Studio ‘CEBRA’ shpallet fituese për Qendrën Multifunksionale të Vjosës

Studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” u shpall sot fituese e konkursit ndërkombëtar të dizajnit për Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa”.

Në ceremoninë e shpalljes së projektit fitues në TKOB konkurronin me idetë e tyre studioja holandeze “Casanova+Hernandez Architecten”, ajo daneze “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”, si dhe studioja spanjolle “Ensamble Studio”.

Juria e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativ në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ne do të vazhdojmë përgatitjen dhe detajimin e këtij projekti që sot ka hapin e parë. Kemi shumë hapa për të bërë dhe viti 2024 do të jetë periudha e draftimit të projektit final dhe fillimit të zbatimit në territor”.

Përfaqësuesi i studios projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” falënderoi jo vetëm për vendimin, por edhe që ishin pjesë e këtij konkursi. “Mendoj që kjo është një provë e fortë që arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me të bukurën, por edhe me ndryshimin e transformimin”, shtoi ai.

“Arkitektura është mjeti për të bërë gjënë e duhur, simbolizon këtë proces për të shkuar diku dhe shpresoj se do ta zhvillojmë projektin së bashku, ta bëjmë më të mirë si ekip. Presim me padurim ta bëjmë këtë gjë, jam një tifoz i asaj çfarë po bëni dhe i ‘Patagonias’”, tha ai.

Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.

Në konkursin e lançuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e Patagonia dhe IUCN morën pjesë 16 studio vendase dhe të huaja./atsh/KultPlus.com

UNESCO nis zgjerimin e Listës së Trashëgimisë Botërore

UNESCO ka filluar të shpallë vendet e reja që do të shtohen në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Lista e iniciativës së OKB-së është një përmbledhje e monumenteve me rëndësi të veçantë për racën njerëzore.

Qoftë nëpërmjet një kontributi të jashtëzakonshëm njerëzor apo mrekullisë së pastër të bukurisë natyrore, vendet e Trashëgimisë Botërore mbrohen për t’u siguruar që ato të ruhen për brezat e ardhshëm.

Këtë muaj, Komiteti i Trashëgimisë Botërore do të mblidhet në Riad, Arabinë Saudite, për të futur një grup të ri vendesh në listë. Përpara se të mblidhej komiteti, kishte 1157 vende të trashëgimisë botërore.

Lista tashmë është rritur dhe ka shpallur faqet e reja që nga 16 shtatori.

Këto janë disa nga vendet e reja më të dukshme të shpallura në të gjithë Evropën deri më tani.

Gordion – Turqi

I vendosur rreth 70 km në jugperëndim të Ankarasë, ky vend arkeologjik është ajo që ka mbetur nga Gordioni, kryeqyteti i Frigjisë. Qytetërimi i lashtë ishte bashkëkohës i grekëve të lashtë me mitet e mbretërve të tyre Gordias, Midas dhe të përshkruara në ‘Iliadën’ e Homerit.

Trashëgimia hebraike-mesjetare e Erfurt-it- Gjermani

I vendsour në mes të Gjermanisë, qyteti i Erfurtit ka një grup mbresëlënës të vendeve kulturore të ruajtura të Mesjetës. Daton nga shekulli 11-14, Sinagoga e Vjetër, Mikveh dhe Shtëpia e Gurit japin një pamje magjepsëse të jetës hebreje në Gjermani.

Kaunas moderniste: Arkitektura e Optimizmit, 1919-1939 – Lituani

Mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kryeqyteti i Letonisë ishte Kaunas. Qyteti u rigjenerua tërësisht nga filozofia e arkitekturës së lëvizjes Moderne. Ende të pranishme sot, rrugët urbane të Kaunas janë një kujtesë e asaj epoke magjepsëse.

Qyteti i vjetër i Kuldīga – Letoni

Një shembull tjetër i një qyteti të shëtitshëm, rrugët e të cilit janë të mbushura me trashëgimi kulturore. Kuldīga u rrit nga një fshat i vogël mesjetar në shekullin e 16-të në një qytet të rëndësishëm artizanal dhe tregtar mbi 200 vjet. Ndryshimet në arkitekturë shihen edhe sot.

