Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e fondacionit të menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë.
Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i bordit të AADF, Michael Granoff.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi krijimin e këtij fondacioni një hap historik në mendësinë e re të menaxhimit të muzeve.
“Është një hap i rëndësishëm për të arritur diçka që nuk është bërë më parë në Shqipëri. Nëse ka diçka që Fondacioni është i angazhuar, që edhe ministria duhet të jetë e angazhuar, është që të arrijnë gjëra që nuk janë bërë më parë dhe të ruajmë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”, tha Margariti.
Fondacioni i menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë është një institucion që synon tërheqjen e financimeve për ruajtjen e historisë shqiptare gjatë viteve të errëta të Holokaustit.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbështetur edhe ngritjen Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor të shekullit të 21, që do të tregojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shpresë. / KultPlus.com