‘Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qaj’ (VIDEO)

Fitnete Tuda, një emër i dashur për muzikën shqipe, ndër vite ka sjellë këngë që këndohen edhe sot e dëgjohen me ëndje, duke reflektuar gjithmonë për jetën, dashurinë, të kaluarën.

Një prej këngëve më të dashura padyshim mbetet “Shi bie në Tiranë”.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë

Shi bie në Tiranë
si nën ombrellë
ti strukesh nën një palmë
gjysma ime treti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë
gjysma ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë

Sa shumë u endëm e s’ikëm
sa shumë u lagëm e s’ikëm
harruam ditët dhe vitet
a është kjo dashuri?

Shi bie në Tiranë
dhe shpirti ynë
fluturon mbi dajt
vetja ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
kënga ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë…/KultPlus.com

Grupi ‘403’ rikthyen hitet e tyre në Prishtinë, magjia e “Akoma po të pres” mbrëmë erdhi për herë të parë live

Era Berisha

Ngjyra e veçantë e zërit që të lë pa mend, diversiteti i instrumenteve që mrekullinë e tyre e shfaqnin nga momenti në moment, intensiteti interpretues që pasonte nga secili performues si dhe pasioni i zjarrtë nga publiku që kulmonte në atmosferë për të dëgjuar secilën këngë, ishin shtyllat kryesore mbi të cilat ka qëndruar mbrëmë koncerti nga grupi ‘403’, anëtarët  e të cilëve kanë arritur që me dhuntinë e pastër të tyre të ngritin në këmbë çdo të pranishëm, shkruan KultPlus. 

Pak para se koncerti të gjente pikënisjen e tij, ishin të pranishmit ata të cilët në një masë tejet të madhe, dalëngadalë po zinin vendin e tyre sa më afër skenës në Kino Armatë. Ndërsa, teksa ndriçimi i errët ishte ai që përcolli prezencën e çdokujt, në skenë të gjithë instrumentet e vendosura në pozicionet e tyre po shndrisnin nga dritat e ngrohta që binin sipër tyre si një siluetë.

Hapat e shkundura e të lehta të anëtarëve të grupit dhe ulja totale e nivelit të muzikës paraprake, ishin ato që sinjalizuan për daljen në skenë të artistëve të cilët fillimisht rregullonin instrumentet sipas pëlqimeve të tyre. Ndërsa, kur ora shënoi fiks 20:50, u lëshuan meloditë e para të këngës “Me ty” që njëkohësisht edhe shënoi nisjen e këtij koncerti që luhatej herë nëpër gjurmë të melankolisë, dhimbjes e vetmisë dhe herë tjera mes një energjie të paparë, një dinamike të rrallë por aq brilante saqë ky gërshetim përmbushi edhe vlerën më të madhe që një grup mund të posedojë e që do të ishte mbajtja e një koncerti multidimensional.

Interpretuesit për këtë mbrëmje u prezantuan nga tekstshkruesi dhe solisti i grupit, Hektor Gjurgjiali. Erdem Gavazi në kitarë, Muha Veseli në kitarë, Lekë Gjurgjiali në kitarë, Agron Ejupi në bass kitarë, Agron Shala në klaviaturën e parë, Ilir Veseli në klaviaturën e dytë si dhe Fahri Ibrahimi në tupanë. Ndërsa, për të sjellë këngën e dytë me radhë me titull “Gjysmë shekulli”, këtyre artistëve në skenë iu shtua edhe një tjetër mysafir i veçantë siç ishte profesori Agron Dida i cili me instrumentin e mandolinës, arriti të krijojë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë e më e ndjeshme.

“Përralla” dhe “A do të kthehet”, ishin dy këngët e tjera që krijuan një ndjesi të papërshkrueshme. Ndonëse në kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, ato ngjallën mjaft emocione të cilat rriteshin akoma më shumë kur vinte në pah energjia e lartë e instrumentistëve që në ndërlidhje me vokalin unik të Hektorit, gërshetoheshin në një nivel tejet të saktë. Audioja e pastër ishte ai elementi kyç që mbështjelli këtë koncert qysh nga fillimi e deri në fund.  

Surpriza e radhës për këtë mbrëmje ishte edhe interpretimi i këngës “Akoma po të pres” për herë të parë live. E incizuar në Tiranë në vitin 1995, kjo këngë u mirëprit nga të pranishmit qysh në sekondën e parë kur vija melodike nisi të gjallërohej. Nën fishkëllima e brohoritje të pandalshme, kënga me gjithë fuqinë e saj mbizotëroi hapësirën brenda Kino Armatës dhe jo vetëm. “Akoma po të pres” hyri furishëm brenda shpirtit të pranishëm dhe gjeti folenë e saj të përhershme në skajet e kujtesës së gjithsecilit. Kitara klasike, ajo elektronike, harmonika si dhe bateritë krijuan artin e magjisë që kapërceu lehtazi nga brendësia e këngës e direkt tek brendësia e njeriut.

