”Financial Times”: Udhëtim nëpër Shqipërinë antike

Në bregun e liqenit të Ohrit, në manastirin e lashtë të Shën Naumit, gjeta një mik të ri për të pirë, murgun Dongo, shkruan Stanley Stewart për ”Financial Times”.

”Unë isha duke udhëtuar në Shqipëri me Elvis Nanajn, shoferin tim, dhe kishim kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut për të kaluar një pasdite atje, duke ndjekur vijën bregdetare në drejtim të lindjes për të vizituar manastirin.

Një rrugë e gjatë plepash të çonte mbi një urë drejt një oborri me kalldrëm, ku disa pallonj bërtisnin dhe frynin bishtin. Brendësia e manastirit në Shën Naum nuk ka ndryshuar për 1 000 vjet. Është i ngushtë, me dyer aq të ulëta sa duhej të përkulesha shumë, dhe një dysheme me gurë të mëdhenj të pabarabartë të lëmuar nga një mijëvjeçar i tërë.

Afresket e shenjtorëve dhe profetëve vërshonin mbi mure dhe ikonat prej bakri shkëlqenin në dritën e qirinjve dhe llambave të vajit. Kur shkrimtarja britanike, Rebecca West e vizitoi në vitin 1937, ajo zbuloi se manastiri vepronte si një strehë edhe për të çmendurit; një murg po u këndonte një arie nga ”Madam Butterfly” dy njerëzve të dëshpëruar për t’i shëruar.

Dongo u ul pak jashtë hyrjes në një kioskë të vogël që shiste kartolina dhe qirinj. Ai dukej si Moisiu në vitet e shkretëtirës, ​​tullac, i shëndoshë, me mjekër të gjatë dhe me një shkëlqim mesianik në sytë e tij. Ne biseduam gjatë. Ai më dha dhurata nga kioska e tij – një unazë çelësash, një medaljon me një ikonë brenda dhe një kartolinë bardhë e zi të manastirit.

Pastaj më shkeli syrin dhe solli një shishe me “rakinë mrekulli” të manastirit. “Është 21 gradëshe”, pëshpëriti ai. “Por, gjithçka është bio, kështu që nuk ka problem”, shtoi ai. Ai mbushi dy gota dhe ngritëm dolli për njëri-tjetrin.

Raki kishte shije pishe dhe kumbulle. Dongo mbushi edhe dy gota të tjera. E pyeta sa kohë kishte qenë këtu, në manastir. ”Shumë gjatë”, qeshi ai. Ai kishte dalë nga kioska e tij e vogël për t’u ulur me mua në një stol prej guri. Na mbushi gotat. E pyeta sa murgj kishte. “Një”, tha ai duke goditur kofshën e tij. “Për gjithçka – kartolina, liturgji, këngë, qirinj, kopsht, pallua, gjithçka”. Na mbushi sërish gotat.

Kalova 10 ditë në Shqipëri, duke bërë turne me Elvisin, duke bredhur nga vendstrehimet malore në lumturinë bregdetare, nga manastiret në kampet e safarit. Vendi është  magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun.

Gjatë viteve 1950-1960, kur Shqipëria ishte lloji i shtetit komunist të izoluar që do ta bënte Korenë e Veriut të dukej përkëdhelëse, një dritare në botën e jashtme erdhi nga filmat e Norman Wisdomit, humoristit anglez, të vetmit filma të huaj që kaluan censurën e rreptë. Ndoshta popullariteti i tij është i kuptueshëm, pasi e tillë ishte bota e Wisdomit, e absurditeteve të çmendura dhe të pakuptimta.

Në vitin 1995, pas rënies së komunizmit, Wisdom u bë njeri i lirë i Tiranës, sepse i bëri shqiptarët të qeshin në një epokë kaq të errët tiranie.

Tirana është një qytet më simpatik se sa thonë njerëzit për të. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale. Isha nisur drejt liqenit të Ohrit në kërkim të ilirëve. Nuk është dëgjuar shumë për Ilirinë, një qytetërim pararomak në Ballkan, në dy mijëvjeçarët e fundit, dhe kuptimi ynë për ta është disi e mjegullt. Thuhej se kishte varre në Selcë në kodrat mbi liqen.

Në fund të një rruge të bardhë, afër fshatit Selcë e Poshtme, një grua e moshuar me dy pula nën krahë na drejtoi në një si fushë. Eca nëpër lule të egra drejt një shkëmbi të ulët, ku gjeta fasadat klasike të gdhendura në shkëmbin e butë. Dukej një vend i mrekullueshëm për të vdekur, i zhytur këtu mes hardhive dhe ullinjve – një ndjenjë qetësuese e përjetësisë, një sfond majash malesh që lë të nënkuptojnë përjetësinë. U ula në shkallën e një prej varreve të vogla dhe shikoja fluturat. U dëgjua kënga e zogjve, zhurma e këmbanave të deshëve dhe zërat e largët të fëmijëve. Qentë lehnin në oborret e shtëpive.

Isha vetëm me botën antike.

Shekspirit iu desh që ta bënte Ilirinë një metaforë që ndoshta ishte arsyeja pse isha këtu. Emri dukej se mbante njëfarë ndjesie romantike dhe misteri. Kur Viola dhe Sebastiani mbyten në bregun ilirik në fillim të ”Natës së Dymbëdhjetë”, ka kuptimin se ata i kanë shpëtuar botëve të tyre të kufizuara për një tokë të askundit, ku asgjë nuk është siç duket, ku marrëzia bëhet realitet, një version elizabetian i Norman Wisdom. Ishte një ide që dukej se më ndoqi nëpër Shqipëri.

