Neviana Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi janë pronarët e një fabrike të re të verës në qytetin e Newtown në SHBA. E kanë quajtur “Aquila’s Nest” dhe ka hapur dyert së fundmi në një ndërtesë goditëse, me çelik dhe në formë hambari. Ajo është e vendosur në majë të një kodre me pamje që të lë pa fjalë.
Neviana Zhgaba, adhuruese e fotografisë dhe filozofisë thotë se me bashkëshortin e parashikojnë kantinën e tyre të verës “si një vend ku njerëzit të jenë më të lidhur”.
Kjo është arsyeja që në këtë kantinë ka dhe një piano dhe një dekor të larmishëm me vepra artistike ku tregohen arritjen e Kombeve të bashkuara, gjëra për të cilat Neviana është e apasionuar. Krahas kësaj ndërtese që e kanë ndërtuar mbi shijet e tyre dhe dashurinë për astronominë, janë dhe vreshtat e rrushit prej shtatë hektarësh ku përfshihen varietete si Cabernet Franc, Chambourcin, Marquette, Baco Noir, Riesling, Cayuga White, Valvin Muscat dhe Traminette.
“Kur erdha këtu 12 vite më parë (nga Shqipëria) më pëlqente të eksploroja”, tregon Nevina duke treguar historinë se si lindi ky biznes. “Unë jam gjithmonë e hipnotizuar me gjera të reja, dhe dua të angazhoj dhe të tjerët në përjetimin e tyre”.
Kur ishte në pritje të djalit të saj të dytë, bashkë me Ardianin po kërkonin një fermë për të ndërtuar shtëpinë e tyre, pasi dëshironin që djemtë të rriteshin atje ku mund të endeshin lirshëm dhe të lidheshin me natyrën.
“Këtë pronë e gjeti burri im; Më kujtohet si tani ishte pikërisht pesë vjet më parë në tetor. Babai im ishte akoma këtu. Ai ndërroi jetë nga kanceri i pankreasit…dhe kjo lidhet me të”.
Ajo rrëfen mes emocionesh se të atin nuk e kishte parë për tetë vjet (kur ai ishte në Shqipëri) dhe “kur erdhi këtu e pëlqeu idenë që ne të fillonim shtëpinë tonë të re…”. Ai ishte një ithtar i planit të madh të tyre.
Nevina Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi po rrisin këtu djemtë e tyre, kanë hapur “Aquila’s Nest” Vineyards në Newtown. Nga latinishtja e dimë që “Aquila” do të thotë “shqiponjë” dhe ata thonë se janë frymëzuar nga përrallat mitologjike dhe dashuria e tyre për astronominë. Kjo pasi Aquila është edhe emri i një konstelacioni në formë shqiponje por dhe se ata vijnë nga Shqipëria që gjithë bota e njeh si “Vendi i shqiponjave”./diasporashqiptare/ KultPlus.com