Fjala Wordle kurorëzoi vendin e parë si termi më i kërkuar i Google në botë dhe në SHBA në vitin 2022, përcjell KultPlus.
Kërkimet u zbuluan nga gjigandi i teknologjisë në raportin e tyre vjetor “Year in Search”.
Inxhinieri i softuerit Josh Wardle në vitin 2021 e zbuloi këtë lojë, derisa thjeshtësia e saj e përditshme të fjalëve ka gjetur tërheqje masive të audiencës.
Përdoruesve u jepen maksimumi gjashtë përpjekje për të gjetur fjalën e ditës. Është gjithmonë një fjalë me pesë shkronja dhe fjala është e njëjtë për të gjithë përdoruesit.
Wordle u bë aq popullor saqë kërkimet në Google nga lojtarë të dëshpëruar që kërkonin përgjigje ndikuan në tendencat e tjera kryesore të kërkimit të Google.
Shtatë nga 10 përkufizimet më të kërkuara të fjalëve në 2022 ishin përgjigjet e Wordle duke përfshirë kakao, homer, canny, foray, trove, saute dhe heshtur. /KultPlus.com
Lorik Arifaj, gazetar i Radio Televizionit të Kosovës ka njoftuar se sot në moshën 69 vjeçare ka vdekur babai i tij, Shaban Arifaj, i cili për vite me radhë ka qenë ikona e televizionit kosovar.
“Te dashur miq,
Me dhimbje te thelle, ju njoftojme se sot ne moshen 69 vjecare ka nderruar jete baba jone Shaban Arifaj. Per detajet rreth varrimit ju njoftojme nderkohe, pasi qe trupi ndodhet ne Shkup.Ju jemi mirenjohes per mesazhet mbeshtetese qe na keni dhene gjate gjithe kohes.Ne u munduam ne maksimum, por Zoti e deshi kete engjull prane.Do te te duam baba jone deri sa te kemi fryme. PUSHO NË PAQE”, ka shkruar Lorik Arifaj.
Shaban Arifaj kishte lindur më 6 maj, 1952, në Istog ku kishte kryer shkollimin fillor dhe të mesëm.
Kishte studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kishte mbaruar edhe studimet e larta për gazetari si dhe studimet post-universitare nga lëmi i komunikimeve masive dhe kishte fituar titullin Master (Msc) i shkencave në komunikimin masiv dhe gazetari.
Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njekohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.
Nga viti 1999, ai kishte punuar si redaktor dhe redaktor përgjegjës për 10 vjet rresht në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krahas punës në RTK dhe RTSH, ai kishte ndjekur edhe një varg seminaresh për ngritje të vazhdueshme profesionale si në Virginia të SHBA-ve, Montreal të Kanadasë, Selanik të Greqisë etj. Në Institutin e Medies së Kosovës, kishte përfunduar trajnimin duke e marrë titullin e trajnerit të gazetarisë.
Krahas gazetarisë, ku kishte realizuar raporte, kronika, intervista etj., ai kishte shkruar edhe tekste të ndryshme publicistike, pastaj tregime, drama, romane siç janë “Eklipsi në mesditë”, “Dialogu me fqinjin”, “Harmonia në temperaturën minimale”, “Katraligu”, “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, dhe librin shkencor “Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion”. / KultPlus.com
I thanë fjalës: tani je e lirë. Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet. E ç’më duhet kur s’u thashë atëherë kur duhej? Kam mbetur pa krahë, kam mbetur pa qiell, jam jetë pa ëndërr, jam ëndërr pa jetë. I thanë fjalës: je e lirë. Vështirë, tha fjala, sa vështirë të besosh se je e lirë; pasi ke ngrënë rrokjet e tua, pasi ke mbetur cung dhe liria bëhet burg. I thanë fjalës: liria jeton. Fjala ua ktheu: S’jam si Konstandini që pas vdekjes udhëton. I thanë fjalës: ti je liria. Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak. Ajo e besoi, ajo hapi gojën, po në vend të tingujve prej saj doli gjak. / KultPlus.com
“Jam mësuar edhe me meshkuj që i kanë thënë grave pa pikën e turpit se nuk janë më të nevojshme në kompani që prej momentit që kanë lindur fëmijë, ose i kanë thënë se gratë të cilat bëhen nëna vjedhin kompaninë. Dhe kështu, me kohën, kam mësuar se kujt duhet t’i besoj dhe si t’u jap zgjidhje situatave thjesht duke folur. Duke folur me gra të tjera.”
Nga Chandler Baker
Përgjatë karrierës sime, fillimisht si avokate dhe sot si shkrimtare, kam mësuar se nëse gratë kanë një superfuqi është fakti se ato flasin: në tualet, përpara një gote me verë, gjatë shëtitjes, në chat. Eksperienca më thotë se meshkujt herë pas here tentojnë ta zhvlerësojnë me përçmim këtë aspekt (“gratë flasin shumë”, “nuk e qepin kurrë gojën” etj…). Por në të vërtetë unë besoj se kanë frikë nga ajo që mund të themi. Dhe a e dini një gjë? Ndoshta nuk e kanë edhe aq gabim.
Kjo sigurisht që nuk është diçka e re për çdo grua që ekziston në këtë botë prej disa dekadash. Gjithsesi, në vitin 2017 me nisjen e lëvizjes #MeToo, idea që fjalët e grave të përbashkuara në një kor mund t’i jepnin jetë një lëvizjeje kërcënuese për patriarkatin, i dha të gjithëve përshtypjen se ishin pjesë e një revolucioni.
