“Flaka e Janarit 2023”, u shpallën më të mirët e Manifestimit

Me Gala mbrëmjen e organizuar në përmbyllje të “Flakës së Janarit 2023” janë përzgjedhur më të dalluarit në të gjitha shtyllat e këtij Manifestimi Shumëkulturor, i cili mblodhi artistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Në këtë ceremoni, Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka theksuar se familjet Zeka, Mala, Berisha dhe familjet e dëshmorëve të tjerë meritojnë mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e dhënë për liri, njofton Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.

Morina-Bunjaku tha se gjatë këtij muaji, Gjilani ishte identiteti i artit, kulturës, muzikës, dramës dhe i të gjitha shtyllave për të cilat kontribuuan të gjithë e ajo i ka falënderuar  të gjithë organizatorët e pjesëmarrësit, ngase Gjilanit i dhanë hapësirë të madhe që të bashkojë të gjitha trevat shqiptare.

Ajo tha se për më shumë se tri dekada, Gjilani identifikohet me “Flakën e Janarit”, andaj në këtë Gala Mbrëmje ajo paraprakisht ka përgëzuar të gjithë ata që do të shpërblehen. Ajo ka uruar që “Flaka e Janarit” të shndrit e të flakojë edhe me vite të tëra e më së shumti merita për këtë kanë ata që dhanë më të shtrenjtën për liri.

Në shtyllën e artit dramatik “Talia e Flakës” më të mirët që u shpallën ishin: Jeton Neziraj për tekstin më të mirë në shfaqjen “Babai dhe babai”. Erson Zymberi, regjia më e mirë në shfaqjen “Burrneshat”. Adem Karaga, aktori më i mirë, që luajti në shfaqjen “Nyjat” Shfaqja më inovative teatrore “Fausti” dhe Shfaqja më e mirë e Festivalit të Dramës Shqipe u shpall shfaqja “Babai dhe babai”.

Në këtë mbrëmje janë përzgjedhur edhe më të mirët e Festivalit të Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”. Vendin e parë e zuri solistja Olza Rashani me këngën “Heroi”, vendin e dytë e zuri Erta Hasani, që i ka kënduar Kosovës, kurse i treti doli Demush Sejdiu, që ka kënduar këngën “Heroit Agim Ramadani”.

Në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka” më të mirët u shpallën: Vendi i parë, Greta Azizi, që ka këndur këngën “Rrisim jetën tonë”. Vendin e dytë e zunë Anesa Bunjaku – “Kroi i fshatit tonë” dhe Mesut Bajrami – “Vajzë me kaçurrela”, kurse vendin e tretë e zunë Rina Kurteshi – “Albulena” dhe Arbër Maliqi – “Këngë bashkimi”.

U shpallën edhe enigmatët më të mirë të “Flakës së Janarit”, të cilët kanë konkurruar në dy kategori. Në zgjidhjen e enigmave i pari ishte Ekrem Krasniqi,  i dyti – Agim Ajvazi, kurse i treti ishte  NIjazi Ismajli. Në përpilimin e enigmave i pari doli Rexhep Hasani, i dyti – Fazli Berisha dhe i treti – Ekrem Krasniqi.

Çmimet i ka ndarë edhe juria vlerësuese për “Penelin e Flakës”, ku Çmimi blerës  i Galerisë iu dha  Xhevdet Dulajt për pikturën e tij “Kreshniku i Maleve”. Për “Penelin e Flakës 2023”, çmime morën edhe Merita Myderrizi – Maloku – “Peizazh” dhe Lirika Kastrati – “Njollë mbi njollë”.

Poezia më e mirë e orës letrare u zgjodh ajo e Ramë Oracës – “Rapsodi për tri dhembje”, derisa në konkursin letrar në poezi u ndanë këto çmime: Vendi i parë: “Për ty”, shifra: Safo, Vendi i dytë: “Na t’atëhershmit”, shifra: 0803, Vendi i tretë: “Nëse më kishe dashtë”, shifra: Unë Hamleti.

Në prozë: Vendi i parë nuk është dhënë, Vendi i dytë: “Zbardhëllimë” – shifra: Udhërrëfyesi dhe Vendi i tretë: “Bineqtë”  – shifra: L’keni i Hasit. Emrat e fituesve në konkursin anonim do të bëhen të ditur pasi që të deshifrohen me sjelljen e kopjes së tretë.

Çmimet për më të mirët i ndanë pjesëtarë të familjes Mala, Berisha e Zeka, udhëheqës shtetërorë e komunalë dhe krijuese e artistë të njohur.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2023” është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, me përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri, njofton Komuna e Gjilanit./ KultPlus.com

Kujtohet edicioni i parë i “Flakës së Janarit”

Me emërtimin e saj metaforik “Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj në shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes të atdhetarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e në tetë vjetorin e vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës duke u bërë një manifestim kulturor nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare në shërbim të vendit të tyre.

Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 Janar 1992 në trekëndëshin Bresalc-Gjilan-Përlepnicë, e në nderim të kësaj, aktivitetet e  ditës së parë të “Flakës…” së këtij viti kanë vazhduar në Bresalc, “Te Mejtepi”, dhe në Përlepnicë në “Shtëpinë e Kulturës”, ku në kujtim të nismës së këtij manifestimi kulturor, u shfaqën: dokumentare, u ekspozuan fotografi dokumentuese dhe u dhanë programe artistike.

