Festivali i RTK-së apo Kështjella e Rozafës, Boshnjaku: Gjenerata e sakrificës është në zhdukje e sipër, të rinjtë nuk do të kenë durim

Ardianë Pajaziti

Festivali i Radio Televizionit të Kosovës të ngjason si me legjendën e Kështjellës së Rozafës, përderisa kështjella ndërtohej ditën e shembej natën, skeleti i kësaj hapësire shndërrohej prej një parkingu në një festival, për tu rikthyer në gjendjen e mëparshme posa binin perdet.

Dy edicione tashmë kanë lënë shkëlqimin në njërën prej garazheve të Prishtinës, dhe edicioni i radhës ka mbet edhe pa këtë hapësirë, pasi që, tashmë është dhënë një sinjal. Ky lokacion do ti nënshtrohet renovimit.

Dhe për dy edicione të ringritjes së këtij festivali me një pauzë super të madhe në mes, prej kohës së Akordeve të Kosovës, iu ra hise dy personave, njërit nga Shqipëria e tjetrit nga Kosova, Adi Krastës e Florent Boshnjakut, të cilët, me shumë peripeci, që i tejkalonte edhe kërkesat për çka ishin të thirrur, bën të pamundurën dhe sollën këtë festival për dy edicione.

Të dy ngritën një festival pa shtëpi, një festival pa infrastrukturë, një festival nga hiqi. Mungesa e një salle koncertale vazhdon të jetë problemi më i madh i komunitetit artistik, që shpeshherë drejtorët e festivaleve i shndërron edhe në punëtorë teknik, pastrues, e gjithçka tjetër, sepse, vetëm në këto festivale di të ndodhë gjithçka e pa paparashikuar.

Megjithatë, fillimi i Festivalit të RTK-së padyshim do të mbetet i ngjitur me emrin e Boshnjakut, i cili krejt këtë proces edhe pse tejet të lodhshëm, e vlerëson si shumë të vonuar, dhe krejt këtë vonesë e adreson te përbërjet e Ministrisë së Kulturës nëpër vite, që sipas tij,  nuk i dhanë një shtysë për realizimin e tij, për të ndodhë më në fund në vitin 2023, vit që shënon rrugëtimin e kësaj nisme deri në kurorëzimin e rrugëtimit për Eurosong.

“Janë gjetë shumë arsyetime nëpër vite, prej një ministri në ministrin tjetër. U desh të vinte një Adi Krasta në Kosovë dhe të lëvizte motorët, edhe përkundër shumë sfidave që na kanë përcjellë për këto dy edicione”, thotë Boshnjaku i cili neglizhencën për themelimin e këtij festivali e adreson edhe te mendësia e personave kompetent nëpër vite, duke u arsyetuar me faktin se Kosova nuk është e pranuar në Eurosong, dhe se ka kohë për themelimin e një festivali të tillë.

“Kosova do të shkojë një ditë në Eurosong, por kur të vjen ajo ditë ne duhet të jemi të përgatitur. Duhet të kemi një përvojë në raport me festivalet”, thotë Boshnjaku.

Dhe fillimi i një festivali nga zeroja, fillimi i një festivali pa sallë koncertale duket se e ka shteruar Boshnjakun dhe nuk është i sigurt nëse do të pranojë edhe udhëheqjen e edicionit të tretë. Ai është skeptik duke iu referuar përvojave në këto dy edicione.

“Për edicionin e parë kam qenë edhe unë i përgatitur se kam me pas të vështirë, po për edicionin e dytë kam menduar se do ta kemi më të lehtë, duke u bazuar në atë se tashmë e kemi ndërtuar një bazë, dhe punën e kemi të njohur. Por kurrë nuk ma ka marr mendja se edicioni i dytë do të jetë shumë më i vështirë”, thotë Boshnjaku, që shpjegon se edhe edicionin e dytë e kishte pranuar në partnerit me Adin, por, sipas tij me këto mundësi dhe këtë kapacitet, ai nuk duket shumë entuziast se do ti përvjelë mëngët edhe për edicionin e tretë. 