Për pesë shekuj, Shqipëria u sundua nga osmanët, duke u bërë e pavarur në vitin 1912 dhe u pushtua nga ushtritë e gjashtë fuqive të ndryshme pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pas luftës u tentua të ndërtohej vetëdija kombëtare. U përfol se froni iu ofrua lojtarit anglez të kriketit, CB Fry, por në fund ata morën mbretin Zog.

Zogu ishte tamam njeriu i kohës së tij. Ai mbante llojin e mustaqeve trend për diktatorët e viteve 1930. Ai burgosi kundërshtarët e tij, shpiku përshëndetjen e tij – përshëndetjen zogiste – dhe pinte 200 cigare në ditë. Thuhej se ai ishte objekt i jo më pak se 600  gjakmarrjeve si edhe u mbijetoi më shumë se 55 atentateve, njëra prej tyre në shkallët e Teatrit të Operës së Vjenës pas një shfaqjeje të ”Pagliacci”-t.

Gjithsesi, Zogu shpëtoi. Por, tetë vjet më vonë, ndërsa italianët aneksuan Shqipërinë, ai iku në mërgim duke marrë me vete pjesën më të madhe të arit në kasafortat e Bankës së Tiranës dhe Durrësit. Më pas ai udhëhoqi ekzistencën nomade të një monarku të mërguar, duke përfshirë një qëndrim në ”Ritz” në Londër, në ditët kur mund ta shlyente faturën me një lingotë ari, përpara se të vinte të pushonte përfundimisht në Paris. Ai vdiq në moshën 65-vjeçare.

Zogu i kishte mbajtur të mbyllur kundërshtarët politikë në birucat mesjetare të kalasë së Gjirokastrës. Një qytet i lashtë me korsi dredha-dredha të pjerrëta, shtëpitë e Gjirokastrës janë grumbulluar së bashku, pllakat e tyre prej guri ngjyrë hiri si luspat e bishave të çuditshme që janë ngjitur me kthetra në shpatin për t’u grumbulluar nën muret e kështjellës.

Imazhi i përket shkrimtarit më të madh të Shqipërisë, Ismail Kadaresë, gjirokastrit. Ai e quajti qytetin të çuditshëm dhe ëndërrimtar. Shtëpia e dikurshme e Kadaresë tani është muzeu etnografik i Gjirokastrës. Është një vend qilimash dhe kostumesh, fustanesh prej kadifeje dhe jelekësh. Muzeu mban të gjitha kontradiktat e Shqipërisë.

Por, është vetë shtëpia që zë vendin qendror. Ka një intimitet për shtëpitë e vjetra osmane të Gjirokastrës, të cilat strehonin familje shumë brezash. Modeli është labirint, pothuajse i fshehtë. Në katin e parë banonin bagëtitë, çdo dhomë kishte me divane të ftohta me jastëk dhe një dhomë gjumi e veçantë iu caktohej të sapomartuarve, në një distancë të respektueshme nga të tjerët.

Veçimi i grave ishte në qendër të arkitekturës; Në të gjitha këto shtëpi ka galeri të fshehta ku gratë, të ulura pas punimeve të drurit me grilë, mund të ndiqnin bisedat dhe marrëveshjet pa u parë nga vizitorët. Mbi çatitë e shtëpive të Gjirokastrës është kështjella, një kolos, një strehë kalimi dhe betejash dhe dhoma të harkuara. Një rampë e gjatë të çon poshtë në birucat ku, në një dhomë të errët tetëkëndore, të burgosurit ishin të lidhur me zinxhirë në mur. Të burgosurit ishin aty në fillim të shekullit XIX, në kohën e Ali Pashës sadist me të cilin lord Bajroni pinte çaj. Pashai ishte i fiksuar pas duarve të bardha delikate të poetit dhe e përkëdhelte me ëmbëlsira. Ata ishin aty në kohën e mbretit Zog. Dhe ata ishin ende aty gjatë periudhës komuniste, duke mbajtur kundërshtarët e liderit komunist, Enver Hoxha. Të paktën deri në vitin 1968 kur vendosën të organizojnë një festë folklorike në kështjellë dhe shqetësoheshin se vajtimet e të burgosurve mund të prishnin këngët e paqes.

Enver Hoxha është djali tjetër i famshëm i Gjirokastrës. Lideri komunist i Shqipërisë për gati 40 vjet deri në vdekjen e tij në 1985, ai ende rri pezull mbi Shqipërinë si një re e errët. Në 10 ditë në vend, nuk kam dëgjuar askënd të thotë emrin e tij. Si gjithë të tjerët, edhe Elvisi e quajti atë thjesht si diktator. Kur regjimi i vjetër u shkatërrua përfundimisht në fillim të viteve 1990, shqiptarët u përballën me kapitalizmin. Skemat piramidale dolën duke ofruar shpërblime financiare të pallogaritshme për një popullsi naive që mendonte se kështu duhet të funksiononte kapitalizmi. Njerëzit hipotekuan shtëpitë dhe fermat e tyre për të investuar. Ndërsa skemat e Ponzi-t falimentuan të gjitha, rreth dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë humbën kursimet e tyre. Ishte shkas për shpërthimin e një anarkie të dhunshme në vitin 1997, aq të rëndë saqë kishte nevojë për një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare për të bashkuar vendin përsëri.

Rreth 60 kilometra në veri është Berati, një tjetër qytet i epokës osmane, por historia e të cilit shtrihet 2 400 vjet më parë, madje edhe përtej ilirëve. Shtëpitë e tij të zbardhura që ngrihen në faqet e pjerrëta të kodrave duket se qëndrojnë mbi supet e njëra-tjetrës, rreshtat e tyre të dritareve të grumbulluara që reflektojnë dritën. Në korsitë dredha-dredha të kalasë, arrita te Kisha e Shën Mërisë, tani një muze i pikturave të Onufrit, një prej piktorëve të mëdhenj të ikonave të shekullit XVI.