Tutje, një interpretim tjetër sa i ëmbël e i butë erdhi mbrëmë nëpërmjet ndërlidhjes së vokalit të këngëtares Fitnete Tuda si dhe atij të Hektorit në këngën e tyre “Ëndrra”.

“Është njëra ndër këngët më të bukura që e kam performuar. Më kujtohet se kam pas problem se doja të gjeja një zë femre dhe kujtoj se kam dëgjuar gati të gjithë zërat e këngëtareve dhe asnjëra nuk më ka flejt në zë timin në këngë. Por, jam gëzuar tepër kur ka pranuar për të kënduar këtë këngë, një shoqe e imja, këngëtarja Fitnete Tuda, që ka një zë të mrekullueshëm”, thotë Gjurgjiali para interpretimit.

“Ëndrra”, një këngë kjo që do të mbesë e gjallë për shumë dekada me radhë, nuk do edhe shumë përshkrim ngaqë përhumbja nëpër tekstin e mrekullueshëm, vijën melodike aq të pastër si dhe dy vokalet në një gërshetim të hatashëm, është e mjaftueshme për të krijuar një gropë ndjenjash nëpër të cilën futen pothuajse të gjithë që e përjetojnë këtë mister prej kënge.

Mbrëmë solisti Hektor Gjurgjiali përkujtoi edhe poetin Xhevdet Bajraj dhe producenten Vjosa Berisha, të cilëve iu dedikoi këngën e mirënjohur “Engjujt nuk jetojnë në tokë”.

“Dje ka vdekur poeti më i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj. Sot vdiq artistja tjetër, Vjosa Berisha. Tash, mesazhi i kësaj kënge është që nuk duhet të vajtohet por të këndohet. Kështu që për të gjithë ata që kanë humbur më të afërmit, kënga ‘Engjujt nuk jetojnë në tokë’ është për ju”, tha ai fillimisht.

“Engjujt nuk jetojnë në tokë”, qe një ndër këngët më të bukura që u interpretua mbrëmë. Kjo vinte mbase edhe nga thelbi i mesazhit që preku shumicën në publik e që njëkohësisht solli një qetësi shpirtërore me mallëngjimin posedues që përmban kjo këngë. “Engjujt nuk jetojnë në tokë”, është e kamotshme në krijim por do të mbetet e përjetshme në dëgjim e përjetim.

Në ndërkohë, në këtë koncert nuk munguan as edhe hitet si: “Përralla e fundit”, “Boemi”, “Epizodi i fundit”, “Bëhu fer”, “Qyteti im”, “Paraja” dhe “Indexi”, të cilat me mrekullinë e tyre unike, interpretimet solo në kitarë që ndezën atmosferën përtej limitit si dhe talentin e solistit të grupit që shpërfaqej në forma të ndryshme, e përthekuan këtë mbrëmje në një ndër më të paharrueshmet që është krijuar ndonjëherë në Prishtinë.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli këngëtari Hektor Gjurgjiali.

“Unë u ndjeva jashtëzakonisht mirë që u rikthyem sonte tek ky publik. Ishte një natë shumë e veçantë dhe më pëlqeu sepse pat shumë të rinj por edhe të vjetër njëkohësisht. Njëra ndër arsyet që unë kam përzgjedhur këto këngë që nuk i performoj shpesh, është se tani në bend i kemi edhe katër anëtar të tjerë dhe këngët mund të krijohen ashtu si në krijimet e tyre. Orkestrimet tona janë me të vërtetë të komplikuara dhe tani kemi profesionalistë që me të vërtetë i sjellin si tek origjinali”, thotë ai.

Po ashtu, këngëtarja Fitnete Tuda për KultPlus ka shprehur emocionet e saj të një rikthimi të sajin në skenë pas një kohe të gjatë.

“Ishte një ndjenjë shumë e bukur po ashtu ishte e përzier me shumë emocione e sidomos pas një pauze pak më të gjatë. Unë jam një nga ata që si studente e kam dëgjuar grupin ‘403’ shumë dhe tani është nder dhe kënaqësi që kemi realizuar bashkë një këngë siç është “Ëndrra”. Ka vite që s’kam kënduar kështu live në një koncert të tillë dhe thjesht u përmallova shumë me rastin e prezantimit tim në këtë publik të Prishtinës”, thotë ajo.