Vendet prehistorike të Menorca Talayotic – Spanjë

Që nga viti 1600 p.e.s, komunitetet kanë jetuar në ishullin Menorca të Spanjës. Strukturat, mjetet dhe vendet e varrimit sjellin njohuri për mënyrën se si njerëzit jetonin në Menorca, si dhe ritualet dhe zakonet e tyre mbi një mijëvjeçarë përpara se krishterimi të vinte në brigjet evropiane.

Kështjella e Unazës së Epokës Vikinge – Danimarkë

Në pesë vende të ndryshme, ka unaza monumentale në Danimarkë që shënojnë vendin ku dikur qëndronin kështjellat e Vikingëve. Të ndërtuara mes viteve 970 dhe 980 të erës sonë, Aggersborg, Fyrkat, Nonnebakken, Trelleborg dhe Borgring ishin të gjitha vendndodhje kyçe në Dinastinë Jelling të Perandorisë Vikinge.

Zhatec dhe peizazhi i Saaz Hops – Çeki

Shkoni në Žatec dhe ju garantohet një kohë e mirë nëse jeni adhurues i birrës. Fushat pjellore të  bimës së hopit pranë lumit Ohře i ofrojnë zonës bazën për industrinë e saj të shkëlqyer të birrës, e cila ka sjellë revolucion industrial në qytetin mesjetar./klankosova/KultPlus.com

 Studioja e arkitekturës ‘Kengo Kuma and Associates’, fituese e konkursit ndërkombëtar për Qendrën e Vizitorëve në Butrint

 “Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.

Juria ndërkombëtare e mbledhur sot shqyrtoi katër projektet finaliste për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit, portën hyrëse në këtë pasuri të UNESCO-s.

Katër studiot finaliste ishin:

• Kengo Kuma & Associates (Japoni)

• Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë)

• Philippe PROST / AAPP (Francë)

• William Matthews Associates (Mbretëria e Bashkuar)

Procesi i seleksionimit dyfazësh u organizua nga Malcolm Reading Consultants në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. Konkursi u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Juria përbëhej nga: Elva Margariti, ministre e Kulturës, Shqipëri; Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF; Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo Añón, themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO; Thomas Vonier, iIsh-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, partner i Chesapeake Strategies dhe Matilda Pando, kryetare e Shoqates se Arkitekteve te Shqiperise dhe themeluese e MATT Architects.

I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.

Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar./atsh/KultPlus.com

Klubi Basketbollistik i Femrave ‘Bashkimi 1965’ fitues i Kupës së Kosovës

Klubi Basketbollistik i Femrave, ‘Bashkimi1965’, nga Prizreni janë shpallur kampione të edicionit 2022/2023 në basketboll në nivel vendi, shkruan KultPlus.

Vajzat e këtij klubi në finale janë përballur me Klubin Basketbollistik, KB Prishtina, prej ku edhe dolën fituese të Kupës së Kosovës./ KultPlus.com

Shpallet fituesja e “Muza Competition”

“Muza Competition”, konkursi që bashkon tradicionalen dhe modernen dedikuar të rinjve në fushën e modës, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, u përmbyll mbrëmë me fituesen e këtij edicioni.

Fituesja e vendit të parë të “Muse Competition” nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dizenjatorja më e mirë për këtë edicion është Anisa Dudaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, i cili dha trofeun për fituesen e çmimit të parë, u shpreh se aktivitete të tilla, që bashkojnë, i shërbejnë më së miri në këtë moment kombit tonë.

