Platforma “Prishtina” dhe kolektivi ANDRRAT MODERNE do të promovojnë librin PRISHTINA N’SHPI më 24 dhjetor, një album dhe një tregim fotografik i qytetit që përmbanë material të përzgjedhur nga gara e fotografisë me të njejtin emër, organizuar gjatë valës së parë të pandemisë, në periudhën prill – maj 2020.
Në festën e publikimit të librit fotografik të Prishtinës, platforma “Prishtina” lanson edhe garën e radhës “Prishtina N’Festë”që do të ftojë qytetarët të ndajnë momentet e tyre të festave të fundvitit, si viti i parë i lehtësimit të masave nga pandemia pas një periudhe të gjatë të izolimit.
Gara PRISHTINA N’FESTË do të zgjasë deri më 07 janar 2022, qytetarët e Prishtinës ftohen të garojnë duke ndarë fotografitë e tyre të festës në shtëpi, në rrugë, në bare, kafene, punë, familje apo natyrë, kudo që festojnë.
Platforma “Prishtina” është entitet dokumentar dhe artistik i Qytetit të Prishtinës që ka për qëllim involvimin e qytetarëve të Prishtinës në aktivitetet kulturore, artistike, ambientale, sportive dhe integrimit social e gjinor. /KultPlus.com