Katër piktorë të rinj me ekspozitë në pazarin e gurtë të Gjirokastrës

Katër piktorë të rinj nga Gjirokastra hapën një ekspozitë në pazarin e gurtë të qytetit.

Piktorët e rinj Irina Musta, Pandeljo Çekani, Arla Memushi, Elena Rova dhe Ina Diamanti sollën punimet e tyre për artdashësit gjirokastritë, por edhe vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit dhe turistët e huaj, të cilët mbushën Gjirokastrën gjatë ditëve të fundjavës.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili vizitoi nga afër ekspozitën vlerësoi talentet e reja të qytetit për veprat e prezantuara në këtë ekspozitë.

“Irina Musta, Pandeljo Çekani, Arla Memushi, Elena Rova dhe Ina Diamanti janë piktorët e rinj plot talent e pasion për artin të qendrës “Fato Berberi”, të cilët kanë çelur së fundi një ekspozitë në Pazarin e Gjirokastrës. I jam shumë falënderues për çfarë kanë bërë dhe për modelin frymëzues që ata japin për të rinj të tjerë”, shprehet Golemi në rrjetet sociale.

Piktorët e rinj u vlerësuan edhe me certifikata për hapjen e kësaj ekspozite që zgjoi interesin e vizitorëve.

Të rinjtë gjirokastritë ndjekin prej disa vitesh rrethin e pikturës në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”.  Gjirokastra tashmë do të ketë edhe një brez të rinjsh, që do i bashkohen magjisë së pikturës në këtë vend të mahnitshëm piktoresk./atsh/ KultPlus.com

Rinisin gërmimet arkeologjike në Antigone dhe Palokastër

Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.

“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.

Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com

Gjirokastra, destinacioni i mbi 23 mijë turistëve nga janari në korrik

Qyteti gurtë, Gjirokastra, vijon të mbetet ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj edhe gjatë muajit korrik.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “numri i turistëve vendas dhe të huaj është i konsiderueshëm”.

Sipas Golemit, “vetëm kalaja e Gjirokastrës gjatë periudhës janar – korrik është vizituar nga 23 mijë turistë”.

“Vetëm gjatë muajit korrik, kalaja është vizituar nga 10 mijë turistë”, tha Golemi për ATSH-në.

Muzeumet janë ndër qendrat kryesore për zhvillimin e turizmit, ndërsa miradministrimi i tyre është në vëmendje të punës së bashkisë Gjirokastër.

Në këtë drejtim, Golemi tha se “muzemumet kanë pritur një numër të konsiderueshëm turistësh, dhe prej muajit janar deri në korrik janë vizituar nga rreth 3000 turistë”.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. / ATSH / KultPlus.com