I dha një frymë unike Festivalit të Këngës së RTK-së, këngëtari Endrit Krasniqi së shpejti me albumin e parë

Era Berisha

Endrit Krasniqi, artisti i ri i cili rrëmbeu vendin e parë në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, ka një zë të veçantë, një timbër që të merr pas vete dhe nuk të lëshon dot. E atillë, ka qenë edhe kënga “Flas me gjethen”, teksti i së cilës ka një kuptim unik e që vjen e shkruar dhe kompozuar nga Bekim Këpuska, shkruan KultPlus.

Në sallën brenda Pallatit të Rinisë, fokusi përplot tri netë ka qenë tek pjesëmarrësit, të cilët kanë sjellë prurje të reja e krejt të bukura, mirëpo ajo që vodhi vëmendjen e publikut si dhe jurisë, ka qenë kreativiteti, eleganca dhe thjeshtësia e paraqitur nga Krasniqi në skenën gjigande të Festivalit të Këngës.

Është një frymë që i përkon pikërisht kryeqytetit tonë, dhe arti i shprehur nga Krasniqi është shpalosë tejet lirshëm. Tanimë, vendi i rikthyer nga hiri në një vatër të melodive, ka mirëpritur në skenë këngëtarin i cili në paraqitje ishte i veshur sipër me një setër ngjyrë vishnje, flokët në gërsheta, teksa priste hyrjen në këngë. Me një fillim direkt të një sekuence të kitarës elektronike, e cila qysh në sekondën e parë të rrëqeth trupin, nisë gjithçka. Vëmendja e këngëtarit ishte tërësisht tek këndimi. Ai po jepte gjithçka nga vetja.  Zëri i tij i thellë vallëzonte jashtëzakonisht bukur me tekstin e këngës.

Ishin tri netë të mbushura me emocione, duke dëshmuar për dashurinë e tejskajshme të këndimit shqip, për të vënë në pah të bukurën e kulturës shqiptare. Njashtu si reflektorët e vendosur në skenë, kanë qenë të gjithë artistët, megjithatë, ai që vezulloi më së shumti ishte Krasniqi. Bateritë dhe kitara, që shoqëronin këngëtarin, si dhe orkestra e dirigjuar nga Lindita Isufi, i shtonin një hijeshi që rrinte nën hije, mirëpo pa to, asgjë nuk do të dilte kaq mahnitëse.

Në një intervistë për KultPlus, këngëtari Krasniqi na flet më shumë për rrugëtimin e tij artistik, tash pas kalesës së emocione të mëdha të fitores së tij.

Është pikërisht një moment i cili të befason gjatë gjithë jetës, dhe përmendja e emrit të fituesit në natën finale, për Krasniqin ka qenë diçka magjike.

“Në momentin që më përmendet emri, unë rashë në tokë dhe më nuk kam mbajtur në mend asgjë. Ka qenë definitivisht diçka që përnjëmend nuk e kam pritë hiç. Ne kemi hyrë në këtë festival më shumë për pjesëmarrje dhe që muzika jonë të dal në pah”, thotë ai.

Sa i përket kuptimit të tekstit, ai nuk e ka kuptuar deri vonë, vetëm kur është dashur që përmbajtja të i dërgohet festivalit. Megjithatë, ajo e ka bërë që akoma më shumë ta donte këngën, dhe e gjitha kjo ka qenë krejt spontane.

“Flas me gjethen” në mënyrë metaforike paraqet temën e një historie të vërtetë dashurie. Tekst-shkruesi dhe kompozitori Bekim Këpuska këtë këngë ia ka dedikuar bashkëshortes së tij, si shenjë mirënjohjeje e admirimi të përzier me një lloj ‘faji’ e borxhi që ai e ndiente karshi saj, si shkak i një martese dhe prindërimi në një moshë të hershme (19-vjeçe). Këpuska është gjetur në faj pasi ka menduar se i ka marr rininë, andaj duke i shprehur gjithë emocionet për brishtësinë e saj në këtë moshë të re teksti titullohet “Flas me gjethen”, si simbol i një cikli jetësor të “mohuar”.

Krijimi i këtij festivali patjetër që do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës në Kosovë, dhe këngëtari Krasniqi beson se me këtë kapacitet që ka Festivali i Këngës, është koha që të tregohet se ka shumë talente të shumta që e meritojnë të jenë pjesë e festivaleve përtej kufijve. Për të, e gjitha kjo eksperiencë ka një vlerë të madhe dhe pavarësisht sfidave, suksesi ka qenë gjithmonë në mendje.