Në Bresalc, i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se ndodhemi “Në Mejtepin” ku ka filluar manifestimi mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, ndërkohë që përveç Bresalcit, në kuadër të këtij edicioni  të 32-të, do të shkojmë edhe në Përlepnicë  për të kujtuar dhe përkujtuar edhe një herë fillimin e manifestimit mbarëkombëtar të “Flakës…”.

“Unë besoj se është tepër e rëndësishme që përveç ruajtjes së traditës së manifestimit “Flaka e Janarit”, t’i kthehemi edhe bazës edhe arsyes së organizimit të këtij manifestimi mbarëkombëtarë,  ku përveç përkujtimit të atyre që kanë rënë edhe atyre që janë angazhuar për lirinë tonë, ne po kthehemi edhe tek historia që ta transmetojmë te brezat që vijnë pas nesh”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai shtoi se manifestimi i këtij viti i “Flakës së Janarit”, ka edhe risi të tjera, përveç kthimit në gjenezën e organizimit, dhe në këtë formë, edhe me elemente të reja, me rikujtim dhe ruajtje të bazës së organizimit, po vazhdojmë traditën e organizimit të “Flakës…”.

Ndërsa, njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Shemsi Syla, ka folur për organizimin e këtij manifestimi kulturor, asokohe, duke sjellë në kujtim historikun e manifestimit të “Flakës…”, dhe ka vlerësuar kreun e komunës së Gjilanit që ka ndërmarrë këtë nismë për ta rikthyer në kujtesën tonë, një nismë shumë simbolike, por edhe tejet të rëndësishme të përkujtimit të heronjve dhe dëshmorëve të rënë, që ishin bartës të lëvizjes kombëtare për çlirim.

Syla ka thënë se ky ambient sado i vogël u bë vatër për të përkujtuar, përmes manifestimit që mori edhe emrin “Flaka e Janarit”, përherë rënien sublime të heronjve të kombit.

Po ashtu në këtë ambient u shfaqen pjesë të dokumentarit për “Flakën…” e asaj kohe, një ekspozitë me fotografi të aktiviteteve të “Flakës…”, por edhe një program artistik nga nxënësit, e një gjë e tillë, me një agjendë të njëjtë vazhdoi edhe në Përlepnicë të Gjilanit.

Në Përlepnicë, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku ka thënë se Manifestimi “Flaka e Janarit” mori identitet në Gjilan, por edhe i dha identitet Gjilanit.

Ajo ka thënë se “Flaka e Janarit”, filloi si manifestim i kujtesës historike mbi të kaluarën tonë të largët e të afërt, si vlerësim mbi Janarin e Skënderbeut, Janarin e përflakur të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe vargun e pafund të përpjekjeve, heroizmave e sakrificave  për liri.

“Për pak kohë, Gjilanit do të jetë kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, respektivisht  i artit gjithëkombëtar”, ka thënë ndër tjerash, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.

Ndërsa, Hydajet Hyseni, njëri ndër themeluesit e këtij Manifestimi, ka thënë se sot na ka bashkuar manifestimi ‘Flaka e Janarit”, që është “Flakë” e dëshmorëve që kanë rënë në janar.

Ai ka thënë se Janari është acar që ngrinë, por që di të përçojë e të jep flakë dhe se dëshmorët tanë ishin vet flakë, ishin vet zjarr, dhe ajo që mund të thuhet simbolikisht, është misioni i tyre për ta ruajtur Flakën e lirisë, për t’ua bartur brezave këtë flakë lirie.

“Dëshmorët e lirisë e merrnin flakën duke u sakrifikuar, për t’ua dhënë brezave që vijnë. Ata edhe ishin flaka që ndizet nga prushi dhe kthehet në dritë, kthehet në flakë”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Bujar Nevzati ka evokuar kujtime nga organizimi i këtij manifestimi ndër vite, duke i vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në themelim, por edhe në organizim të “Flakës…”, ndër vite.

Nevzati tha se “Flakën e Janarit “, e themeluan si një manifestim kulturor, por ajo me potencialin e saj e përhapi edhe idenë e çlirimit  të Kosovës, gjë që edhe u bë.

Nevzati shtoi se, edhe pas luftës, për më se dy dekada, kjo “Flakë…”  vazhdoi të mbetet e ndezur duke jetuar në të gjitha trojet shqiptare, duke i falur Gjilanit dhe Kosovës, një muaj aktivitet kulturor, në nderim të të rënëve për liri.

Ndryshe, aktivitetet e “Flakës…”, vazhdojnë sot me muzikë për fëmijë, ndezjen e Flakadanit të Flakës dhe muzikës për të rinj./

Ora e madhe letrare “Pena e Flakës” mbahet nesër

Aktiviteti letrar, “Pena e Flakës” e cila organizohet në kuadër të manifestimit kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2022”, do të mbahet nesër në Gjilan, shkruan KultPlus.

Tridhjetë poetë, nga midise të ndryshme shqiptare ( Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e gjetiu ), të cilët janë përzgjedhur përmes një konkurimi të hapur, më 31 janar 2022, ora 16:00, begatojnë “Flakën e Janarit”, këtë manifestim kombëtar të kulturës, me krijimet e veta dhe kështu nderojnë përmes vlerave të reja krijuese martirët, dëshmorët dhe figurat e ndritura të kombit, po edhe garojnë njëkohësisht për Çmimin më të rëndësishëm të pjesës letrare të këtij Manifestimi, “Pena e Flakës”.

Një juri letrare, e cila do të bëhet publike gjatë ditës së nesërme, do të bëjë zgjedhjen e fituesit.

