Festivali folklorik ndërkombëtar, Sako: Durrësi, qendër e aktiviteteve kulturore

Durrësi është kthyer tashmë në qendër të aktiviteteve kulturoro- artistike me organizimin e festivalit folklorik ndërkombëtar.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndau sot momente nga ky festival me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Polonia, Ukraina Maqedonia e Veriut, Estonia, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Republika Çeke, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Sllovakia, Franca etj.

Të gjitha grupet performojnë live dhe kanë në përbërje muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë duke bërë që çdo ansambël të ketë larmishmëri dhe një përfaqësim të plotë të vlerave dhe traditës së vendit përkatës.

Sako theksioi se të tilla evente kulturore dhe artistike janë ndjekur me interes të madh nga ana e artdashësve durrsakë por dhe turistëve të shumtë./atsh/ KultPlus.com

Nis ‘Jehona e Vjosës’, Festivali folklorik në Memaliaj

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në natën e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” që mbahet në Memaliaj.

Kumbaro u shpreh se, me këtë festival po krijohet një traditë e bukur që nisi dje e do të vijojë për pesë ditë rresht, me grupe folklorike nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Memaliaj përqafuar nga Vjosa nuk është më qyteza hije anës rrugës, por qyteti ku memaljotët kanë nisur të japin apartamente me qira për turistët dhe të ndërtojnë agroturizme për vizitorët që gëlojnë në gjithë qarkun dhe lëvizin nga një qytet në tjetrin, nga Gjirokastra, Libohova e Dropulli, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e tani edhe në Memaliaj, për të shijuar më të mirat e kulinarisë, historisë, mikpritjes së ngrohtë dhe natyrës së pashoqe”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro ftoi pushuesit që nëse po vizitojnë Gjirokastrën këto ditë, në mbrëmje të ndalojnë në Memaliaj dhe të shijojnë koncertin dhe aromën e Vjosës.

200 artistë të këngës e valles në Festivalin Folklorik të Selenicës

Mbi 200 këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë për tri mbrëmje me radhë e kthyen Kotën në një sofër të madhe të folklorit e këngës tradicionale labe, ku u zhvillua Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë 2024.

22 grupe polifonike u ngjitën në të tri netët e edicionit të dytë të Festivalit Folklorik të Bashkisë Selenicë.

“Si asnjëherë më parë të bërë bashkë kaq shumë këngëtarë të këngës labe, të gjithë bashkë shënuan ngjarjen më të madhe kulturore të zonës duke përcjellë mesazhe të forta të ruajtjes dhe përcjelljes me plot dashuri të trashëgimisë shpirtërore si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës jo materiale të zonës” shkroi Bashkia Selenicë në faqen e saj online.

Bashkia falenderoi të gjitha grupet pjesëmarrëse ( konkurues e të ftuar) të cilët me performancat e tyre treguan seriozitet në përgatitje por edhe vlera të qenësishme në këngët e interpretuara. Gjithashtu vlerësoi edhe artëdashësit e zonës, banorët e Kotës sidomos, të cilët për tri mbrëmje ndoqën me shumë kërshëri festivalin duke e kthyer qendrën e Kotës në një mjedis të vërtetë festiv.

Në realizimin me sukses të aktivitetit ndihmuan Qarku Vlorë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore si dhe Regione Pulia, Itali.

Juria e festivalit e përbërë nga prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, Kristo Çipa, ” Mjeshtër i Madh” dhe Bexhet Mahmuti, këngëtar i shquar i Qarkut Vlorë, ndau këto çmime:

  1. Çmimi i Parë – Grupi Polifonik i Sevasterit
  2. Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik i Lubonjës
  3. Çmimi i Tretë – Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
  4. Çmimi i Tretë – Grupi i Vllahëve , Selenicë/ atsh/ KultPlus.com

Ansambli ‘Deçani’ fitues i Festivalit të Folklorit Oda e Llapushës

Ansambli “Deçani” nga Deçani ka rrëmbyer çmimin e parë në edicionin e nëntë të Festivalit të Folklorit “Oda e Llapushës”.

