Lekat e shndërruara në llamba dekoruese do të prezantohen në KultPlus Caffe Gallery

Lekat apo pacërrkat sikurse njihen në popull tashmë kanë ardhe në një dimension tjetër, të cilat nëpërmjet mjeshtërisë dhe kreativitetit të artistes Fitore Syla na vijnë si pjesë dekoruese e ambientit, përkatësisht nëpërmjet llambave elektrike, shkruan KultPlus.

Krijimi i artistes Syla na sjell llambat elektrike në tri mënyra: atë për tavolinë, llambe që vendoset në plafon dhe llambat e gjata që vendosen në dysheme.

Krejt ky art që lidhet me trashëgiminë kulturore, pasi që kjo bime ishte përdorë qysh nga kohërat e vjetra nëpër familjet shqiptare po vjen me një tjetër prurje artistike, e që mund ta shijoni për së afërmi nëpërmjet ekspozitës në KultPlus Caffe Gallery qw do të hapet më 16 dhjetor, në ora 19:00.  

Ndriçim, art, aromë pacërrke dhe degustim i verës ju pret në këtë mbrëmje të ftohtë dhjetori, e që do t’ju ofrojë një ngrohtësi që se keni përjetuar deri më tashti.

Jeni të mirëpritur!/ KultPlus.com

Fitore Syla gërsheton traditën me modernen, lekat i shndërron në llampa ndriçuese

Artistja dhe dizajnerja nga Prishtina ka sjell së fundi një prurje të re sa i përket interierit, dhe pikërisht lekat që janë përdorë më herët në familjet shqiptare i ka sjell në një format krejt tjetër, ato i ka shndërruar në llampa ndriçuese, shkruan KultPlus.

Ajo në njoftim ka treguar për këtë prurje artistike, e cila poashtu këtë projekt e ka sjell edhe nëpërmjet fotografive. KultPlus ju sjell më poshtë njoftimin e saj të plotë.

Fitore Syla Të gjithë i njohim “Lekat”! Ndër vite, i kemi përdorë në shtëpitë tona si ornamente, dhe në një kohë me kushte më të vështira, ato kanë shërbyer si mjet për t’u larë, duke u bërë për ne simbol i pastërtisë.

Duke jetuar në një familje ku assesi s’ke mundë t’i ikësh traditës për të dekoruar shtëpinë me leka, vendosa t’i rifunksionalizoj me një rol krejt ndryshe nga e kaluara. Po bëhen gati dy vjet që kemi filluar t’i testojmë në pemishten e babit në fshat, i cili me shumë dëshirë po kujdeset për to. I kemi mbjellë, i kemi lënë të thahen për 6 muaj dhe në fund u kemi dhënë frymë.

Ato tash i kemi shndërruar në llamba ndriçuese, me plot ngjyra, duke ia ruajtur plotësisht formën organike e vetëm duke u dhënë jetë edhe më shumë përmes rikrijimit.

Kam zgjedhur eco – design sepse dua të kujdesem sado pak për planetin dhe ndjehem më mirë duke bërë art me një qasje më të menduar!/ KultPlus.com