetes sikur po flisni (ose shkruani) një personi tjetër.  

Në një studim të kryer nga psikologu Etan Kros, pjesëmarrësve iu kërkua të shkruanin mbi frikën dhe shqetësimet e tyre përpara se të mbanin një fjalim publik. Njëri grup u udhëzua të shkruante duke përdorur “unë” në vetën e parë, ndërsa grupi tjetër shkroi duke përdorur “ju” në vetën e dytë.

Rezultatet e treguan se pjesëmarrësit në grupin e dytë, përjetuan më pak siklet dhe menduan më pak për performancat e tyre më pas. Këtë praktikë e përdori dikur edhe Mark Aureli. Pjesa më e madhe e “Meditimeve” është shkruar në vetën e dytë/ Bota.al/KultPlus

‘Asgjë nuk është më e nderuar sesa një zemër mirënjohëse’

Lucius Annaeus Seneca i Ri, i njohur zakonisht si Seneca, ishte një filozof romak stoik, burrë shteti, dramaturg dhe satirist, në epokën pas-Agustiniane të letërsisë latine.

Seneca lindi në Cordoba në Hispania dhe u rrit në Romë, ku u edukuar në retorikë dhe filozofi.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë disa prej thënieve të tij më të njohura, ne presim nga ju të na thoni cilën prej tyre nuk do të doni ta harronit kurrë.

Nëse vërtet dëshironi të shpëtoni nga gjërat që ju shqetësojnë, ajo që ju nevojitet nuk është të jeni në një vend tjetër, por të jeni një person tjetër.

Ndonjëherë edhe të jetosh është një akt guximi.

Fat quhet ajo që ndodh kur përgatitja takon rastësinë.

E gjithë mizoria buron nga dobësia.

Vështirësitë forcojnë mendjen, ashtu siç puna trupin.

Ne vuajmë më shumë në imagjinatë sesa në realitet.

Ju veproni si të vdekshëm në gjithçka që keni frikë, dhe si të pavdekshëm në gjithçka që dëshironi.

Siç është një përrallë, ashtu është edhe jeta: ajo që ka rëndësi është jo sa e gjatë është, por sa e mirë është.

Nëse një burrë nuk e di se në cilin port lundron, asnjë erë nuk është e favorshme.

Eshtë fuqia e mendjes për të qenë e pamposhtur.

Nuk është njeriu që ka shumë pak, por njeriu që dëshiron më shumë, që është i varfër.

Filloni menjëherë për të jetuar dhe llogarisni çdo ditë të veçantë si një jetë të veçantë.

Ai që është trim është i lirë.

Asnjë njeri nuk ishte kurrë i mençur rastësisht.

Ata e humbin ditën në pritje të natës dhe natën nga frika e agimit.

Shoqërohuni me njerëz që ka të ngjarë t’ju përmirësojnë.

Vuan më shumë sesa është e nevojshme, ai i cili vuan para se të jetë e nevojshme.

Unë kurrë nuk do të turpërohem të citoj një autor të keq nëse rreshti është i mirë.

Vetëm koha mund të shërojë atë që arsyeja nuk mundet.

Jeta është si një shfaqje: nuk është gjatësia, por përsosmëria e aktrimit që ka rëndësi.

Nëse jetoni në harmoni me natyrën nuk do të jeni kurrë të varfër; nëse jetoni sipas asaj që mendojnë të tjerët, nuk do të jeni kurrë të pasur.

Shijoni kënaqësitë e tanishme në një mënyrë të tillë që të mos lëndoni të ardhmen.

Pasuria është shërbërtorja e një njeriu të mençuri. Pronarja e një budallai.

Për sa kohë që jetoni, vazhdoni të mësoni se si të jetoni.

Fati i prin vullnetmadhit dhe zvarrit ngurruesit.

Dielli shkëlqen edhe mbi të pabesët.

Çdo fillim i ri vjen nga fundi i një fillimi tjetër.

Shpesh një burrë shumë i moshuar nuk ka asnjë provë tjetër të jetës së tij të gjatë përveç moshës së tij.

Ne mësojmë jo në shkollë, por në jetë.

Një dhuratë nuk konsiston në atë që është bërë ose dhënë, por në qëllimin e dhuruesit ose bërësit.

Ne shpesh trembemi sesa lëndohemi; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata sesa nga realiteti.