Pena nisi rrugëtimin bashkë me “Flakën e Janarit”, që nga 18 janari i vitit 1992 e këndej. /KultPlus.com

Korçarët nuk vijnë shkaku i masave anti-COVID, Shfaqja ‘5 ditë mbret’ zëvendësohet me ‘Hollyshit’

Për sonte, natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare, i cili po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022’, ka qenë e paraparë shfaqja e Teatrit të Korçës ‘5 ditë mbret’, por organizatori ka njoftuar se shkaku i pandemisë është dashur të bëhet një ndryshim në program.

Shfaqja e natës së tretë ‘5 ditë mbret’ me skenar të Stafan Çapalikut e regji të Gjergj Prevazit, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça, është anuluar.

Në fakt masat e reja anti-Covid, sipas të cilave kërkohen dy doza të vaksinimit dhe testi për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, i ka pamundësuar trupës teatrore në Korça që të paraqitet para publikut gjilanas.

Organizatori menjëherë ka ndërmarrë masat për të plotësuar programin e kësaj nate dhe në vend të shfaqjes ‘5 ditë mbret’ do të shfaqet komedia “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, ku luajnë aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.

Kjo shfaqje është e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones. /KultPlus.com

Rezistenca pjesë fundamentale e artit bashkëkohor, Behluli: Ajo tenton të duket sa më autentike dhe e sinqertë

Uranik Emini

Përpara Teatrit të Qytetit të Gjilanit po mbledheshin një grup i njerëzve që kishin shprehur interesim për të parë ekspozitën e kuratorit Mehmet Behluli, i cili përmes një diversiteti artistësh po bëhej gati që të prezantonte përpara publikut ekspozitën e tij të titulluar me shumë kujdes, “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Rezistenca e vazhdueshme e komunitetit artistik, e shprehur sidomos gjatë kohës së luftës dhe masave të dhunshme në vitet e 90-ta, ndikuan që Teatri i Gjilanit të marrë statustin e atij profesionist vetëm pak kohë pasi të përfundonte lufta.

Me një elaborim të rezistencës në aspektin teorik, si dhe qëndrueshmërinë e paraqitur ndër vite përmes artistëve dhe rrugëtimit të tyre, kuratori Mehmet Behluli e bëri hapjen e kësaj ekspozite.

“Vitet 90-ta ishin të tmerrshme nga ardhja e Millosheviqit në pushtet, kur çdo gjë shqiptare pushoi së funksionuari dhe si pasojë e represionit të regjimit të tij të radikalizuar dhe agresiv, u imponua domosdoshmëria e rezistencës, pasi njerëzit u larguan nga objektet publike me dhunë, e që në mënyrë të natyrshme shtoi ‘rezistencën’. Edhe artistët paraqitën rezistencën e tyre në mënyrë artistike, ndonëse nuk ishte hera e parë që ata tentuan që përmes artit të tyre si mjet e vegël, të rezistonin, siç ishte rasti i bacë Adem Demaçit, i cili pikërisht me artin e tij letrar iu kundërvu represionit të kohës”.

Ai tregoi se “Rezistenca” e pas luftës së vitit 1999, ishte rezistencë ndaj shumë padrejtësive e sfidave, në kohë tranzicioni të gjatë, dhe duke kulmuar me rezistencën e sotme të artistëve bashkëkohorë, si rezistencë ndaj vetes.

Artistët e mirënjohur Jakup Ferri, Abedin Azizi, Brilant Milazimi, Agron Blakçorri, Fidan Bejtullahu dhe Bekim Zeqiri, përmes mediumeve të ndryshme sikurse videove, pikturave, instalacioneve u munduan të përçonin jo vetëm aspektin e jashtëm aritstik, por një mori kuptimesh që vizitorët mund t’i sendërtonin në përputhje me personalitetin e tyre, traditat kulturore dhe shoqërore që përfaqësonin dhe aspektet profesionale në sfondin e tyre individual.

Në një prononcim për KultPlus, Behluli tenton që të shpjegojë gjithnjë se politika dhe arti nuk duhen të përzihen me njëra tjetrën, pasi as njëra e as tjetra nuk luftojnë mes vete.

“Politika dhe arti e konsiderojnë njëra tjetrën sikurse armiq, por realisht kjo gjë nuk qëndron aspak”.

Duke tentuar që fjalën “Rezistencë” ta paraqes gjithnjë si një “luftë” më vetvete, Behluli tha se Rezistenca dhe koncepti i saj nuk është rezistenca me armikun ose me të tjerët.

“Ajo ka të bëjë pikërisht me vetvetën, si të jesh sa më shumë autentik, sa më i sinqert dhe i drejtpërdrejt dhe si rrjedhojë e kësaj të jesh normal”.

Tutje, Behluli përmendi edhe faktin se ai është munduar që përmes diversiteteve dhe mediumeve të ndryshme, të paraqes këtë ekspozitë për herë të parë në qytetin që ka lindur.

“Për mua është interesant që të prezantojë veprat e mija përpara publikut të Gjilanit, nuk kam pasur asnjëherë mundësi. Varg e Vi si komunitet artistik e ka bërë të mundur një gjë të tillë, i kam të dashtun dhe përzemër për shkak se janë entuziastë të rrallë që tentojnë t’ia shtojnë Gjilanit edhe një vlerë tjetër, siç është arti bashkëkohor. Qytetet tona e kanë problem që të kuptojnë se arti bashkëkohor është për vetvetën”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Varg e Vi, Avni Shkodra, tha për KultPlus se termi Rezistencë është më autentik për të gjithë ne, kjo edhe lidhet me Flakën e Janarit.