Në atë kohë isha e angazhuar në një zyrë ligjore dhe shkruaja tregime për të rinj. Ky ishte zhanri që më pëlqente të lexoja kur isha adoleshente, por për të qenë e sinqertë ishte një angazhim që nuk më kërkonte të rrëmoja shumë në eksperiencat e mia personale. Por kur pashë të gjitha gratë e botës që postonin fjalën “Me Too” në rrjetet e tyre sociale, pësova një trandje. Ndjeva urgjencën për t’u bërë një shkrimtare ndryshe sa kisha qenë deri në atë çast, një shkrimtare më pak… e matur. Në një formë të cilën mund ta quaj kundër intuitës, forca e asaj lëvizjeje që po lindte dukej se ishte e varur nga gadishmëria e grave për të qenë vurnerabël. Dhe atëherë thashë: Erdhi momenti im.
Vendosa te projektet që do të mbaroja hartimin e librit me të cilin po punoja dhe nisa të mendoj për mënyrat se si kjo armë e dëshmuar dhe e fortë e rezistencës femërore, pra bashkëndarja e historive tona të jetuara, kishte një impakt në vetë ekzistencën time.
Ja pra disa prej gjërave që personalisht kam mësuar duke diskutuar, biseduar dhe më modestisht, duke bërë thashetheme me gra të tjera: kolegia më e vjetër më mësoi të përballesha me meshkuj që tentojnë të marrin meritën e ideve të mia, duke thënë me atë theksin teksian: “Ehiii, kjo është fiks si ajo që sapo thashë unë!”; avokatja e një studioje tjetër më mësoi të isha strategjike kur tregova për shtatzaninë time duke shmangur që kjo të ndikonte në pagën apo në bonuset e mia; ose edhe një tjetër kolege që më mësoi të mbaja gjithmonë me vete një dosje me certifikatat dhe arritjet e mia, të cilat duhet t’i kisha gati në çdo rast.
Shumë elementë të tjerë kanë lindur nga një përballje e ndershme mes kolegesh: një mike u ankua për faktin se meshkujt në kompaninë e saj kishin zakonin të iknin për një “happy hour” duke shkarkuar mbi të peshën e gjithë punës. Një kolege tjetër tregoi se vartësit e saj meshkuj nuk tregojnë mjaftueshëm respekt dhe lodhjen e saj si shefe që t’i disiplinojë.
Jam mësuar edhe me meshkuj që i kanë thënë grave pa pikën e turpit se nuk janë më të nevojshme në kompani që prej momentit që kanë lindur fëmijë, ose i kanë thënë se gratë të cilat bëhen nëna vjedhin kompaninë. Dhe kështu, me kohën, kam mësuar se kujt duhet t’i besoj dhe si t’u jap zgjidhje situatave thjesht duke folur. Duke folur me gra të tjera.
Në krye të gjithë kësaj kuptova se procesi im i ri krijues duhet të kishte si qëllim distilimin e këtyre eksperiencave të përditshme në portretizimin më efikas që mund të simbolizonte të qenit grua sot. Por pë ta bërë, duhej që unë vetë e para të hapja arteriet e ekzistencës sime.
Me përmasat që mori lëvizja, kuptova gjithashtu se nga një anë isha mirënjohëse që më në fund bota po i kushtonte vëmendje ngacmimit seksual, por nga ana tjetër ajo që doja më shumë ishte të thosha: “Një moment! Tani që kemi vëmendjen tuaj, na lini të tregojmë disa probleme specifike të grave në vendet e punës!”.
Kjo është pikërisht pikënisja ime çdo mëngjes në momentin që ulem para kompjuterit. Puna ime është e dyfishtë. Së pari dua që gratë të ndihen të përfaqësuara në çdo faqe. Nëse shkruaj “e zuri gjumi me nxehtësinë e laptopit që i djeg kofshët”, shpresoj që të ketë gra që thonë “pikërisht kështu është”, sepse kështu janë gratë dhe nënat që punojnë. Së dyti, dua të paraqes një fjalor dhe një perspektivë përmes së cilës të hapet një debat mbi detajet e politikave gjinore jo vetëm në ambientet profesionale, por edhe më gjerë.
Sepse më besoni, veprimet e mia nuk diktohen nga ideja që turma burrash do të nxitojnë të lexojnë librat e mi, edhe pse për atë që ia vlen, mendoj se duhet. Përkundrazi, ajo që mund të përpiqem të bëj është të armatos gratë me fjalë të dobishme për të vazhduar debatin. Padyshim që unë jam thellësisht e vetëdijshme për faktin se askush nuk dëshiron të dëgjojë predikimet. Unë jam e vetëdijshme për ironinë e lehtë me të cilën debatuesit meshkuj mund t’i injorojnë gratë me terma si “qurravitje”, “ulërima” dhe “ekzagjerime”.
Për këtë arsye mendoj se një manifest feminist mund të jetë pjesë e një romani triller. Për ta mbyllur, dua të them se sot shkruaj sepse të kesh besim të gratë e tjera jo vetëm që është e nevojshme, por është një prej gëzimeve më të mëdha të jetës sime. (A ka gjë më shpërblyese se një darkë me një, ose akoma më mirë me katër mikesha?)
Sepse kështu flasim, ndajmë gjëra së bashku, hyjmë në komunikim me njëra-tjetrën, e duke bërë kështu, vëmë në diskutim status quo-në. Pikërisht ky është qëllimi im pse shkruaj.
Chandler Baker është avokate nga Teksasi në SHBA, e cila nëpërmjet një romani ka zbuluar ngacmimet dhe padrejtësitë e grave në vendet e punës.
(Artikulli u përkthye nga Erjon Uka) / KultPlus.com