Jeta Zymberi
Pas lajmit të madh javë më parë për sukseset e shqiptarit Gezim Gashi i cili u bë shqiptari i parë që hap shkollë të muzikës në Los Angeles, tashmë na vijnë lajmet e tjera gjithmonë e më befasuese, shkruan KultPlus.
Gezim Gashi është shqiptari më i njohur në Suedi sa i përket botës së artit, por sukseset e tij tashmë kanë shpërthyer në Amerikë e tutje. Gashi ka konfirmuar për KultPlus se tashmë po e hap shkollën e dytë për muzikë në Atlanta dhe këtë lajm emocionues ai ka vendosur ta ndajë me të gjithë pikërisht ditën e djeshme, ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke dashur kështu që urimi i tij të jetë përmes punës dhe sukseseve në të mirë të vendit.
Familja e tij u largua nga Kosova për në Suedi në vitin 1992, ata punuan pa ndalur atje, por Gashi dy vitet e fundit ka zhvilluar edhe markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë të titulluat ‘By Gezim Gashi’ duke bashkëpunuar me shkollat më me nam në Amerikë dhe jo vetëm.
By Gezim Gashi tashmë ka bashkëpunuar edhe me Landmark Christian School në Fairburn, GA, për të zhvilluar dhe nisur një platformë muzikore unike në Atlanta për studentët e interesuar në industrinë e muzikës, The Landmark Music Academy, do të hapet këtë vit në Atlanta, GA.
Fillimi i Akademisë së Muzikës paraqet një marrëdhënie emocionuese midis udhëheqësve të shkollës dhe industrisë, duke kombinuar platformën përfundimtare të një rrjeti profesional me një arsimim të pasur, relevant dhe të dobishme. Kjo ofertë tërheq brezin më të ri të talenteve muzikore në Atlanta të Landmark, duke i zhvilluar ata për një të ardhme dinamike në industrinë e muzikës.
Momentalisht kjo shkollë është duke bashkëpunuar me kompaninë suedeze, By Gezim Gashi, për zhvillimin e platformës muzikore. Gashi, një sipërmarrës i përhershëm dhe student i Harvard Business, ka zhvilluar markë për shkollat muzikore që po udhëheqin dhe për kompanitë e tjera në Suedi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Puna e tij inovative është njohur nga revista Forbes dhe Huffington Post.
Gashi thotë: “Unë jam i ngazëllyer për këtë udhëtim të mahnitshëm në Atlanta! Industria e muzikës është e madhe këtu dhe së bashku me këtë Akademi muzikore shumë të rëndësishme do të krijojmë një platformë unike për industrinë muzikore të Atlanta”.
Drejtori i shkollës, Dr. Jason McMaster thotë që: “Akademia e Muzikës primare e ka nisjen e zbulimit të artistëve të rinj.
“Jemi të kënaqur të japim një program të tillë inovativ për gjeneratën e ardhshme dhe ky është vetëm fillimi. Gezim Gashi është një nga më të mirët në fushën e tij dhe është një talent i mrekullueshëm, unë jam shumë krenar që e kam atë si pjesë të këtij projekti të ri në arsim “, komenton McMaster.
Akademia e Muzikës ofron udhëzime të përditshme vokale dhe instrumentale, performancë, shkrim, prodhim muzikor, regjistrim digjital dhe klasa biznesi në fushën e marketingut dhe të markës për këtë industri gjithnjë në ndryshim.
Gezim Gashi, po punon fuqishëm në rrugën që ka nisur dhe sukseset e tij po bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. /KultPlus.com