“Realisht, themelimi i Flakës së Janarit erdhi e gjitha si rezistenë kombëtare ose si rezistencë ndaj shtypjes për kulturën dhe artin shqiptar. Ne jemi munduar që edhe tani të bëjmë një rezistencë ndaj asaj të vjetrës, duke ndryshuar në procesin organizativ, por asnjëherë duke mos humbur trashëgimin kulturore të këtij Festivalit”.

Në fund, Shkodra u shpreh i kënaqur me këtë ekspozitë dhe me gjithë reagimin e publikut, i cili nuk ishte në masë të vogël përkundër temperaturave të ftohta në vend.

E gjitha kjo ekspozitë ishte organizuar për herë të parë nga organizata kulturore, Varg e Vi, e cila në kuadër të Flakës së Janarit, gjegjësisht Penelit të Flakës”, bëri edhe prezantimin e ekspozitës në bufenë e Teatrit të Gjilanit. /KultPlus.com

May be an image of 12 people, people standing and outdoors

Akademi tematike për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka në ‘Flakën e Janarit’

Në manifestimin e “Flakës së Janarit” në Gjilan, do të mbahet Akademia tematike për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 40-vjetorin e rënies së tyre.

Në këtë manifestim, që është i përvitshëm, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, derisa Akademia do të fillojë nga ora 19:30.

Më 17 janar janë mbushur 40 vjet nga atentati ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. /KultPlus.com

Pesë shfaqje do të prezantohen në dramën ‘Talia e Flakës’

Festivali i vetëm i Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Flakës”, në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit” dërgon në Gjilan disa vlera të dramaturgjisë kombëtare dhe vjen me shfaqje e program të pasur teatral edhe këtë edicion, shkruan KultPlus.

I pari në Gjilan, më 23 janar, prezantohet “Teatri i qytetit të Gjilanit” me shfaqjen “Viganët” nga regjisori Ilir Bokshi, autor Visar Krushan.

Më pas, Teatri Kombëtar i Kosovës do të prezantohet nga shfaqja “Aroma e Hënës” me regjisore Rozi Kostani dhe autor Mehmet Kraja.

Talia e Flakës do të vazhdojë më 25 janar me shfaqjen “5 ditë mbret” nga Stefan Çapaliku, e regjisor Gjergj Prevazi.

“Marksitët e Leninistët e Zvicrës” dhe “Gof kanë datat e rezervuara më 26 dhe 27 janar, derisa “Stiffler” do ta mbyllë këtë edicion.

“Talia e Flakës 2019” sivjet mbahet nga data 23 – 28 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit kurse të gjitha shfaqjet fillojnë me fillim në ora 19:30. /KultPlus.com

Ndizet Flakadani i ‘Flakës së Janarit 2022’, aktivitetet tjera vazhdojnë në nderim të Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe përfaqësues të familjes Mala e Berisha kanë ndezur Flakadanin e “Flakës së Janarit 2022”, i cili do të shndrit deri në fund të manifestimit shumëkultruror “Flaka e Janarit”.

Një flakadan tjetër është ndezur edhe të busti i Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në qendër të qytetit.

Me këtë rast, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se ky manifestin mëton që të nderojë figurat e njohura shqiptare që në janarët e kuq të lirisë u sakrifikuan për këto ditë që ne sot i gëzojmë dhe për obligimet që ne i marrim në drejtimin e institucioneve.

Jemi dyzet vjet nga ndarja e Kadri Zekës e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, ndërkaq 38 vjet nga ndarja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe vitet shkojnë e në të njëjtën kohë kujtimet për veprën e këtyre figurave të njohura shqiptare mbetën në historinë tonë. E ne si qytet, në 31 vite të “Flakës së Janarit” mbajmë një manifestim mbarëkombëtar, që është përtej komunës, që përfaqëson vendin e kombin shqiptar dhe në të njëjtën kohë, për ne është nder dhe privilegj që të vazhdojmë me organizimin e një manifestimi të tillë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai ka shtuar se shkaku i procesit zgjedhor së fundi jemi në një kohë edhe jo shumë komode për organizimin e një manifestimi, mirëpo duke e ditur që ky manifestim gjithnjë ka bërë bashkë edhe subjektet politike, “Flaka e Janarit” edhe këtë vit është organizuar mirë.

Sot u ndez flakadani e nga data 17 vazhdojnë aktivitetet tjera dhe në të njëjtën kohë do të provohet që nëpërmjet organizimeve të tjera t’i jepet një ngjyrë edhe më e veçantë 40- vjetorit të rënies të Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla.

Ajo për çka unë jam zotuar bashkë me grupin organizativ është se pas përfundimit të “Flakës së Janarit” do të ketë një dëgjim publik e diskutime të hapura lidhur me format e organizimit”, ka thënë kryetari Hyseni.

Në emër të familjes Mala e Berisha, përfaqësues të këtyre familjeve kanë shprehur falënderime për organizimin e këtij manifestimi dhe për pjesëmarrje. / KultPlus.com

Sot në Gjilan nis manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit 2022’

Sot në Gjilan nis manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit 2022’, që organizohet prej 31 vitesh, në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, të rënë përgjatë janarëve të acartë të historisë së Kosovës, në përpjekje të parreshtura për mbrojtje të identitetit dhe mëvetësisë, për pavarësi dhe sovranitet të trojeve etnike.

