Në Akademinë e Shkencave u zhvillua një takim i Këshillit Shkencor të Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e dy projekteve madhore të albanologjisë “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”.
Takimi u drejtua nga kryetari akad. Gjinushi, i cili në fjalën e tij të hapjes theksoi edhe njëherë rëndësinë e dy projekteve, si prioritete të studimeve albanologjike në ASHSH.
“Në të dy projektet, puna po ecën me ritme të kënaqshme. Ka filluar puna redaksionale për përgatitjen për botim të vëllimit të parë të “Historisë së shqiptarëve”. Synimi i botimit të këtij vëllimi, por edhe i veprës në tërësi, është qasja objektive ndaj zhvillimeve historike, duke u bazuar kryesisht në prurjet më të reja arkivore e studimore”, thuhet ne njoftimin e Akademise se Shkencave te Shqiperise, bere publik ne rrjetet sociale.
Sipas ASHSH, edhe në përgatitjen e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” puna ka hyrë në fazën e saj më intensive. Tashmë po punohet në dy drejtime kryesore, për ndërtimin e makrostrukturës së fjalorit dhe fillimin e hartimit praktik të tij, si një hap i fundit pas ngritjes së makrostrukturës dhe përfundimit të glosarit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për probleme të hasura gjatë punës dhe zgjidhjen e tyre./atsh/KultPlus.com