Mbi ikonostas, jeta e Krishtit ndriçohet në të kuqen dhe blunë e lavdishme nën qiejt e artë. Ato mund të kenë qenë disa shekuj më të vonë, por këto piktura janë ekuivalenti lindor i Duccio-s dhe Giotto-s, të stilizuara, të ndritshme dhe të përhumbura. Janë të bukura, por në këto hapësira të errëta vëreni se si fokusi i rrëfimit është pa ndryshim tragjik, një lloj entuziazmi i pafund ndaj tradhtisë, kryqëzimit, martirizimit dhe vdekjes.

Në Berat ka një traditë tjetër fetare. Në sheshin me kalldrëm prapa Xhamisë Mbret, gjeta një teqe’ ose vend kulti për një urdhër sufi që erdhi nga Turqia në shekullin XVI. Një formë soditëse dhe shpesh e pavarur e Islamit, bektashizmi lulëzoi në Shqipëri, shumë kohë pasi u ndalua në Turqi si heretik, dhe selia botërore e bektashizmit është tani në Tiranë. Por, teqeja ishte bosh. Ashtu si me shumë vende kulti në Shqipëri, mbi katër dekada ateizmi zyrtar i kishte grabitur asaj shumicën e adhuruesve të tij.

Ishte një ndërtesë modeste, por e shkëlqyer, e përbërë nga një dhomë e vetme katrore. Një kube tetëkëndëshe dukej sikur notonte mbi të. Muret ishin të zbardhura dhe të thjeshta, përveç kornizave të dyerve dhe dritareve dhe dollapëve të vegjël të vendosur në mure, të cilat ishin të lyera me dizajne të ndërlikuara. Dielli zbriste nga një grumbull i lartë dritaresh nëpër dërrasat e lashta të dyshemesë. U ula vetëm për një kohë të gjatë në këtë dhomë qiellore në një nga stolat e ulëta rreth mureve duke shijuar qetësinë meditative. I lodhur nga pritja, kujdestari më la çelësat për t’i mbyllur.

“Lërini nën vazo kur të largoheni. Kaq mjafton”, më tha ai./atsh/KultPlus.com

”Financial Times”: Shqipëria, e bekuara me bukuri natyrore dhe interes historik

Një mik i vjetër, Virtyt Gacaferri, më dërgoi email nga Kosova, ku më thoshte ejani të ecim nëpër Shqipëri, shkruan Martin Fletcher për ”Financial Times”.

Ai kishte zbuluar një shteg të ri – katër ditë më këmbë apo rreth 60 kilometra drejt një lugine të largët jugore. Do të rrinim me fshatarët. Do të kishte peizazhe spektakolare, kisha të mahnitshme, burime termale dhe më në fund, premtoi ai, “një qytet me rrugë kaq të pjerrëta sa mund të varni kapelën tuaj në majë të një minareje”.

Shqipëria? Ajo është një nga vendet më të varfra të Evropës. Një e treta e popullsisë së saj jeton jashtë vendit. Gjatë gjithë dimrit kam lexuar për bandat e saj kriminale, trafikantët e njerëzve dhe turmat e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin me varka të vogla. Megjithatë, Virtyti kishte të drejtë. Në vitin 2017 ai më kishte çuar në një shëtitje të mrekullueshme përgjatë kufirit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, në Bjeshkët e Namuna.

Dhe kështu, në ditën e parë zyrtare të pranverës, unë dhe disa miq fluturuam për në Tiranë pikërisht kur Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, mbërriti në Londër për të takuar Rishi Sunak për bisedime, që do të përfshinin trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Megjithatë, gjatë ditëve në vijim, perceptimi im për Shqipërinë dhe shqiptarët ndryshoi në mënyrë dramatike.

Virtyti na takoi në aeroport me një udhërrëfyes të këndshëm, të papërmbajtshëm dhe pafundësisht të shkathët, Arben Kola, i cili pranoi lehtësisht se kishte hyrë tre herë në Britaninë e Madhe ilegalisht me ose nën kamionë.

Teksa niseshim drejt jugut, ndaluam rrugës për shijen tonë të parë të një Shqipërie shumë të ndryshme nga stereotipi: Apolonia, një vendbanim i mëparshëm grek e më pas romak në majë kodre, i braktisur pas tërmeteve të shekullit V, që devijuan rrjedhën e një lumi aty pranë, duke e bërë atë të paarritshëm për detin.

Në diellin e qetë të pasdites së vonë, ne i kishim bërë tonat rrënojat dhe Arbeni bindi arkeologun vendas, Arjan Dimo, të hapte muzeun e vogël me koleksionin e tij mbresëlënës të vazove, stolive dhe statujave. Krenaria e tij ishte një këmbë e mrekullueshme me sandale, prej bronzi, që Dimo e kishte gjetur vetë.

Ishte errësirë kur arritëm në Peshtan, fshati ku do të fillonte ecja jonë. Furgoni ynë, që tronditej nga një rrugë e pashtruar, na la jashtë një bujtine të pastër e të thjeshtë ku Valentina dhe Viktor Goliku na pritën në një ambient të ngrohtë, me raki dhe një tavë me pulë të pjekur, byrek të mbushur me djathë dhe spinaq dhe verë të bërë vetë.

Surpriza më e madhe erdhi mëngjesin tjetër. Dielli që po lindte zbuloi male të pyllëzuara përreth dhe, shumë më poshtë, grykën e lumit bruz Vjosa. Me burim nga Greqia dhe rreth 240 kilometra e gjatë, Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të Evropës, e egër dhe e padëmtuar.

Qeveria e Shqipërisë sapo e ka shpallur atë park kombëtar.