“Nuk ka nevojë të shkojmë jashtë për të vlerësuar veten, nuk ka nevojë të vijnë të huajt këtu për të na vlerësuar ata. Më në fund kemi një super aktivitet, që shpresoj do të vazhdojë çdo vit, me një super juri, por mbi të gjitha me super çuna dhe goca të talentuar, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Jam shumë krenar për ju të gjithë! Kohët e fundit ne, politikanët, e kemi prishur pak, mundohemi të gjejmë sebepe për cic-mice, për sherret e vogla për tre vota këtu, për pesë vota atje. Kur një aktivitet ndodh në Tiranë, nuk ndodh në Moskë, ndodh në Tiranë. Doku Fest ndodh në Prizren, nuk po ndodh në një qytet rus, po ndodh në një tjetër qytet shqiptar. Ndaj, le t’i lëmë mënjanë çudirat që kemi parë këto kohë, dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Orët që po jetojmë, janë orët më të mira për shqiptarët,” u shpreh Veliaj.

Konkursi u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga gjithë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e punësimit në ekonomitë krijuese, nxitjen e krijimit të bizneseve start-up në këtë fushë dhe zgjerimin e bizneseve. Juria e përbërë nga disa figura të njohura të fushës së fashion dhe dizajn-it si Fadil Berisha, Aferdita Onuzi, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti përzgjodhën aplikantët më të mirë përgjatë tre fazave të konkursit./tvklan.al / KultPlus.com

Melisa Ibrahimi triumfuese në Rusi, fiton vendin e parë në ‘International Music Competition Moscow’

Pianistja Melisa Ibrahimi është shpallur fituese e vendit të parë në garën ‘International Music Competition Moscow’ që është mbajtur në Rusi, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga vetë pianistja, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se ndjehet shumë e lumtur për triumfin në Rusi

‘Pafundësisht falenderuese ndaj profesoreshës sime Alberta Troni, personi kryesor në arritjet e mia dhe shembulli më i mirë që kam para vetes. Faleminderit familjes për përkrahjen e vazhdueshme’, ka shtuar tutje Ibrahimi. / KultPlus.com

Nora Gjakova fiton medaljen e artë në Grand Slamin e Tbilisit

Xhudistja kosovare e ka fituar medaljen e artë në evenimentin që po mbahet në Gjeorgji. Nora shkëlqeu në kategorinë deri në 57 kilogramë duke i fituar të gjitha meçet.

Në xhiron e parë, Gjakova ishte e lirë, ndërsa në rrethin e dytë e mundi me Ippon ukrainasen Mariia Skora.

Në meçin e dytë garuesja kosovare e mposhti po ashtu me Ippon garuesen nga Austria, Sabrina Filzmoser. Ndërkaq, në çerekfinale Nora ajo e mundi serben Marica Perisic.

Gjakova ishte e sigurt edhe në gjysmëfinale, ku ishte më e mirë se sllovenia Kaja Kajzer.

E në finale, 28 vjeçarja u tregua më e suksesshme se garuesja nga Gjeorgjia, Eteri Liparteliani, duke fituar kështu edhe pikë olimpike. Kosova po përfaqësohet në këtë Grand Slam me katër garues.

Nesër do të garojnë dy xhudistët tjerë të Kosovës, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu, kurse të dielën Loriana Kuka. / KultPlus.com

Gala Aliaj shpallet fituese e “The Voice Kids” në Belgjikë

Fituesja e këtij edicioni në spektalin “The Voice Kids” në Belgjikë është një shqiptare. Ajo është Gala Aliaj, vajza e artistit Robert Aliaj, e cila në fakt spikati që në nisje të konkurimit të saj në këtë program, duke tërhequr vëmendjen e jurisë dhe publikut.

Në mbrëmjen finale Gala performoi dy këngë të Elton John duke marr kështu trofeun e spektaklit.

Kujtojmë se Gala jeton në Blegjikë, aty ku dhe ka lindur, ndërkohë që ka tërhequr vëmendjen për zërin e saj që në audicionet e fillimit, ku anëtarët e jurisë kthenin menjëherë karriget, që në notat e para të këngës. Edhe mediat belge e kanë vlerësuar vokalin dhe talentin e Gala Aliaj. / KultPlus.com

Jonida Brahimaj fituese e Lyra Fest 2017-të

Festivali i këngës për fëmijë Lyra Fest sivjet realizon edicionin e 11-të tij duke krijuar traditë në qytetin e Gjakovës.