Zemërimi, nëse nuk përmbahet, shpesh është më i dëmshëm për ne sesa dëmtimi që e provokon atë.

Jeta është e gjatë nëse dini si ta përdorni.

Asgjë nuk është më e nderuar sesa një zemër mirënjohëse.

Të dëshirosh të jesh mirë është një pjesë e të bërit mirë.

Ndërsa presim jetën, jeta kalon.

Por jeta është shumë e shkurtër dhe e shqetësuar për ata që harrojnë të kaluarën, lënë pas dore të tashmen dhe i tremben të ardhmes./Shkollaesukeseit/KultPlus.com

‘Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut’

Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar. Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë. Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

50 thëniet më të bukura të Aristotelit:

1- Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22- Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

640px-Aristotle_Altemps_Inv8575

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe./rtklive.com/KultPlus.com

233 vite nga vdekja e nënshkruesit të Pavarësisë së SHBA-ve, Benjamin Franklin

Benjamin Franklin lindi më 17 janar 1706 në Boston dhe ishte një botues amerikan, burrë shteti, shkrimtar, shkencëtar, sajues dhe filozof politik, shkruan KultPlus.com.

Konsiderohet gjithashtu si një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte biri i dhjetë dhe fëmija i pesëmbëdhjetë i një përpunuesi sapuni dhe qiriri. Qysh në vitet e hershme të jetës së tij ai ka marrë një zhvillim të gjerë të njohurive përmes leximit intensiv të letërsisë së përgjithshme dhe shpirtërore në mënyrë autodidakte.

Ai për një kohë ka punuar në një dyqan arti te James-gjysmë vëllai i tij. Ndërsa përgjatë viteve 1729-1766, ai ishte redaktor i Gazetës së Pensilvanisë. Në vitin 1750 Franklin u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Pennsylvania.

Ndër studimet e shumta që pati përgjatë viteve ai studioi ujin e kuq, Rryma e Gjirit, përmbajtjen e kripës. Në kohën e krizës së Aktit Stamp , u bë një avokat i njohur i të drejtave amerikane në Londër. Në maj 1775 ai shkoi përsëri në Pensilvani dhe u bë anëtar në Kongres. Ai përndryshe kishte projektuar, komitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 

Në 1769 themeloi Shoqërinë filozofike Amerikane. Ndërsa në vitin 1776 Benjamin Franklin ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik.

Ai gjatë karrierës së tij u përfshi në disa qështje me interes publik përmes disa shkrimeve të tij, ku disa nga temat kishin të bëjnë me pastrimin e rrugëve, ndriçimin, futja e zjarrfikësit vullnetar ,

Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka botuar traktate dhe ese për të gjitha llojet e temave, të tilla si për politikën, dhe çështjet ligjore të arsimit dhe të kontrollit të popullsisë.

Dalja e tij e fundit publike para vdekjes së tij ishte në mbështetjen e një programi të Kongresit, për heqjen e skllavërisë në nivelin federal duke dhënë këshilla ndaj masave. Më 17 prill 1790 Benjamin Franklin vdiq në moshën 84 në Filadelfia.

Circa 1750, American statesman, writer and scientist Benjamin Franklin (1706 – 1790). (Photo by Hulton Archive/Getty Images)

‘Heshtja, shëron’, thënie nga Herakliti

Rreth 2,300 vjet më parë, ai arriti të përceptonte atë që shkenca moderne pohoi në shekullin e fundit, që gjithçka në univers është me të vërtetë në lëvizje të vazhdueshme, e për rrjedhojë ligji i ndryshimit është një koncept i gjithsejtë që vlen si për planetet dhe galaktiktat po ashtu edhe për atomet e molekulat, trupin, mendjen, karakterin dhe sjelljen e njeriut.

Herakliti i Efesit lindi në një familje të pasur në Ioni, një qytet në brigjet greke, por që jetonte në pyll për të soditur universin.

Ne kemi bindjen se do t’i lexoni me kënaqësi këto brilantë filozofikë dhe do të na thoni cilën praktikoni apo vlerësoni më së shumti në jetën tuaj.

Njeriu bëhet më së shumti vetvetja kur arrin seriozitetin e një fëmije që është duke lozur.

Askush nuk mund ta kalojë të njëjtin lum dy herë, sepse ai rrjedh, dhe nuk është i njëjti lumë, dhe ai vetë ndryshon, nuk është më i njëjti njeri.

Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.

Koha është një lojë që fëmijët e luajnë bukur.

Bollëku i informacionit nuk garanton urtësinë te njeriu.

Karakteri yt o njeri, është fati yt!

Është nëpërmjet ndryshimit që ne gjejmë qëllimin.

Shpirti është pikturuar me ngjyrat e mendimeve të tij.

Heshtja, shëron.

Çfarë është ndarë do të bashkohet, dhe çfarë është bashkuar do të shpërthejë.

Të zgjuarit ndajnë të njëjtën botë, ndërsa të fjeturit janë secili në botën e vet.

Rruga për t’u ngjitur dhe rruga për të zbritur është një dhe e njëjta.

Të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë si konflikt midis dy të kundërtave.

Sytë dhe veshët janë dëshmitarë të këqinj për njeriun me shpirt barbar.

Historia është një fëmijë që bën kështjella prej rëre në breg të detit, ndërsa ai fëmija është gjithë madhështia e pushtetit të njeriut.

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të kërkuar një botë të re.

Zjarri jeton për shkak të vdekjes së Tokës, ajri jeton për shkak të vdekjes së zjarrit, uji jeton prej vdekjes së ajrit, dhe Toka jeton prej vdekjes së ujit.

Natyrës i pëlqen të fshihet.

Njerëzit duhet t’i mbrojnë ligjet ashtu siç mbrohen muret e qytetit./shkollaesuksesit/KultPlus.com

“Jeta dhe vepra e Arbën Xhaferit”, eveniment kulturore për filozofin dhe politikanin shqiptar

Në nderim të filozofit dhe politikanit Arbën Xhaferi, më 15 gusht, do të mbahet një eveniment përkujtimor, përcjellë KultPlus.

Më 15 Gusht të 2012-tës i tërë opinioni në trojet shqiptare u njoftua se filozofi dhe politikani shqiptar Arbën Xhaferi ndërroi jetë. Një figurë e cila konsiderohej rilindas i fundit i shqiptarëve, që përmes gjuhës së tij dhe filozofisë politike të mprehtë ndërvepronin strategjitë dhe porositë për emancipim të shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin. Emri i tij akoma lakohet dhe përmendet në tryezat ndërkombëtare si politikan pragmatik dhe i vendosur për të vazhduar përpara pavarësinë e Kosovës dhe ngadhënjimin e shqiptarëve.

Në nder dhe përkujtim të të ndjerit Arbën Xhaferit, organizohet eveniment përkujtimor “Jeta dhe Vepra ARBËN XHAFERI” ku do të marrin pjesë elita politike nga trojet shqiptare, ish bashkëpunëtorë të të ndjerit e familjarë. / KultPlus.com

Hermann Hesse, shkrimtari-filozof që krijimtarinë e tij e zhvilloi drejt njohjes së vetvetes

Hermann Hesse lindi më 2 korrik të vitit 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Hermann Hesse ishte djali i një pastori [prifti] dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. 

Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike e politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Një ndër romanet më të njohura të Hesses është “Siddhartha”, botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt. / KultPlus.com

Me prozën letrare u bë i njohur në të gjithë botën, 6 vjet nga vdekja e Umberto Eco

*Photo: Getty Images*

Sot bëhen gjashtë vjet prej vdekjes së filozofit të njohur italian si dhe shkrimtarit të famshëm, Umberto Eco. Vepra e tij “Emri i Trëndafilit” e bëri të njohur në mbarë botën.

I lindur në 1932 në Alessandri, Itali, Eco arriti një vlerësim në mbarë botën për punën e tij në semiotikë – studimin e simboleve dhe mënyrën e përdorimit të tyre si dhe për veprat e tij të gjera të shkruara. Si akademik, ai shkroi për semiotikën, estetikën mesjetare, gjuhësinë dhe filozofinë.

“Unë gjithmonë e kam menduar veten time si një studiues, i cili, në një moment të caktuar, filloi të shkruaj romane në fundjavë … gjatë verës,”  tha Umberto Eco.

Por ishte proza letrare e tij që e bëri të njohur anë e mbanë botës.

Vepra “Emri i Trëndafilit”: , misteri i tij historik i vrasjes në 1980, ishte romani i tij më i popullarizuar, me të cilin bëri bujë duke shitur më shumë se 10 milion kopje. Kjo vepër u bë më vonë një film ku interpretonte Sean Connery. Ai shkroi edhe disa romane tjera. Puna e tij e fundit, Numri Zero, u botua në 2015. Eco gjithashtu ishte edhe autor i librave të disa fëmijëve.

