‘Në nji vend ku nanat i mësojnë djemtë e tyne me i shkelun çikat e huaja, s’asht çudi kur ato dhunohen’

Nga Fjolla Spanca

Në nji vend ku djali rritet si mbret/princ/pasha, do a s’do, gruaja ka me qenë veç nji ‘copëzë mishi’ ose nji shërbëtore që i plotëson krejt nevojat e tij.

Në nji vend ku asht’ marre me fol e me i mësu fmijtë se dashnija s’ka kufi n’gjini e ditunia asht’ e shenjtë; ka me qenë gjithë e hidhun jeta.

Në nji vend ku nanat i mësojnë djemtë e tyne me fluturue e pastaj me i shkelun çikat e huaja; s’asht çudi kur këto t’fundit dhunohen sistematikisht.

Në nji vend ku arritja ma e madhe asht’ paraja, telefoni ose kerri/makina e shtrenjte, aty ku Instagrami ta dikton jetën dhe ku duhesh me u ly-ngjy për me ra n’sy: nuk ka fort shpresë për nesër!

Aty ku gratë e ulin kryet dhe e lshojnë dijen; ka me pasë vend për krejt t’kqijat… Aty ku gratë detyrohen me u futë n’dorën e t’fortëve s’kanë me çelun pranverat.

Atje ku burrat shesin mend se ‘pika ma e naltë me moral e nder asht motra’ e ka përthëkue e zeza oxhakun e konakut! / KultPlus.com

Për gratë që dashurojnë dijen…

Shkruan: Fjolla Spanca

Vetëm duke i edukuar gratë, do shërohen plagët në shoqërinë shqiptare. Qyshkur nënat lanë dijen dhe u mbyllën, mirësia u shtrembërua, kurse bota u bë gri prej dhimbjes. Qytetarët e denjë dalin prej gjoksit të një gruaje që e ka tejkalu botën e vogël për të notuar në detin e naltë, të Dijes dhe dashnisë.

Sa herë rrekem me kuptu madhninë e gruas, përpiqem mos me e ngatërru atë me imazhin e burrit. Ndoshta fjalët janë vocërrake kur turren me i vizatu dallgët e begatuara që dalin prej krahrorit të një gruaje. Asaj qenies së brishtë dhe të fortë; të lehtë e të rëndë; të pakursyer në mëshirë dhe të kulluar në dëshirë; asaj që s’mund të këqyret vetëm si lulishte e njerëzimit. Aniqë, nëpërmjet krahërorit të saj shpëtohet njeriu nga egërsia. Koha që fluturon dhe merr para gjithë ç’duket në horizont, qyshkur ka nxjerrë në pah shembujë të mrekullueshëm të grave fisnike; grave të forta; të ditura e të urta. Pra, bota është rrethuar prej të Mirës Sublime dhe sfidës së yshtur nga padija e smira.

Sami Frashëri dikur shkruante se po të mos ishte ndikimi natyror i grave, nuk do të zhdukej gjendja barbare dhe e egër e burrave, e ka mundësi, që meshkujt gjithherë do jetonin të prirë për të këqija. Ndërkohë Frashëri nuk e mohonte “togun” e të metave të veçanta të grave, për të cilat thoshte që më tepër rrjedhin nga forca e ndjenjave të tyre, ndaj sipas tij nuk mund të pohohet që nga natyra gratë janë më poshtë se burrat. Pra, aniqë historia ka kallzuar se gratë kanë qenë edhe burim ngatërresash e korrupsionesh, prej burrave kundrejt gruas janë bërë sa e sa barbarizma, dhunime e vepra çnjerëzore. Ndaj, Samiu nuk gjykonte e as fajsonte gratë për shkak të disa zonjave të zvetënuara që nuk munguar t’u japin shkas dredhive, biles ai vazhdimisht nënvizonte veçanërisht faktin se gratë kanë mbetur krejt mbrapa burrave në dituri e arsim. Ky shqetësim pak herë e ka shkund botën, kur dihet se përparimi i shoqërisë njerëzore varet nga edukimi dhe dija e grave.

