ADMOVERE hulumton përfshirjen e minoriteve në UP, për 12-të vite vetëm një student i komunitetit serb

Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u mbajt promovimi i publikimit ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’, të botuar nga ADMOVERE dhe nën mbështetjen e KFOS. Një hulumtim ky i bërë nga Aulonë Memeti dhe Fitore Metbala, shkruan KultPlus.

Drejtoresha e organizatës Aulonë Memeti, njëherit bashkautore e hulumtimit, tregoi se raporti ofron një analizë të masave afirmative për studentët e komuniteteve jo-shumicë dhe efektin e tyre ndër vite. Më konkretisht, publikimi përfshin të dhëna të detajuara statistikore për numrin e vendeve të rezervuara, numrin e të pranuarve dhe numrin e të diplomuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, për secilin fakultet të UP-së, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

‘Kuotat për studentët e komuniteteve jo-shumicë në UP janë zbatuar që nga viti 2004-2005, por tek në vitin 2016 është nxjerrë Udhëzimi Administrativ për aplikim të masave afirmative dhe vendeve të rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo shumicë në institucionet e publike të arsimit të lartë, sipas të cilit, kuota për përfshirje të studentëve të komuniteteve jo-shumicë është përcaktuar të jetë 12% nga numri i përgjithshëm i studentëve për pranim’, theksoi tutje Memeti.

Fitore Metbala, hulumtuese dhe bashkautore e raportit, poashtu tregoi se nga 11 dekanë të intervistuar, 10 kanë potencuar që dy vitet e fundit hyrja e kuotës prej 12% në numrin e përgjithshëm të paraparë të studentëve për pranim, ka shkaktuar problem, për shkak se vendet kanë mbetur të zbrazëta dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos në fakultetet me konkurrencë më të madhe.

‘Nga gjetjet e hulumtimit, del se gjatë 12 viteve, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në UP asnjëherë nuk janë plotësuar vendet e rezervuara më shumë se 50%. Ky plotësim prej 50% ndodhë vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, kurse fakultetet e tjera nuk i kanë plotësuar as 26% të vendeve të rezervuara për studentët e komuniteteve jo-shumicë’, potencoi tutje Metbala.

Ndërkaq, vlen të ceket se gjatë periudhës 2008-2020, në të gjitha fakultetet e UP-së janë paraparë 5 mijë e 372 vende për komunitetet jo-shumicë, vende që janë plotësuar vetëm 18.42%, pra me gjithsej 990 studentë të regjistruar nga komunitetet jo-shumicë.

‘Interesim më të madh studentët e komuniteteve jo-shumicë kanë shfaqur për Fakultetin e Mjekësisë, Filologjisë dhe Filozofisë. Ndërkaq, Fakulteti i Bujqësisë, Inxhinierisë Mekanike dhe Shkencave Matematike Natyrore janë fakultetet për të cilat ka më së paku interesim. Fakulteti i Filologjisë është fakulteti me numrin më të madhë të të diplomuarve, me një shkallë prej 72.72% e studentëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë’, theksoi Metbala.

Në hulumtim poashtu u bë e ditur se studentët e komunitetit turk, prijnë me numrin më të madh të të diplomuarve në UP, me gjiithsejt 119 të diplomuar, komuniteti boshnjak me 92 të diplomuar dhe komunitetet romë dhe egjiptian me nga 9 të diplomuar secili.

Kurse kërkesat kryesore të dakanëve të 11 njësive akademike ishin: të lejohet plotësimi i vendeve të zbrazëta; të rishikohet Udhëzimi Administrativ 09/2016; të merren vendime të bashkërenduara lidhur me zbatimin e masave afirmative për vendet e rezervuara, procedurën e përmbushjes së tyre dhe përcaktimin e numrit të paraparë për studentë mes Universitetit, MASh-it dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim. / KultPlus.com