“Dëshira dhe vullneti ka ekzistuar që festivali me arritë aty ku duhet me arritë, jam mundu me mish e me shpirt, duke përdorë edhe lidhjet e mia që kam krijuar për një jetë të tërë. Krejt kemi qenë të angazhuar, mirëpo nuk po shoh vullnet për ndryshimin e kushteve, dhe vështirë është të punohet në këto kushte”, thotë Boshnjaku, i cili uron, shumë uron që në vitet në vijim çmimi i parë i Eurosong të vijë në Shqipëri, por edhe në Kosovë kur ti vijë momenti, sepse, sipas tij një fitore e tillë do të thotë shumë për industrinë e muzikës.

Ai tërheqë disa paralele që në këtë vend nuk respektohet artisti, nuk shpërblehet për mundin e bërë, nuk i krijohet infrastrukturë, edhe nëse flitet për infrastrukturë, sipas tij fokus i jepet muzikës klasike, duke harruar që muzikën e këtij vendi e bën edhe muzika pop, jazz dhe zhanre të ndryshme që do të duhej të vlerësoheshin.

“Pandemia na ka dëshmuar se sa na respektojnë, duke pas reagime të shumta se pse artistët duhet të mbështeten në kohë të pandemisë. Po ata njerëz që dëgjojnë muzikën tonë në shtëpi, në lokale, në makina pa e paguar asnjë cent të vetëm”, shprehet Boshnjaku.

“Mentaliteti jonë vazhdon mos me e pa muzicientin si profesion, ndoshta edhe me këtë mendësi fusha jonë nuk është pa paralel me fushat tjera. Nëse ka qenë prioritet rregullimi i një rruge, po me atë rëndësi është dashtë të ndërtohej edhe një sallë. Franca dhe Gjermania janë shtete që në një periudhë nuk kanë pas as kanalizim, por kanë vepra muzikore që ende njerëzimi i shijon”, thotë Boshnjaku.

Ai përpos Festivalit të RTK-së që ka nisë rrugëtimin pa shtëpi, përmend edhe institucionin e Operës së Kosovës që ka nisë po të njëjtin rrugëtim. Këtë shkëndije muzikore ai e sheh vetëm si vullnet të artistëve, e që nuk pengohen shumë nga infrastruktura, por ai edhe në këtë mes e sheh një problem. Sepse, sipas tij, gjenerata e sakrificës është në zhdukje e sipër, të rinjtë nuk do të kenë durimin deri në ndërtimin e sallave që të bëjnë karrierë.

“Kam frikë që një ditë do të ndërtohen edhe këto salla, po kur të ndërtohen, shtrohet pyetja për kë do të ndërtohen. Po shoh shumë të rijnë që po e provojnë vetën në fushën e muzikës në rajon dhe në shtete të Evropës, ata po duan që të prekin suksesin, dhe jo përmirësimin e kushteve”, thotë Boshnjaku.

Festivali i RTSH-së ka ec shpejtë drejt një rruge kualitative

Florent Boshnjaku që për krejt jetën e tij nuk ka punuar asnjë punë tjetër përpos muzikës, ka provuar edhe shijen e Festivalit të RTSH-së në shumë dimensione. Ai ka punuar në këtë festival edhe si organizator, edhe si kompozitor, edhe si juri, por suksesi më i madh i Boshnjakut vazhdon të mos tejkalohet edhe sot.

Kompozimi i këngës “Suus” interpretuar nga Rona Nishliu, këngë që edhe sot nuk është tejkaluar nga asnjë këngëtar i Shqipërisë sa i përket radhitjes në Eurosong, është një prej sukseseve më të mëdha të Boshnjakut.

“Shumicën e krijimtarisë jam munduar me pas të tillë, krijimtari të qëndrueshme. Natyrisht se punoj edhe në pjesën komerciale, por jam mundu që të realizoj një punë cilësore, e që nuk është e lehtë të mbahet niveli në këto rrethana” thotë Boshnjaku.

Por, përpos suksesit që pat shënuar në Eurosong, Boshnjakun më të lumtur e bën fakti që kënga Suus edhe sot vazhdon të jetë target i garave të ndryshme ndërkombëtare, sikurse që kjo këngë dëgjohet edhe në festivale të ndryshme të muzikës.

Kurse për edicionin e fundit të RTSH, ku Boshnjaku ishte në cilësinë e jurisë ka vlerësuar se ky festival ka qenë një ndër festivalet me solide të RTSH, ku i ka vlerësuar edhe prurjet artistike.