Shtyllat elektrike, muret e larta dhe lumi pa urë

Gati çdo shtëpi që nuk e përthekon “qendra e qytetit” të paktën një herë në ca kohë është helmuar prej ekonomisë së dobët. Pastaj, mu këto familje përfshi dhe sheherlinjtë,  janë bezdisur prej pranisë së ca djemve të paedukatë që hera-herës ndalojnë vajzat teksa shkojnë a kthehen prej shkollës. Rrugët e pandriçuara dhe lumenjtë pa ura, e pamundësojnë qarkullimin, duke e kthyer atë madje, në sfidë serioze për plot qytetarë.

Të lodhura prej halleve e të shtrënguara nga sikletet ekonomike të vazhdueshme, vajzat në të katër anët e vendit, braktisin shkollën për t’u “ngujuar” në shtëpi. Shumë prej tyre presin transferimin në familjen e burrit, ku do të pastrojnë, gatuajnë dhe shërbejnë çaj e kafe, tërë ditën. Për këto gra, jeta çel dhe vyshket brenda mureve, fjalëve pa dobi, mërzisë dhe depresionit. Ama, me qenë me pak fat, vajzat martohen “jashtë”. Me e nxjerrë bijën “në Perëndim” është goxha lehtësim për familjet shqiptare. Detajet e tjera, nuk kanë rëndësi. Mjafton “mos me hjek keq”.

Por, nuk mbaron me kaq. Mes nesh, jetojnë vajza që në peshoren e prindërve dalin pa vlerë kundrejt djemve. Atyre u mohohet e drejta e shkollimit, sepse është vllai ai që mundet dhe di me ja dal ma mirë në jetë. Ose, prindërit besojnë se prej djalit do mbahen në pleqni, kurse vajza ik!

Sidoqoftë, ngado që rrotullohemi, para sysh takojmë sy të pa shpresë që ky vend i ka helmu me trishtim.

Me diplomë, ndezim zjarrin në dimër

Për ditë e lexoj mllefin e grave kundrejt qeverive që e mbysin shpresën për jetë më të lehtë. Mu kjo mërzi e ka rëndu ajrin prej motesh. Vajzat nuk detyrohen më veç me e braktis shkollën apo me u martu. Ato, pasi diplomohen mbyllen sërish në shtëpi ose punojnë në dyqane lagjesh, sepse vendet e punës janë të rezervuara për shoqet e tyre që kanë mjaftueshëm lidhje me pushtetin lokal/qendror. Vendet e punës janë të zaptuara prej burrave që kërkojnë “shpërblime” për nënshkrimin e tyre. Vendet e lira janë të ozurpuara nga partitë politike prandaj gratë (dhe burrat) e afta dhe të përgatitura mbeten nën hije.

Gratë që e kanë mohuar botën për ta njohur gruan brenda vetës, po ndrydhen prej paaftësisë tonë për t’i vlerësuar, pranuar dhe ndihmuar në përpjekjen e tyre për ta ndërru këtë sistem, që e ka tëhuajsu njeriun normal.

Me u rritë aty, ku të nalet rrita’

Ne shpesh harrojmë se gratë lindin e rriten në familje me probleme ekonomike, sociale, kulturore e politike. Ato shtypen herët prej kushtëzimeve. Madje, bashkjetojnë me kultin e “supremacisë mashkullore”, kult ky i dalun nga ca “norma” që rrjedhin prej zakoneve prapanike. Pra, ndër shqiptarë e më gjerë, vajzat nuk favorizohen sa djemtë, madje shtypen dhe nënvlerësohen, kur bjen fjala tek intelekti.

Rrjedhimisht, pa u hapërdarë në habi a çudi duhet me e pranu se këto vajza, vite më vonë, kur gëzojnë statusin e nënës, jo rrallë herë përsërisin gabimet e prindërve të tyre. Ato injektojnë tek djemtë, pushtetin e munguar, egon e fjetur dhe vetvlerësimin e mohuar. Shpejt, djemtë e nënave të shtypura, të rritur me lavde e fjalë të mëdha, ushtrojnë dhunë ndaj motrave, shoqeve apo bashkëshorteve të tyre.

