Hap dyert Galeria e Artit në Lezhë, restaurohet fondi prej 86 veprash artistike

Pas rikonstruksionit të plotë, Galeria e Artit në Lezhë ka hapur dyert për artistët dhe vizitorët.

I gjithë ambienti, i cili ndodhet në katin e parë të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” është rinovuar.

Krahas vendosjes së kornizave të reja dhe ndriçimit modern, janë restauruar të gjitha veprat dhe skulpturat të cilat kishin pësuar dëmtime, duke e kthyer Galerinë në një qendër të vërtetë të kulturës dhe krijimtarisë.

Kemi eliminuar edhe kurbaturat e pikturave të realizuara në fibër, të krijuara për arsye lagështie, kohe, amortizimi,” tregon Elona Kamshi, përgjegjëse e Pallatit të Kulturës.

Ky ambient i transformuar tërësisht do të jetë në dispozicion të të gjithë artistëve të artit pamor.

Uroj që piktorët të na qasen, të vijnë, sepse këtu do të kenë dyert e hapura, por edhe një ambient komplet komod e bashkëkohor, që do u vihet në dispozicion,” shton znj. Kamshi.

Galeria e Artit në Lezhë ka në fond prej 86 pikturash dhe skulpturash, ku me një hapësirë të rinovuar, vepra të përkujdesura dhe një përkushtim ndaj pasurimit të trashëgimisë artistike, është kthyer në një destinacion ideal për të gjithë ata që duan të zbulojnë dhe të përjetojnë bukurinë e artit./rtsh/ KultPlus.com

Shpallen fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj

Në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit u ndanë sot vlerësimet për fituesit e këtij viti të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj.

Juria, e kryesuar nga Dom Gjergj Meta, me anëtarë Blendi Salaj e Brajan Sukaj, vlerësoi mes 9 dorëshkrimeve veprat: “Purple 2”, “Laku i Plakut” dhe “Vëllim me poezi”.

Shkrimtari Ermal Lala për romanin “Purple 2”, shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: “Për rrjedhshmërinë e një rrëfimi që përfshin problematika shoqërore të brezit të ri”.

Andris Lleskai për librin me poezi “Laku i Plakut”, shtëpia botuese “Emal” me motivacionin: “Për poezi që synojnë gjetjen e shtigjeve të reja në figuracion dhe për imazhet që ndërton përmes vargjeve”.

Bujar Hoxhaj për librin me poezi “Vëllim me poezi”, shtëpia botuese “Dudaj” me motivacionin: “Për poezi që prekin tematika të ndjeshme të bashkëkohësisë dhe për një varg të ndërtuar mbi themele të letërsisë dhe kulturës botërore”.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. Në këtë aktivitetet të QKLL ishin të pranishëm shkrimtarët Ylljet Aliçka e Bashkim Hoxha, shkrimtarë të rinj, si dhe nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

QKLL u uroi suksese shkrimtarëve fitues Ermal Lala, Andris Lleskai, Bujar Hoxhaj si edhe gjithë autorëve të tjerë pjesëmarrës në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj./atsh/KultPlus.com

Vijon puna për fotografimin e fondit të Muzeut të Artit Mesjetar

Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë po vijon puna për fotografimin me cilësi maksimale e të gjitha veprave që ndodhen në këtë muze.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau foto të këtyre veprave teksa bëri të ditur se, “pas procesit të dezinfektimit në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar vijon puna për fotografimin me qëllim dokumentimin dhe lehtësimin e aksesimit të tyre për studiuesit e trashëgimisë”.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona.

Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./atsh/KultPlus.com