Për vendin e parë të Shkodrës Elektronike ai e ka vlerësuar si një këngë të arrirë  dhe se pikërisht ajo këngë e ka merituar vendin e parë. “Juria e ndau edhe çmimin e kritikës, dhe po ky çmim shkoi për Shkodrën Elektronike, e kur juria jep çmimin e kritikës kuptohet që analizohen krejt detajet”, ka thënë Boshnjaku, edhe pse, sipas tij si kompozitor është shumë e vështirë pjesëmarrja nëpër juri, pasi që me shumicën e artistëve punon, dhe e njeh kapacitetin e tyre.

“Jo gjithmonë artistët e kanë ditën më të mirë në paraqitje, dhe ti si kompozitor ia njeh kapacitetet në vazhdimësi, dhe pastaj krejt ky proces di të jetë shumë i vështirë”, thotë Boshnjaku.

“Unë e RTSH jam i lidhur shumë ngushtë për shumë vite. E njoh shumë mirë përbrenda, ia njoh problemet, ia njoh zhvillimet, dhe mund të them se kanë ec shumë shpejt me kualitet. Kushtet që i ka ofruar RTSH për organizatorët kanë qenë kushte kualitative”, vazhdon Boshnjaku, i cili organizimin  me Festivalin e RTK-së dhe atij të RTSH nuk guxon as ti krahasojë, gjithnjë sa i përket infrastrukturës dhe kushteve.

Influencohen nga jeta e këngëtarëve në instagram, e fatkeqësisht nuk është reale

Se në çfarë pike është muzika sot, nëse e krahasojmë me të kaluarën, Boshnjaku thotë se nuk ka mes, një grup i këngëtarëve është lart, kurse pjesa tjetër është poshtë. Më herët më shumë kemi pas mes, që do të thotë kemi pas më shumë cilësi. Poashtu një pjesë e zhanreve është duke u tkurrë, e kemi pas muzikën pop shumë të zhvilluar, kurse tani kemi një zhanër të ri, rep, hip hop e të përzier edhe me muzikë popullore” thotë Boshnjaku.

Ndërkohë, se pse të rinjtë e Kosovës janë kaq shumë të interesuar për muzikën, Boshnjaku thotë se ndoshta pse jemi popull i hareshëm, por më shumë edhe ajo e përfitimit material.  “E shohin jetën e disa këngëtareve në instagarm, dhe fatkeqësisht nuk është reale, një grusht njerëz a e kanë apo nuk e kanë atë jetë, dhe figurat e instagramit po bëhen model dhe ndoshta po i hyjnë rrugës për të bërë muzikë. Edhe pse disa fillojnë për arsye komerciale, që nuk i lë në faj, secili ka zgjedhjen e tyre”, thotë Boshjnaku.

Florent Boshjnaku që krejt jetën e ka të lidhur me muzikën, krejt ditët e vitit i ka të lidhura ngushtë me këtë profesion. Ai realizon brenda vitit disa produksuone, dhe shumë projekte të tjera muzikore.

Ai së shpejti do të lansojë një projekt muzikor, talent show, e që fituesit e kësaj gare do ti përcjellë në zhvillimin e tyre muzikor, ku tre fituesit do të dërgohen me bursë për studime.

Boshnjaku kep detaje që projekti “Rockeeet Music” është përkrahur nga fondacioni ‘Siana’, përkatësisht nga kompania ‘Speeex’, e që pritet të jetë një garë e jashtëzakonshme.

“Ka, edhe disa projekte që do ti realizojë jashtë Kosovës me të rinj, sikurse kam një projekt që e kam dërguar në Komunë të Prishtinës, por që nuk kam marr asnjë përgjigje, Kam kërkuar që të rinjtë e fushës së muzikës të kenë mundësi të realizojnë incizime të punës së tyre, në mënyrë që ti kenë të arkivuara për aplikime të mëtutjeshme. Studentët e muzikës nuk kanë asnjë incizim profesional, e po me ato incizime ata prezantohen pastaj në komisione ndërkombëtare. Po ky projekt kaq i rëndësishëm nuk u realizua, nuk mora përgjigje”, thotë Florent Boshnjaku, i cili ka punuar edhe me fonacionin e Dua Lipës ku kanë trajnuar disa të rinj e që janë dërguar pastaj për një punëtori në Suedi.

