Sot u bënë 25 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. / KultPlus.com
Pikërisht 24 vjet më parë, në Kosovë ndodhi eksodi i shqiptarëve të cilët po dëboheshin dhunshëm nga regjimi serb në krye me Slobodan Milosheviqin, politika e të cilit synonte spastrimin etnik. Kështu, mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të iknin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u vendosën në Maqedoninë e Veriut, 24 vjet më parë.
Para hyrjes në Maqedoni, rreth 70 mijë refugjatë, me ditë të tëra mbetën të bllokuar në fushëgropën e Bllacës, pasi presidenti i atëhershëm maqedonas, Kiro Gligorov, kishte për qëllim t’i dëbonte në vende të treta.
Kosovarëve të dëbuar që u detyruan të qëndrojnë në Bllacë, në qiell të hapur, në 10 ditët e para të prillit 1999, u dolën në ndihmë qindra aktivistë vullnetarë të organizatave të ndryshme.
“Me shpërndarjen e ndihmave elementare higjienike, me artikuj ushqimor, batanije. Ishte një mobilizim i pa parë atëherë. Mbi 20 vetura dhe furgon ishin në dispozicion Shkup-Bllacë. Mbi 300 aktivist vullnetar, një pjesë bukur e madhe ata flinin bashkë me refugjatët”, tha për RTK Behixhudin Shehapi Kryetar i Organizatës Humanitare “El Hilal”.
Për shkak të presionit ndërkombëtar, më 10 prill të vitit 1999, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufirin me Kosovën.
Më shumë se gjysma e refugjatëve u vendosën nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kurse pjesa tjetër nëpër kampe.
“Kjo ishte pika e pranimit dhe e regjistrimit të refugjatëve, pastaj vazhdonin rrugën më tutje. Shumica e tyre vendoseshin nëpër familje private, në ndërkohë shteti i atëhershëm organizoj edhe hapjen e shtatë kampeve. Një ndër ato ka qenë Stenkoveci, kanë qenë Radusha, Çegrani, Strugë, Katllanovë dhe kështu me radhë”, tha Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut.
Në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare, në Hanin e Elezit, është ngritur një Qendër Përkujtimore, në të cilën qëndron edhe treni që kishte bartur shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com
Sot u bënë 24 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. / KultPlus.com
Forcat serbe morën vendim, që t’i fshehin disa nga gjurmët e krimeve të luftës në Kosovë (1998/99) duke hapur varrezat e viteve 1989-90. Plani iu dështoi pasi banori i vetëm që kishte mbetur në Hajvali e pa gjithë situatën.
Serbet hapën varret civile në Hajvali dhe brenda tyre i varrosën civilët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Por, plani i tyre për t’i fshehur gjurmët e krimit, nuk pati sukses.
Kjo pasi të gjithë ngjarjen nga dritarja, e pa Sejdi Demolli, tanimë i ndjerë.
I biri i tij, Hysniu, thotë se babai i tij, ishte njeriu i vetëm që kishte mbetur në lagje atë ditë.
“I kanë pru serbët, me ata kamionët, tamiqa, baba i ka pa prej dritares, kur i kanë varros”, tha ai për Tëvë1.
Demolli thotë se pasi serbët u larguan, babai i tij i bëri me shenjë varret ku ata punuan.
“Ata i kanë varros thotë shumë cekët, baba u dal i ka varros që mos mi ngrënë qentë”, tha Hysni Demolli, banor i Hajvalisë.
Pas përfundimit të luftës, Sejdi Demolli i tregoi autoriteteve të Kosovës, për ngjarjen që e kishte parë.
Ndërsa në hapjen e këtyre varreve, mori pjesë edhe Hysen Ahmeti.
94-vjeçari thotë se në mesin e të zhvarrosurve ishte edhe një femër.
“Do ishin deformuar fort, ndërsa trupi i një djalit ishte fort i ruajtur, sikur me u varros shumë kohë pas të tjerëve”, deklaroi Hysen Ahmeti, banor i Hajvalisë.
Në identifikimin e trupave, mori pjesë edhe mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.
Ky thotë se këtu u identifikuan trupat e 8 personave të vrarë në luftën e fundit.
Ndërsa ky nuk është rasti i vetëm në Kosovë, ku shteti serb u mundua t’i fsheh krimet e luftës.