Mbrëmë ky festival në skenën e tij solli magji për fëmijët dhe në fund fare u ndanë edhe çmimet. Vendin e parë e mori Jonida Brahimaj, ku muzikën e këngës e kishte bërë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi, shkruan KultPlus.

KultPlus, po i publikon fituesit e sivjetmë të Lyra Fest, nga vendi i parë e tutje:

Vendi I – Jonida Brahimaj, muzika: Memli Kelmendi.
Vendi II – Flutra Lokaj, muzika: Shkodran Tolaj; dhe Mario Zaja&Anxhela Vathi, muzika: Ylli Kalaja.
Vendi III – Krojza Krasniqi, muzika: Butrint Bicurri;
Vesa Konjufca, muzika: Armend Rexhepagiqi;
Vlera Shala, muzika: Mimoza Kurshumlia.
Çmimi “Lyra Fest 2017” – Oqeana&Perla Batalli, muzika: Mimoza Kurshumlia.
Çmimi “Paraqitja më e mirë skenike” – Krojza Krasniqi, muzika: Butrint Bicurri.
Çmimi “Dueti më i mirë” – Nota Qirezi&Riga Maxhuni, muzika: Urim Qirezi.
Çmimi “Debutanti më i mirë” – Elis Bajrami, muzika: Hysni Klinaku; Erion Ballanca, muzika: Vagner Nushi.
Çmimi i shkollës “Misbah&Friends” – Vesa Konjufca, muzika Armend Rexhepagiqi.
Sivjet në Lyra Fest numri i këngëve pjesëmarrëse ishte mbi 200, me autor të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare./ KultPlus.com

Ana Kodra do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision (VIDEO)

Këngëtarja e vogël Ana Kodra, u shpall fituese e Junior Fest Albania, duke fituar kështu të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Junior Eurovision Song Contest, shkruan KultPlus.

Me këngën ‘Mos ma prekni pemën’, me muzikë të Kristi Popes e tekst të Jorgo Papingjit, Ana do të ngjitet në skenën e Junior Eurovision më 26 nëntor në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Ana se fundmi fitoi edhe në Festivalin Mbarëkombëtarë të Këngës për Fëmijë në Shkodër./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=-QjwAfOpn5o&feature=youtu.be

‘O zambak lule n’parajsë’ fitoi çmimin e parë të ‘Zambakut të Prizrenit’

“O zambak lule n’parajsë” është fituese e edicionit të 29-të të festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili u mbyll mbrëmë.

Në kinemanë Lumbardhi në Prizren, të dielën në mbrëmje u mbajt edicioni i 29-të i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

Në edicionin e 29-të u paraqitën 15 këngë, të cilat garuan për çmimet tradicionale të festivalit.

Juria profesionale në këtë përbërje: Kriste Lekaj ( kompozitor), Butrint Bicurri (kompozitor), Kreshnik Aliçkaj (kompozitor), dhe Osman Goranci (publicist), vendosi që çmimin e parë t’ia ndajë këngës “O zambak lule n’ parajsë” me tekst të Hivzi Krasniqit, kompozuar dhe orkestruar nga Tomor Berisha, e kënduar nga Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kelani.

Çmimin e dytë e fitoi kënga “Ugurlar olsun” me tekst të autorit Shahin Çangae, kompozuar nga Hysein Kazaz, orkestruar nga Edon Ramadani e kënduar nga Tolga Kazaz.

Çmimin e tretë e ftoi kënga “Elegji për dashuri” e Artan Bakisë, i cili e ka bërë tekstin, kompozimin, orkestrimin dhe e këndoi.

Çmimin “Zambaku i argjendtë” si çmim i publikut e fitoi kënga “Balada X” me tekst të autorit Lebit Murtishi me kompozim dhe orkestrim të Besim Berishës e kënduar nga Andi Qerreti dhe Vanesa Kastrati.

Për interpretim më të mirë u vlerësua këngëtari Ilsi Ademi.

Teksti më i mirë u vlerësua teksti i këngës “Violine e vjetër” i autorit Agron Kalludra./ KultPlus.com