Eco shërbeu si profesor i Nortonit në Universitetin e Harvardit nga 1992 deri në 1993, dhe dha mësim në semotikë në Universitetin e Bolonjës.

Ai vdiq në moshën 84 vjeçare në shtëpinë e tij. /KultPlus.com

Filozof i vetëm një feje, asaj të poetit!

160 vjet më parë, më 7 maj 1861, lindi poeti, filozofi, patrioti dhe mendimtari i famshëm Rabindranath Tagore, në Jorasanko Thakurbari në Kalkutë. Përvjetori i lindjes së humanistit, përkon me ditën e 25-të të muajit Bengali të Boishakh dhe quhet gjerësisht “Pachishe Boishakh”.

Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka nxjerrë India, kontributi i të cilit, nuk ka të çmuar në letërsinë bengaleze dhe angleze. Poeti, romancieri, eseisti, filozofi dhe muzikanti, është pjesë e jetës së përditshme të shoqërisë së mesme bengaleze, një nga ata mjeshtra të mëdhenj të letërsisë, veprat e të cilit vështirë se lënë emocion njerëzor të paprekur. Në hyrjen e “Gitanjali”, për të cilin, Rabindranath Tagore u laureua me çmimin “Nobel” në 1913, WB Yeats shkruan: “Ne shkruajmë libra të gjatë, ku mbase asnjë faqe nuk ka atë cilësinë që ta bëjë të shkruarin një kënaqësi, duke qenë të sigurt në një dizajn të përgjithshëm, njëlloj siç luftojmë, pasurohemi apo e lodhim kokën me broçkulla politike – të gjitha gjëra të mërzitshme, ndërsa Tagore, si vetë civilizimi indian, ka qenë i kënaqur të zbulojë shpirtin dhe t’i dorëzohet spontanitetit të tij”.

Rabindranath Tagore ka shkruar mbi 2,000 këngë, të njohura si “Rabindra Sangeet”; kirjimtaria e tij përfshin qindra romane, tregime të shkurtra, koreografi-drama, poezi, ese dhe kujtime udhëtimi. “Gora”, “Gitanjali”, “Rakta”, “Karabi”, “Ghare Baire”, “Shesher Kobita”, “Raja O Rani”, “Dena Paona”, “Shanchayita”, janë disa nga veprat më të mira, shumë prej të cilave përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Po ashtu, Tagore kompozoi himnet kombëtare të tri kombeve: “Jana Gana Mana Adhinayaka Jaya He” për Indinë, “Amar Shonar Bangla” për Bangladeshin, si dhe himni kombëtar i Sri Lankës bazohet gjithashtu në poezinë e Tagores. Thuhet se, poema “Bangla” u përkthye në sinhalesisht dhe u miratua si himni kombëtar në 1951.

Tagore ishte i pari joevropian që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në 1913, romanet, tregimet, këngët dhe dramat e tij u vlerësuan, por edhe u kritikuan për lirizmin dhe ligjërimin e tyre bisedor. Njihet lidhja e veçantë që ndante Gandi dhe Tagore. Sidoqoftë, pak njerëz e dinë se ishte “Gurudev” ai që i dha titullin “Mahatma” Atit të Kombit.

Po ashtu, Tagore kishte miqësi me Ajnshtajnin. Ata jo vetëm e respektonin njëri-tjetrin, por ndanin interesin e përbashkët për muzikën dhe kureshtinë për botën në përgjithësi. Duke përshkruar Ajnshtajnin, Tagore shkruan: “Nuk kishte asgjë të ngurtë tek ai – nuk kishte asnjë largësi intelektuale. Ai më dukej një njeri që vlerësonte marrëdhëniet njerëzore dhe ndaj meje, tregoi një interes dhe mirëkuptim të vërtetë”. Tagore udhëtoi në mbi 30 vende në pesë kontinente, në pak më shumë se pesë dekada, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Sa më shumë udhëtonte, aq më shumë dashurohej me konceptin e internacionalizmit./Konica.al

Mos e fshih
Sekretin e zemrës tënde
Miku im
Ma thuaj mua
Vetëm mua
Në besim
Ti që buzëqesh kaq me mirësjellje
Thuama ngadalë
Zemra ime, do ta dëgjojë
Jo veshët e mi
Nata është e thellë
Shtëpia e pazë,
Çerdhet e zogjve
Heshtin në gjumë
Tregoma mes lotësh ngurruar
Mes buzëqeshjesh drithëruar
Mes dhimbjesh e turpi të embël
Sekretin e zemrës tënde.