“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rok. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së rokut kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rokut në Kosovë. / KultPlus.com

“Shi bie në Tiranë”, himni i pashpallur i kryeqytetit shqiptar

Shkruan: Elvi Sidheri

Dhjetori i vitit tashmë të largët 1996, 25 vite më parë, në Tiranë pati rastisur pikërisht i vranët dhe me shira, pas një vjeshte, si rëndom, gjithashtu plot reshje, dhe kur do të vinte koha e festivalit të fundvitit në TVSH, kureshtjes sidoqoftë të shtuar për këtë ngjarje madhore të muzikës shqiptare, do t’i shtohej sidomos një këngë në veçanti.

Sakaq të nesërmen e mbrëmjes kur në skenë ishte kënduar kjo këngë, pata vajtur në gjimnazin tim, i kujtoj akoma shoqet e mia të klasës që murmurisnin me gjysmë zëri, po shpesh edhe haptas me zë të lartë fjalët dhe ritmet e “Shi bie në Tiranë”, duke u përpjekur ta përsërisnin tekstin saktësisht, ndonëse vetëm pjesën kryesore të refrenit nuk e gabonte gjithsesi askush.

Shiu mirëfilli nuk na mungoi as atë ditë, dhe dukej se qielli tiranas po tregohej edhe më bujar në vranësira se përherë, sikur të donte t’i përshtatej tekstit të këngës që kishte lënë menjëherë përshtypje të pashlyeshme qysh në mbrëmjen e parë kur ishte interpretuar në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Ishte një këngë që ishte sjellë në Tiranë përmes zërit dhe kompozimit të Fitnete Tudës, këngëtares nga brigjet e harlisura të liqenit të Ohrit në Strugën piktoreske, ku njëherësh ngjizet edhe rrjedha e mëtejshme e Drinit të Zi, dhe tingujt e këtij krijimi muzikor, e patën pushtuar kryeqytetin shqiptar paqësisht, me fuqinë e artit, që asgjë nuk mund t’i bëjë dot ballë.

Fitnete Tudën sidoqoftë e kishim njohur tashmë me disa krijime dhe intepretime të tjera të saj, ku pa dyshim spikaste kënga prekëse “Rrugë”, krahas zërit të kultivuar dhe fisnikërisë në paraqitjen e saj të frymëzuar në skenën e festivalit të dhjetorit, që ngaherë kurorëzonte vitin muzikor në Tiranë.

Megjithatë, kësaj radhe ishte ndryshe!

“Shi Bie në Tiranë” na kish depërtuar të gjithëve në shpirt, sidomos banorëve të Tiranës, ne që qytetin tonë e ndienim dhe donim si asgjë tjetër, tiranasve, çunave dhe gocave të Tironës, ne që ishim rritur nëpër rrugicat e saj të zhurmshme dhe të hareshme, ne që ishim kacavarur dikur vjedhurazi nëpër pemët e fqinjëve për të ndukur caracat legjendare, frytin më ekzotik të natyrës dashamirëse tiranase, ne që flisnim qysh në moshë të mitur pastërtisht në dialekt tirons, përkundër origjinave të hapërdara nga jugu në veri, nga Korça gjer në Shkodër, ne që akoma ia ndienim mungesën një kënge ku të shpërfaqej thelbësisht shpirti i qytetit tonë të bukur e gazmor!

Doemos menjëherë të gjithë u bëmë mbështetës të flaktë të kësaj kënge, duke uruar me gjithë zemër që Fitnetja dhe kënga e saj të ngadhënjenin në festival, megjithëse historikisht në garat e tilla muzikore në TVSH, kurrë nuk patën fituar këngët e pëlqyera masivisht nga publiku.

Në ditët në vazhdim, “Shi Bie në Tiranë”, vijoi të ushtonte jo vetëm midis bankave të klasës sime në gjimnaz, por edhe nëpër rrugët e Tiranës, nëpër lagjet e kryeqytetit dhe brenda shtëpive të banorëve të tij, që ishim magjepsur magnetikisht nga kjo këngë kaq e bukur, sa edhe e beftë për të gjithë ne, veçanërisht për faktin që ishte shkruar dhe interpretohej nga dikush që nuk ishte nga Tirana, por që pati ardhur nga matanë kufirit në Qafë Thanë, me frymëzimin liqenor si të Lasgushit, dhe na kish dhuruar një këngë emblematike, që tashmë ishim të vetëdijshëm se do të mbetej gjatë në zemrat tona si tiranas dhe artdashës.

Si adoleshent në vitin e parë të shkollës së mesme, nuk kishte për mua (dhe shumë të tjerë) vargje më grishëse se: “Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan, je i dehur nga pija apo nga dashuria, ti ec… por këmbët nuk të mbajnë”.

