Kur dashuria vdes

Poezi nga Fjolla Hajrizaj

Bari më nuk është i gjelbër
Drita merr arratinë
Fundi i tunelit është fillim i tij

Kur dashuria vdes
Flet kujtimi
Ngjallet plogështia
Humnera thërret
Këmbët në ndyrësi sharrojnë

Kur dashuria vdes
Ka vetëm unë Ego
Mungon njeriu, tepron mbinjeriu
Kur dashuria vdes
Mungon gjithçka

Kur dashuria vdes
Këngët janë të trishta
Heshtje e zhurmë janë në sinkron
Mendime vrastare unin përpijnë
Valsi i lumturisë harrohet
Ti vrapon pas saj
Ajo ecën pas tij
Rëra i mbulon hapat tuaj
Forca lufton plagët e mia

Kur dashuria vdes
Dimri shtrin pushtetin e tij
Bën ftohtë
Frynë veriu
Mungon njeriu, tepron mbinjeriu

Kur dashuria vdes,
Ka retorikë boshe
Kush nuk flet pos natës
As hëna nuk del
Kambanat e kishës nuk bien
Lutje nuk i bëhen Zotit
Mëshira vdes

Kur dashuria vdes
Fotografitë mbesin arkivave
Qenia endet pa shpirt
Njeriu më nuk është njeri
Se dashuria vdes
E është ajo që njeriun e lindi

Ti akoma nuk e di ç’do thotë
Në purgator të rrish gatitu
Ti njëmend nuk e di se
Jetë e vdekje bëhen një
Kur dashuria vdes

Në këtë shtet pa kujtesë
Dashurinë e djeshme varrosim
Të nesërme nuk ka jetojmë sot për sot
Këtu, tani, mes nesh DASHURIA PO VDES!

(titulli i frymëzuar nga kënga e Armend Rexhepagiqit me po të njejtin titull) / Kultplus.com

Ende mungoni

Nga Fjolla Hajrizaj
(Dedikim)

Ende mungoni
Sa herë që derë e shtëpisë hapet e mbyllet
Festat parakalojnë në kalendar
e emri juaj përmendet
Sa e sa herë që zemra thyhet e gotat cakërrohen me shpresë
Hahet e pihet e loti përbihet…

Ende mungoni
Në varr, epitaf, në fundfaqe gazetash
në letra varur drurëve e shtyllave
Mungoni kur çjerrim zërin protestave
Veçse teproni në retorikën boshe
të atyre që atdheun kanë kryefjalë
e valutën kult
mbase edhe qëndroni
si simbol triumfi
në shkresat e okupatorit.

Ende mungoni…
Të pagjetur, të zhdukur,
të vrarë, të strukur në harresën kolektive
Ju që sot e mot
në muret e shtëpive jeni kopje fizike
e në testamentin e shoqërisë
plagë që kullon

Ende mungoni….
Në emër të dhimbjes
pse fshihen përgjigjet
kur ju mungoni?!/ KultPlus.com

Akt nga drama e jetës

Fjolla Hajrizaj

Qentë lehin natën

Kaq më mjafton të mendoj

Një poezie t’i jap jetë në natë

Qentë lehin natën e unë

Për kohën e pazakontë

Tek tuk për dhembjet e huqjet e mia

Për jetën e dalë binaresh

Për botën e çthurun krejt

Për vetminë e urinë e tyre mendoj

Mes vete mbase luajnë qentë

E unë përveç hallkave që më janë këputë

Për fatin e tyre në dimër mendoj

Për fatin e ndonjë njeriu që mund ta kenë gjah

Pagjumësia më lë çdo andërr në gjysmë

Por qentë lehin e veten dot nuk e ndihmoj

Mendoj, mendoj, mendoj

Pse në dramën e jetës gjithçka u prish?

Në vend të mrekullisë,

Me histori përbindëshash ngushëllohem

Ka më  keq se soji njeri veten e rrej

Nuk besoj e as nuk pres, thjesht lehin qentë

Në dramën e jetës gjithçka u prish! / KultPlus.com