Aktivitetet e ditës së parë, më 11 janar, fillojnë me Homazhe për Dëshmorët (ora 10:00), për të vazhduar me vizitën në kazermën e Ushtrisë së Kosovës (10:30) dhe ndezjen e Flakadanit të Flakës, para Teatrit të qytetit (17:00).

‘Flaka e Janarit’ vijon tutje me një varg programesh përkushtuese, akademi, tryeza letrare, ekspozita, ‘Festivali i Dramës Origjinale Shqipe’, ‘Xixat e Flakës’ dhe të tjera, deri më 31 janar, kur pëmrbyllet me pjesët letrare dhe muzikore ‘Pena e Flakës’ dhe ‘Fest Flaka’, dy shtylla këto tjera të këtij manifestimi më unik në trojet shqiptare, i cili për tri javë rresht e bënë Gjilanin kryeqendër të kulturës kombëtare.

Manifestimi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni. /KultPlus.com

No photo description available.

Publikohet orari i aktiviteteve për manifestimin e flakës së janarit

Me fillim nga 11 deri 31 janar do të fillojë manifestimi i edicionit të 31-të i “Flaka e Janarit” në Teatrin e Qytetit në Gjilan, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, është publikuar edhe orari i aktiviteteve që do të shënojnë këtë edicion.

Gjatë këtij edicioni do të jepen edhe shfaqje të ndryshme në Teatër. /KultPlus.com

Flakadani i ‘Flakës së Janarit’ do të vazhdojë të ndizet, Gjilani në bashkëpunim me MKRS

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen e këtij Manifestimi, i cili nëpërmjet vlerave kulturore, nderon dëshmorët e heronjtë e kombit.

“Sot kam nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Sekretarin e MKRS-së për bashkëfinancim të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Në këtë edicion shënohet 40-vjetori i “Flakës së Janarit” si dhe i rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Rëndësia e kësaj ngjarje tejkalon qytetin e Gjilanit e shtetin e Kosovës. Ai është mbarëkombëtar. Flakadani i Flakës së Janarit, i Kadriut, Jusufit e Bardhoshit sikur tash e 40 vite, do vazhdojë prapë të ndizet!”, ka thënë kryetari Hyseni.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2022” i cili mbështetet në katër shtylla, artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor, nis më 11 janar me ndezjen e flakadanëve, ndërkaq përfundon më 31 janar me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.

Manifestimi mbarkombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” u themelua më 18.01.1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ndërkaq konsiderohet si Manifestimi më unik dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit. /KultPlus.com

Anulohen dy çmime letrare në manifestimin ‘Flaka e Janarit 2021’

Janë anuluar dy çmime të manifestimit letrar “Flaka e Janarit 2021”, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i cili organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka dy gara të ndryshme, njëri në kuadër të orës së madhe letrare për çmimin “Pena e Flakës” dhe konkursi anonim letrar për poezi dhe prozë.

Grupi punues i këtij manifestimi në përbërje nga Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale ( Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi ) dhe i konstaton këto gjetje:

Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar “BALADË”, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra dhe tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar “PALLATI I SORRAVE”, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari kanë qenë të publikuara më parë në medie.

Nisur nga këto dy të dhëna,  shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret  e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021.

Meqë këto kritere të mos publikimit të krijimtarisë në medie paraprakisht kanë qenë në fuqi tash e tridhjetë vjet, dy çmime, anulohen vetvetiu. / KultPlus.com

Rozafa Shpuza nderohet me çmim në Flakën e Janarit

Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është një nga fitueset e poezive të koduara në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020″, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Shpuza e cila njëherësh ka njoftuar se ky është edhe çmimi i dytë për poezinë e saj.

“Faleminders Gjilani! Kënaqësi për mu me kenë nji ndër fitueset e poezive të kodueme: Çmimi i dytë poezisë: “Baladë”, shifra “Vetëm 5 minuta”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Publikohet lista e poetëve pjesëmarrës në garën letrare të Flakës së Janarit

Festivali tradicional i Gjilanit, i cili çdo vit tubon të gjitha llojet e arteve në nderim të heronjve kombëtar, “Flaka e Janarit”, do të organizojë edhe orën letrare në edicionin e 30-të, shkruan KultPlus.

Juria profesionale e Festivalit ka publikuar listën e poetëve pjesëmarrës, të cilët do të lexojnë në orën letrare të 31 janarit, për të garuar për çmimin kryesor “Pena e Flakës 2021”.

KultPlus ju sjell 20 poetët pjesëmarrës të këtij edicioni:
1. Afrim Demiri ( GEGA I GJETUN )
2. Alisa Bekteshi ( KUR HANA E DO DIELLIN )
3. Alketa Spahiu ( MOS U DASHURO NË ESMERALDËN )
4. Donart Rexhbogaj ( ELEGJI )
5. Farida Zmijani Ramadani ( PËRJETIM NDJESISH )
6. Fatmir Halimi ( SEKRETI I DASHURISË )
7. Jonida Sheholli ( MBI SUPIN TËND )
8. Kanita Sadiku ( N’SY )
9. Klejda Plangarica ( PA BËZAJT )
10. Linditë Ramushi Dushku ( KAM LE DASHNIE )
11. Prend Buzhala ( KODI I NJË LOJE )
12. Preng Maca ( PRAG DITE )
13. Rabije Bytyçi ( SHTËPIA IME ËSHTË RRËNUAR )
14. Ramë Oraça ( UNAZË E KËPUTUR )
15. Rrushe Hasimi ( MARRËZIA E NJË DASHURIE )
16. Sadete Tërnava Osmani ( QIELLI I KËSAJ TOKE )
17. Sadije Aliti ( PUTHJA SHTEGTARE )
18. Selajdin Shabani ( NJË RRUGË TJETËR )
19. Xheladin Mjeku ( PËRRALLË PATRIOTIKE )
20. Xheladin Rexhepi ( DORA E DJATHTË E GJERGJIT ) / KultPlus.com

Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Flaka e Janarit në trashëgiminë shpirtërore të Kosovës

Në vigjilje të 30-vjetorit të manifestimit kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021”, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ia ka dorëzuar vendimin kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për futjen e këtij manifestimi në trashëgiminë shpirtërore.

“Sot kemi ardhur me një lajm të mirë në Gjilan. Meqë është bërë për 29 vjet një traditë e manifestimit “Flaka e Janarit”, e cila përmban katër shtylla kryesore, sot jam shumë e nderuar që po ia dorëzoj kryetarit Haziri vendimin për futjen e “Flakës…” në trashëgiminë shpirtërore. E gëzoftë Gjilani dhe uroj që ky manifestim të jetë gjithmonë i gjallë sa është jeta njerëzore sepse me anë të këtij manifestimi, janë nderuar shumë emra të mëdhenj të kombit tonë”, ka thënë Dumoshi.

Lutfi Haziri tha se kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Europian ia ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”.

“Për 30 vjet, burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë. Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se ky vendim e bën të mundur që ky manifestim të njihet nga të gjitha gjeneratat e ardhshme. / KultPlus.com

Zeqirija Rexhepi, fitues i çmimit blerës në “Peneli i Flakës”

Në Galerinë e Arteve në Gjilan, 44 artistë pamorë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe jashtë vendi, kanë ekspozuar punimet e tyre në një ekspozitë të përbashkët, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”.

Avni Behluli, nga Këshilli Organizativ i “Penelit të Flakës”, ka thënë se edhe sivjet ka pasur prurje të mëdha, por që ka qenë e pamundur që të pranohen të gjitha punimet në një hapësirë kaq të vogël.

Sipas tij, punimet janë në zhanre të ndryshme dhe me motive të ndryshme dhe të cilat për kah cilësia i bëjnë nder manifestimit.

Shpresa Kurteshi Emini, në emër të Komunës, ka përshëndetur familjet e dëshmorëve dhe veçanërisht figurës së rëndësishme të popullit tonë, Abdullah Tahiri, ngase sivjet manifestimi i kushtohet këtij heroi.
Ajo tha se do të vazhdohet me aktivitete të tjera në të gjitha shtyllat e artit, që kanë vlera të larta artistike.

Drejtoresha për Kulturë , Rini e Sport, Deniza Limani, ka thënë se ndjen kënaqësinë që pati prurje të mira në këtë ekspozitë, që është organizuar nga Drejtoria e Kulturës dhe se bashkëpunimi i Komunës po rritet e po shtohet me të gjitha shtyllat të “Flakës së Janarit 2020”. Ajo ka uruar të gjithë pjesëmarrësit, duke i quajtur që të gjithë fitues.

Juria profesionale në përbërje Nagip Berisha, Eshref Qahili dhe Muhamed Aliu, kanë vendosur njëzëri për fituesit, Bardha Buza, Agim Kryeziu dhe Albulenë Neziri.

Çmimi blerës i Flakës, të cilën e ndanë Shoqata e Arteve Pamore, njëzëri ka vendosur që çmimi blerës i Galerisë, t’i jepet artistit të zellshëm që jeton në Kanada, Zeqirija Rexhepi.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 31 janar, ditën kur edhe mbyllet manifestimi. / KultPlus.com

Festivali ‘Flaka e Janarit’ heq nga aktiviteti shtyllën ‘Film-Foto Flaka’

Komuna e Gjilanit organizon  edicionin e 28-të të manifestimit tradicional kulturor “Flaka e Janarit” që mbahet në nderim të heronjëve, dëshmorëve e martirëve të kombit.

Manifestimi zakonisht nis me homazhe tek varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve duke vazhduar pastaj me aktivitetet të tjera sikurse arti pamor, skenik, letrat dhe ai muzikor, të cilët cilësohen si katër shtyllat kryesore të Flakës së Janarit.

Festivali i filmit të shkurtër “Film-Flaka” dhe festivali i fotografisë “Foto-Flaka” këtë vit nuk do të marrë pjese në manifestimin e “Flakës së Janarit”.

Regjisori Burim Baftiu në një intervistë në Rtk ka thënë se prej fillimit të angazhimit  të “Foto-Flim Flaka” ka hasur në shumë vështirësi ani pse qytetarët kanë pasur shumë interesim për filmat shqip.

“Dy vitet e para ka shku më vështirësi mirëpo pa ndonjë arsye normale Komuna e Gjilanit ka vendosur që të mos organizojë “Foto-Film Flaka”, drama shqipe dhe interesimi i qytetarëve  ka mbushur sallat për 3 vite. “Foto-Film Flaka” ka marrë një përmasë të madhe interesimi”, ka thënë regjisori Baftiu.

Si arsye Komuna e Gjilanit është shprehur se dëshiron të rikthehet tek katër shtyllat tradicionale gjë që “Foto-Film Flaka” nuk  konsiderohet si pjesë e asaj shtylle.

