“Foto Flaka” mbledh fotografët nga të gjitha trojet shqiptare

“Foto Flaka”, manifestim përcjellës në kuadër të “Flakës së Janarit 2018”, ka mbledhur fotografë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët i kanë ekspozuar fotografitë e tyre në Teatrin e Gjilanit dhe aty vizitorët do të mund t’i shohin deri në përfundimin e manifestimit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Burim Baftiu, organizator, ka thënë se “Foto Flaka” do të qëndrojë e hapur prej 20 deri më 27 janar, kur do të ndahet çmimi për fotografinë më të mirë dhe filmin më të mirë.

Sipas tij, të ekspozuara janë 36 fotografi, të gjitha me format të njëjtë, në mesin e 70 fotografëve të ndryshëm që i kanë dërguar ato, por që organizatori ka vendosur që t’i printojë 36 prej tyre.

Baftiu, thotë se edhe sivjet nuk ka pasur ndonjë temë të caktuar, por ka bërë me dije se fotografitë janë me motive të ndryshme.

“Motivet janë të llojllojshme, peizazhe, portrete, laramani motivesh. Fotografitë janë të formatit të njëjtë, ato fotografët i kanë dërguar në formë elektronike dhe organizatori i ka printuar dhe janë vendosur në ambientin e caktuar”, ka thënë Baftiu, duke shtuar se do të zgjidhet vetëm fotografia më e mirë.​/ KultPlus.com

Sonte ndezet flakadani i “Flakës së Janarit 2018”

Sot më 11 janar nis manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, shkruan KultPlus.

Ky manifestim i cili sivjet i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur, nis sot në ora 10:00 me homazhe para varrezave duke vazhduar në orën 17:00 me Ndezjen e Flakadanit të “Flakës së Janarit 2018” para Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

“Miq, nesër fillojmë me aktivitetet maratonike të manifestimit shumëkultutor mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit 2018”, që sivjet i kushtohet heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Përmes vlerave kulturore, ne i nderojmë heronjtë e dëshmorët tanë, të cilët i bëjnë roje lirisë së Kosovës. Ju ftoj të bëheni pjesë!”, ka shkruar mbrëmë në rrjetin social Facebook, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Në vijim po sjellim programin e plotë të “Flakës së Janarit 2018”:

Gjilani gati për “Flakën e Janarit 2018”, i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, njësive dhe zyrave, për të raportuar për planifikimin e muajit janar, mbledhje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt nga radiot lokale.

Në këtë mbledhje kanë qenë në fokus edhe përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2018”, për të cilin u tha se është gjithçka gati për të nisur në mënyrën më të mirë.

“Gjatë këtij muaji, fokusi kryesor është manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur. Ky manifestim është tejet i rëndësishëm pasi i kushtohet vlerësimit të dëshmorëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për ditët e sotme. Këtë vit, do ta nderojmë edhe njeriun i cili dha shumë për lirinë e shqiptarëve, heroin Metush Krasniqi”, ka thënë kryetari Haziri./ KultPlus.com