Të gjithëve na kish ndodhur që në ditë me shtrëngata të qiellit tiranas, të strukeshim nën ndonjë palmë nëpër rrugët e kryeqytetit, teksa breza të tëra tiranasish qenë lagur e kurrë nuk patën ikur nga qyteti i tyre, i patën harruar edhe ditët e vitet, nga dashuria, teksa shpirti i tyre fluturonte mbi Dajt, por zemra jonë, zemra ime, mbase edhe zemra e krijueses së kësaj kënge të kënduar me aq ndjenjë dhe hijeshi, patën mbetur rrugëve të këtij qyteti, ndërkohë që shiu bie në Tiranë!

Në atë dhjetor të 1996, shumë gjëra në Shqipëri po merrnin rrokopujën dhe falimentimi i firmave piramidalë ngadalë po shndërrohej në realitetin tonë të përditshëm, ndërsa skenat e njerëzve që shtyheshin e grumbulloheshin pranë sporteleve të këtyre ngrehinave fantazëm ku u tretën miliarda dollarë kursime të shqiptarëve, ishin pamje që i shihja edhe vetë çdo ditë kur kthehesha nga gjimnazi në shtëpi, ndonëse prapëseprapë nuk reshtja së fishkëllyeri me ëndje melodinë e kësaj kënge, duke ia kënduar hareshëm asaj edhe fjalët vazhdimisht.

Kosovën akoma e njihnim kryesisht falë imazhit të Ibrahim Rugovës dhe qëndresës së tij paqësore ndaj regjimit brutal të Millosheviçit, dhe përveç dy vajzave kosovare që mësonin në klasën time në gjimnaz, sigurisht të larguara nga vendlindja për t’i shpëtuar apartejdit serb, Fitnete Tuda dhe Vlera Kastrati që interpretuan mjeshtërisht “Shi Bie në Tiranë” në festivalin e madh të TVSH në Pallatin e Kongreseve, me gjasë ishin fillesat e njohjes time me realitetin e larmishëm kosovar, përkundër kushteve skajshmërisht të vështira ku dergjeshin shqiptarët përtej Morinës.

Vite më vonë, do të kisha fatin që Fitnete Tudën ta takoja në Prishtinë, dhe mbaj mend se emocionet ishin të njëjtat për mua, edhe pas aq viteve, ngaqë kënga e saj më vërtitej sërish në mendje njëlloj, dhe më ishte shndërruar vetvetiu në himnin e qytetit tim. / KultPlus.com

‘Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qaj’ (VIDEO)

Fitnete Tuda, një emër i dashur për muzikën shqipe, ndër vite ka sjellë disa këngë që këndohen edhe sot dhe dëgjohën me ëndje, duke reflektuar gjithmonë për jetën, dashurinë, të kaluarën.

Një prej këngëve më të dashura padyshim mbetet “Shi bie në Tiranë”.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë
je i dehur nga pija
apo nga dashuria
ti ec…
por këmbët nuk të mbajnë

Shi bie në Tiranë
si nën ombrellë
ti strukesh nën një palmë
gjysma ime treti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë
gjysma ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
shi bie në Tiranë

Sa shumë u endëm e s’ikëm
sa shumë u lagëm e s’ikëm
harruam ditët dhe vitet
a është kjo dashuri?

Shi bie në Tiranë
dhe shpirti ynë
fluturon mbi dajt
vetja ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë

Shi bie në Tiranë
nga malli ynë
edhe qielli qan
zemra ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
kënga ime mbeti
rrugëve të këtij qyteti
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë
Shi bie në Tiranë…/KultPlus.com

‘Gjysma ime treti rrugëve të këtij qyteti, shi bie në Tiranë’ (VIDEO)

Fitnete Tuda, një emër i dashur për muzikën shqipe, ndër vite ka sjellë disa këngë që këndohen edhe sot dhe dëgjohën me ëndje, duke reflektuar gjithmonë për jetën, dashurinë, të kaluarën.

Një prej këngëve më të dashura padyshim mbetet “Shi bie në Tiranë”.

Fitnetja këngën e solli në skenën e Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, bashkë me Vlera Kastratin. / KultPlus.com

Pas 18 vitesh Fitnete Tuda rikthehet në skenë (VIDEO)

Fitnete Tuda dhe i biri Don Duli vijnë në festivalin ‘’Kënga Magjike 2021”​, por njëkohësisht artistja rikthehet edhe në skenë pas 18 vitesh. Ajo na tregon edhe përse zgjodhi të vinte në një duet me djalin.

Fitnete Tuda lindi në Strugë dhe u zhvendos në Kosovë ku jeton aktualisht. Ajo ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në universitetin e Prishtinës.