“Foto-Film Flaka” sipas Baftiut qëllim kryesor ka plotësimin e hapësirës dhe jo konkurrencën ne festival.

Festivali “Flaka e Janarit” zgjat tri javë ku grumbullon një numër të madh artdashës./KultPlus.com

“Një natë në hotel”, premiera që nis Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan

Të hënën, më 22 janar, në teatrin e qytetit të Gjilanit, nisë Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në kuadër të “Flaka e Janarit”, shkruan KultPlus.

“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel” e autorit Muharrem Shahiqi, rishkruar nga Agush Mulliqi e me regji të Bashkim Ramadanit.

Kjo shfaqje do ta bëjë hapjen e festivalit të dramës shqipe që do të zgjatë deri më 26 janar.

Shfaqja është e zhanrit komedi dhe është rishkruar dhe përshtatur duke trajtuar problematikat aktuale, ku një hotel është privatizuar nga një politikan, por jo në emër të tij. Gjithçka zbulohet kur ndodh një keqkuptim mes pronarit dhe një aplikante që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit. Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen.

Shfaqja vjen nëpërmjet lojës së aktorëve: Ernest Zymberi, Gani Rrahman, Safete Mustafa Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi, Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili.

“Një natë në hotel” vjen nesër në Teatrin e Qytetit të Gjilanit me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

Ndezet flakadani i Flakës së Janarit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me stafin e tij dhe me familjarë të dëshmorëve, kanë bërë ndezjen e flakadanit të “Flakës…”, për të shënuar kështu edhe simbolikisht fillimin e manifestimit mbarkombëtar “Flaka e Janarit”, që i dedikohet heronjëve dhe dëshmorëve të rënë në janarët e acartë për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast kryetari Lutfi Haziri ka thënë se heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë të rënët në luftën për liri janë ata që i sollën këtij vendi lirinë dhe që po e ruajnë atë vazhdimisht.

“Këtë flakadan, sikur sonte edhe vitin e kaluar e kemi ndezur bashkërisht me familjet e dëshmorëve. Sonte përveq mungesës së dëshmorëve, është edhe mungesa e migjës Rexhep, i cili është ndar nga jeta dhe u është bashkuar këtyre shpirtave të bardhë që sot bëjnë dritë mbi lirinë e Kosovës. Kalendari i Flakës nëpër të gjitha shtyllat, i kushtohet respektit dhe nderimit të veprës së dëshmorëve të kombit. Ky vit i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe 50-vjetorit të dëmonstratave për flamur”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka bërë të ditur se nga ky vit do të punohet që kalendari i flakës të jetë më i hapur, më gjithëkombëtar dhe ndërkombëtar.

“Këto ndryshime do të bëhen, sepse vlerat e dëshmorëve tanë brenda kombit tashmë i njohim të gjithë, por këto vlera do t’i bëjmë edhe më ndërkombëtare. Do t’u tregojmë edhe të tjerëve se çfarë vlerash, çfarë heronjësh e dëshmorësh kemi. Flaka e Janarit, pas 27 vjetësh do të merr konotacion dhe hapësirë ndërkombëtare”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

“Dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës janë figurat që na mësuan se si luftohet për liri dhe ata janë që po e ruajnë këtë liri. Sa për ne të gjallët, dyshoj edhe unë që kjo liri ishte marrë moti kohë nëpër këmbë. Faleminderit veprës dhe kujdesit të tyre”, ka përfunduar kryetari Lutfi Haziri.

Kurse Fitore Malaj, vajza e dëshmorit Rexhep Mala, në emër të familjeve Mala e Berisha, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për përkushtimin e treguar dhe për angazhimin në nderim të dëshmorëve, heronjëve dhe gjithë të rënëve për liri.

“Sot i ndezëm këta flakadanë. Kështu i ndezën para 34 vitesh flakadanët e lirisë edhe Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Ata ndezën flakadanin e lirisë së Kosovës. Ndjehemi shumë të nderuar si familje për respektin dhe nderimin që i bënë Komuna e Gjilanit dhe gjithë Kosova, heronjëve tanë”, ka thënë ajo pas ndezjes së flakës.

Aktivitetet e Flakës…” vazhdojnë me 17 janar me akademinë që i kushtohet dëshmorëve të rënë, dhe përfundon me 31 janar kur edhe bëhet mbyllja e manifestimit shumëkulturor dhe mbarkombëtar “Flaka e Janarit”.

Përndryshe, me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Kuvendi i Komunës e ka shpallur qytetar nderi bashkëshorten e dëshmorit Rexhep Mala, Hanifen dhe babain e dëshmorit Nuhi Berisha, Rexhep Berishën./KultPlus.com

Gjilani bëhet me bust të Skënderbeut

Në kuadër të Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” që mbahet tash e sa vite në Gjilan, sivjet do të bëhet edhe zbulimi i bustit të heroit të madh shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Në përvjetorin e 550-të të Skënderbuet edhe manifestimi “Flaka e Janarit” i është dedkiuar kësaj figure të rëndësishme shqiptare.

Sipas organizatorëve bëhet e ditur se busti i Skënderbeut do të zbulohet më 17 janar, kurse busti do të vendoset para objektit të zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit./KultPlus.com

Shpallet konkursi për “Flaka e Janarit 2018”, i dedikohet Skënderbeut

Komuna e Gjilanit në kuadër të Manifestimit Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit 2018”-Viti i Skënderbeut, shpallë konkursin për Art Letrar, çmimin “Pena e Flakës”, Art pamor, Art Dramatik dhe Art Muzikor, shkruan KultPlus.