Fotografia: Haris Feri

“Ndjesia e të qenurit në Festivalin e Këngës është diçka mahnitëse, njëmend po. I falënderoj përzemërsisht Florent Boshnjakun dhe Adi Krastën për këtë festival shumë shumë të mirë. Ja vlen me përmend po ashtu edhe Orkestrën prezente që ka qenë e jashtëzakonshme, plus të gjithë anëtarët e tjerë që kanë punu prapa skenës së Festivalit. Në anën tjetër, vlen të theksohet se konkurrenca ka qenë mjaft e fuqishme këtë edicion dhe unë jam shumë i lumtur që kam qenë në mesin e tyre.”

Këngëtari Krasniqi ka tashmë dy vite që punon me bendin e tij personal. Ai është njohur me emrin e tij skenik “Dhjetori” dhe ikona e muzikës nga i cili gjen inspirimin është këngëtari i njohur Harry Styles. Rruga drejt një karriere të tillë muzikore padyshim që ka sfidat e veta.

“Rruga ka qenë tepër e vështirë me thënë të drejtën. Ne si bend (Adonisi, Rroni, Zogu) krijojmë një muzikë që e kompozojmë vetë në gjuhën angleze. Po ashtu, këngët që i krijojmë me Bekimin, janë diçka ndryshe dhe nuk janë aspak të zakonshme. Andaj, e kemi një sfidë të madhe, shkak që është shumë e vështirë të pranohemi nga kjo shoqëri që dëgjon një lloj të muzikës tjetër”, tregon ai.

Ai veten e konsideron si një artist pa komplekse, me një zë tejet unik, gjë që iu është potencuar shumë herë gjatë jetës së tij. Ai beson se ka sjellë një frymë të re e të veçantë me këngët e tij në përgjithësi.

Krejt në fund, këngëtari Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të publikojë një mini album (EP), të kompozuar nga Bekim Këpuska. Ndërsa, me bendin e tij, është duke punuar në albumin e tyre të parë, që do të publikohet vitin tjetër në këtë periudhë kohore./ KultPlus.com

Fotografia: Haris Feri

‘Flas me gjethen’, historia e vërtetë e një dashurie triumfon në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës

Vjollca Duraku

Endrit Krasniqi me këngën “Flas me gjethen” është shpallur fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, i cili edhe këtë herë është mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, përderisa Greta Azizi me këngën “Veres” është listuar në vendin e dytë dhe Dea Strica me “N’Shipni” në vendin e tretë, shkruan KultPlus.

“Flas me gjethen” është kënga triumfuese nga 16-të këngët garuese të këtij edicioni të Festivalit të Këngës në RTK, e cila në mënyrë metaforike paraqet temën e një historie të vërtetë dashurie. Tekst-shkruesi dhe kompozitori Bekim Këpuska këtë këngë ia ka dedikuar bashkëshortes së tij, si shenjë mirënjohjeje e admirimi të përzier me një lloj ‘faji’ e borxhi që ai e ndiente karshi saj, si shkak i një martese dhe prindërimi në një moshë të hershme (19-vjeçe). Këpuska është gjetur në faj pasi ka menduar se i ka marrë rininë, andaj duke i shprehur gjithë emocionet për brishtësinë e saj në këtë moshë të re teksti titullohet “Flas me gjethen”, si simbol i një cikli jetësor të “mohuar”.

Çmimi i Orkestrës iu dha Arnitë Kastratit për këngën “Blla, blla, blla”, ndërsa çmimi i Kryeqytetit dhe Pallatit të Rinisë iu dha Besmir Shishkos për këngën “Unë – Ajo”.

Nata e tretë e festivalit e mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, u shpall e hapur në ora 21:00 nga bashkëprezantuesit Genc Salihu dhe Drita Kabashi, të cilët para publikut të vendosur në të tre anët e sallës, kënduan këngën “Kur dielli perëndon”. Skena gjigande me një spektër të madh ngjyrash, priti një nga një edhe tetë finalistët e mbrëmjes, duke dhuruar emocione pambarim te vetë ata, si dhe te publiku gjithashtu.