Pjesëmarrjet e saj në festivalin e RTSH në vitet 1995-1996-të shndërruan hite këngët “Rrugë” dhe “Shi bie në Tiranë”. Në vitin 1999-të në edicionin e parë të “Kënga Magjike” ka marrë pjesë me këngën “Duke kërkuar jetë” dhe në vitin 2003 me këngën “Si muzika”, ku është vlerësuar me çmimin e produksionit.

Don Duli, 13 vjeç, është i biri i artistes Fitnete Tuda dhe studion për piano në shkollën e muzikës.

Ardit Gjebrea: Pas 18 vitesh rikthehesh në “Kënga Magjike”, njëkohësisht edhe në skenë.

Fitnete Tuda: Rikthehem në skenë, por tani nuk jam vetëm, me Donin tim.

Ardit Gjebrea: Përse zgjodhe këtë moment për t’u rikthyer?

Fitnete Tuda: Rikthehem në skenë, por tani nuk jam vetëm, me Donin tim. Ishte një ndjesi, një moment reflektimi, sepse kënga lindi gjatë pandemisë. Është një këngë për jetën, për dashurinë, buzëqeshjen, këtë vit të vështirë të cilin e kaluam edhe sikur kisha nevojë që të këndoj dhe të them këto që i ndjeva përmes këngës.

Ardit Gjebrea: Don, po t’i ishe dakord me mamin që të vije apo bëre pak rezistencë në fillim? Don Duli: Në fillim kisha pak frikë, po tani kam qejf të këndoj me mamin.

Ardit Gjebrea: Fitnete, nëse do krahasoje emocionet e këndimit solo dhe me djalin si do i përshkruaje?

Fitnete Tuda: Ndjesia është shumë e bukur që jam sot këtu para publikut me djalin tim, Donin.

Ardit Gjebrea: Çfarë mësimesh të ka dhënë mami për këtë performancë?

Don Duli: Më ka thënë të mos kem frikë, të kënaqem. Nuk kisha nevojë të stresohesha se mos bëj gabim nëpër këngë. E ka bërë këtë këngë për qejf, për dashuri.

Ardit Gjebrea: Pra bëj qejf. Nuk mund të mungonin edhe pyetjet nga publiku për Fitnete Tudën dhe Don Dulin.

Pyetja 1: Pse zgjodhët të këndoni me djalin dhe jo me vajzën?

Fitnete Tuda: Ne e ftuam edhe vajzën. Ajo quhet Dua dhe ka talent, por ajo këndon vetëm për vete. Ndërsa Doni është më shumë i dhënë pas muzikës edhe ka pasur momente ku thoshte herë vij herë s’vij, por u bind dhe tha: Mami do ta këndojmë bashkë.

Pyetja 2: A mund të më thuash ndonjë gënjeshtër që i ke thënë mamit tënd?

Don Duli: Le të mendohem… Fitnete Tuda: Diçka me internetin ndoshta… Don Duli: I kam thënë vetëm një herë, por ka ndodhur shpesh.

Fitnete Tuda: Ka blerë lojëra nga interneti.

Ishte kjo një pjesë e bashkëbisedimit në mes të moderatorit dhe artistëve në skenë të cilët pas kësaj bisede ja than këngës e cila u mirëprit nga publiku. / KultPlus.com

Fitnete Tuda: Kur këngët dhe shiu i Tiranës të ndjekin nga pas

Arbër Selmani

Nuk ishte e rastësishme hyrja në muzikë e Fitnete Tudës.

Vajza nga Struga, e cila merrte qetësues kur filloi lufta në Kosovë, kur i shihte ikjet e refugjatëve nga Kosova, muzikën do ta niste në mes të ndjenjës së shqetësimit për atë që po ndodhte dhe të gëzimit, që po e realizonte ëndrrën e saj, por duke mos e kuptuar se po krijonte këngë të cilat do të dëgjoheshin edhe vite më vonë.

Fitnete Tuda, sot 55 vjeçare, në ato pak këngë të cilat i ka dhuruar publikut  shqiptar, ka  gjetur e prekur tema të cilat preknin thellë vetëdijen e shqiptarëve nëpër vite e realitete krejt antonime nga njëra tjetra.

Të veçanta të Fitnetes janë pjesëmarrjet e saj në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

E lindur në Strugë dhe e rritur në Kosovë, në vitin 1993, pas situatës së vështirë politike në Kosovë, Fitnete Tuda bashkë me familjen e saj kthehet në Strugë. Vëllau i saj e hap kafiterinë ‘U2’ – me emrin e grupit të njohur irlandez, këngët e të cilit dëgjoheshin shumë ato vite në Kosovë, me tekstet sinonim të lirisë. Duke e dëgjuar këtë muzikë, ajo frymëzohej për të krijuar këngët e saj të muzikës pop.