Në këtë garë prestigjioze, ku morën pjesë mbi 30 grupe dhe rapsodë, ky ansambël spikati me performancën e tij të jashtëzakonshme. Juria profesionale, e përbërë nga Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe Prof. Dr. Haki Mulliqi, e cilësoi ansamblin “Deçani” si më të mirin e festivalit, duke i akorduar çmimin kryesor.

Çmimin për fituesin e festivalit e ndau kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nën kujdesjen e të cilit edhe është mbajtur festivali.

Juria vlerësoi festivalin si një ndër më të mirët në nivel kombëtar për ruajtjen dhe kultivimin e folklorit, dhe shprehu mirënjohje për këshillin organizativ të festivalit për përpjekjet e tyre të vyera.

Në fjalimin e tij, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Malishevë, Fitim Shala, përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit. Ai theksoi se qëllimi kryesor i festivalit është ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore dhe tradicionale shqiptare, duke vlerësuar folklorin si një pasuri të madhe kulturore të popullit shqiptar.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë disa çmime të tjera të rëndësishme, duke përfshirë çmimin e diasporës, grupi më i kompletuar, çmimin e publikut, çmimin e karrierës, dhe çmimin “Beqir Gashi” për debutantin e festivalit. Gjithashtu, u ndanë çmimi i veteranit dhe tri çmimet e para që mbajnë emrin e kolosëve të folklorit “Salih e Feriz Krasniqi”.

Hapet Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna, në Detin e Zi

Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna filloi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 1 gusht.

Pjesëmarrësit e huaj të këtij viti vijnë nga Ukraina, Sllovakia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Kina, Timori dhe Shqipëria. Mikpritësit përfaqësohen nga Ansambli Folklorik i Varnës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Odessos.

Shfaqjet zhvillohen çdo mbrëmje në orën 21:00 në skenën e Teatrit Veror, ndërsa hyrja është falas.

Të gjitha ansamblet e ftuara u bashkuan në hapjen e titulluar “Together Today and Forever”.

Festivali i së martës, me moton “Udhëtoni nëpër botë”, përfshin hyrjet shqiptare, ukrainase dhe kineze dhe Ansamblin Folklorik Jantra, i krijuar në Budapest në 1996 nga të rinj me origjinë bullgare.

Më pas e kanë radhën interpretuesit nga Sllovakia, Timor-Leste, Mali i Zi dhe Gjeorgjia.

Koncerti gala përmbyllës, i titulluar “Let’s Stay Friends”, do të bashkojë të gjithë pjesëmarrësit së bashku me Ansamblin Folklorik Odessos.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Varnës filloi në vitin 1992 me iniciativën e Komunës së Varnës, e cila është organizatori kryesor i tij. Ai po tërheq pjesëmarrës nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika. Festivali është anëtar i Shoqatës së Festivaleve Evropiane dhe i Shoqatës së Festivaleve Folklorike të lidhur me UNESCO-n.

Kumbaro: Tur folklorik dhe kulinar në nxitje të agroturizmit

Në disa qytete të vendit po zhvillohet këto ditë turi folklorik dhe kulinar, një model që lidh agroturizmin me elementë të etnografisë, artizanatit dhe kulinarisë.

Ky projekt realizohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shoqatën e Agroturizmit dhe GIZ Albania.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “shijet e Shqipërisë s’kanë kuptim pa shijen e ushqimit dhe pa provuar kuzhinën si dëshmi e traditës që po kthehet në art të mirëfilltë. Prandaj kemi krijuar një produkt të ri të agroturizmeve tona siç është turi folklorik dhe kulinar, një model që lidh agroturizmin me elemente të etnografisë, artizanatit, ushqimit, prodhuesit e vegjël në zonat rurale, këngët, vallet dhe veglat muzikore”.

