Fitim Haziri hapë sot ekspozitën “Reagimi i përsosur”

Shtëpia e Evropës në Prishtinë sot merr një pamje të re me ekspozitën “Reagimi i përsosur” të artistit Fitim Haziri, shkruan KultPlus.

Me vizatime me ngjyrë të kaltër, laps dhe të zezë në letër, Fitim Haziri portretizon silueta njerëzore, raportin e tyre me njerëzit, hapësirat dhe mendjen.

Në ekspozitën “Reagimi i përsosur”, përpjekjet skulpturore të artistit ndërthuren me thelbin të cilin e paraqet në vizatime, duke krijuar një eksplorim të thellë të përmbajtjes dhe teknikës. Përdorimi i nuancave të kaltërta me ndërveprimin strategjik të dritës është përcaktues i ndikimit të këtyre punëve. E karakterizuar si një kërkim i vetvetes, ekspozita ”Reagimi i përsosur” shpaloset përmes siluetave ndjellëse të figurave njerëzore dhe, herë pas here, përmes gjuhës, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme – duke formuar një rrëfim sa personal aq edhe kolektiv.

Fija e përbashkët në mediume të ndryshme e natyrës instinktive të vizatimit, qoftë në letër, në mënyrë dixhitale ose me ngjyrë, përdorimi i qëllimshëm i një ose dy ngjyrave në imazhe simbolizojnë konvergjencën e trupit dhe mendjes, duke i dhënë një cilësi të qetë portretizimit të siluetave njerëzore. Pjesa qendrore e ekspozitës, “Reagimi i përsosur”, zhytë shikuesit në një ndërveprim dinamik midis trupit dhe mendjes. Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme, shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltërta  – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme. 

Teknika e Hazirit shpalos natyrën e brendshme të vizatimit, duke kapur elementë të mbetur që pësojnë një transformim vizual. Ngjyrat monokromatike bëhen një vegël e qëllimshme. Ekspozita kalon në fushën e skulpturës, duke paraqitur një rrëfim vizual të procesit, që e pozicionon shikuesin si një pjesëmarrës aktiv. Kjo përmbledh përvojën e kapërcimit të realitetit, duke kultivuar një vetëdije akute të realitetit që ne jetojmë sot, duke i ftuar shikuesit t’i rezistojnë mbikonsumimit të sugjerimeve algoritmike dhe në vend të kësaj të zhyten në aktin e përjetimit, duke lejuar lojën e dritës të artikulojë narrativen e saj.

Ekspozita e cila vjen e kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, hapet sot, më datë 15 mars, në ora 19:00 në Europe House Kosovo. / KultPlus.com

Ekspozita “Kthim” synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit

Më 12 dhjetor me fillim nga ora 18:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të mbahet ekspozita me titullin “rETurN” apo “Kthim”, shkruan KultPlus.

Kuratore dhe ideatorë e këtij projekti është Majlinda Kelmendi, e cila thotë se ky projekt sjell risi në jetën artistike, duke ju dhënë mundësi artistëve të rinj që të promovohen, të krijojnë parteritete, rrjedhimisht të ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe avancimit të skenës së artit.

“Nëpërmjet ketij aktiviteti artistik kontribojmë për të shtuar shpresën tek artistet e rinj”, shprehet Kelmendi për KultPlus.

Ky projekt, sipas Kelmendit, do të jetë një fillim për krijuesit e rinj, të cilët do të duan të zhvillojnë vlerat e tyre krijuese në të ardhmen.

“Në këtë projekt artistik zhvillojmë tema të ndryshme dhe me këtë aktivitet të krijojmë një atmosferë miqësore, ku nëpërmjet veprave artistike të ekspozuara, kontaktit me publikun artëdashes do të rindërtojë vetëbesimin.  Ky projekt tenton të ofrojë hapësirë për iniciativa të ngjashme, për t’iu prezantuar dhe për të zgjuar interes, debate, dialog ndërnjerëzor që tejkalon kufijtë personal”, thotë ajo.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëteve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë.

“Ideja jonë është që kjo ekspozitë të shërbejë si një shprehje e artit konceptual në vend. Mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimsi”, shton tutje piktorja.

20 artistë janë të përfaqësuar në ekspozitë, në shumë mënyra dhe kjo ekspozitë mund të shihet si një punë në zhvillim.

“Të gjithë artistët pjesëmarrës kanë një marrëdhënie intensive dhe krijuese me botën e brendshme që krijon ëndrra. Kjo nuk do të thotë se ata qëndrojnë gjithmonë aty. Por ata kanë akses në të, lëvizin përtej kufirit, rishfaqen, zhduken, kthehen. Kjo botë e brendshme është për ta një pjesë e patjetërsueshme e impulsit krijues”, përfundon Kelmendi.

Ndërkaq, artistet pjesmarrës: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj, Rinor Dauti.

Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës Drejtoria për Kulturë. /KultPlus.com