Ndërkohë, të mbështetur nga babai i tyre, bashkë me vëllain Uranin, hapën edhe radion Art Kanal, e cila ato vite bashkë më Radio Erën ishin ndër radiot e para të pavarura në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Me po këtë radiostacion, ata në vitin 1995 organizojnë  festivalin e muzikës së lehtë ’Vera e Strugës’ ku morën pjesë edhe artistët si Aurela Gaçe e Aleksandër Gjoka.

“Unë muzikën e kisha ëndërr në sirtar. Këndoja për vete dhe kur i  takova këta artistë u frymëzova edhe më shumë. Ishte Zhani Ciko asokohe, i cili më shtyu që të konkurroja në Festivalin e RTSH-së, dhe duke qenë se isha rritë me festivalet thash ta provoj fatin” më tregon Fitnetja.

Këtu do të niste rrugëtimi i bukur për Fitneten. Shumë prej nesh e kujtojmë këngën “Rrugë” – debutimin e Fitnetes në Festivalin e RTSH-së në vitin 1995. Për çudinë e Fitnetes, kënga pranohet dhe kualifikohet për natën finale. Tekstin e Fitnetes do ta dëgjonte të shkrirë në këngë tërë Shqipëria e shqiptarët kudo.

https://www.youtube.com/watch?v=1eJxXfKARQk

“Këndova atë natë, dhe të nesërmen kur dola në rrugë, njerëzit më përshëndesnin, te Pallati i Kongreseve në Tiranë më kërkonin autograme, ndërsa unë s’po besoja!  E pashë që njerëzit ishin prekur shumë nga ajo këngë dhe e kishin pëlqyer. Ishte ajo koha kur shumë shqiptarë po iknin jashtë vendit të tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë.  Ato vite, ishin vite të ikjeve të mëdha të shqiptarëve nga Kosova e Shqipëria, ndërsa unë e shihja veten në mes të një udhëkryqi, ku para dhe pas kishte rrugë, si te refreni i këngës. Kënga hyri në finale, u bë hit dhe transmetohej çdo ditë në Radio e në Televizionin Shqiptar” tregon Fitnetja.

Nga Struga, Tiranën e kishte më afër se Prishtinën dhe do të udhëtonte shumë më shpesh. Shumëkush ka menduar që Fitnetja studionte në Tiranë, ndërsa plot e kanë pyetur nëse ajo ishte me origjinë nga atje.

Festivali në Televizionin Shqiptar në vitin 1995 do ta inspironte Fitneten të rikthehej në edicionin e vitit tjetër. Po flasim për një festival të fuqishëm, me traditë, festival që edhe atëherë edhe sot përcillet me vëmendje dhe ka respektin e adhuruesve.

Shiu i rrëmbyeshëm në Tiranë gjatë dhjetorit të vitit 1995 i kishte mbetur si një mirazh në mendjen e saj. Vetëm në shtatorin e vitit 1996 ajo do ta krijonte e realizonte këngën “Shi bie në Tiranë”. Këtë refren e kishte kënduar një ditë shtatori derisa po ecte bregut të liqenit në Strugë. Ai liqen përrallor të cilit i ka kënduar Lasgushi, i krijon Fitnetes një gjendje shpirtërore ujore, ndoshta ngaqë në horoskop është gaforre. Si me shaka këto i thotë e qeshur e plot jetë, Fitnetja.

“Ky shiu më ngacmoi pak. Ne kaluam aq bukur në festivalin e parë debutues dhe isha shumë e frymëzuar.  Isha mes andrrës dhe realitetit. Megjithatë më mbeti në mendje motivi i shiut. E kisha këngën në mendjen time, ndërsa për inçizim erdha në Prishtinë, e realizova me orkestruesin Ilir Bajri. Kur shkuam në festival, tekstshkruesi i njohur tani i ndjerë – Alqi Boshnjaku e dëgjoi këngën dhe më komplimentoi, se si mundet një gocë  nga Struga, të vinte në Tiranë të  ‘vidhte’ motivin e bukur e të këndonte  për shiun e Tiranës. Kjo këngë lirike e dashurisë,  madje nuk ka marrë as çmim në festival, ndonëse për shumë pak pikë,  të cilat nuk m’i dha juria e Maqedonisë – shkaku i një xhelozie provinciale e primitive, e humba vendin e tretë ose të dytë, s`më kujtohet saktë. Kënga ‘Shi bie në Tiranë’, sa më shumë kohë që kalon dëgjohet dhe mbahet në mendje më shumë, duke u kënduar nga shumë këngëtarë të tjerë” më tregon Fitnetja në intervistën tonë në oborrin e Radio Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=r5kE8uUy-Fo

Të vetmin çmim që Fitnetja e ka marrë në muzikë duke qenë edhe autodidakte, është çmimi për kantautoren më të mirë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1997, me këngën “Një ditë”.