“Në Kosovë kemi pas raste të ndryshme, ku janë varros në vende të ndryshme dhe është rrafshuar vendi, pastaj janë hedhur mbeturina për ta maskuar vendin, pastaj e kemi rastin tek varrezat e myslimanëve në Zveçan, ku nga lufta e deri me tani mbi 70 persona janë tërhequr”, tha Gërxhaliu.
Vendimi për fshehjen e trupave të kosovarëve të vrarë, doli nga një mbledhje e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, me kabinetin e tij. / KultPlus.com
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com
Historiani Shkëlzen Gashi, i cili kohë më parë ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, e ka sqaruar fotografinë historike të Demaçit ku ai shihet para policëve serbë në vitin 1992 në Prishtinë.
Gashi e ka treguar ngjarjen e asaj dite dhe asaj proteste përmes një statusi vitin e kaluar.
Postimi i plotë i Gashit:
Kjo fotografi është shkrepur përballë Hotelit Grand në Prishtinë në vitin 1992 nga fotografi Hazir Reka dhe për herë të parë është botuar në librin tim ‘Adem Demaçi – biografi e paautorizuar’ (2010). Ngjarja është paraqitur në libër si vijon:
Qysh më 1990 regjimi sërb i kishte përzënë studentët shqiptarë nga objektet universitare. Më 1991 ata kishin organizuar disa protesta dhe greva për lirimin e këtyre objekteve, por ato qenë shuar dhunshëm nga policia sërbe.
Në fillim të janarit 1992, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u kishte drejtuar letër autoriteteve jugosllave dhe liderëve botërorë lidhur me mbylljen e universitetit, për ç’arsye qe burgosë nga regjimi sërb për 60 ditë. Po në janar 1992, Ministria e Arsimit e Kosovës pati vendosë që mësimi të mbahej nëpër shpi private. Një protestë masive qe organizuar në Prishtinë në tetor të këtij viti për lirimin e hapësirave të universitetit, e cila po ashtu qe shuar me dhunë nga policia sërbe.
Demaçi merr pjesë në këtë protestë të studentëve. Policia ua zë rrugën protestuesve dhe i urdhëron të shpërndahen; përndryshe ka autorizimin t’i vrasë. Demaçi bën disa hapa para duke u shkëputë nga radha e parë e protestuesve. «Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin», u bërtet Demaçi policëve ndërsa vazhdon të ecë. Policia e hap rrugën dhe protestuesit çajnë përpara në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kërkesat e protestuesve shpërfillen krejtësisht. / KultPlus.com
Më 5 korrik 1990, forcat serbe me urdhër të qeverisë së tyre ndaluan transmetimin e Radio Televizionet të Prishtinës.
RTP ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990.
Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë.
Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.
Deri atëherë, i vetmi medium informativ ishte Radio Prishtina (në funksion prej vitit 1945). Do të kalonin 19 vjet derisa Televizioni i Prishtinës të fillonte transmetimin në vitin 1974. Ndërsa u mbyll në vitin 1990 për shkak të masave të dhunshme nga ish-regjimi.
Pas mbarimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, u hap rruga për themelimin e televizioneve kosovare në mënyrë të lirë. Njëri prej tyre ishte Radio Televizioni i Kosovës i cili mori vend në të njëjtën ndërtesë si ish-RTP, në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë.
Në fillim të vitit 1974 TVP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e mandej dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim.
Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi.
Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi. Në objektin e RTP-së sot, punon Radio Televizioni Publik i Kosovës. / KultPlus.com
Sot shënohet 23 vjetori i vrasjes makabre të aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra në mars të vitit 1999 nga sulmi i forcave serbe në një kafiteri në Prishtinë, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruan KultPlus.
Adriana ishte një aktore e talentuar, plot jetë e e dashur për të gjithë. Kishte fatin të shëtiste botën dhe kjo e kishte kultivuar edhe më shumë personalitetin e saj kulturorë e social.
Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Adrianës, teatri i qytetit të Ferizajt që njëkohësisht mban emrin e aktores, e ka kujtuar atë përmes një postimi në facebook ku shprehin krenarinë e tyre që teatri mban emrin e aktores.
“PER ADRIANËN #23 Përvjetori i 23-të i vrasjes së Adriana Abdullahut nga forcat serbe në Prishtinë. Sot, me krenari, Teatri në Ferizaj bart emrin e aktores së talentuar; koleges së dashur e plot dashuri; vajzës energjike e moderne – Adriana Abdullahut. Adrianës tash e 23 vite më parë, iu shuan ëndrrat e një artisteje që në ato kohë të vështira krejt çfarë kishte mbetur ishin ëndrrat”. / KultPlus.com
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. /KultPlus.com
Më 29 mars të vitit 1999, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg në Deçan, ku ata vranë dhe masakruan gjithsej 46 shqiptarë.
Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në fshatrat e Komunës së Deçanit, ku ende sot e kësaj dite fati i 33 të pagjeturve, mbetet ende pa zgjidhje. Kjo masakër filloi si një sulm i egër ndaj popullatës së Belegut dhe Irzniqit, ku në këtë të fundit mbetën të vrarë 7 civilë të pambrojtur, pasi një ditë më parë forcat serbe pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Duke marrë parasysh dëshmitë, autopsinë e kufomave dhe deklaratat e shumta së dëshmitarëve, të cilët janë prezantuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ende askush nuk është dënuar për këtë krim. / KultPlus.com
Para 22 viteve në Suharekë, paramilitarët serb masakruan 52 anëtarë të familjes Berisha, duke lënë të mbijetuar vetëm Gramoz Berishën i cili atëherë ishte vetëm 8 vjeçar, të ëmën e tij, Vjollca Berisha dhe gruan e axhës, Shyhrete Berisha, shkruan KultPlus.
Më 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, u shënua dita më e tmerrshme e mundshme për familjarët të cilët vdiqën nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda një lokali të braktisur. Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat e tyre në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit. Gramozi, nëna e tij, dhe familjarja tjetër, arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.
Historinë e familjes Berisha e kemi dëgjuar dhe lexuar shumë herë, por kujtimi dhe emocionet e familjarëve të ngushtë mbeten po të njëjta si ajo ditë e zezë. Ditën e sulmit, forcat serbe vranë gjithsej 52 anëtarëve të familjes Berisha ku 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, e në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina e cila ishte vetëm 16 vjet.
Andaj edhe sot, Gramoz Berisha, përmes një postimi në facebook, ka dhënë lajmin që lokali ku janë vrarë familjarët e tij do të kthehet në muze, duke ruajtur kështu të gjallë kujtimin për ta.
Në këtë 22 vjetor të rënë për familjarët por edhe për Kosovën, hapja e lokalit muze do të bëhet në ora 09:40, ndërsa tutje në ora 10:00, do të vazhdohet për homazhe tek Kompleksi Memorial.
Ky përkujtim do të zhvillohet gjithmonë duke pasur parasysh masat anti-COVID. / KultPlus.com
Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 22 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.
Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.
Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.
Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com
Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.
Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.
55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.
”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.
”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.
”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.
Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.
Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.
”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”
Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.
Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.
”I kemi mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.
Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.
”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.
Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.
Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.
”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.
”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.
Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi./Klankosova / KultPlus.com
Sot janë mbushur 21 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër Serbisë.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Në një video nga arkivi i agjencisë britanike të lajmeve Associated Press shihet se si trupat jugosllave largohen nga Kosova
Me automjete të blinduara, tanke dhe autobusë, shumica e forcave serbe po largoheshin nga Kosova duke lënë pas një shkatërrim të madh dhe mijëra viktima. Me ta u larguan edhe një pjesë e madhe e civilëve serbë.
Tërheqja filloi në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave.
Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:
c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën
e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë. Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar diktatorin Sllobodan Millosheviq të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. / KultPlus.com
Janë bërë sot 29 vjet nga mbyllja e
dhunshme e Radiotelevizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, që erdhi
vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit
të Kosovës.
Pas kësaj ndërhyrjeje, punëtorët shqiptarë u larguan nga
vendet e tyre të punës dhe u ndërpre transmetimi i programit në gjuhën shqipe.
Ishte
data 5 korrik 1990. Ora shënonte 14:45 minuta dhe në ekranin e televizionit po
transmetohej ditari i lajmeve.
Nazmije Veseli po moderonte lajmet, që
ishin të fundit që transmetoheshin në Radiotelevizionin e Prishtinës. Masat e
dhunshme të Serbisë u futën në studiot e RTP-së së atëhershme dhe e ndërprenë
programin në gjuhën shqipe.
