Tingujt magjike të flautit në muret e lashta

Qytetarët durrsakë, së bashku me turistët e shumtë që frekuentojnë qytetin në këtë periudhë, patën fatin të përjetojnë një koncert të rrallë, i cili solli në jetë muzikën klasike në mënyrë unike dhe emocionuese. Tingujt magjikë të flautit përshkuan muret e lashta të Termave Romake në qytetin e Durrësit.

Për interpretueset, ky event nuk është thjesht një koncert, por një udhëtim muzikor që i lejon dëgjuesit të bëhen pjesë e antikitetit dhe artit.

Interpretueset, Majlinda Spiro dhe Xhejsi Kalziqi, dhuruan një shfaqje të paharrueshme, duke i mbajtur të pranishmit të magjepsur gjatë gjithë kohës me virtuozitetin e tyre.

Programi i koncertit përfshinte vepra të zgjedhura nga disa prej kompozitorëve më të shquar të historisë së muzikës, të cilët përmes notave të tyre, krijuan një lidhje të fuqishme mes së kaluarës dhe së tashmes./tvklan/KultPlus.com

Opera ‘Flauti magjik’ i Mozartit shfaqet në Teatrin e Durrësit ‘Aleksandër Moisiu’

Kryevepra operistike “Flauti Magjik” është ngjitur në skenën e teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës.

E kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në vitin 1791, përralla e mbushur me simbolikë, magji, aventurë, me personazhe mistikë dhe meloditë e përjetshme, mblodhi rreth vetes spektatorë të grupmoshave të ndryshme.

Për artistët kjo ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Nga një anë sjellja në jetë e partiturës së përjetshme të Mozartit me aftësi dhe saktësi, e nga ana tjetër përshtatja edhe me më të voglin e spektator.

Dritan Lumshi, dirigjent: I kemi sjellë diçka që të jetë shumë më pranë publikut. Të bëhet emë e kuptueshme dhe më afër tyre.

Ada Gurra, regjisore e Teatrit të Operas dhe Baletit: Është një mesazh shumë i bukur për fëmijët të cilët duhet gjithmonë të kuptojnë që e vërteta dhe të jesh i sinqertë dhe i pastër gjatë jetës tënde do të çojë gjithmonë drejt suksesit.


Artur Vera, solist: Ka qenë intensivisht prova për ta sjellë në shqip për fëmijët, të jetë sa më i kuptueshëm dialogu mes personazheve, por pastaj edhe pjesën e muzikuar ta bëjmë sa më të afërt për ta.

Albertina Del Bo, artiste: Ka qenë një eksperiencë fanatastike dhe një kënaqësi e madhe të punuarit me një grup të tillë artistësh. Jam ndjerë shumë e mikpritur dhe shumë e mbështetur. Do të kthehem me kënaqësi sërish në Shqipëri për të kënduar.

Një realizim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqja erdhi për artdashësin durrsak për dy ditë rresht, e pas kësaj do të ngjitet në skenat e tjera të qyteteve./TemA/ KultPlus.com