Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë njoftoi se kanë rinisur gërmimet në Finiq.
Në javën e dytë të muajit shtator, projekti shqiptaro – italian (Instituti i Arkeologjisë së Tiranës dhe Universiteti i Bolonjës, Itali), për të 25-tin vit radhazi, rinisin gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Gërmimet këtë vit janë përqëndruar në dy sektorë, në sektorin e agorasë, ku gërmimet kanë për qëllim zbulimin e godinave dhe rrugëve kryesore të kësaj zone, si dhe në sektorin mbi shkallaren e teatrit antik, ku mendohet se ndodhen rrënojat e një monumenti me karakter fetar.
Si përherë, gërmimet do të shoqërohen me masa paraprake konservimi, në bashkëpunim edhe me DRTK Vlorë.
Qyteti Antik i Finiqit ndodhet 10 km në jugperëndim të Delvinës, mbi një kodër përbri fshatit Finiq. Qyteti Antik i Finiqit ndryshe Foinika, është një qytet i lashtë ilir dhe kryeqyteti i kaonëve. Është gjithashtu vendi ku u hartua marrëveshja e Finiqit, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Maqedone./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar për situatën e zjarreve në Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Sipas Gonxhjas asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.
Postimi:
Nga inspektimi i kryer në Parkun Arkeologjik të Finiqit, më datë 08.08.2024, ora 18:00, mbi situatën e krijuar nga zjarret në banesat pranë Bashkisë Finiq, rezultoi se:
Zjarret kishin filluar në veri-perëndim të Parkut Arkeologjik, pranë rrugës që hyn në territorin e fshatit Finiq, rruga që vjen nga fshati Blerimas.
Në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si dhe banesa të banorëve. Më pas zjarri u përhap në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje.
Më pas, për shkak të erës në atë zonë, drejtimi i zjarrit shkoi në drejtimin veri-lindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik, në drejtimin verior. Më pas zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të con në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria.
Megjithatë, sipas inspektimeve të kryera, rezulton se:
Asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.
Monumentet e paprekura janë:
1- Zona publike e periudhës romake;
2- Teatri Antik;
3- Banesa me 2 peristile;
4- Termat Romake;
5- Muri fortifikues, ose i quajtur ndryshe “Dafina e Ugolinit”
6- Kisha Mesjetare;
7- Bastioni i madh
8- Bazilika Paleokristiane;
Etj…
Gjithashtu, edhe biletaria e Parkut Arkeologjik të Finiqit, nuk është prekur nga zjarret, pasi edhe biletaria ka perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, por gjithashtu, biletaria është e pajisur edhe me mjetet përkatëse, mbrojtëse kundra zjarrit.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në mosdepërtimin e zjarreve në monumentet e Parkut Arkeologjik, janë edhe itineraret brenda Parkut, ku në asnjë prej tyre, nuk ka prezencë vegjetacioni, që të ndihmonte në depërtimin e zjarrit!
Aktualisht, nuk ka asnjë vatër zjarri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, në monumentet e vizitueshme të këtij Parku, pasi është bërë e mundur shuarja e tij nëpërmjet ndërhyrjes nga ajri me helikopter, nga toka me zjarrëfikëse, ku kanë qënë në ndihmë edhe punonjësit e Sektorit Sarandë (në varësi të DRTK Vlorë) dhe të Parkut Arkeologjik të Finiqit.
E vetmja vatër aktive, është në skajin më verior të Parkut Arkeologjik, nën kodër, pranë fshatrave Blerimas dhe Buronjë, ku në këtë të zonë nuk ka asnjë prezencë monumenti të njohur deri më sot, si dhe ku po ndërhyet nga ajri me helikopter dhe nga toka me zjarrfikëse, për shuarjen e tij.
Në mesin e muajit shtator rifilluan sërisht gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Finiqit. Projekti i përbashkët arkeologjik shqiptaro-italian i ka përqendruar kërkimet e tij në zonën publike të qytetit antik, aty ku në periudhën Perandorake Romake mendohet të jetë zhvilluar Forumi.
Strukturat që po nxjerrin gërmimet arkeologjike dëshmojnë për godina monumentale, të cilat në zonën e pjerrët qëndronin mbi tarracime. Zona është e aksesueshme për vizitorët që zgjedhin të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit. Në këtë park paralelisht me gërmimet arkeologjike, nga DRTK Vlorë janë kryer ndërhyrje restauruese, si dhe është rinovuar e gjithë infrastruktura e parkut me tabela shpjeguese e orjentuese.
DRTK Vlorë fton të apasionuarit ndaj arkeologjisë të përfitojnë nga prania e arkeologëve gjatë muajit shtator dhe të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit./atsh/KultPlus.com
Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar ka kryer gërmime në sektorin A11, në Finiq, ku kanë dalë në dritë shumë blloqe që mbivendosen me njëri-tjetrin.
Janë ato që kanë mbetur nga një mur i periudhës romake, i shembur ndoshta për shkak të një tërmeti. Sipas specialistëve, efekti i tyre i përgjithshëm është mbresëlënës, pasi duken si gurët e një dominoje gjigante.
“Në sektorin A11 ka shumë gjëra që na kanë bërë përshtypje, si muri i tarracimit i shembur plotësisht në rrjedhën e poshtme”, shkruan në rrjetet sociale Misioni Arkeologjik.
Parku Arkeologjik i Finiqit është një destinacion gjithmonë e më i frekuentuar nga turistët vendas e të huaj, ndërkohe që i rriten vlerat me zbulimet e herëpashershme të ekspeditës italo-shqiptare.
Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore. Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Që nga fillimi i viteve 2000 në Finiq gjendet Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar, me specialistë nga Universiteti i Bolonjës.
Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës./ atsh / KultPlus.com
Shpella e Shën Marenës, e ndodhur pothuajse në majën e malit të Miles, mbi grykën e Bogazit, në bashkinë e Finiqit, është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror në 1973.
Sektori i Kulturës Kombëtare në Sarandë bën të ditur se “e gjithë shpella është e transformuar në një kishë në periudhën mesjetare dhe disa nga faqet shkëmbore të shpellës janë pikturuar me afreska. Ajo është me dy kate ku ambienti i katit të poshtëm është 6 m i gjatë, 3.50 m i gjerë dhe 7 m i lartë”.
Në ambientin e poshtëm ka patur një varr. Ajo u identifikua fillimisht në vitin 1930 nga prehistoriani italian Luigi Cardini, i cili në vitin 1939 kreu disa sondazhe brenda shpellës.
Depozitimet kulturore ishin ndarë në dy shtresa. Shtresa e parë kishte depozitime qeramike të kohëve të vona, ndërsa në shtresën e dytë u gjetën objekte litike fragmente qeramike si dhe kocka kafshësh, kryesisht gjitarësh dhe shpendësh (Ovis, Sus, Capra Ibex).
Nga objektet litike veçohen dy gërryese prej stëralli, njëra me teh të gjerë, ndërsa tjetra me teh të mprehtë. Objektet litike i përkasin paleolitit të sipërm, ndërsa qeramika i përket periudhës së neolitit.
Që nga periudha e Cardinit nuk janë bërë gërmime të reja. Autorët e mëvonshëm që e kanë vizituar shpellën dhe kanë shkruar për të, janë mbështetur në të dhënat e përftuara nga gërmimet e Cardinit./atsh/ KultPlus.com