Ishte kënga “Një të vetme ka në jetë” nga Blendi Kaso që këtë mbrëmje u interpretua e para, duke u pasuar nga “Flas me gjethen” të Endrit Kraniqit dhe “Veres” të Greta Azizit. Ndonëse prezantimi bëhej në një sallë me akustikë jo të duhur, secili interpretim zgjonte ndjesi të veçanta në bazë të tematikës që trajtonte, dhe secili tingull i dhuruar me plotë zemër shpërthente në duartrokitje dhe ovacione gjithandej sallës me skenografi mahnitëse.

Këngët tjera të paraqitura sipas radhës transmetuese ishin: Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Rei Bezhani me “Zonja tradhëti”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Arnita Kastrati me “Blla blla”, Ardit Stafaj me “Faji” dhe Besmir Shishko me “Unë-Ajo”. Pas interpretimit të të gjithë garuesve pritej të merrej vendimi i jurisë në përbërje nga kryetarja Minire Fetahu-redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman-muzikologe, Ardianë Pajaziti- drejtoreshë e mediumit “KultPlus”, Valbona Selimllari-prezantuese dhe Blerta Zeqiri- regjisore. 

Gjatë kohës derisa juria konsultohej për shpallur fituesin e “Diamantit Blu” dhe  çmimeve të tjera të mbrëmjes radha iu erdhi mysafirëve special të Festivalit. Njëri prej tyre ishte Albert Stanaj, vokalist i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili e nderoi skenën e festivalit të këngës duke e sjellë si premierë botërore këngën e tij ‘Glory’.  Interpretimi i një fraze folklorike të cilën e kishte interpretuar nga mosha 10 vjeçare shënonte një përshëndetje e përzemërt me popullin e tij.

“Casta Diva”, aria e njohur nga opera “Norma” e Vincenzo Bellinit i shtoi mbrëmjes nivelin artistik me interpretimin e sopranos Besa Llugiqi, Orkestrës & Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Arbër Dhomi. Vendimi për paraqitjen e kësaj performance klasike në mesin e llojllojshmërisë së zhanreve u cilësua si i guximshëm.

Ndërsa, Bujar Ahmeti përmes një interpretimi të ndjerë solli vargjet e poezisë “Gjuha Shqipe”, të praruara nga kolosi shqiptar Gjergj Fishta. Violinisti shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Olen Cezari, solli ritëm dhe dinamikë në një bashkëinterpretim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Tymi dhe dritat shumëngjyrëshe përshtateshin mrekullisht me performancën.

Alban Skënderaj solli hitin e tij të kahershëm “Vetëm Ty”, që kohë pas kohe këndohej së bashku me publikun, duke dëshmuar vlerat e çmuara të këngës e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot sikur në kohën e publikimit. Pas kësaj performance u mbajt edhe ceremonia finale, vendimtare për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës, ajo e shpalljes së fituesve, që kulmoi me emocione të fuqishme dhe magji triumfi të këngës “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi.

Në një prononcim për KultPlus, me emocione të shumta fituesi Endrit Krasniqi tha se nuk ka pasur pritshmëri për triumf në një garë të tillë.

“Ka qenë një gjë të cilën nuk e kam pritur aspak. Më ka ardhur befasi, ende jam duke u dridhur, ende nuk po mund ta besoj çfarë ndodhi. Emocione boll, boll boll…, jam tepër i lumtur. Faleminderit shumë jurisë, RTK-së dhe të gjithë njerëzve që kam punuar. Konkurrentëve dhe garuesve të tjerë ju ha zemrat, i dua shumë. Faleminderit!”, ka thënë këngëtari Krasniqi.

Fituesi i Festivalit të Këngës ka uruar që shembulli i tij të jetë inspirues edhe për shumë artistë të tjerë, për t’i dhënë zë artit dhe krijimtarisë së tyre.

“Unë jam 20-vjeçar. Dua t’i inkurajoj të gjithë që secili artist i ri të shprehet, mos të ndalet, mos të frikësohet prej artit të tij, por ta çmoj dhe ta dojë. Uroj që përmes kësaj fitore ta kem dhënë këtë mesazh te të gjithë artistët e rinj. Nëse dikush frikësohet të dalë nëpër ekrane, iu them se nuk është asgjë. Është një prej ndjesive të mia më të mira sepse është festivali im i parë që kam marrë pjesë”, ka thënë finalisti Krasniqi.

Ndërsa, anëtarja e jurisë Ardianë Pajaziti pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës e ka cilësuar si një ndër përvojat më të veçanta në karrierën e saj, ku së bashku me anëtaret tjera të festivalit patën rast të vlerësojnë aspekte dhe kritere të ndryshme të këngëve garuese.