Turi, shtoi Kumbaro, shtrihet në Korçë, Kolonjë, Përmet e Gjirokastër me synimin për të përfshirë të gjithë Shqipërinë.

Përmes një turi familjarizues me tur operatorë dhe media ky turi nisi me Korçën dhe Kolonjën./atsh/ KultPlus.com

Festival folklorik në Libohovë! Grupet nga gjithë Shqipëria paraqesin kostumet e traditën

Festivali Tipologjik Folklorik Kombëtar po mbahet aktualisht në Libohovë nën autoritetin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

Eventi folklorik që vjen në edicionin e tij të 15-të këtë vit sjell bashkë grupe nga shumë treva me qëllim evidentimin edhe të qyteteve më vegjël, krahinave me karakteristika të veçanta etnografike kostumeve, riteve tradicionale dhe pasurinë e botës materiale që i shoqëron ato.

“Ne jemi përpjekur që pjesë e festivalit të jenë të gjitha trevat, të gjitha zonat që e interpretojnë polifoninë kështu që në këtë skenë do kemi të përfaqësuar jo vetëm zonën e Labërisë por edhe qyteza e fshatra më të vegjël e kultivojnë shumëzërëshin. Jemi përpjekur që të sjellim një program që nuk është i ezaurzar dhe i njohur nga publiku dhe siç u pa kemi prurje shumë të mira”- tha Niko Kotherja, kreu i Qendrës së Veprimtarive Tradicionale.

Grupet pjesëmarrëse po prezantohen me disa prej aseteve të folklorit dhe isopolifonisë së Jugut që nga polifonia e bregut e këngët e Neço Mukës deri tek vajet e rralla të korit të grave të moshuara të Selosë. Guri Rokaj dhe grupi i tij nga Mallakastra sollën në festival motive të restauruara të kostumeve dhe një grup më të kompletuar në numër artisësh si dhe prurje të dedikuara folklorike.

“Sot për Libohovën e Avni Rustemit do të sjellim dy këngë epike dhe një këngë humoristike. Përveç këngëve ne sjellim kostumet që janë pasqyra dhe karakteri i çdo grupi si pjesë e identitetit të kombit shqiptar”- tha Guri Rokaj nga grupi i Mallakastrës.

Grupi i Himarës prej 40 vjetësh përcjell traditën e folklorit qindravjeçar të bregdetit. Katina Beleri marrëse e grupit flet për emocionet që përcjell shumëzërëshi i Himarës.

Jemi grupi polifonik i Himarës që e përfaqëson këtë zonë prej 40 vjetësh. Në këtë festival sjellim tri këngë, njëra e Neço Mukës, një tjetër këngë të vjetër “Erdhi prilli shkriu bora” dhe këngën e Amazonës që na i kërkojnë përherë”- u shpreh Katina Beleri nga grupi i Himarës.

Festivali që zhvillohet çdo dy vjet evidenton edhe larminë me karakter etnik të prurjeve folklorike. Përzgjedhja e Libohovës për mbatjen e eventit të këtij viti ishte në funksion të njohjes të qendrave në dukje të vogla administrative por që janë bartëse burimore të folklorit. Eventi i këtij viti po dallohet për numrin e madh të të rinjve dhe për risjelljen e disa prej motiveve të përcjella që prej mesjetës së vonë./topchanel/KultPlus.com

Mbyllet Festivali Folklorik, Margariti: Dasmë e madhe me krushq nga Shqipëria e Kosova

Me një dasmë të madhe, me krushq nga Shqipëria e Kosova u mbyll nata e fundit e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që u zhvillua nga 24 qershori deri më 1 korrik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale momente nga nata e fundit e festivalit, që mblodhi më shumë se 1200 artistë popullorë nga 12 qarqet e vendit, ansamblet shqiptare nga Kosova, Mali i zi, Maqedoni e Veriut, Greqia, SHBA, Kanada, Australi, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe nga gjithë diaspora kudo në botê.