Ne hëngrëm mëngjesin me turshi, reçel dhe djathë të bërë vetë, në një tarracë me pamje nga ky peizazh madhështor, më pas vumë mbi supe çantat e shpinës dhe u nisëm jo në luginën e Vjosës, por në luginën e një prej degëve të saj, Zagorit, vendi i një beteje të ashpër mes grekëve dhe italianëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në buzë të Peshtanit, Mira Muka na tregoi një koleksion të jashtëzakonshëm pushkësh të ndryshkura, helmeta, bajoneta, predha dhe kuti konservash që ajo dhe i shoqi i kishin gjetur në kodrat përreth. ”Ka ende shumë municione të pashpërthyera”, na thotë ajo.

Teksa ngjiteshim në shtegun e pjerrët nga Peshtani, maja me borë e Strakavecit u shfaq para nesh. Kjo majë do të mbetej pika jonë e orientimit përgjatë gjithë ditës. Nën një qiell pa re ne ecnim nëpër pyjet e pashkelura të ahut. Kaluam përrenj dhe mbushëm shishet e ujit nga burimet. Drekuam nën një diell të ngrohtë jashtë me bukë, domate dhe djathë dhie. Takuam vetëm një bari të vetmuar, ndërkohë që pamja e tij u lajmërua nga zhurma e këmbanave të dhive të tij.

Pasdite ndaluam në një shtëpi të vjetër prej guri, pronari i së cilës, Ilir Korro, na ofroi kafe, raki dhe mjaltë të trashë nga kosheret e bletëve. Ai mbante edhe lopë. I therte vetë dhe mishin e çonte në Peshtan me kalë.

Menjëherë pas kësaj, ne zbritëm në lumë dhe një tjetër surprizë – një urë guri e epokës osmane të shekullit XIX, me një hark të vetëm elegant dhe me kalldrëm. Ishte një vepër arti në ”shkretëtirë”, me sa duket nuk i shërbente askujt përveç nesh.

Nga lumi u ngjitëm të lodhur në një kodër të fundit e të gjatë deri në Limar, një fshat larg çdo rruge. Atje e kaluam natën në shtëpinë e Mani Damanit, mësuesit të qeshur të shkollës së fshatit dhe mësuam se si bukuria e rajonit ishte e ngjyrosur me trishtim.

Shtëpia e Manit, si pjesa tjetër e Limarit, ishte ndërtuar tërësisht me gurë nga kodrat përreth. Ne hëngrëm mish qengji, djathë, gjizë dhe perime të prodhuara në tokën e tij. Pimë verë nga hardhitë e tij, çaj nga manaferrat e malit dhe raki të bërë vetë. Na ngrohte një sobë me dru nga pylli. Por, mënyra e jetesës së Manit, e zhdukur prej kohësh gjetkë në Evropë, do të zhduket së shpejti edhe këtu. ”Popullsia e Limarit ishte zvogëluar nga 100 familje 30 vjet më parë në vetëm 15 tani”, shpjegoi ai. Ashtu si në të gjitha fshatrat e tjera nëpër të cilat kaluam, brezat e rinj ishin larguar për në Tiranë ose, me gjasë, kishin emigruar.

Të nesërmen në mëngjes u zgjuam nga zhurma e gjelave që këndonin, qengjave dhe zileve të lopëve. Para se të niseshim, vizituam shkollën e rrënuar me dy dhoma të Manit. I kishin mbetur vetëm dy nxënës.

Dita e dytë ishte po aq sublime sa e para, qielli edhe një herë një blu pa cene. E lamë Strakavecin pas, por lugina përpara ishte e rrethuar nga male të tjera të mbuluara me borë – strofulla arinjsh, ujqërish, derrash të egër dhe rrëqebullit të rrallë të Ballkanit. Arbeni demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme për të fishkëllyer këngët e zogjve.

Në mesditë arritëm në Doshnicë, një nga fshatrat më të izoluar të mbetur në Evropë. Teksa endeshim rrugicave të tij me kalldrëm, një grua na ofroi kafe dhe arra në kopshtin e saj me hije. Rruga më e afërt e duhur ishte dy orë më këmbë, tha ajo. Nga 30 familje që jetonin në Doshnicë në vitet 1990, kishin mbetur vetëm shtatë. Nuk kishte mbetur asnjë fëmijë.

Atë pasdite vonë një kakofoni qensh që lehnin na priti në fshatin Hoshtevë. Aty zbuluam një kishë ortodokse shqiptare të ndërtuar në vitin 1843 që i kishte mbijetuar disi regjimit ateist të Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë nga viti 1944 deri në 1985. Ai shkatërroi më shumë se 2 000 kisha dhe xhami, ndërsa e ktheu vendin e tij në Korenë e Veriut të Evropës.

Brendësia e errët e kishës ishte mahnitëse. Çdo mur, çdo shtyllë, tavani i saj me kube dhe madje edhe foltorja e tij e lartë ishin të mbuluara me afreske. Kujdestari tha se fshatarët kishin vazhduar të adhuronin fshehurazi atje gjatë sundimit të Hoxhës. Dënimi, nëse kapej, ishte me burg.

Edhe në Hoshtevë kemi hasur në një problem, bujtina e vetme nuk ishte hapur ende pas dimrit. Pa një vend ku të qëndronim, na u desh të braktisnim ditën e tretë të ecjes. Në vend të kësaj, ne i hipëm një Mercedesi, që i përkiste një prej fshatarëve, për rreth 15 kilometra për të mbërritur në shtëpinë tonë të ardhshme për mysafirë në Sheper.

Më në fund ishim pranë majës së luginës së Zagorisë dhe kufirit grek. Ishte koha për të ecur edhe nja 1 500 metra në veri dhe për t’u kthyer në luginën e Vjosës. Morëm një mushkë për çantat tona të shpinës dhe herët në mëngjes nisëm ngjitjen tonë të gjatë duke kaluar dy nga 170 000 bunkerët që Hoxha, në paranojën e tij, ngriti për të mbrojtur Shqipërinë nga pushtimi.

