Shpallen kampionët e FISU, Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022

Pas një jave adrenalinë, brohoritje, humbje dhe fitore, FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll u kurorëzua me ekipet fituese. Kjo kupë u organizua nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU).

Të dielën, në një atmosferë brilante, u shpallën kampionë të kësaj ngjarjeje botërore ekipi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kategorinë e meshkujve dhe ekipi i Universitetit Kombëtar Korean të Sporteve (KNSU), në kategorinë e femrave.

Medaljet e argjendta i takuan ekipit të Universitetit të Castillas – La Mancha, të Spanjës (UCLM), në kategorinë e meshkujve dhe ekipit të Universitetit Kombëtar Kangwon të Koreas, në kategorinë e femrave,

Vendet e treta në këtë kompeticion i fituan ekipi i Universitetit Prishtinës (F), të cilët mposhtën ekipin e Universitetit Palacký në Olomuc dhe ekipit të UCLM-së nga Spanja (M), të cilët fituan kundër Universitetit të Malit të Zi.  

Organizimin e suksesshëm të kësaj Kupe e përshëndeti z. Musa Selimi, drejtor ekzekutiv i FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll. “Ëndrra jonë për këtë kupë ka nisur para dy vitesh. Ëndrra u bë realitet dhe gjatë këtyre shtatë ditëve patëm rastin, jo vetëm të jemi nikoqir të kësaj kupe, por të ia shfaqim botës kulturën, traditën dhe vlerat e popullit tonë” theksoi Selimi. Ai falënderoi partnerët, lojtarët, ekipin organizativ dhe vullnetarët që e bënë të mundur këtë ngjarje.

I lumtur për arritje u shpreh edhe u.d. presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, z. Gani Ibrahimi. “Jemi te privilegjuar për besimin që na e ka dhënë Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar. Studentë, ndjehuni krenarë për lojën e shfaqur dhe vlerat që keni treguar” theksoi Ibrahimi.

FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022 u mbyll me fjalimin e z. Gabriel Kotchofa, anëtar i bordit ekzekutiv të FISU. “Jam shumë i lumtur që ju na e keni dhuruar profesionalizmin tuaj si dhuratë, kulturën tuaj sportive, dëshirën për fitore dhe besimin në vetën dhe në kombin tuaj”, theksoi Kotchofa.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medaljet për femrat:

·        Portierja më e mirë: Miriam Rodriguez – Madridejos, UCLM;

·        Golashënuesja më e mirë: Elisa Mulaj, UPHP;

·        Lojtarja më e mirë e Kupës u shpall Eunbeen JO, KNSU.

Ndërkaq, tek meshkujt:

·        Çmimi për portierin më të mirë i është ndarë studentit Arti Luzha nga UP-ja;

·        Çmimi për golashënuesin me të mirë e ka fituar studenti Kazım Emre Biçic, nga Universiteti i Gazi-t, Turqi;

·        Ndërkaq, lojtari më i mirë e Kupës u shpall studenti i Universitetit të Prishtinës, Drenit Tahirukaj.  

Kupa Botërore Universitare në Hendboll solli në Kosovë 14 ekipe nga universitete të ndryshme botërore. Kjo ngjarje u përkrah nga: Qeveria e Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

Kontribut të veçantë në këtë ngjarje dhanë edhe 120 studentët vullnetarë, të cilët u kujdesën që studentët atletë ta shijojnë këtë ngjarje dhe të ndjehen si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë. / KultPlus.com

Kosova organizon për herë të parë FISU- Kupën Botërore Universitare në Hendboll

Në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është mbajtur ceremonia hapëse e FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të organizuara në Kosovë.

14 ekipe nga universitete të vendeve të ndryshme të botës, do të garojnë

për titullin e më të mirit në botë në hendbollin universitar.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, anëtari i Bordit Ezekutiv të Federatës Botërore të Sportit Universitar (FISU), Gabriel Kotchofa, drejtori ekzekutiv FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, Musa Selimi, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, përfaqësues të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës.

Kupa Botërore në Hendboll për Universitete do të zhvillohet deri më 17 korrik dhe mbahet nën organizimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga MKRS-ja. / KultPlus.com