“Ishte një ndër përvojat më të mira dhe më me përgjegjësi që kam pasur, dhe jo vetëm unë, po e gjithë juria. Për tri mbrëmje patëm mundësi që të degjojmë me vëmendje këngët konkurruese, dhe përpos këngës kemi analizuar edhe tekstet, performancën, paraqitjen skenike, kompozimin…” është shprehur anëtarja e jurisë Ardianë Pajaziti.

Pajaziti, e cila njëkohësisht është edhe drejtoreshë e mediumit KultPlus, i është gëzuar faktit që kritikë dhe njohës të muzikës në vend e kanë vlerësuar vendimin e jurisë.

“E rëndësishmja, për tri vendet fituese kemi pas një vendim të përbashkët si juri, dhe ajo që më gëzon më së shumti është se njohës të mirë të muzikës më kanë kontaktuar dhe e kanë vlerësuar vendimin e jurisë”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Ndërsa, tekst-shkruesi Bekim Këpuska është shprehur tejet i lumtur që kënga të cilën ia ka kushtuar bashkëshortes së saj, ka shpallur fitues të festivalit këngëtarin Endrit Krasniqi.

“Jam shumë i emocionuar. Kam punuar shumë për këtë këngë. Kam punuar shumë me Endritin për ta sjellë në këtë moment në të cilin gjendemi aktualisht, andaj kjo fitore nuk është e rastësishme. Kemi vite që punojmë bashkë, ndjej që e kam rritur artistikisht që sot të jetë në qendër të vëmendjes”, ka thënë Këpuska duke potenuar që nga “faji” që ndiente pasi bashkëshortja e tij është bërë nënë në moshën 19- vjeçare, e ka pasur borxh t’ia kushtoj një këngë.

Kurse, Dea Strica fituese e çmimit të tretë, ka thënë se ndihet e lumtur që ka marrë pjesë në këtë festival, sipas saj historik, në të cilin ka njohur artistë të jashtëzakonshëm.

“Jam tepër e lumtur dhe nderuar që ka marrë pjesë në këtë festival dhe që kam pasur mundësi të njohë artistë të jashtëzakonshëm. Ka qenë një konkurrencë e fortë dhe për mendimin tim secili ka sjell një art unik, zëra dhe tekste të bukura. Çmimi është ajo gjëja extra e gjithë eksperiencës dhe magjisë që unë kam përfituar nga ky spektakël”, ka thënë ajo.

Strica gjithashtu ka thënë se ky festival me gjithë organizimin e tij meriton të paraqitet edhe jashtë kufinjve të Kosovës.

“Edhe më parë kam marrë pjesë në festivale të ndryshme por kjo është e parë që po marr pjesë në Prishtinë. Është nderë të jesh pjesë e një festivali që është historik. Unë uroj që ky të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë, e ky festival të na qojë përtej kufijve, ashtu siç e meriton”, ka thënë këngëtarja Strica.

Ndërkaq, drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku natën finale të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës e ka quajtur të jashtëzakonshme.

“Jam shumë i lumtur që sonte kemi pasur me të vërtetë në një natë të jashtëzakonshme. Ka shkuar tepër mirë jam i lumtur që edhe publiku e pëlqeu këngën fituese. I falënderoj të 16-të konkurruesit e Festivalit të Këngës, i vlerësoj dhe i falënderoj shumë secilin prej tyre. Mirëpo, nata e sotme ka qenë e jashtëzakonshme në secilin aspekt”, ka thënë drejtori artistik Boshnjaku, duke i përmendur edhe sfidat të cilat e kanë përcjellur gjatë procesit.

“Kanë qenë sfida të shumta, fatkeqësisht kjo sallë nuk i plotëson as kushtet minimale për një organizim kaq serioz, kaq të madh. Për këtë arsye dhe mund të shkaktohen probleme teknike të cilat ndodhin në prapaskenë. Mirëpo me një vullnet të jashtëzakonshëm të secilit njeri që ka punuar në këtë festival, e që jam falënderues pa diskutim, është arritur të krijohet një ambient për të prezantuar një festival i cili me siguri do të mbahet në mend për të mirë”, ka përfunduar Boshnjaku.

Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës është mbajtur gjatë tri netëve më 24, 25 dhe 26 tetor, në sallën e improvizuar në Pallatin e Rinisë./ KultPlus.com