Në majë, pamë një livadh të madh të rrethuar nga bora, ku barinjtë do të sillnin kafshët e tyre për t’i kullotur në barin e harlisur të verës. Provuam fiq të thatë dhe shijuam pamjet e mrekullueshme të majave në veri, jug, lindje dhe perëndim.

Zbritja ishte më pak argëtuese. Rruga ishte e pjerrët dhe e mbuluar me argjilë. U deshën orë të tëra për të mbërritur në fund, por lodhja do të na shpërblehej. Njëra ishte zhytja në burimet termale që flluskonin nga shkëmbinjtë, poshtë një ure tjetër të bukur osmane në Kanionin e Langaricës. Tjetra ishte një natë dhe darkë e shtruar bukur dhe bollshëm, në një shtëpi të mrekullueshme 120-vjeçare, me mure të trasha deri në oborr dhe dyer të vjetra prej druri në pronësi të Kristaq dhe Florinda Cullufes.

Toka e pasur bujqësore e stërgjyshërve të familjes pranë Vjosës u konfiskua nga Hoxha dhe Cullufët u zhvendosën në qytetin e Përmetit për të bërë punë të rëndomta. Për më shumë se 20 vjet ata ktheheshin çdo të diel për t’u kujdesur për shtëpinë derisa më në fund, në vitin 2017, e rihapën atë si shtëpi pritëse. “Unë nuk udhëtoj për të parë botën”, thotë Kristaqi, ndërsa darkonim në një ballkon me pamje nga lugina e Vjosës.

“Qëllimi im është ta sjell botën këtu”, thekson ai.

Humbja e një dite ecjeje ishte për të ardhur keq, por kjo na dha më shumë kohë për të eksploruar një zonë pak të njohur – në të vërtetë, të ndaluar prej kohësh – për botën e jashtme. Kaluam dy orë të gëzuara duke u endur vetëm mes rrënojave mbresëlënëse të Bylisit, një qytet antik romak, i ndërtuar në një majë mali me pamje akoma më mahnitëse mbi Vjosë.

Në jug të Gjirokastrës ecëm në një rrugë tjetër të pashtruar dhe u gjendëm po aq të vetmuar, në teatrin antik romak të Hadrianopolis, i gërmuar pothuajse 20 vjet më parë. Qetësia e tij prishej vetëm nga fermerët që lëronin fushat përreth.

Dhe pastaj u shfaq Gjirokastra, një qytet i epokës otomane dhe një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me rrugë të ngushta me kalldrëm, që binin poshtë një shpati mali marramendës. Është gjithashtu vendlindja e Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, romancierit më të njohur të Shqipërisë, i cili shkroi për “varjen e kapelave në minare”.

Arbeni na foli për në kështjellën 1 500-vjeçare me pamje nga qyteti, megjithëse ajo ishte e mbyllur zyrtarisht atë ditë. Ne eksploruam bunkerin labirint bërthamor të ndërtuar nën bashkinë e qytetit në kohën e Hoxhës për të mbrojtur zyrtarët komunistë të Gjirokastrës.

Ne vizituam një nga shtëpitë e mrekullueshme të tregtarit, pronari i së cilës, Nesip Skënduli, ishte brezi i nëntë radhazi i familjes së tij që jetonte në të. ”Hoxha ishte shok shkolle i babait të tij”, tha ai, ”por më vonë e burgosi për 13 vjet dhe i detyroi Skedulët të ndanin shtëpinë e tyre me shtatë familje të tjera”.

Reliket e sundimit brutal të Hoxhës janë rrëqethëse, por edhe tërheqëse. Gjatë kthimit me makinë për në Tiranë, ne ndaluam në Tepelenë për të parë një kamp pune të braktisur prej kohësh. Në periferi të Tiranës, ne pamë një varr që nuk binte në sy, dhe ku gjendeshin eshtrat e Hoxhës. Në kryeqytet, ne vizituam ”Shtëpinë me Gjethe”, ish-ndërtesën e policisë sekrete të Hoxhës, e cila tregon me detaje rrëqethëse metodat dhe pajisjet që Sigurimi i Shtetit përdori për të shtypur të gjithë rezistencën.

I palodhur deri në fund, Arbeni na tregoi edhe rreth tmerrit të fundit, bunkerit nëntokësor të Hoxhës, i ndërtuar në një mal në skajin lindor të Tiranës në vitet ’70. Të 106 dhomat e tij ishin projektuar për të mbrojtur zyrtarët e lartë të regjimit dhe familjet e tyre dhe përfshinin një suitë të tërë për vetë Hoxhën. Kaq të trasha janë muret e betonit të këtij bunkeri, saqë padyshim do t’ia kalonin shumë vendbanimeve romake të Shqipërisë.

Duke nxituar për në aeroport, ne kaluam kujtime të paharruara të pjesës më pak të bukur të Shqipërisë moderne, ndërtesa të reja dhe një numër të jashtëzakonshëm makinash të modeleve të fundit. Megjithatë, ne nuk kishim përjetuar gjë tjetër veç ngrohtësi dhe bujari në një vend që mund të rrënohet nga emigracioni, por është i bekuar me bukuri të bollshme natyrore dhe interes historik./atsh / KultPlus.com

Financial Times shpall Zelenskyn “Njeriun e Vitit”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shpallur “njeriu i vitit” për gazetën britanike Financial Times, e cila i ka kushtuar presidentit ukrainas  një artikull të gjatë.

“Nëntë muaj pas luftës brutale për mbijetesë kundër pushtuesve rusë, Volodymyr Zelensky shfaqet i lodhur, me rrathë të errët poshtë syve”, shkruhet në hyrje të artikullit, i cili tregon personazhin duke u nisur nga përvoja e tij si aktor në luftën kundër lideri trus Vladimir Putin.

