Përkujtohet firmëtari i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë, Mustafa Mërlika-Kruja, i mohuar dhe persekutuar nga diktatura.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” solli fakte nga jeta dhe veprimtaria e tij.
Mustafa Mërlika-Kruja lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës Mulkiye-i Sahane. Aty bie në kontakt me idenë kombëtare dhe vepron si një student aktiv në çështjet politike të kohës, siç ishte lëvizja xhonturke. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishte në shkolla të ndryshme në Durrës. Merr pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.
U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921. Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. Rikthehet në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, sëbashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj. Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.
Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.
Ndërroi jetë në Niagara të ShBA më 1958. U mohua dhe u anatemua nga regjimi komunist. Firma e tij në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë rezulton të jetë e fshirë. / KultPlus.com