Ky konkurs i cili hapet nga nesër më 13 dhjetor zgjat deri më 12 janar 2018-të.

Në vijim po ju sjellim listën e plotë të arteve ku mund të aplikoni dhe si:

Arti Letrar

Komuna e Gjilanit, në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit 2018”, shpall konkursin tradicional letrar për tregim të shkurtër dhe për poezi, me qëllim të nxitjes dhe avancimit të vlerave letrare të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe kudo ku jetojnë ata që shkruajnë shqip, pikërisht në 550-vjetorin e vdekjes së kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut si dhe 50 vjetorit të demonstrative të vitit 1968, në Kosovë.

Tema e konkursit është e lirë. Konkursi është anonim, i hapur deri më 15 janar 2018 dhe me shifër. Punimet e pabotuara (në libra, gazeta e revista, portale, internet si dhe rrjete sociale) dërgohen në tri kopje, në adresën: Komuna e Gjilanit, Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në adresën elektronike: [email protected]

Rezultatet e konkursin shpallen në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2018”. Të gjithë konkurruesit duhet t’u përmbahen kritereve dhe afatit të konkurrimit.

Për tregim të shkurtër (deri në tri faqe me rreshta të rrallë)
Çmimi i parë….…………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro

Për poezi (deri në 50 vargje)
Çmimi i parë.……………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro

Konkurrimi për çmimi “Pena e Flakës” 2018

Me qëllim të rritjes së cilësisë dhe vlerës artistike në Orën e Madhe Letrare të Manifestimit “Flaka e Janarit”,2018 e njohur tashmë si PENA E FLAKËS, si dhe përzgjedhjes më meritore të poezisë fituese, gjithë krijuesit e interesuar të hapësirave shqiptare dhe tjerët që jetojnë e krijojnë , ftohen për të konkuruar si dhe, nëse përzgjidhen, për të ardhur e lexuar krijimet e tyre në Gjilan, duke u bërë pjesë e garimit të mëtejmë për Çmimin kryesor të pjesës letrare të Manifestimit.

Poezia duhet të jetë e papublikuar dhe e pashpërblyer diku tjetër si dhe duhet të shoqërohet me një biografi krijuese të autorit si dhe dërgohen në këtë adresë: Komuna e Gjilanit, Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe në adresën elektronike: [email protected]

Një juri letrare, e emëruar nga Organizatori përzgjedh 25 krijimet më të mira që lexohen në Orën e Madhe Letrare si dhe hyjnë në konkurrim të mëtejmë për Çmimin “PENA E FLAKËS”, vlera e të cilit është 200 euro.

Autorët, krijimet e të cilëve përzgjidhen, njoftohen së paku pesë ditë para mbajtjes së Orës Letrare të Manifestimit.

Poezia e shpërblyer dhe tjerat që lexohen në Orën e Madhe letrare, publikohen në revistën letrare – kulturore AGMIA.

Arti Pamor

Për punimet e sferës së Artit Pamor, për Ekspozitën kolektive mbarëkombëtare, që do të hapet në Galerinë e Qytetit. Të gjithë artistët profesioniste mund të konkurrojnë me një (1) vepër, përmasat e së cilës duhet të jenë jo më të mëdha se 120 cm. (Çmimi blerës për fondin e galerisë – 500 € dhe tri çmime tjera në vlerë prej 150 €). Punimet, jo më të vjetra se dy vite, teknikisht të përgatitura dhe të pa ekspozuara më parë, me tematikë të lirë, dorëzohen në Galerinë e Qytetit, gjatë orarit të ditët e punës, deri më 10 janar 2018.
Në konkurs, mund të marrin pjesë krijuesit e të gjitha zhanreve të artit pamor nga të gjitha trojet tona etnike, ndërkaq që punimet e përzgjedhura do të katalogohen.

Arti Dramatik

Do të përzgjidhen pesë shfaqje teatrale, mundësisht me përfaqësim nga trevat mbarëkombëtare, duke mundësuar prezantimin e vlerave më të mira të dramës shqipe.

Arti Muzikor

Festivali mbarëkombëtar i këngës popullore në frymën e traditës fton interpretuesit e këngës popullore shqipe. Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë interpretuesit e pasionuar, nga të gjitha trevat shqiptare, që kultivojnë këtë zhanër.
Mosha e lejuar – mbi 18-vjeç.
Te gjithë interpretuesit konkurrues do t`i nënshtrohen audicionit
Juria profesionale do të vlerësojë interpretuesit të cilët do të garojnë për këto shpërblime:

a) Çmimi i parë – 500 euro
b) Çmimi i dytë – 300 euro
c) Çmimi i tretë – 200 euro.

Këngët do të interpretohen drejtpërdrejtë nën përcjelljen e orkestrës profesionale-Gjilan.
Afati i aplikimit është deri më 12 Janar 2018.
Aplikimi mund të bëhet në Njësinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan
Adresa: ndërtesa e Teatrit të qytetit, kati II ose në adresën elektronike:[email protected]

Ndërsa për “Xixat e Flakës” koncert i organizuar për fëmijë, me këngë të reja apo të kënduara, afati i aplikimit është deri më 9 janar 2018. Aplikimi mund të bëhet në Njësinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, adresa: ndërtesa e Teatrit të qytetit, kati II ose në adresën elektronike:[email protected]/ KultPlus.com