Mbylljes së RTP-së i kishte paraprirë
suspendimi në të njëjtën ditë i Kuvendit të Kosovës nga ana e Kuvendit të
Serbisë. Atë ditë ishte marrë vendim edhe për futjen e masave të dhunshme në
RTP. Këto veprime vinin vetëm tri ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2
Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Praktikisht, nga ajo ditë,
pushteti serb e okupoi Kosovën. Kjo erdhi pasi ‘de jure’ autonomia e Kosovës u
suprimua më 28 mars 1989 kur në Beograd Kuvendi Federativ i Jugosllavisë
ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e Kushtetutës së vitit
1974. I menjëhershëm ishte veprimi edhe për mbylljen e RTP-së.
Një ditë pas futjes së masave të dhunshme në RTP, erdhi vendimi për largimin nga puna të 13 gazetarëve dhe redaktorëve. Më pas u larguan edhe 1300 punëtorë të tjerë të këtij mediumi, dhe e vetmja dritare televizive e informacionit u mbyll për shqiptarët për dhjetë vjet, deri pas përfundimit të luftës, kur nisi punë Radiotelevizioni i Kosovës. Në atë kohë masat e dhunshme u vendosen në të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe nga vendet e tyre të punës u larguan -mijëra shqiptarë. / KultPlus.com
Me ardhjen e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.
Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91 të Universitetit të Prishtinës, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi. Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po këtij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi. /Insajderi / KultPlus.com
Para 28 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
Me titull “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.
Si sot, 28 vite më parë forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, shkruan KultPlus.
Më 5 korrik 1990, forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, ndaluan transmetimin e programeve dhe me forcë dëbuan 1300 punonjës të saj. Foto nga një prej demonstratave në Prishtinë gjatë vitit 1990./ KultPlus.com
Familjarë, poetë, artistë të profileve të ndryshme, si dhe qytetarë, kanë marrë pjesë sot në 19 vjetorin e vrasjes të artistit dhe poetit të mirënjohur mitrovicas Kadri Kadriu, i cili u ekzekutua nga forcat serbe më 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Ata bënë homazhe tek varri i piktorit, ndërsa kanë vizituar edhe familjarët e tij në kullat e familjes Kadriu te ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, bëri të ditur para familjarëve të të ndjerit se është aprovuar kërkesa e tij e drejtuar para një viti e gjysmë Ministrisë përkatëse, për shndërrimin e katit të tretë të shtëpisë së të ndjerit në një galeri, ku do të ekspozohen veprat e piktorit të ndjerë Kadri Kadriut.
“Sot pikërisht jemi këtu për me ju kumtuar lajmin se është aprovuar në Kuvend dhe janë ndarë mjetet, ndërsa shumë shpejtë do të fillojnë investimet në rregullimin e galerisë. Besoj se kjo galeri përpos që do t’i ruan veprat e piktorit, do të jap mundësinë që edhe komuniteti dhe piktorët tjerë të ekspozojnë e të mbajnë aktivitete”, tha Peci.
Duke kujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, miku i tij, piktori Ali Bejta, veç tjerash ka potencuar edhe aftësitë e shkëlqyeshme prej organizatorit të piktor Kadriut, të cilat mundësuan mbajtjen gjallë të kulturës dhe artit në ato kohëra të vështira.
“Ai e gjente rrugën dhe mënyrën e vërtetë të organizimit të grumbullimit të njerëzve, të ardhjes së tyre, dhe kësisoj kultura në atë periudhë është organizuar në frymën më të mirë të mundshme të asaj kohe”, theksoi Bejta.
Edhe profesori i artit Sejdi Zeka, ka evokuar kujtime për jetën dhe veprën e piktor Kadriut, duke thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Sipas tij, Kadriu mbetet pano prijëse për gjeneratat e reja. “Nuk po e lavdërojmë Kadriun se është njeriu i parë shqiptar, por Kadriu është një pano prijëse që secili i ri i asaj moshe mund të mësojë. Ai e ka pasur atëherë më vështirë sesa ju sot, mirëpo tash ju e keni më vështirë sesa ai atëherë”, tha mes tjerash Zeka.
Në anën tjetër, Ali Kadriu, vëllai i të ndjerit, ka falënderuar në emër të familjes qeverinë, për mundësinë e krijimit të një galerie në shtëpinë e tyre, që siç u shpreh ai, do të shërbejë për ruajtjen e veprave të të ndjerit, por edhe ekspozimin e veprave të ndryshme të komunitetit artistik. Ai kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për ata të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit.
“Institucionet të bëjnë më shumë për gjakun e dëshmorëve, për njerëzit që kanë rënë për këtë tokë. Ne të gjallët kemi obligim moral që të bëjmë më shumë për ta” tha Kadriu./ KultPlus.com