Për fund, ai kujton se lidhja me yjet tona që i kemi nëpër botë do të shërbente shumë për mbështetjen e të rinjve tanë, sepse një referencë e tyre është shumë domethënëse për karrierën e tyre. / KultPlus.com

Boshnjaku: Me këtë Festival është dëshmuar se çka mundet me u punua

Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, tha se Festivali i Këngës është vazhdimësi e traditës. Ai iu është përgjigjur komenteve për emra më të njohur në edicionin e parë.

“Nuk kanë qenë të sigurtë se çka dhe si do të punohet. Mendoj që me këtë Festival është dëshmuar se çka mundet me u punua. Në anën tjetër nuk e di pse kanë dyshuar kur e kanë ditur kush është prapa”, ka thënë Boshnjaku.

Ka pranuar se janë kontaktuar disa nga ta, por që kanë pasur një hezitim, të cilën nuk do ta kenë tash e tutje pas magjisë që u soll për tri netë.

Drejtori teknik i Radio Televizionit të Kosovës, Adnan Fejza, ka thënë se realizimi televiziv i këtij festivali nuk ka qenë i lehtë, por që ia kanë dalë me ekipin profesional.

“Pas gjithë kësaj pune qëndron një ekip e madhe, me njerëz profesionistë, të cilët gjatë këtyre ditëve kanë hasur në sfida të shumta, por që me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta përmbyllin festivalin ashtu si duhet. Jam shumë krenar me gjithë stafin”, ka thënë Fejza./atsh/KultPlus.com

Kufizimi i lirisë dhe mundësitë e pakta, Sunny Hill dhe ‘Musikmakarna’ me ndihmë ndaj talenteve nga Kosova

Uranik Emini

Në mesin e shumë sukseseve dhe gjërave pozitive që “Sunny Hill” ka sjellë në Kosovë, ata janë munduar edhe të ndihmojnë sa më shumë të rinjtë në Kosovë, të cilët për shkak të mungesës së liberalizimit shpeshherë janë të kufizuar në mundësitë që ofron arena ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Musikmakarna – Akademia e Kantautorëve të Suedisë së bashku me drejtoreshën Ulla Sjöström, përgjatë tre ditëve sa është zhvilluar festivali, kanë punuar me disa të rinj nga Kosova, duke i ndihmuar atyre që të zhvillohen profesionalisht.

Në një intervistë për KultPlus, Sjöström ka bërë të ditur se kishte biseduar me Dukagjin Lipën për të bërë diçka për talentet e rinj në Kosovë.

Sipas saj, Suedia është një nga vendet më të mira në botë sa i përket këngëve “pop”.

Shkolla që ajo drejton tani është themeluar më shumë se 20 vjet më parë dhe ka një reputacion të madh në botë, madje “Forbes” ka shkruar për madhështinë e tyre. Ata kanë arritur shumë në karrierën e tyre, duke punuar vetëm me shumë mund dhe përkushtim.

Musikmakarna synon të zhvillojë kantautorë të ardhshëm në Suedi, si dhe ndërkombëtarisht. Me një përvojë shumëvjeçare si edukator, ata sot bashkëpunojnë me botuesit më të njohur të muzikës në mbarë botën.

“Duke qenë se mundësitë për talentë këtu në Kosovë janë të pakta, ne kemi vendosur të bëjmë diçka për ta, 3 talentëve nga Kosova i kemi premtuar që do t’i dërgojmë në Los Angeles, ku ka edhe një shkollë tjetër sikurse e jonja, në të cilën unë jam anëtare e bordit”, thotë ajo.

Së bashku me kompozitorin Florent Boshnjaku, ata punuan për tre ditë me të rinj të ndryshëm, duke organizuar punëtori të ndryshme me ta.

“Punëtoritë kaluan mbi pritjet tona! Të rinjtë që kishim pjesëmarrës ishin vërtet të interesuar, punëtor, të zgjuar dhe të lehtë për t’u adoptuar. Ne u habitëm gjithashtu që të gjithë flasin aq mirë anglisht! Pjesëmarrësja më e vogël ishte vetëm 12 vjeçe dhe e menaxhonte gjuhën në mënyrë perfekte, si të tjerët. Kështu që komunikimi me grupet ishte i lehtë! Ata krijuan 2 këngë e gjysmë gjatë këtyre pak ditëve, gjë që është shumë e mirë, veçanërisht duke pasur parasysh që shumica prej tyre nuk kanë shkruar këngë të tilla më parë”, tha drejtoresha.