Në vitin 1998 Fitnetja e vazhdon maratonën e pjesëmarrjeve të saj në Festivalin me nam.

Kësaj here i erdhi radha tekstit “Shpresa”, një këngë të cilën Fitnetja  ia kushton nënës së saj – Shpresa Vinca Tuda, shkrimtare për fëmijë, e cila ndërroi jetë shumë e re – në moshën 42 vjeçare. Këtë këngë ajo ia kushton nënës së saj dhe shpresës si ndjenjë  njerëzore, hyjnore, siç  shprehet në këngë.

Në vitin 1999, me kompozimin e Fitnete Tudës e realizoi një këngë Rovena Dilo, dhe morri pjesë pikërisht në Festivalin e Dhjetorit – siç e quajnë shpesh, me titullin “Më ndihmo të jetoj”.

Fitnetja vazhdoi me pjesëmarrjet e ndryshme muzikore. Në vitin 1999 dhe më pas në vitin 2003 ajo morri pjesë në festivalin ‘Kënga Magjike’.

Fitnetja e mendon përditë rikthimin në muzikë

Fitnetja e mendon shpesh rikthimin në muzikë, ndonëse thotë se rikthimi ndoshta është më i vështirë se fillimi!

“Ekziston një lloj psikologjie e tillë, që këngëtarët e vjetër të cilët i kanë dhënë shpirt festivalit janë tërhequr nga festivali. Alma Bektashi, Mira Konçi, Aleksandër Gjoka, Elsa Lila, këngëtarët duket sikur herët dalin në pension, e ndjej mungesën e këtyre këngëtarëve”

“Unë edhe pse nuk jam paraqitur para publikut, kam krijuar, kam shumë demoinçizime!  Një ditë  komunikova me një mike timen në internet, dhe duke e parë sa shumë është zhgënjyer nga njerëzit dhe duke pare dashurinë e saj për lulet, është aq e lidhur sa  flet me to, i kultivon ato, i thashë se ajo iu beson vetëm luleve!  Por meqë në horoskop jam gaforre, edhe këngët i bëj ngadalë, si gaforre. Ky është motivi i njërës prej këngëve të reja” tregon Fitnetja.

Këtë 6 shtator, ajo është ftuar nga grupi 403, në koncertin që  do të mbahet në amfiteatrin e Gërmisë, ku bashkë më Hektor Gjurgjialin do të këndojnë këngën “Ëndrra”. Që nga koha e studimeve të letërsisë, në Prishtinë, Fitnetja ka shkruar poezi, dhe ka një përmbledhje me poezi, të cilën nuk e ka publikuar.

“E kam peng, që nuk e kam publikuar një album muzikor, ashtu siç është libri për një shkrimtar, ashtu është albumi për një këngëtar. Këngët e festivaleve, me një orkestrim të ri, bashkë më këngët e reja, do të dëshiroja t’i përmbledh në një album. E dua shumë edhe letërsinë, leximi dhe shkrimi më përmbush dhe më bën të ndjehem më e plotë, të shkruaj prozë, kjo është sfida më e bukur, nuk i dihet, ndoshta do të kenë sukses si këngët” rrëfen Fitnetja.

Sot fëmijët dhe familja, Fitnetja thotë se janë muzika më e bukur e jetës së saj. Fitneten e lëmë në punën dhe angazhimet e saj, duke pritur të kthehet në skenë me këngët e reja dhe me fjalët e meloditë që në mendjen e saj nuk kanë të sosur.

*

Festivali i Fundvitit në RTSH – siç njihet ndryshe edhe si Festivali i dhjetorit apo Festivali i Këngës në RTSH, edicionin e parë e mbajti në dhjetor të vitit 1962. Festivali organizohet vit për vit, ndërsa është ndër festivalet më të vjetra në Evropë të këtij formati. Këtë vit do të mbahet edicioni i 58-të i Festivalit.

