Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, ndërmerr nismën që synon të frenojë përdorimin e fjalëve të huaja në media

Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar një nismë që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni.

Nga 1 janar ekipet e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve në AMA ka nisur mbikëqyrjen e përdorimit të fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet.

Nisma e titulluar “fol shqip” pasqyrohet në publikimet e kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi dhe web-in zyrtar të institucionit, në formën e gjetjeve të çdo jave, pas monitorimit të përmbajteve të transmetuara në radio dhe televizione, shoqëruar me alternativat në shqip të fjalëve të huaja të përdorura, shkruan Top Channel.

“Në këtë mënyrë AMA ka hapur kështu çështjen e respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive.  Mediat në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, por dhe në pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Fenomeni i sjelljes jo korrekte të disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zëvendësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve, është kthyer në një fenomen shqetësues. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por edhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Gjithashtu kjo krijon një efekt zinxhir, tek të ftuarit dhe deri në publik, duke krijuar modele që në fund rezultojnë në dëmtues të gjuhës shqipe”-thuhet në reagimin e AMA-s.

Me qëllimin për ta frenuar këtë fenomen, kryetarja e AMA-s ka njoftuar se monitorimi i përdorimit të fjalëve të huaja në radio dhe televizione do të kryhet herë pas here dhe rezultatet do të publikohen në mënyrë që punonjësit e medias të ndërgjegjësohen për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe. / KultPlus.com

Në Queens të Nju-Jorkut hapet shkolla “Fol Shqip”, me mbi 60 nxënës

Në Queens të Nju-Jorkut është hapur shkolla “Fol Shqip”.

Mbi 60 fëmijë të regjistuar nga mosha 4 deri në 21 vjeç shfaqën interes për të mësuar dhe përvetësuar gjuhën shqipe. Iniciativën për këtë nismë e mori “Shoqata Besi”, e cila shërben si qendër kulturore dhe mbështetëse për komunitetin shqiptar me origjinë nga fshati Besa në Mal të Zi, shkruan albinfo.ch.

Për të ruajtur traditën dhe kulturën, përveç orëve të mësimit të shqipes – “Shkolla Fol Shqip” ofron edhe klasat e kërcimit, ku fëmijët shqiptarë mësojnë të kërcejnë vallet e njohura shqiptare.

Kurrikula e shkollës, e përqendruar në gjuhën shqipe dhe vallet tradicionale, synon të lidhë brezat e rinj të shqiptarëve në New York me trashëgiminë e tyre. Këto klasa nuk janë vetëm për mësimin; ato janë për të përjetuar dhe ruajtur një trashëgimi kulturore të pasur, duke nxitur një ndjenjë identiteti dhe bashkësisë midis të rinjve shqiptarë në diasporë. / KultPlus.com