Sa të suksesshme kanë qenë gjatë këtyre tri ditëve ka bërë të ditur edhe Dua Lipa në një postim në “Instagram”, duke thënë se ishte shumë e emocionuar prej tyre.

“SunnyHillFoundation është bashkuar me Musikmakarna, akademinë e kantautorëve në Suedi për të krijuar një program të ri për kantautorët e rinj të talentuar në Kosovë. Unë zbrita në studio sot për të parë se çfarë kanë bërë ata dhe u mahnita plotësisht nga talenti dhe produktiviteti i seancave brenda vetëm disa ditësh nga fillimi. U ndjeva vërtet e frymëzuar dhe jam shumë e emocionuar që ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të parë këtë program të rritet në diçka vërtet të bukur”, thuhet në postimin e saj.

E pyetur se sa është dakord me Dua Lipën në këtë drejtim, Sjöström thotë se ata i kanë marrë një pjesë të zemrës.

“Unë mund vetëm të pajtohem me Dua Lipën, ata ishin fantastikë si persona dhe si studentë të seminarit në shkrime dhe prodhime krijuese! Ata thjesht donin të mësonin më shumë dhe dukej se nuk lodheshin kurrë. Nxënësit e mi nga Suedia, producentja Vilma Sunding dhe kantautorja Elise Hedengren, patën të njëjtën përshtypje. Ata na morën një pjesë të zemrës!”.

Sunny Hill Foundation dhe Musikmakarna kujdesen për talentët e rinj nga Kosova

“Sunny Hill dëshiron të organizojë më shumë punëtori, ndoshta në tema të ndryshme, por edhe në shkrimin e këngëve krijuese, dhe të përfshijë më shumë pjesëmarrës të rinj, vitin e ardhshëm në Sunny hill Festival. Ata me të vërtetë kujdesen për talentet e rinj dhe duan t’u japin atyre mundësi për t’u zhvilluar. Me sa kuptoj, më shumë është planifikuar dhe më shumë do të vijnë”.

Kurse intensive, qëllimi kryesor = suksesi

“Përveç kësaj, ata janë duke punuar me shkollën Oak’s Institute of Arts & Innovation në Westlake, Los Angeles, për të përgatitur një kurs intensiv gjatë një muaji pranverën e ardhshme, për tre talentë nga Kosova. Kjo do të jetë një përvojë e shkëlqyer për të zgjedhurit!”

E ardhmja e ndritur

“Ne mendojmë se duhet të bëjmë më shumë për të rinjtë e Kosovës, do të donim ta bënim këtë! Dhe ne kemi ide! Pra, le të shohim se çfarë sjell e ardhmja!”, përfundon ajo. /KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja përkrahë vlera të artistëve si Rexhepagiqi e Boshnjaku

Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.

Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.

“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës. / KultPlus.com

Ramë Lahaj po vjen me një projekt të ri

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj duket se është duke punuar një projekt të ri, shkruan KultPlus.

Ai ka realizuar një takim me kompozitorin e njohur Florent Boshnjaku, dhe pikërisht ky i fundit ka paralajmëruar për këtë projekt. “Diçka shumë e bukur rrugës”, ka shkruar Boshnjaku.

Ndërkohë, Ramë Lahaj është duke qëndruar së fundi në Kosovë dhe takimet e tij kanë qenë të shpeshta edhe me udhëheqës të institucioneve, sikurse në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri.

Ramë Lahaj së fundi është prezantuar me një koncert të madh në sheshin e Prishtinës, mbetet të shihet se në çfarë formati do të jetë projekti i ri./KultPlus.com

Florent Boshnjaku sjell remixin e këngës “Suus” të Rona Nishliut (VIDEO)

Në Dhjetor të vitit 2011, Rona Nishliu mori pjesë në Festivalin e 50-të të RTSH-së me këngën “Suus” ku edhe doli fituese e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision në vitin 2012, shkruan KultPlus.

Florent Boshnjaku është kompozitor i këngës “Suus”, e cila deri sot mban pozitën më të mirë të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion.