Në tërë këto vite, në këtë festival kanë parakaluar emrat më të mëdhenj të muzikës shqipe. Vaçe Zela, ndoshta zëri më i mirë shqiptar që ka ekzistuar ndonjëherë – këngëtarja e njohur dhe artistja e popullit, e ka fituar festivalin plot 11 herë, që prej edicionit të parë, ndërsa fitoren e fundit e pati në vitin 1980. Këngët që kanë marrë pjesë në këtë festival, pa rëndësi nëse kanë fituar ose jo, dëgjohen edhe sot. Këngët “Flakë e borë” – e kënduar në festival në vitin 1963, “Vajzat e fshatit tim” e sjellë në festival në vitin 1974, “Këputa një gjethe dafine” –këngë e festivalit në vitin 1978, “Ante i tokës sime” në vitin 2000, janë vetëm disa prej këngëve të cilat nuk harrohen dhe janë pjesë e repertorit brenda festivalit. Ndër vite, meqë në Kosovë nuk kishte një festival të përmasave të tilla dhe meqë këngëtarët donin edhe ta shprehnin në forma të ndryshme dashurinë për Shqipërinë, plot këngëtarë shqiptarë edhe nga jashtë Shqipërisë realizuan performancat e tyre në festival.

Gili
Gili, këngëtare e njohur nga Kosova, ka marrë pjesë disa herë në Festivalin e TVSH-së. Dy prej paraqitjeve të cilat ende kujtohen dhe sjellin nostalgji janë ajo e vitit 1996, kur Gili këndoi “Ding dong”, dhe një vit më vonë edhe paraqitja me këngën “Sikur të isha djalë”.

Mihrije Braha
Këngëtarja Mihrije Braha, emocionin e pjesëmarrjes në skenën e madhe të Festivalit të RTSH-së e provoi disa herë. Në vitin 1992, në edicionin e 31-të të Festivalit, ajo këndoi ‘Ta fala zemrën time’. Në vitin 1995 ajo u rikthye në festival me këngën ‘S`mund të jetoj pa ty’ – një tekst nga Mentor Gjurgjeali dhe orkestrim i Nexhat Mujovit – Virusit.

https://www.youtube.com/watch?v=ZbCoRVZe04o

Edona Lalloshi
Edhe Edona Lalloshi, këngëtare e njohur ndër shqiptarë, nga Kosova udhëtoi për në Tiranë për tu bërë pjesë e Festivalit të Dhjetorit. Në vitin 1994 ajo morri tekstin e Hil Mosit dhe e shkriu atë në këngën “Vajtim Dashurie”, ndërsa vitin që pasoi këndoi këngën ‘Kthemi ëndrrat’, në Festivalin e 34-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=MHKLMuyGUrk

Alma Bektashi
Edhe Alma Bektashi e konfirmon se këngëtarët nga Kosova për vite me radhë i kanë sjellë risi dhe freski këtij festivali. Përmendet sidomos kënga “Zhgënjimi” me të cilën Alma Bektashi la gjurmë në repertorin e festivalit. Me Aleksandër Gjokën ajo morri pjesë në festival në vitin 1994, me këngën ‘Ti nuk më tradhëton’, ndërsa në vitin 1995 morri pjesë e vetme me këngën ‘Kështu e ka jeta’.

https://www.youtube.com/watch?v=fXT7LN6bGps

Alberije Hadërgjonaj
Jo shumë këngëtarë nga Kosova kanë triumfuar në këtë festival. Alberije Hadërgjonaj ia arriti të bëhej e para kosovare që në vitin 1998 fitoi në festival me baladën ‘Mirësia dhe e vërteta’, një këngë e fuqishme për njerëzimin dhe e cila u lidh edhe me luftën që do të shpërthente në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Alberija është paraqitur në festival edhe me këngët “Pse vonon dashuri” dhe më këngën “Jeta nuk është lodër”.

Rona Nishliu
Rona Nishliu e ka provuar më vonë emocionin e skenës së festivalit. Para shumë vitesh ajo bashkë me Vesa Lumën dhe Teuta Kurtin, pas sukseseve në ‘Ethet e së premtes mbrëma’ u ngjitën në skenë me këngën “Flakareshë”. Megjithatë, suksesi për Ronën erdhi kur triumfoi në festivalin e vitit 2011-të, me këngën “Suus”.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).  

“Rrugë, rrugë, rrugë…” nga Fitnete Tuda (VIDEO)

Kur e kujtojmë Fitnete Tudën, sot gazetare dhe më larg muzikës, kujtojmë secilën këngë të saj.

I veçantë është secili emocion që vjen prej këngëve të saj.

Sidomos “Rrugë”, është një këngë që u këndua në vitin 1995 në edicionin e 34-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Asokohe një vajzë e re dhe një zë tepër unik, Fitnetja do të ngjitej në skenë me një tekst melodioz dhe me një këngë nostalgjie.

https://www.youtube.com/watch?v=1eJxXfKARQk

“Rrugë, rrugë, rrugë, Rrugë që më ftojnë diku, Dhe më pyesin për ku, për ku” është refreni i këngës së Fitnetes të cilën sonte po e sjellim në vëmendje të lexuesit. / KultPlus.com