Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bën me dije se hapet thirrja e “Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.
Synimi përmes këtij projekti nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është nxitja e shkrimit të kësaj letërsie dhe vazhdimësia e zbatimit të politikave të këtij institucioni në mbështetje të krijimtarisë së autorëve shqiptarë për fëmijë.
QKLL-ja shprehet se fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë, do të vijojë të jetë ndër projektet bazë dhe të përvitshme.
Poezia dhe proza janë dy gjinitë e letërsisë për fëmijë dhe thirrja u drejtohet të gjithë krijuesve të kësaj letërsie mbi moshën 18 vjeç.
QKLL ka bërë të ditur gjithashtu edhe mënyrën se si do të procedohet me formën e aplikimit dhe se të gjithë aplikantët do të mund të bëhen pjesë e këtij projekti vetëm duke ndjekur kushtet e përcaktuara nga institucioni.
“Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës, do t’i paguhet botuesit. Aplikimi filloi më datën 1 qershor dhe përfundon në datën 28 qershor, ora 16:00. Dokumentacioni përkatës duhet dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, brenda datës 28 qershor. / KultPlus.com