Por, Boshnjaku ka vendosur që në këto ditë izolimi ta sjell remixin e këngës “Suus”. Kënga në këtë formë që ka marrë të bën edhe njëherë më shumë për vete.

Florenti është shprehur i lumtur që ka sjell këtë remix.

“Shoke dhe Shoqe ju ftoj ta degjoni remixin e ‘Suus’ .Se bashku me Ronen jemy happy me ju disponu ne keto dite te karantines .Enjoy & Share”, ka shkruar ai në Facebook ku edhe ka shpërndarë linkun e këngës. / KultPlus.com

Kompozitori Boshnjaku kërkon që incizimet e Nexhmie Pagarushës të jenë pronë shtetërore


Kompozitori Florent Boshnjaku, në një postim në rrjetin social “Facebook”, pasi që ka e ka konsideruar Nexhmie Pagarushën ikonë, ka kërkuar që incizimet e saj të jenë pronë e shtetit të Kosovës.

“Ai material është në adresa tjera: Beograd si dhe në Zagreb ( sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve Kosovar përfshirë Qamilin e Vogël etj.) Në ish-Jugosllavi ku edhe ne kemi qenë pjesë e sistemit incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB (record label e asaj kohe si pronë e shtetit Jugosllav me seli në Beograd ) e cila e mban të drejtën si kompani producent -pronare e këtyre incizimeve, ka shkruar Boshnjaku. Sipas tij, përkundër bisedave me zyrtarë institucionalë nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi e jona kulturore dhe shpirtërore .

“Materiali i incizuar në ato dekada duhet ta ketë vendin aty prej nga ka ardhur dhe është krijuar pra në Kosovë. Kosova duhet të jetë pronare e materialeve të incizuara në kohë kurë është jetuar dhe vepruar në një bashkësi me republikat tjera në Jugosllavi, pra këtu hyjnë edhe këngët e znj. Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Boshnjaku. Më tej, ai ka kërkuar trajtim dinjitoz të artistëve të kalibrit të Nexhmie Pagarushës.

“Znj.Nexhmie në vitet e fundit nuk e shijoj të drejtën e autorit ku ajo pagesë ishte deshtë me ja kriju një bazë për një pleqëri dhe pension të dinjitetshëm pa pasur nevojë me kriju ligje dhe ide tjera që artisti i kalibrit të saj të ketë një pleqëri si duhet”, ka shkruar Boshnjaku.

Në fund të postimit të tij, kompozitori Boshnjaku ka kërkuar digjitalizimin e materialit të arkivit të ish- RTP-së.

“Ligji i cili e rregullon raportin e RTK-së si RTV publik në raport me materialet e RTP-së të cilat pas digjitalizimit duhet të jenë pronë e RTV publik ose të jenë pronë e shtetit të cilat arkivohen në ministri përkatëse si trashëgimi kulturore ose trashëgimi shpirtërore”, përfundon postimin e tij Boshnjaku. / KultPlus.com

Florent Boshnjaku, producent i Festivalit të RTSh-së

Florent Boshnjaku është zgjedhur producent i Festivalit të RTSh-së, shkruan KultPlus.com

“Të dashtun.
Sivjet me një ekip të mrekullueshëm do të jem Producent Muzikor i festivalit të RTSh”s në Tiranë.
Falendërues gjithmonë për institucionet në Tiranë të cilat e vlerësuan punën time në maksimum.
Shumë fat të gjithëve në këtë edicion”, ka shkruar Boshnjaku në llogarinë e tij në Facebook.

Këtë herë Festivali i RTSh-së pritet të jetë edhe më i sukseshëm se viteve tjera meqë producenti Boshnjaku e ka kompozuar këngën “Suus” të Rona Nushliut, përmes së cilës Shqipëria kishte pasur sukses të madh në Eurovizion. /KultPlus.com

“Cerise”, festivali më i ri për fëmijë në Kosovë

Për të gjithë fëmijët e talentuar në muzikë, sapo është dhënë një ndër lajmet më të mira së fundmi.

Kompozitori i njohur Florent Boshnjaku në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të sjellin në Kosovë festivalin për fëmijë të titulluar “Cerise”.

Festivali ka karakter garues ndërsa fituesit të këtij festivali do ti punohet një këngë me të cilën automatikisht do ti sigurohet pjesëmarrja në festivalin e fëmijëve në RTSH në Tiranë, shkruan GazetaExpress.

