Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.
Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).
Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.
“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.
Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com
Flaka Loxha është eliminuar në raundin e tretë në Grand Prix në Zagreb, shkruan KultPlus.
Pas një lufte me mjaft intensitet nga të dyja xhudistet, në fund doli fituese Ichinkhorloo Munkhstedev.
Loxha fitoi në dy raundet e kaluara, por nuk arriti që të kualifikohet në çerekfinale.
Në anën tjetër, Kosova veçse ka siguruar një medalje në këtë Grand Prix, pasi Distria Krasniqi është kualifikuar në finale, ku do të ndeshet me Uta Abe. /KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Flaka Loxha, pas suksesit në Lojërat Mesdhetare në Oran, tani po merr pjesë edhe në Grand Prix të Zagrebit, shkruan KultPlus.
Në përballje me Bakyt Kussakbayeva në kategorinë (-57kg), Loxha tregoi aftësitë e saj dhe arriti që të fitojë meçin dhe të kualifikohet në fazën tjetër.
Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Ndërkaq, edhe Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale, derisa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndjekur nga afër ekspeditën e ekipit të xhudos së Kosovës që ka pasur në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
I pari i Kulturës ka uruar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, punën e jashtëzakonshme të sportistëve në këtë ngjarje madhore për vendin.
Postimi i plotë i Çekut:
“Në europianin e xhudos në Sofje, Laura fiton të argjendtën, Disi të bronztën. Kampionatin Europian 2022 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë e nisëm me medaljen e bronztë të Distria Krasniqit, kampiones sonë olimpike. Suksesi vazhdoi edhe sot, në ditën e dytë, kur Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë duke e marr titullin e nën-kampiones europiane. Paraqitje të mirë në kampionat patën edhe Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Kënaqësi e papërshkrueshme të përcjell nga afër ekipin tonë të xhudos. Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë. Mirënjohje të veçantë dhe përgëzime të përzemërta kryetarit të Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerit Driton Kuka dhe xhudisteve e xhudistëve tanë të shkëlqyer”, ka shkruar Çeku.
Kosova në dy Kampionatet e fundit Evropiane ka arritur që të fitojë pesë medalje. /KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu, është kualifikuar në gjysëmfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
Fazliu arriti që pas vazhdimeve ta mposht Renata Zachovan nga Republika Çeke, derisa tani ajo do të luajë për finalen e madhe,
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com
Distria Krasniqi ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, derisa Flaka Loxha ka zënë vendin e shtatë në këto gara, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar për fitoren dhe suksesin e Kosovës, duke treguar se i pranishëm ishte edhe Hajrulla Çeku.
Postimi i plotë:
“Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë
Kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e xhudos që po mbahet në Sofia. Ajo mundi gjermanen Mascha Ballhaus në kategorinë -52 kg.
Flaka Loxha (-57 kg), zuri vendin e shtatë, suksesi më i madh i saj në Evropianin e seniorëve.
Garat i përcolli nga afër edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku“. /KultPlus.com
Xhudistët nga Kosova janë duke marrë pjesë në Evropianin 2022 i cili mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
Në kategorinë 52 kilogramë, Xhudistja franceze, Amandine Buchard ka arritur që pas një lufte shumë të fort, të fitojë në përballje me Distria Krasniqin, për të vazhduar rrugën drejt gjysëmfinales.
Krasniqi kaloi raundin e parë pa u ndeshur me dikë, derisa në raundin e dytë fitoi ndaj Gabriela Dimitrova, dhe tani do të vazhdojë në repesazh.
Në anën tjetër, në kategorinë 57 kilogramë, Flaka Loxha ka fituar dy meçe dhe tani do të luajë në çerekfinale ndaj Paule Starke.
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com
Ekipi i xhudos i kthehet Evropianit, ku vitin e kaluar fitoi tri medalje.
Ekipi i xhudos do t’i kthehet Kampionatit Evropian, ku prej nesër e deri më 1 maj do të mbahet në Sofia të Bullgarisë.
Në Evropianin e fundit, të mbajtur në Lisbon të Portugalisë, ekipi i xhudos fitoi tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë, me ç’rast e mbylli kampionatin në vendin e parë për nga numri i medaljeve të arta.
Këtë herë, ekipi do të përbëhet nga dy kampionët e Evropës nga viti i kaluar, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, si dhe Flaka Loxha e Laura Fazliu.
Kampionia olimpike, Krasniqi, garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Gjakova në -73 kg, Loxha në -57 dhe Fazliu në -63 kg.
Kampionia olimpike, Nora Gjakova dhe medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, do të mungojnë shkaku i lëndimeve.
Distria dhe Flaka garojnë nesër, ndërsa Laura e Akili të shtunën. /KultPlus.com