Flija është një ndër ushqimet tradicionale shqiptare më të shijshme. Si e tillë, ajo konsumohet shumë nga shqiptarët kudo që ndodhen. Por, bashkatdhetarët tanë të cilët ndodhen jashtë Kosovës, nuk kanë mundësi ta shijojnë shumë shpesh këtë ushqim, pasi siç e dimë, mënyra e përgatitjes së flisë është pak e komplikuar pasi nuk lejohet të ndezet zjarr në shumë vende. Por, një familje nga Qyshku i Pejës, po e bën të mundur që flijat t’i dërgojnë nga Kosova në Gjermani.
Nëna 66 vjeçare e familjes Kelmendi nga Qyshku i Pejës, është vetëm njëra ndër gratë e familjes e cila me shumë përpikmëri dhe mjeshtri, gatuan fli, të cilat pastaj përveç bashkatdhetarëve tanë në Gjermani, i shijojnë madje edhe shtetasit gjermanë, të cilët këtë ushqim tradicional shqiptar, e quajnë tejet të shijshëm dhe interesant.
Ardian Kelmendi, anëtar i kësaj familje, ka thënë për Gazetën Express, se edhe pse e moshuar, nëna e tij këtë punë e bën me shumë kënaqësi, sepse siç e quan ajo, “flija është traditë e jona, e traditat tona nuk bon me i harru”.
Tutje, Kelmendi ka thënë se dërgimin e flijave në Gjermani, ata e bëjnë dy herë gjatë javës, duke i dërguar kështu të paktën nga 6 flija që piqen në saç dhe oxhak.
“Dy herë në javë, së paku nga 6 flija i dërgojmë në Gjermani. Kemi kërkesë të madhe të dërgojmë edhe më shpesh, por për shkak se flija është ushqim i ndishëm, dhe rruga është e gjatë, momentalisht po i dërgojmë vetëm dy herë gjatë javës”, ka thënë Kelmendi.
Familja Kelmendi po kontribuon edhe në punësimin e grave, sepse përveç tri grave të familjes që përgatisin flija, gjithashtu ata punësojnë edhe gra të tjera, gjatë gjithë kohës, sepse kërkesat për eksport janë të mëdha.
Një tjetër veçanti e përgatitjes së këtyre flijave, është se familja Kelmendi i përgatisin me produkte të qumështit të cilat i përfitojnë nga bagëtitë e veta.
“Krejt janë tonat, kemi lopë, prej të cilave marrim qumësht e mazë, e këto flija i përgatisim me to”, ka thënë Kelmendi.
Ai thotë se kanë kërkesa që të fillojnë me dërgimin e flijave edhe në Austri dhe Zvicër, por për shkak të ndjeshmërisë së këtij ushqimi, momentalisht ata i dërgojnë vetëm në Gjermani.
Ai gjithashtu ka thënë se janë në proces të sigurimit të një mënyre më të lehtë dhe më të përshtatshme të transportimit të flijave, dhe pas kësaj ata do të shohin mundësitë që të zgjerohen edhe në tregun Austriak dhe Zviceran.
“Kërkesat janë shumë të mëdha, për Austri dhe Zvicër, por jemi duke u mundu që të sigurojmë një transportim të tillë që flijat të shkojnë të nxehta në këto vende, e mos t’i humbin vetitë dhe shijën deri sa të dërgohen atje, për shkak se është një rrugë shumë e gjatë”, ka thënë Kelmendi për Gazetën Express.