“Ishim me mijëra, shqiptarë e turistë të huaj që kënduam e kërcyem deri vonë nën ritmet e muzikës popullore, me farfurinë e kostumeve dhe dritave të një skenografie që i dha edhe më shumë bukuri këtij festivali. Për t’u mbyllur me fishekzjarre gëzimi dhe falënderimi për më shumë se 1200 artistë që u ngjitën në skenë dhe stafin e palodhur që organizoi edicionin XI të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër  2023”, tha Margariti.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra ishte qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat. Ai mirëpriti çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan përgjatë 8 netëve në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike./atsh/KultPlus.com

Grupi i Elbasanit, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Grupi folklorik i Elbasanit u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Pjesëmarrës në natën e gjashtë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ishin grupmosha të ndryshme, ndërsa në skenë u sollën vlerat e folklorit të Shqipërisë së Mesme me këngë e valle.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ndau në rrjetet sociale momente nga kjo ngjarje që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh, ndërsa rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve, por edhe të turistëve të huaj.

Festivali Folklorik Kombëtar ka nisur më 24 qershor dhe vijon deri në datën 2 korrik. Përgjatë 8 netëve, kalaja e Gjirokastrës shndërrohet në një skenë të hapur për të gjithë dhe akesohet falas.

Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./atsh/KultPlus.com

Nata e pestë e Festivalit të Gjirokastrës, artistët e Shkodrës dhe Fierit ngjiten në skenë

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme pamje nga nata e pestë e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

“Artistët që sollën vlerat e traditës muzikore të Shkodrës e Fierit, u ngjitën në skenë në natën e pestë magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjirokastra muzeale e traditave dhe kulturës shekullore, po mikpret prej disa ditësh Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili është rikthyer pas 8 viteve nën simbolikën e valltarëve të lidhur dorë për dore, në Kalanë e gurtë, të zbukuruar dhe gjallëruar në këtë natë, si kurrë më parë nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, do të mbahet për 8 net në kalanë e Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të aksesohet falas.

Festivali po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës, e shndërruar në zemrën e Festivalit, me vizitorë të shumtë, artistë popullorë, artizanë, si dhe artëdashës të të gjitha moshave, të mbledhur së bashku për të shijuar një nga eventet më të mëdha të muzikës dhe valles tradicionale shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale./atsh/KultPlus.com

Vijojnë netët plot ngjyra të tabanit në Gjirokastër (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotoalbumin e mbrëmjes së tretë të festivalit Folklorik Kombëtar, që po zhvillohet në Gjirokastër. Në skenë e ndërtuar te Kalaja e Gjirokastrës, mbrëmjen e tretë u ngjitën grupe nga Dibra, Tirana dhe Kosova.

“Vijojnë netët plot ngjyra të tabanit në Gjirokastër”, theson Rama në rrjetet sociale.

“Folklori dibran, motivet nga Kosova e Tirana përmbyllën natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, vijon deklarata e Ramës.

Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datë 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje.

Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës. Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.

Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 interpretuan gjatë ditëve të festivalit.

Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator, deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.

Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar, tradita që përcillet brez pas brezi

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh. Rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve por edhe të turistëve të huaj. Nata e tretë e edicionit të 11-të të FFK ngjiti në skenën e Kalasë së Gjirokastrës artistët popullorë të Qarkut Dibër, Tiranë dhe grupe folklorike nga Kosova. E veçantë dhe me elegancë imponuese erdhi trupa folklorike e Asamblit nga Kosova, ku valle dhe performime koreografike të vajzave dhe burrave krijuan emocion të veçantë. Këngët dhe vallet e sjella nga artistët e Kosovës shënuan një kuotë të lartë estetike si interpretuese ashtu edhe në paraqitjen e kostumografisë.