Përmes kësaj pjesëmarrje, fituesi nga festivali “Cerise” hyn në garë për përfaqësimin e Shqipërisë në festivalin “Junior Eurosong”.

I gjithë festivali do të jetë ‘live’ ndërsa do të mbahet në sallën e kuqe në Prishtinë me datë 21 qershor.

Kjo është ndër nismat më të mira të marra së fundmi në këtë periudhë kur në vendin tone mungojnë gara të tilla përmes të cilave vihet në pah talenti i artistëve të vegjël./KultPlus.com

“Home” shpërblehet me dy çmime në festivalin “For Rainbow” në Brazil

Filmi “Home” me regji të More Raçës e muzikë të Florent Boshnjakut është shpërblyer me dy çmime në festivalin e filmit “For Rainbow” i cili është mbajtur në Brazil, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit më të madh të diversitetit “For Rainbow” ky film ka arritur të triumfoj në dy kategori si “Filmi më i mirë internacional” dhe në kategorinë “Muzika më e mirë origjinale” ku muzika e këtij filmi është prodhim i kompozitorit Florent Boshnjaku.

Festivali “Rainbow” është një nga hapësirat më të rëndësishme për debat dhe përhapjen e respektit për pluralitetin seksual dhe gjinor në Brazil.

‘Home’ deri më tani është shpërblyer edhe me shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Ndërsa në kastën e aktorëve janë: Xhejlane Tërbunja, Sunaj Raça, Kumrije Hoxha, Bekim Mulaj, Florentina Ademi, Veton Osmani, Albulena Bardhi, Mirsad Ferati, Don Raça, Gani Morina./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli interpreton veprën e kompozitorit Florent Boshnjaku

Maestro i violinës, Shkëlzen Doli, më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, do të sjellë magjinë e interpretimit përmes projektit të tij ‘Albanian Soul’.

Ky koncert tashmë është paralajmëruar që do të ketë një program të pasur artistik duke u bazuar në muzikën e të gjitha trevave shqiptare por nuk do të mungojnë edhe perlat e muzikës botërore.

Ky koncert që pritet të jetë madhështor në Tiranë, do të përmbyllet me një pikë të kompozuar nga kompozitori kosovar Florent Boshnjaku. Këtë gjë e bëri të ditur për KultPlus, vetë kompozitori Boshnjaku, i cili tregoi se kjo pikë është kompozuar enkas për këtë koncert dhe do të luhet nga mjeshtri i violinës Shkëlzen Doli.

“Në këtë koncert do të luhen një pjesë e veprave të njohura klasike të ri-orkestruara dhe pastaj do të luhet një program me muzikë shqipe (këngë të dëgjuara të ri-orkestruara, ku edhe këtu e kam një orkestrim timin). Pastaj ka edhe pika origjinale të kompozuara enkas për koncert. Numri im do ta përmbyllë koncertin dhe është origjinal, pra i kompozuar enkas për këtë koncert dhe luhet nga Shkëlzen Doli bashkë me orkestër dhe bend”, ka thënë për KultPlus Florent Boshnjaku.

Vepra quhet ‘E bukura’, ndërsa më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’, kjo vepër do ta përmbyll koncertin e Shkëlzen Dolit ‘Albanian Soul’./ KultPlus.com

Këta janë dy fëmijët kosovarë që do të sfidohen në Festivalin për Fëmijë të RTSH-së

KultPlus ka raportuar ditë më herët për këngët që do të prezantohen në Festivalin për Fëmijë të RTSH-së, këngë që janë punuar nga kompozitori Florent Boshnjaku, kurse tekstet e këngëve janë shkruar nga Yll Limani, shkruan KultPlus.

Kompozitori i këtyre dy këngëve sapo ka plasuar në rrjete sociale edhe fotografinë me të dy fëmijët, duke i bashkëngjitë edhe këtë dedikim:

Me dy zemra te vogla , Jana Shala dhe Auron Ismaili do te marrin pjese ne festivalin e RTSh per femije (festival i cili dergon kengen fituese per ne Junior Eurosong ) po na mungon edhe Yll Limani i cili ka shkruar tekstet e bukura per te dy kenget . Suksese Jana dhe Auron./KultPlus.com