“44-vjeçari Zelensky ka fituar një vend në histori për shfaqjen e tij të jashtëzakonshme të lidershipit dhe qëndrueshmërisë”, shkruan FT. /abcnews.al / KultPlus.com

Prestigjiozja angleze “Financial Times”: Destinacioni më emocionues i skijimit të këtij dimri, Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë

Me përshkrime të mahnitshme dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, media prestigjioze angleze “Financial Times”, i ka dedikuar një reportazh të gjatë alpeve shqiptare dhe turizmit dimëror, veçanërisht Bjeshkëve të Nemuna, përcjell KultPlus.

“Financial Times” pemës këtij artikulli i bëjnë thirrje të pasionuarve pas skijimit që si destinacion më emocionues të skijimit të këtij dimri t’i shohin Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë.

Artikullin e ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke u shprehur se ky është një super promovim për Shqipërinë dhe ofertën turistike gjithëvjetore. / KultPlus.com

‘Financial Times’ : Bjeshkët e Nemuna destinacioni më emocionues i skive për dimrin

Kur u ktheva nga lokali, vura re diçka që më bëri të ndihesha shumë i vetmuar dhe shumë larg shtëpisë, shkruan Tom Robbins për revistën e njohur ”Financial Times”.

Lugina u përfshi ngadalë nga hijet, ndërsa dielli perëndonte pas një kreshte të largët. Ndodhesha në një rrugë të rrethuar nga të dyja anët nga një ”lëmsh” ​​i dendur ahesh dhe thuprash ngjyrë argjendi, rreth një orë më këmbë nga hoteli im.

Dhe, e ngrirë në dëborë, ishte putër e madhe rrëqebulli.

I kisha kushtuar pak vëmendje, kur dikush përmendi se këto pyje ishin shtëpia e arinjve, rrëqebujve dhe ujqërve. U përkula dhe përdora stilolapsin tim për të matur gjurmën, teksa ai futej lehtësisht brenda. Po çfarë dija unë për ujqërit?

Nuk ishte vetëm jeta e egër që tërhoqi ankthin tim ndërsa vrapova përsëri në shteg atë natë. Isha thellë në Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë, një emër që duket se ka shpjegime të shumta, por asnjëri prej tyre nuk është tamam gazmor. I ndaluar për pesë dekada gjatë epokës komuniste të vendit, rajoni më vonë u bë i njohur për gjakmarrjen, shpopullimin masiv dhe dhunën e herëpashershme.

Në librin e tij të vitit 1998, ”Bjeshkët e Nemuna”, Robert Carver takon dy misionarë që kanë hapur një zyrë turistike në Bajram Curri, qyteti më i afërt me vendin ku isha unë.

Kjo është një ide që i duket tinëzare: ”Bajram Curri bëri që Haiti dhe Liberia të duken si Riviera Franceze. Ndoshta mund të filloni me një agjenci udhëtimesh të specializuar. Çdo klienti do t’i garantohej të paktën dizenteria dhe plagët me armë zjarri. Bajram Curri do të kualifikohej patjetër”.

Megjithatë, çfarë do të kishte menduar ai për faktin që unë isha këtu për argëtimet më të këndshme të pushimeve, një udhëtim me ski?

Dhe kjo, në vend që të ishte pika e një aventure qëllimisht të çuditshme dhe të pazakontë, Shqipëria do të ofronte një nga skijimet më të bukura që kam provuar ndonjëherë.

Fluturova për në Prishtinë, pastaj mora një taksi ndërkohë që shiu u shndërrua në dëborë ndërsa ecnim. Menjëherë pas hyrjes në Shqipëri, shoferi im më drejtoi te bunkerët pranë rrugës – disa prej 750 000 të instaluara nga Enver Hoxha, teksa forconte vendin e izoluar midis viteve 1960 dhe 1980.

Jo shumë kohë më pas, kaluam rrugën e tërthortë për në Tropojë, të cilën shoferi ma etiketoi me rrëqethje, si një bastion mafioz. (Ndoshta ishte ndikuar padrejtësisht nga përdorimi i tij si vendlindja e gangsterëve në filmin ”Taken” të Liam Neeson, megjithëse për një zonë malore rurale dukej se kishte një numër të pazakontë SUV-ash të lartë me xhama të errët dhe targa angleze).

Në Bajram Curri u kthyem drejt veriut në një urë të varur dhe më pas në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, një luginë e egër dhe e thyer.

Ndërtesat dhe flladi përgjatë rrugës së qytetit ia lanë shpejt vendin peizazheve të bukura natyrore, ku rruga gjurmoi vijën e një lumi të vrullshëm me dëborë të shkrirë.

Pranë  fshatit të Dragobisë kaluam një sërë shtëpish-ferma me pamje idilike dhe paraindustriale, hambare si në pikturat e Cloude Monet, me kullota të kufizuara me gardhe shtyllash druri.

Në momentin që mbërritëm në Qendrën Turistike të Valbonës, një grup shtëpizash prej druri, ku do të qëndroja, ishte i pranishëm edhe një helikopter i parkuar në mënyrë të papërshtatshme aty pranë.

Vazhdoi të binte dëborë edhe për pjesën më të madhe të ditës. Flokët e bardha të dëborës ngriheshin më lart nga shtyllat e gardhit sa herë që shikoja nga dritarja, degët e pemëve dhe tehet e helikopterit përkuleshin nën peshën e saj.

Megjithatë, të nesërmen në mëngjes, hapa derën e bujtinës dhe zbulova se retë ishin pastruar. Drita e diellit lante majat e thyera që ngriheshin nga lugina duke lënë një përshtypje të madhe si Dolomitet.

Ndryshe nga Dolomitet, në veriun të Italisë, të ndërthurur me teleferikë dhe restorante malore, këtu nuk kishte asgjë: asnjë infrastrukturë skijimi, vetëm disa shtëpi pritjeje (dhe shumica e tyre të mbyllura për dimër), vetëm një rrugë që shkon lart luginës pa dalje.