Atëherë, me ose pa vetëdijë, ne po i falim botës fëmijë të padobishëm, të cilët janë të paaftë për t’i kryer shërbimet kulturore sepse e kanë mohuar dritën e gjysmës së njerëzimit, vlerën dhe bukurinë e punës së një gruaje.Ne i kemi lënë të heshtura gratë që janë dhuntisur me aftësi të jashtëzakonshme. Ato të mbyllura dobësohen nga trupi dhe sëmurën prej brengave. Pra, ne, shoqëria e fotografisë dhe internetit; shoqëria e udhëtimeve dhe ahengut, i kemi kyç dyert e shkollave kaherë, per t’i çel penxheret e paditurisë.

Me i dal para të keqës

Për t’u dalë para të këqijave, gratë duhet me u shkollu. Duhet me u eduku dhe duhet të merren me ndonjë profesion ose punë. Gratë nuk duhet të mjaftohen vetëm me dijen për të shkruar a lexuar. Edukimi i tyre është kusht thelbësor për një shoqëri të qytetëruar.

Sot, kur e brendshmja ka humbur, njerëzit ekspozojnë të jashtmen boshe dhe bajate.  Përtej debateve shtërpe, ne po jetojmë kohën e njeriut që ka nevojë për njeriun e ditur, të butë e zemërgjerë; jo për të paditurin. Në kohë të turbulluara si këto tonat, gratë që zbardhin netët në kërkim të dijes s’janë shumë, por janë! Janë mes nesh!  Ato nuk kanë nevojë me ju dëftu se çduhet me vesh; si duhet me ec; ku duhet me shku! Ato e dijnë amanetin e dhënë, se e kanë jetu atë momentin që e sjell dashnija për të Mirën! Gratë që marrin për me dhënë, janë shpresa e ditëve të bardha. Ato janë krah i fortë për burrat (si bashkëudhëtare në jetë) dhe forcë e madhe për gratë që kanë akoma udhë për të kalu tek dija! /tesheshi.com/

Mesazh për Ardit Gjebrenë: Nuk ta kisha uru me e pa vajzën tande n’atë pozicion

Balerinat, që trupi i tyre u përdor si lloj tryeze për tu ushqyer Ardit Gjebrea bashkë me një të ftuar në emisionin “E dielë”, ka revoltuar shumë ndjekës të këtij emisioni, ku edhe reagimet mbi këto pamje nuk kanë munguar, shkruan KultPlus.

Së fundi ka ardhë edhe një reagim nga Fjolla Spanca, një aktiviste e Kosovës, e cila ka shkruar mbi këtë emision, duke uruar që emisioni i Ardit Gjebresë të mbyllet. Më poshtë po e sjellim reagimin e saj të plotë që e ka postuar në rrjete sociale.

Trupi asht nder te Dhanunat Hyjnore qe tek ne vjen si amanet! Trupi asht cdo rrenqethje qe na e rrotullon zemren kur tinez vjedhet a dhunohet mishi jone. Trupi asht ai qoshku’ ku Shpirti endet lirshem dhe merr e jep sinjale diftuese te Frymes sone!

Atyne qe shpirti i asht mlu me petkun e padijes; atyne qe shpirti i asht nxi prej materializmit te shfrenum; atyne qe trupi i asht ba i huej prej mungeses se pershpirtminise, shume kisha dashte me ja u fal nji Pasqyre prej ku kishin me e pa Dritën mrena vetes dheeee se qysh e shuen marrezia Loçken e Zemres!!!

Kam dhimte t’madhe kur i shoh çikat e reja teksa çplohen neveritshëm per t’i plotsue tekat djallezore te disave. Jo se du me u ngaterrue ne zgjedhjen e gjithsekujt per me ba ca t’i teket me veten; por s’pranoj kurre qe per disa interesa/ cytje bajate modeli i menjeve te hallakatuna me u marre i mireqene dhe gruaja me u perdorun si ato kukullat kineze (kancerogjene) qe e prishin shnetin e fmijve!
P. S. #ArditGjebrea nuk ta kisha uru qe me e pa çiken tande n’qete pozicion! (si keto balerinat) AMA emisionit tand i uroj me zemer sa ma pak financime; pra PARE e pisllik. U mbyllte. Sa ma shpejt!!!
idhnushem,
Fjolla. Spanca.