Artistët sollën këngë lirike dashurie, rite dasmash, valle dyshe, këngë epike lufte, kostume shekullore, që u kane lënë të parët e tyre dhe që po përcillen brez pas brezi.

Në natën e katërt të festivalit pritet të ngjiten në skenë grupet e qarkut të Durrësit, Korçës, Saz’Iso Band dhe Andi Kongo Band./atsh/KultPlus.com

Nis sot festivali folklorik, Rama ndan pamje nga atmosfera në Gjirokastër (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qafa e pazarit në Gjirokastër, ku mbrëmjen e kësaj të shtune do të çelet Festivali Folklorik Kombëtar i qytetit të gurtë.

“Tani nga Gjirokastra, që mikpret plot miq e turistë në sokake, dhe gati për të filluar pas pak Festivalin Folklorik Kombëtar”,- nënvizon Kryeministri Edi Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë. Kryeministri Edi Rama edhe më herët ndau një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1 200 artistë, ndërsa hyrja është falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar. Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet.

Risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.  Në festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të marrin pjesën dhe grupe muzikore nga 12 qarqet e vendit.

Ansambli Folklorik “Tirana” do të përfaqësojë Tiranën dhe Gjirokastrën në Festivalin Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në qytetin e gurtë nga 24 qershori deri në 1 korrik. Ky ansambël, pjesë e Qendrës Kulturore Tirana – Teatri Metropol, ka në repertorin e tij  valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, nga Shqipëria e Mesme, e Jugut dhe valle veriu./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, falas për të gjithë

Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujton se ky event i rëndësishëm që do të zhvillohet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë, do të jetë falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

“Ju presim në Gjirokastrën e bukur dhe turistike ku artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet”, shkruan Margariti, në rrjetet sociale. Më herët, gjatë një interviste televizive, ministrja e Kulturës është shprehur se risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.

“Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike”, është shprehur Margariti./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar rikthehet në Gjirokastër më 24 qershor

Në Sallën Blu të Teatrit të Operas e Baletit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpalli datat e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Eventi i një rëndësie madhore për artin e kulturën shqiptare do të mbahet nga data 24 qershor deri më 1 korrik. Festivali Folklorik Kombëtar kthehet në Gjirokastër pas 8 vitesh dhe do të ketë më shumë se 1200 pjesëmarrës.

“Tashmë jemi rikthyer në aktivitetet artistike kulturore pas pandemisë, me më shumë etje, për të sjellë një nivel të ri jo vetëm performance, por edhe një mendësi të re në përqafimin sidomos të brezave të rinj me festivalin e Gjirokastrës”, deklaroi gjatë konferencës për media, ministrja e Kulturës, Margariti.

Që kur nga Ministria e Kulturës u njoftua rikthimi i Festivalit Folklorik, në qarqe të ndryshme të vendit nisi puna përgatitore e grupeve artistike pjesëmarrëse. Shumë shpejt në qytetin e gurtë do të kemi mundësinë të shohim paradën e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve të cilat do të shpalosen në skenën emblematike të Kalasë së Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës (FOTO)

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një album fotografik me momente nga përgatitjet e grupit përfaqësues të Qarkut Shkodër, që do të jetë pjesë e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2023.

Shkodra, Puka, Fushë-Arrësi, Malësia e Madhe dhe Dukagjini do t’i bashkohen paradës së motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve e riteve që do të shpalosen në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Festivali Folklorik Kombëtar do të zhvillohet këtë vit, në muajin qershor.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968. Prej asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./atsh/KultPlus.com

Qarku i Tiranës përgatit fabulën për të konkurruar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës

 Qarku i Tiranës po përgatit fabulën për të konkurruar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ndarë në rrjetet sociale foto nga përgatitjet, teksa theksoi se, “parada më e madhe e pasurisë sonë shpirtërore po afron”.

Ndërkohë në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.

Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com