Ndërsa soditja, nja dy kuaj erdhën duke ecur përgjatë rrugës të pashoqëruar dhe me sa duket sapo kishin dalë për një shëtitje.

Shumë shpejt ishim në fluturim me helikopter.

Katër të ftuar, udhërrëfyesi ynë slloven, Rok Zalokar dhe piloti gjerman, Dethlef Gensel. U ngjitëm shpejt duke u nisur drejt perëndimit dhe drejt kreshtës së lartë në skajin më të largët të luginës së Valbonës.

Diku nën dëborë ishte rruga që të çonte në luginën fqinje të Shalës, një rrugë e cila ishte “një nga më të rrezikshmet në Shqipërinë e Veriut”, sipas librit të Carver të vitit 1998.

“Askush, as shqiptari më i guximshëm nuk e përdori këtë zonë, nëse nuk ishte i armatosur dhe i shoqëruar nga miq të armatosur”, shkruan Carver.

Ne ikëm me vërtik, me stomakun që më pështjellohej, ndërsa toka u zhduk poshtë nesh.

Ne zbritëm në majë të një grupi majash midis fshatrave Theth dhe Ducaj, u ngjitëm dhe më pas pamë sesi helikopteri po zbriste në luginë. Zhurma e tij sikur vinte në dukje izolimin tonë të plotë. Zalokar na buzëqeshi, na dha drejtimin dhe më pas u zhduk në dëborë.

Në fund, rreth 1 000 metra më poshtë, ne u rigrupuam. Vazhduam të ecnim gjatë gjithë mëngjesit, derisa kërcënimi për një mot të keq na detyroi të strehoheshim.

Fluksi i parë i turistëve mbërriti në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit, në 1992, por tranzicioni i lëkundur drejt një ekonomie tregu çoi shpejt në paqëndrueshmëri të mëtejshme. Familjet shisnin shtëpi dhe bagëti në ato që rezultuan të ishin skema piramidale. Kur ato u shembën përfundimisht, në 1997, pati një kryengritje të armatosur dhe një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare u dërgua për të rivendosur rendin. Kosova fqinje ishte në luftë një vit më vonë.

Si rezultat, vetëm gjatë dekadës së fundit turistët kanë filluar të eksplorojnë malet përreth Valbonës – madje edhe atëherë, vetëm në numër të vogël dhe pothuajse ekskluzivisht në verë. Grupi i rastësishëm i tureve të skive mund të kalojë, duke u ngjitur dhe duke përdorur lëkura ngjitëse në bazën e skive të tyre, por majat më pak të thepisura diku tjetër në vend janë më të përshtatshme për ski. Kjo përbën  një perspektivë të rrallë në Evropë, një brez malesh pak të vizituara dhe me pak ski, ideale për ski me helikopterë.

Fakti që ishim këtu ishte plotësisht falë Zalokarit, i cili, ndërsa trajnonte guida në Kosovë, në vitin 2018, ishte ngjitur në Gjeravicë, një majë afër kufirit shqiptar, dhe kishte parë Valbonën.

“Unë u mahnita. Kam jetuar gjithë jetën në rajonin e Ballkanit. E dija se kishte disa male vërtet të bukura për të ski dhe ngjitur me Malin e Zi dhe Kosovën, por me të vërtetë kurrë nuk e kuptova se sa potencial kishin këto male”, thotë ai.

Zalokar filloi të bënte ski para moshës dy vjeç. Shumë vite më vonë ai filloi të stërvitej si udhërrëfyes dhe të punonte për operacionet me heliski në Suedi dhe Alaskë. Pasi vizitoi Valbonën, në vjeshtë, ai dhe e dashura Petra Brajnik hapën kompaninë e tyre të re të heliskive, këtu, në janar 2019.

Janë ende ditët e para. Pas një ndërprerjeje pandemike, këtë vit ishte vetëm sezoni i tretë, ku secili zgjati vetëm tre javë. Gjatë qëndrimit tim kishte shtatë të ftuar të tjerë (operacionet e mëdha të Amerikës së Veriut mund të kenë pesëfishin e këtij numri). Një burrë, një sipërmarrës me qendër në Zvicër, më tha se për vite të tëra kishte bërë një pelegrinazh vjetor në heliski, në Kolumbinë Britanike. Pasi erdhi këtu, ai nuk e pa më nevojën për të shkuar atje.

Kështu pra. Një atmosferë zbulimesh potenciale dhe të reja ka kjo zonë. Ekziston gjithashtu një kuptim i të qenit pjesë e një ekipi dhe jo një klient në një operacion tregtar.

Grupi është mjaft i vogël, aq sa të ftuarit dhe stafi mund të hanë vakte së bashku në disa tavolina të përbashkëta, tregimet e skijimit që ndahen së bashku me pjatat me mish qengji të pjekur, speca të mbushura, patëllxhanë të pjekur dhe raki  kumbulle. Një natë u mblodhëm rreth një zjarri për të dëgjuar një nga stafi që luante në violinë; një natë tjetër, ne shtynim tavolinat në dhomën e ngrënies për një trupë lokale që performonte valle tradicionale. Këtu mos ejani duke pritur vaskat e nxehta apo sallonet e purove, që gjenden në disa shtëpi kanadeze për heliski.

Trajtime më të paharrueshme gjenden në malet përreth. Në ditën tonë të dytë, zbritëm në veri të Thethit dhe pamë re që derdheshin pranë nesh, si një përrua që lëviz me shpejtësi mbi një gur të lëmuar. Malet këtu kulmojnë në rreth 2 600 metra. Një tjetër ecje përfundoi në skajin e sipërm të një pylli me pisha të zeza, disa me pemë pesë shekullore, me trungjet e tyre të rrudhura si këmbët e majme të një elefanti.

