Ujëvara shumë e njohur dhe e veçantë në mbarë botën, “Niagara Falls” në Kanada, mbrëmë u ndriqua me ngjyrat e Flamurit të Kosovës për nder të 17-të Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
“Kosova është tejet mirënjohëse për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet Kanadeze. Kjo dëshmohet edhe sonte me këtë veprim dhe simbolike mbështetëse”, shprehet ambasadori i Kosovës në Kanada Adriatik Kryeziu.
Kosova është bërë pjesë e librit të famshëm të rekordeve Guinnes për disa herë me radhë falë punës së artistëve të ndryshëm, shkruan KultPlus.
Arbnora Fejza-Idrizi nga komuna e Skenderajt, deri më tani gëzon dy rekorde Guinnes, por kjo nuk e ka bërë që ajo të ndalet, e kundërta, i ka dhënë motiv për një punim edhe më gjigand.
Arbnora tashmë ka bërë të ditur përmes faqes së saj në Facebook se ka filluar punën për sfidën e radhës për rekordin botëror Guinnes.
Kësaj radhe po krijon mozaikun më të madh të punuar nga letra, apo siç njihet, stili origami me flamurin e Republikës së Kosovës.
Ajo ka thënë për KultPlus se këtë rekord e dëshiron si dhuratë për shtetin e Kosovës për nderë të Pavarësisë.
“Pasi jam mbajtëse e dy rekordeve të veçanta, ëndrra ime ishte të realizoj një rekord edhe më gjigand. Dëshiroj që për nder të Pavarësisë të kem një rekord dhuratë për shtetin e Kosovës, “Flamurin e Kosovës “mbi 1200m2”, ka treguar Arbnora.
Me këtë rekord, Fejza-Idrizi do të përfaqësoj gjimnazin “Hamëz Jashari”.
“Po synoj të fitoj pasi këtë rekord për momentin e mbanë një shkollë në Mongoli.
Krejt për fund, Arbnora ka falënderuar Komunën e Skënderajt, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kompaninë “Meka” për mbështetjen e ofruar për këtë punim. / KultPlus.com
Një grup serbësh nga veriu i Kosovës kanë vendosur një flamur serb në digë afër liqenit të Ujmanit, si kundërpërgjigje ndaj atyre që vendosën flamurin e Kosovës.
Sot në liqenin e Ujmanit është vendosur flamuri i Kosovës, ndërsa reagimi i serbëve ishte i menjëhershëm.
Ata vendosën flamurin serb në digën e liqenit të Ujmanit.
Flamuri i Kosovës u ngrit për të dërguar mesazh se Ujmani dhe Trepça i përkasin territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. / insajderi/ KultPlus.com
Lëvizja “Politike” ka bërë sot vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës te Liqeni i Ujmanit, shkruan KultPlus.
Ky aktivitetet simbolik kishte për qëllim të tregoj qartë se Ujmani dhe Trepça i përkasin territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Bekim Ibishi, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për këtë aktivitet, teksa është shprehur se asnjë shtet apo entitet s’mund të ketë pretendime mbi Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.
“Ne përmes këtij aktiviteti simbolik i informojmë përfaqësuesit tanë me legjitimiteti të diskutueshëm, të cilët po marrin pjesë në Dialogun që po zhvillohet në ShBA se çka jep Republika e Kosovës, Serbisë? Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, Serbisë në vend të hakmarrjes dhe territorit të shumë kërkuar, ne i japim vetëm fqinjësi të mirë dhe asgjë me tepër”, ka shkruar Ibishi. / KultPlus.com
Flamuri i Kosovës nuk figuron në sajtin zyrtar të Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahet në Spanjë.
Në fillim flamuri i Kosovës ishte prezent në sajt aty ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, megjithatë ai është larguar një ditë pasi xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin rrëmbyer medaljet e arta.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani për Koha.net ka thënë se flamuri është tërhequr me ndërhyrje të Qeverisë së Spanjës, gjë që sipas tij ka marrë edhe mbështetjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare – ICMG, si dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar – IOC.
“Ka ndërhyrë Qeveria e Spanjës dhe deri në një masë kanë gjetur mbështetjen në ICMG dhe KON. Tash për tash kaq mund të them. Tjerat i sqarojmë me kumtesë ose konferencë për shtyp”, ka thënë Hasani për Koha.net.
Për këtë çështje Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, por që deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij. Që të dy, Gashi e Hasani aktualisht gjinden në “Tarragona” si pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra.
Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”.
Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, dhe në fillim nuk kishte dashur as të pranonte sportistët kosovarë, por pas presionit ndërkombëtar ishte zmbrapsur. Megjithatë, Spanja po vazhdon ta trajtojë si jo të barabartë Kosovën.
Kujtojmë gjithashtu se Kosova është e pranuar në ICMG dhe KON me të drejta të plota. / KultPlus.com
Në fundjavë është sulmuar Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg të Francës.
Aty nga shtiza është vjedhur edhe flamuri i Kosovës si dhe është shkatërruar stema e shtetit, njofton Klan Kosova.
Këtë e ka bërë të ditur, Konsulli i Kosovës, Edon Cana përmes një postimi në Facebook.
“Gjatë vikendit është sulmuar Konsullata Përgjithshme në Strasburg dhe është vjedhur Flamuri i Republikës dhe është shkatërruar Stema e Shtetit”.
“Simbolet e Shtetit të Kosovës i pengojnë armiqve tanë!”.
“Duke i falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se mbas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, ka thënë Cana./ KultPlus.com
Kaltër, verdhë e bardh. Tri ngjyra që nga 17 shkurti i vitit 2008-të, u bënë ngjyrat identifikuese të shtetit më të ri në botë Kosovës. Tri ngjyra, që na dhanë emocion, lot e krenari tash 10 vjet valëvitën në Flamurin e Republikës së Kosovës.
