Fjalori më i madh i gjuhës shqipe do të jetë gati në muajin nëntor.
Fjalori, i cili do të përmbajë rreth 120 mijë fjalë, do të vijë fillimisht në formatin virtual nga interneti, ndërsa në vitin 2025 do të vijohet edhe me procesin e printimit.
“Ky fjalor është dorëzuar. Do të ketë nevojë për modifikime të vogla teknike. Ndërkohë do të jetë i hapur fillimisht në qarqet akademike për të marrë mendime, korrigjime ose ide. Men një sasi faqesh të tillë normalisht për përdorim mund të shkojë deri në tri vëllime,” tregon Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
Fjalori i ri është hartuar mbi parimin e përfshirjes të të gjitha fjalëve të trevave shqiptare, shprehet pedagogu Rrokaj, i cili mban edhe rolin e zëvendëskryeredaktorit në këtë proces.
“Qëllimi i këtij fjalori është që të ngrihet mbi fjalorët ekzistues, që janë të Akademisë së Shkencave – kam parasysh fjalorët e viteve 1980, 1984, 2002, 2006, 2020 – dhe të ketë një areal shumë të gjerë, që i përgjigjet në mënyrë të drejtë hapjes së hapësirës shqiptare brenda trojeve etnike,” shprehet z. Rrokaj.
Fjalori i ri I gjuhës shqipe është një punë në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Shkencave të Kosovës si edhe gjuhëtarëve nga Maqedonia e Veriut./rtk/KultPlus.com
Akademiku edhe albanologu Jani Thomai festoi 85-vjetorin e lindjes mes kolegëve në Akademinë e Shkencave. Gjuhëtarët edhe studiuesit e vlerësuan për kontributin që ka dhënë në botimin e disa fjalorëve të gjuhës shqipe, transmeton KultPlus.
Mjeshtëri i fjalorëve të gjuhës shqipe, akademiku edhe
albanologu Jani Thomai, i cili ka dhënë kontributin e tij në fushën e leksikologjisë
dhe leksikografisë, por edhe në përgatitjen e disa brezave në 60 vjet karrierë,
festoi mes miqsh dhe kolegësh në sallën “Aleks Buda” datëlindjen e tetëdhjetë e
pesë.
Bashkudhëtarë e tij, por edhe ish-studentët e vlerësuan
gjuhëtarin, jo vetëm si dijetar të rrallë, por edhe si një njeri plot vlera
intelektuale, që vazhdon të jap kontributin e tij në ruajtjen e gjuhës shqipe,
derisa të rinjve t’u vijnë mend, shkruan Shqiptarja.
“Në këtë kohë të ligë të vlerësimit të përmbysjes së vlerave detyra është si një luftë, do të thotë që duhet që vlerat të nderohen dhe të çmohen, tani, kurdo edhe përgjithmonë. Por nuk jemi ne më të rinjtë, më të fortët kundër antivlerës, por janë vet profesorët e ndritur. Nuk kemi plakun bujar Jani Thomai, edhe pleq të tjerë bujar, por kemi djaloshin 85-vjeçar edhe djelmoshat e tjerë 90-vjeçar, që ngulmojnë të jenë të rinj, derisa të rinjtë që janë krejt të vjetër në mentalitet t’u vijnë mend. Nderime edhe rini sa më të gjatë në jetë juve edhe bashkëkolegëve tuaj. Rini të gjatë, sepse këtë rini në kulturën kombëtare e keni siguruar përjetë”, shprehet studiuesi Kristaq Jorgo.
Ndërsa, profesor Jani Thomai teksa shprehu mirënjohjen e tij për
nderimin që iu bë u shpreh mes të tjerash, se nuk ka aq kohë aq sa ka pasur
deri tani, prandaj meraku i tij për gjuhën shqipe është i madh, aq sa sheh si
detyrë të së ardhmes edhe hartimin e një fjalori të madh.
“Në raste të tilla, jubile edhe veprimtari, sikundër mund t’i ndodh gjithkujt edhe mua më kaplojnë shumë ndjenja të ndryshme edhe të trazuara. Një ndjenjë e fortë që e mbërrita këtë moshë, por edhe një kënaqësi kur më vlerësojnë punën, siç u bë këtu. E marrë këtë si nderim për mua edhe si vlerësim për punën, por le të themi se edhe pak trishtim, se nuk kam më aq kohë sa kam pas deri tani, se e ardhmja është më e shkurtër sa e shkuara, por edhe pak merak se nuk do të arrijë shumëçka që çdokush ka në kokë. Por kjo veprimtari më jep gëzim edhe mi fashit këto ndjenja”, shprehet profesori Jani Thomai, i cili dikton se është i domosdoshëm hartimi i një fjalori të madh me më shumë se 100 000 fjalë për gjuhën shqipe.
Gjuhëtari Jani Thomai është autor dhe bashkautor i disa fjalorëve të gjuhës shqipe. Ka botuar rreth 150 punime shkencore brenda edhe jashtë vendit. / KultPlus.com
“Fjalori i gjuhës shqipe” është instalacioni më i ri i vendosur në sheshin “Skënderbej” të Tiranës.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “po e përmbyllim Tetorin e Librit me një instalacion në sheshin “Skënderbej”, një libër gjigant, ndoshta më i rëndësishmi: “Fjalori i gjuhës shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë”.
“Ende gjatë montimit nisi të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve, të cilët nisën të bëjnë fotografi para tij. Por, ai fjalor është edhe funksional. Përmes një monitori, bashkëlidhur me të, mund të kërkoni kuptimin e cilësdo fjalë të fjalorit. Një mesazh për të njohur dhe dashur gjuhën tonë”, shprehet Margariti.
“Fjalori i gjuhës shqipe” është fjalori më i madh shqip-shqip i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar duke u mbështetur te “Fjalori…” i 1980-ës, ripunuar dhe përditësuar. Përmban rreth 35 000 fjalë, 7 000 njësi frazeologjike dhe mbi 100 000 kuptime, pra, leksiku aktiv i shqipes së sotme dhe një pjesë e rëndësishme e leksikut pasiv.
Fjalët në fjalor janë të vendosura sipas rendit alfabetik dhe sipas rendit të pjesëve të ligjëratës (emri, mbiemri, folja, ndajfolja…). Në të gjithë Fjalorin janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit të miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Fjalori është i pajisur me shpjegime për mënyrën e përdorimit, shkurtimet që janë përdorur, treguesin alfabetik dhe një pasqyrë gramatikore. Ky fjalor është tepër i nevojshëm për bibliotekat e familjeve tona. / KultPlus.com