Kur zbritëm në fund të ditës, dy gra kishin ndezur një zjarr në natyrë afër hotelit për të përgatitur fli, një pjatë tradicionale shqiptare, shtresa petullash të holla të gatuara në qymyr dhe të servirura me reçel fiku dhe mjaltë vendas gështenjash. Më vonë bisedova me Hysni Selimajn, i cili punonte në hotel. Tani, 50 vjeç, ai ishte rritur në luginë.

“Jeta ka qenë shumë e vështirë”, thotë ai, ndërsa kujtoi se, si fëmijë kishte bërë skitë e tij nga dërrasat e ashpra të drurëve.

“Nevojat elementare, ushqimi dhe veshmbathja ishin me mungesë dhe rruga e pashtruar deri në luginë do të ishte shpesh e pakalueshme në dimër, duke i bërë ato të pakalueshme për javë të tëra”, thekson Hysniu.

Kur bota më në fund filloi t’iu hapej, në vitet 1990, shumë shqiptarë u larguan në kërkim të perspektivave më të mira jashtë vendit.

“Në vitin 1997, Valbona kishte mbetur me 10 familjet e saj të fundit”, sipas Selimajt.

Ai u nis për në Greqi dhe më pas për në Gjermani, por si shumë miq u kthye përfundimisht, duke përdorur të ardhurat e tij për të hapur një bujtinë të vogël për t’u kujdesur për numrin ngadalë në rritje të vizitorëve të verës./atsh/ KultPlus.com

Financial Times: Po rritet numri i grave në krye të kompanive në botë

Edhe pse ende në pakicë, gratë janë gjithnjë e më të shumta në krye të kompanive në të gjithë botën, sipas një studimi të publikuar nga organizata e liderëve të rinj YPO, ”Financial Times” dhe ”UN Women”, transmeton KultPlus.

Nga më shumë se 2 000 përgjigje të ardhura nga 106 vende marrë nga rreth 30 000 anëtarë të YPO në mars, një e katërta e të cilave ishin gra, shumica (57%) mendojnë se organizata e tyre është më larmishme në nivelin gjinor sesa pesë vjet më parë.

Sidoqoftë, përparimi është materializuar ngadalë.

Sipas një studimi tjetër të fundit të kryer nga instituti ”Heidrick & Struggles”, cituar nga YPO, vetëm 5% e menaxherëve të përgjithshëm në botë janë aktualisht gra.

“Unë shoh një vetëdije të fortë nga të gjithë”, theksoi Xavier Mufraggi, drejtues i YPO-s, transmeton tutje KultPlus.

”Ekziston gjithashtu, sipas tij, një vetëdije për stilin e menaxhimit që sjellin anëtaret tona femra me një qasje më globaliste të lidershipit, që është më në përputhje me brezat e rinj”, shton ai.

”Pothuajse një në dy drejtuese femra theksojnë se u është dashur të paktën dy vite për të kapërcyer paragjykimet dhe duhet mesatarisht dy vite më shumë për femrat sesa për burrat të ngjiten në majën e piramidës sipërmarrëse”, sipas studimit.

”Metoda më fleksibile të punës, me miratimin masiv të telepunës, ka të ngjarë të luajë në favor rritjes së barazisë gjinore me daljen nga kriza shëndetësore”, sipas tij. / KultPlus.com

“Financial Times” e rendit Shqipërinë si destinacion turistik për 2020-ën

Prestigjiozja “Financial Times” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve për t’u vizituar në vitin që sapo ka nisur, 2020.

Në një artikull kushtuar vendeve që duhen vizituar gjatë këtij viti, “Financial Times” shkruan se Shqipëria tërheq vizitorët me malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdetin e shkëlqyer, qytetet e lashta, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritjen.

Më poshtë pjesa për Shqipërinë, në artikullin e “Financial Times”.

Shqipëria

“Mali i Zi ishte destinacioni kryesor i vitit 2019, por i gjithë rajoni është në rritje”, sipas Jonny Bealby, themeluesi i kompanisë britanike të turizmit të aventurës “Wild Frontiers”, i cili njofton se rezervimet për vitin 2020 janë rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Vizitorët tërhiqen nga malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdeti i shkëlqyer, qytetet e lashtë, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritja e vendasve”.

Alpinistët po zbulojnë që Bjeshkët e Namuna në veri të vendit – një mollë e ndaluar gjatë epokës së izolimit komunist të vendit dhe gjatë luftës në Kosovë, ofrojnë sot një alternativë ndaj Alpeve, ku turizmi është thuajse i pazhvilluar. Ndërkohë, numri i vizitorëve në objektet historike po rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në parkun arkeologjik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të zbuluar rrënojat romake, bizantine dhe otomane anembanë vendit.

Ndërkohë, në një atmosferë krejt tjetër, Festivali i Muzikës në Kala, një aktivitet një-javor në bregdetin jugor të Dhërmiut, po e rendit Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e rinj, njëlloj siç ka ndodhur në rastin e festivaleve “Garden”, “Outlook” dhe “Sonus” në Kroaci.

Për të shpalosur entuziazmin e autoriteteve shqiptare për zhvillimin e turizmit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Kalasë në vitin 2018. “Njerëzit e mendojnë si një vend ku mund të grabiten, ose vriten”, u shpreh Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, sipas gazetës britanike “The Guardian”. “Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush e viziton këtë vend dhe shpëton gjallë, ata kuptojnë se këtu është parajsë”!

Shifrat duket se vërtetojnë thëniet e tij: numri i vizitorëve të huaj në 11 muajt e vitit 2019 arriti në 6.1 milionë, ose 8.3 për qind më shumë se në vitin 2018, dhe një shifër shumë më e lartë se 1.9 milionë turistë që vizituan vendin gjatë gjithë vitit 2009./atsh/ KultPlus.com