Ambasada sllovene në Kiev heq flamurin e vet, ngjan shumë me atë rus

Ambasada sllovene në Kiev ka hequr flamurin e saj për shkak të ngjashmërisë së madhe që ka me flamurin rus.

Flamujt e Sllovenisë dhe Rusisë kanë ngjyrat e njëjta në rreshtat e njëjtë: bardhë, kaltër dhe kuq, me të parin që mban stemën e vendit e cila përbëhet nga simbole të stilizuara të yjeve, maleve, detit dhe lumenjve, raporton agjencia e lajmeve Xinhua.

“Ne ngritëm me krenari flamujt sllovenë dhe europianë kur u kthyem në Kiev”, tha për TV Sllovenia, Bostjan Lesjak, i ngarkuari me punë sllovene në Kiev, transmeton Gazeta Express.

“Por në mëngjes, përfaqësues të gardës kombëtare (ukrainase), të ndjekur nga përfaqësues të policisë, më vizituan dhe me shumë mirësjellje më pyetën nëse mund të hiqnim përkohësisht flamurin slloven sepse është shumë i ngjashëm me atë rus”, tha ai.

Sllovenia rihapi ambasadën e saj në Kiev të hënën, rreth një muaj pasi vendi evakuoi të gjithë diplomatët e saj nga Ukraina më 26 shkurt, dy ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj.

Ambasadori slloven në Ukrainë Tomaz Mencin vazhdon të punojë nga qyteti polak i Rzeszow, i cili shtrihet afër kufirit me Ukrainën./ KultPlus.com