Konkursi për simbolet e Republikës së Kosovës, ishte hapur në qershor të vitit 2007. Por krijuesi i Flamurit, Muhamer Ibrahimi, kishte nisur qysh moti të mendojë se si do të dukeshin simbolet e shtetit të Kosovës.
Pas 10 vitesh, Muhamer Ibrahimi vjen në një rrëfim për KultPlus, duke treguar disa detaje ta pathëna deri më tani.
“Emocionet padyshim që janë çdo herë të forta, e më të forta bëhen gjatë festave dhe kur valëvitet dhe ngrihet në fitore. Në këtë 10 vjetor jubilar në këtë atmosferë festive emocionet janë edhe më të mëdha. Më gëzon fakti se ky 10-vjetor ka një atmosferë më të dukshme festive se vitet e kaluara”, ka thënë fillimisht Ibrahimi për KultPlus.
Konkursi i shpallur në vitin 2007-të, kishte disa kritere të cilat padyshim që e kishin kufizuar shumë Muhamerin e poashtu edhe dizajnerët e tjerë të cilët kishin aplikuar.
“Konkursi për simbolet e shtetit të Kosovës është organizuar nga institucionet e Kosovës e ka shpallur Ekipi i Unitetit, ka qenë i publikuar në mediet e shkruara dhe elektronike në qershor të vitit 2007. Konkursi i publikuar ka qenë me disa kritere që nuk duhet t’i përngjajë flamujve të shteteve tjera, flamujve të ndonjë partie politike, nuk duhet të përdorim simbole si shqiponje, nuk duhet të përdorim kombinime të ngjyrave të flamujve kuq e zi ose trengjyrëshe sllave apo të ndonjë etniteti tjetër. Konkursi si i tillë me kushtëzime padyshim se na ka kufizuar edhe hapësirën, përdorimin e ngjyrave dhe kombinimeve të mundshme të elementeve që do të mund të përdornim për të qenë sa më shumë kreativ”, është shprehur ai.
Pas kësaj, vjen rrëfimi rrëqethës i Muhamer Ibrahimit. Ai në studion e tij kishte punuar gjithsej 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë. Muhamer Ibrahimi, është kontaktuar vetëm në fillim të shkurtit, duke i thënë nga Ekipi i Hartimit të simboleve të shtetit që të shkojë në një takim, ku aty i është kumtuar lajmi se është finalist, por vetëm kaq. Më 17 Shkurt 2008, Muhamer Ibrahimi kishte parë flamurin e krijuar nga ai duke u shpalosur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Edhe para shpalljes së konkursit kam menduar në vete disa ide, disa koncepte se si do të dukej flamuri i vendit, por pas shpalljes së konkursit shumëçka është qartësuar sa i përket konceptit të mundshëm të flamurit. Në studion time të dizajnit ku punoja atë kohë fillova punën në dizajnet me kritere sipas konkursit të publikuar. Gjithsej punova 5 propozime për flamur dhe 7 për stemë, dizajnet e shtypura në letër sipas kërkesës në konkurs i dërgova ditën e fundit të konkursit në zarf të mbyllur dhe me shifër pa emra mbiemra apo ndonjë informatë tjetër personale, në zarfe ka qenë i shkruar vetëm kodi i konkurruesit. Në fillimin e shkurtit 2008 kam pasur një telefonatë nga Ekipi i hartimit të simboleve të shtetit dhe më është kërkuar të jem prezent në takim, më është kumtuar se jam njeri ndër finalistët. Më janë kërkuar punimet në CD dhe është kërkuar që të mos publikojmë informacione në media. Dhe më 17 shkurt flamuri është shpalosur në Kuvendin e Kosovës në momentin pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.
Ndërkohë, Muhamer Ibrahimi tregoi për KultPlus se cili ka qenë momenti më emocionues për të gjatë këtyre 10 viteve.
“Momente interesante dhe më krenare kur flamuri është ngritur triumfues në Moskë kur xhudistja jonë Majlinda Kelmendi na ka bërë krenar të gjithëve. Në ato momente emocionet kanë qenë të papërshkrueshme”, pohoi ai, duke vazhduar të komentojë deklaratat e tij të më hershme, kur pati thënë se e dinë që jo të gjithë do ta duan flamurin.
“Po gjatë disa intervistave më herët e kam thënë së nuk do ta duan flamurin të gjithë, dihet se çfarë kemi kaluar dhe çfarë kemi përjetuar me flamurin kombëtar, ndjenjat aq të forta kemi pasur me flamurin kombëtar. Të kalohet në një flamur me dukje krejt tjetër me ngjyra krejt tjera, duke ditur lidhjen emocionale aq e madhe me flamurin kombëtar e kam ditur që nuk do të jetë lehtë i pranueshëm të një mase. Gjeneratat më të vjetra e kanë shumë më vështirë që të krijojnë lidhje emocionale ndaj simboleve të reja, por gjeneratat e reja tanimë flamurin e kanë përqafuar dhe janë duke u rritur me të edhe emocionalisht. Ndërsa sa i përket minoritetit serb ky fakt është i ditur se ata nuk do ta pranojnë çfarëdo simboli që do ta përfaqësonte shtetin e pavarur”, ka thënë Muhamer Ibrahimi.
Ai krejt në fund të këtij rrëfimi, ka thënë se ndjehet shumë krenarë që propozimi i tij ka fituar në një konkurrencë aq të madhe me mbi 1mijë propozime.
“Krenarë kur e shohë duke u valëvitur i barabartë me flamujt e shteteve të tjera dhe krenar kur ngrihet triumfues”, përfundoi Muhamer Ibrahimi./ KultPlus.com