Laureati i parë “Nobel” i Indisë, s’do harrohet kurrë në Indi, ndërsa krijimtaria e tij poetike jehon në zemrat dhe shpirtrat e tyre në formën e himnit të tyre kombëtar. Poet, filozof, patriot dhe aktivist shoqëror, të gjitha në një, Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka prodhuar India. Ai ndjeu se natyra është një thesar i mençurisë, prandaj edukimi duhet të ndodhë në një mjedis natyror. Mbështeti idealet e natyralizmit, humanizmit, internacionalizmit dhe idealizmit, duke u dhënë frymë këtyre koncepteve në universitetin “Shanti Niketan”, shkollën që ai themeloi. I ati e quajti Rabindra, dielli, sepse: “Më vonë, si dielli, kur ai të kalojë nëpër botë, e gjithë bota do të ndriçohet prej tij”, – thoshte. Jeta dhe vepra e Tagore vërtetoi parashikimin e babit, pasi ai u bë ky i mençur, ky poet i njohur botërisht, “Gurudev” për bashkëkohësit, një udhërrëfyes. Gjatë gjithë jetës u lëkund midis ndrojtjes dhe veprimit. Kundërshtar i sistemit të kastave dhe tiranisë së zakoneve, i preokupuar për një evolucion të domosdoshëm shoqëror, nga fati i fshatarëve te situata e grave, Tagore mori pozicione të guximshme në lidhje me kohën kur jetoi. Në vitin 1913, atribuimi i çmimit “Nobel” i dha një audiencë ndërkombëtare. Partizani i Pavarësisë së Indisë, ai që Gandi e quante “Mbrojtësi i Madh” do ta refuzonte gjithmonë dhunën, sepse ideali i tij ishte harmonia – harmonia midis njeriut dhe natyrës, harmoni midis njerëzve, midis kombeve, midis arteve.

Humanisti me dhembshuri dhe tolerancë, Rabindranath Tagore shpreh bindjen se, mençuria më e lartë nuk vjen nga librat, megjithëse të shenjtë, por nga zemra. “Feja ime është feja e poetit. Gjithçka që ndiej, vjen nga vizioni im dhe jo nga njohuritë e mia”./Konica.al / KultPlus.com

Rabindranath Tagore, the 1913 recipient of the Nobel Prize in Literature, standing in a group. (Photo by Michael Nicholson/Corbis via Getty Images)

133 vite nga lindja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

133 vite më parë lindi frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi. Lindi në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com

139 vjet nga vdekja e astronomit, matematikantit e filozofit shqiptar Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.

Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.

Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”

Ciceroni, Mark Tul Ciceron, ishte historian dhe filozof i Romës antike i lindur pranë Aripinit. Studioi në Romë për drejtësinë dhe retorikën, ndërsa shquhet si një nga oratorët më të shquar, shkruan KultPlus.

Njohuritë e tija në artin e oratorisë (gojëtarisë) dhe të filozofisë ai i plotësoi veçanërisht pas një udhëtimi që kishte bërë në Greqi. Fjalimet e tija janë çmuar si fjalë bindëse, si të forcës tërheqëse të fjalës. Nga këto fjalime të Ciceronit mund të kuptohen dhe të njihen më mirë rrethanat dhe jeta e tij. Ciceroni shkroi disa vepra si: “De oratore” (Mbi oratorinë), “De republika” (Mbi shtetin), “De amicitia” (Mbi miqësinë), “De setnecutute” (Mbi pleqërinë).

Gjuha që përdor Ciceroni në veprat e tija është e zgjedhur dhe e përpunuar me stilin e tij të qartë dhe të bukur, ai mendimet i ilustron me figura tërheqëse gjuhësore. KultPlus sot ju sjellë një thënie të zgjedhur lidhur me rëndësinë e madhe të leximit dhe praninë e librave në jetën e njeriut.

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, kishte thënë historiani dhe filozofi i njohur Ciceroni./ KultPlus.com