Fotoja me flamurin kuq e zi e ministrit Dukaj shkakton trazira në opinionin proserb në Mal të Zi

Një foto e ministrit të Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj, ku përveç flamurit malazez, është edhe flamuri shqiptar, ka sjellë reagime të shumta në shtetin fqinj.

Qendra për Edukim Qytetar dhe grupime te tjera pro serbe e quajnë skandaloze foton e ministrit nga Tuzi.

“Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, edhe pse vjen nga partia e pakicës kombëtare, duhet ta dijë se si anëtar i Qeverisë së Malit të Zi, e sidomos kur vepron si ministër, ka obligim të përfaqësojë interesat e shtetit te Malit të Zi dhe të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo të ndonjë përkatësie tjetër”, thuhet në reagimin e Qendrës për Edukim Qytetar (QQQ).

“Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare parashikon ndalimin e shfaqjes së simboleve të vendeve të tjera, ndër të tjera, në objektet qeveritare”, thuhet në llogarinë e OQQ-së në Twitter.

Pas këtyre reagimeve në mediat malazeze dhe në opinionin publik, vetë Dukaj ka sqaruar foton:

“Për shkak të vëmendjes së paprecedentë mediatike dhe sulmeve të ndryshme të pabaza, për hir të publikut, jam i detyruar të theksoj si në vijim: Si shqiptar etnik, në Komunën e Tuzit kam shfrytëzuar të drejtën e vendosjes së flamurit shqiptar përveç flamurit të Malit të Zi, sepse kjo është në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Fotoja ime, në të cilën përveç flamurit të Malit të Zi shihet edhe flamuri i popullit shqiptar në Mal të Zi, nuk vjen nga Ministria e Administratës Publike, sepse kjo nuk do të ishte në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Më vjen keq që mediat dhe hapësira publike e Malit të Zi është ende një terren provash për informacione të paverifikuara, sensacionale dhe spekulime të llojeve të ndryshme. Unë vazhdoj punën time në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe në partneritet me aleatët tanë evropianë dhe euroatlantikë”. /TCH / KultPlus.com

Për herë të parë valvitet flamuri shqiptar në Vankuver

Kryesia e Shoqatës Shqiptare në British Columbia, Kanada “Eaglesland” ka njoftuar se për herë të parë flamuri kombëtar po valvivet në City Hall në Vankuver. Një lajm i mirë ky për të gjithë komunitetin mbarë shqiptar në BC.

“Flamuri ynë valvivet në parkun e vogël pranë Vancouver City Hall, corner of W12th and Cambie Street.

Aty janë 12 shtiza flamujsh dhe një shtizë me flamurin kanadez i cili është i ngritur në lartësi më të lartë se flamujt e tjerë. Flamuri ynë do të qëndrojë aty deri me datën 5 Dhjetor. Vancouver City Hall nuk lejon tubime në atë ambient, por me grupe të vogla familjare jeni të lire e të ftuar të shkoni e ta shikoni e mund të bëni edhe foto përkujtimore.

Bashkangjitur këtij posti me poshtë është një foto e Flamurit në Vankuver, foto e marrë nga Z. Edison Heba (sot në mëngjes), i cili ishte edhe promotori dhe realizuesi i kësaj ngjarjeje të shënuar për komunitetin tonë” shkruhet në njoftimin e shoqatës. / KultPlus.com

Flamuri shqiptar valvitet në majën më të lartë të malit në Serbi

Në majën e malit Midzor rreth 2169m, e cila konsiderohet maja më e lartë e Serbisë u ngrit flamuri shqiptar.

Sot një grup alpinistësh nga Peja ngjitën majën më të lartë të Serbisë dhe sipër saj valvitet flamuri shqiptar si shenjë krenarie për këtë arritje.

Më shumë se 600 km udhëtim me makinë për të mbërritur në Babin Zub ku edhe filloi ecja në këmbë në drejtim të majës së malit.

Shtegu ishte i gjithi i mbuluar me dëborë, temperaturat ishin konstante nën 0 dhe ngjitjen përgjatë kreshtes e vështirsoi era e fortë dhe e ftohtë.

Përgjatë kreshtes kishte pamje mbresëlënëse nga të dyja shtetet, Bullgarisë si dhe Serbisë, gjë e cila e bëri ecjen edhe më interesante./ KultPlus.com

Shaip Kamberi për Serbinë: I vetmi shtet që e ndalon simbolin kombëtar për pakicën e vet

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi pas ndalimit të vendosjes së flamurit kuq e zi në këtë parlament, ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet shpërndarjes së videos së fjalimit të tij, ai ka shkruar një mbishkrim duke kërkuar barazi në të drejta.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Kamberit:

BARAZI NË TË DREJTA, PARAKUSHT PËR PAQEN NË RAJON

Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete.

Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotor; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. / KultPlus.com

Flamuri shqiptar ngrihet në Komonuelth Park të Austrisë, konsiderohet moment historik

Në Kanberra të Australisë për herë të parë do të ngrihet flamuri shqiptar në sheshin e flamujve të të gjithë misioneve diplomatike në Komonuelth Park.

Bashkë me vendosjen e pllakës Albania, ceremonia do të shënojë përfundimin e të gjithë procedurave për hapjen dhe njohjen zyrtare të ambasadës shqiptare në Australi, e cila nisi punën një muaj më parë.

Ambasadori shqiptar në Australi Edmond Trako thotë se ky është një moment historik që i shtohet nëntorit, muajit të festave shqiptare.

“Nëntori për shqiptarët është muaji i festave, për ne tani ky muaj ka një rëndësi edhe më të madhe sepse i shtohet edhe një moment historik, emocional dhe simbolik, ngritja e flamurit shqiptar bashkë me pllakën ‘Albania’ për herë të parë në parkun e Kanberra-s”, është shprehur ai.

Ka qenë guvernatori i përgjithshëm Sir William Deane iniciator i hapjes së këtij parku buzë liqenit Blake Griffin në Kanberra i cili sot është kthyer në një atraksion të rëndësishëm për turistët dhe vendasit.

Në këtë park valëviten gjithsej 110 flamuj, që përfaqësojnë 108 Misione që kanë një përfaqësi diplomatike si dhe flamujt e Bashkimin Evropian dhe Kombeve të Bashkuara./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Gjashtë vjet nga koha kur flamuri “Autochthonous” valoi në Beograd (VIDEO)

Më 14 tetor të vitit 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian Francë 2016.

Ndërprerja ishte paralajmëruar pothuajse që para fillimit: ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.

Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.

Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “Autochthonous”.

Të gjithë mbetën të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare, e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbritën spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.

Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futën në kthinën e vet të stadiumit.

Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja. / KultPlus.com

Marigoja, njëra nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë

Marigo Pozio, mbiemrin e vajzërisë e kishte Poçi, lindi në Korçë, me 2 shkurt të vitit 1882. Marigoja shkruante dhe botonte në shtypin e kohës mjaft poezi, si psh poezi kushtuar Avni Rrustemit: “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove…”, shkruan KultPlus.

Marigoja, vajza që tashmë ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e gjithë shqiptrëve, vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën. Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës.Familja vuajti nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e Marigosë për shkak të tuberkulozit.

Sipas Zhaneta Poçit , mbesë e Marigo Pozios, Marigoja e qendisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ja dha Ismail Qemalit.

Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.

Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e quanin bashkëkohësit Marigo Pozion. Marigoja.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe që nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të shpaloset me kompleksitetin e vet gjithë madhështia e kësaj figure, sublimiteti i jetës dhe veprës së saj për identitetin kombëtar dhe shoqëror për vlerat dhe karakterin e gruas shqiptare dhe emancipimin e saj në të gjithë Shqipërinë.

Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002).

Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar. Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Mihal Grameno etj.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë Shpresa Kombëtare, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, se më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botrore paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare dhe, për këtë arsye, më 23 janar të vitit 1921, rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit, gazeta e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.

Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.

Kjo grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor Labëria si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.

Fryma e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë familjen e saj e cila shërbente si shembull për çështjen kombëtare. Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen për burrin e saj Jovan, por edhe të fëmijëve të saj, të cilët dalloheshin për veprimtari shoqërore dhe atdhetare.

Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia merr të tre fëmijët dhe vetë ajo sëmuret po nga e njëjta sëmundje dhe me gjithë mjekimet dhe me gjithë dhimbjet që provonte në trup gjeti forca për të biseduar me aktorin e madh Aleksandër Moisiu për të kujtuar Shqipërinë e shqiptarët.

Në gusht të vitit 1932 mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Pozio. Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i Vlorës që kurrë nuk e ka harruar por i ka dhënë vendin që i takonte si përfaqësuesja më e denjë e femrës shqiptare.

Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Ushtria serbe largon flamurin shqiptar nga zona e piknikut sipër Gazivodës (VIDEO)

Në zonën e piknikut Tutin, sipër liqenit të Gazivodës, një person i panjohur e kishte vendosur flamurin shqiptar, i cili u hoq shpejt nga njësitë e ushtrisë serbe.

Siç shkruan Tanjug, flamuri është vërejtur të dielën herët në mëngjes, ku më pas njësitë e ushtrisë serbë kishin mbërritur në vendin e ngjarjes dhe e kanë larguar. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=40&v=Xir2iEQrDf4&feature=emb_title