Si u formua Hëna brenda pak orësh

Shumica e shkencëtarëve bie dakord me hipotezën se Hëna u formua nga përplasja me Tokën e një objekti afërsisht të njëjtë me planetin Mars, të quajtur Teia, pikërisht në fillimet e jetës së planetit tonë. Në realitet ka ende disa të panjohura lidhur me detajet e kësaj ngjarje.

Përbërja kimike e shkëmbinjve hënorë të studiuar deri më tani, nuk është plotësisht në përputhje me këtë hipotezë. Lidhur me këtë çështje, ka pasur kohët e fundit një studim të ri nga shkencëtarët e Institutit për Kozmologjinë Kompjuterike në Universitetin Durham nëBritaninë e Madhe dhe nga Qendra Kërkimore e NASA-s në Silicon Valley, Kaliforni.

Studiuesit përdorën simulime të bëra me një super–kompjuter që gjendet në laboratorët e universitetit, falë të cilave ata krijuan një panoramë më të detajuar të asaj që ndodhi dikur. Në veçanti, shkencëtarët simuluan qindra “variante” të mundshme të ngjarjes, duke e ndryshuar në çdo rast këndin e goditjes, shpejtësinë e përplasjes, si dhe masat dhe rrotullimet e dy trupave që u përplasën.

Pra u përpoqën të eksploronin një numër të madh skenarësh të mundshëm që çuan në përplasjen Tokë-Teia. Grupi i studimit arriti në përfundimin se shumica e simulimeve me rezolucion të ulët që ishin kryer nga planetologët deri më tani, kishin lënë pas dore aspekte të rëndësishme të përplasjes.

Ndaj vetëm me një super–kompjuter ishte e mundur nxirrja në pah e elementëve që nuk ishin shfaqur në studimet e mëparshme. Dhe në fakt, vetëm simulimet me rezolucion të lartë çuan vërtet në formimin e një sateliti shumë të ngjashëm me Hënën.

Sipas studimit të ri, të publikuar në “Astrophysical Journal Letters”, pjesa më e madhe e Hënës u formua menjëherë pas goditjes, madje brenda disa orëve, dhe jo në shkallët kohore

të shekujve apo dhjetëra shekujve. Kjo mund të nënkuptojë se ajo u shkri më pak gjatë formimit sesa sugjerojnë teoritë standarde, sipas së cilave Hëna u rrit dalëngadalë brenda një disku mbeturinash që rrotullohej rreth Tokës.

Një Hënë që u formua shpejt do të shpjegonte për shembull (në kundërshtim me hipotezat e mëparshme) se si mundi të mbante pjesën më të madhe të ujit të shkëputur nga Toka. Do të justifikonte gjithashtu edhe faktin që në shumë zona të satelitit, përbërja është kaq e ngjashme me atë të Tokës.

Prandaj, ky skenar hap rrugë të reja në interpretimin e të dhënave të disponueshme dhe misionet e ardhshme hënore, mund të konfirmojnë më tej të dhëna të reja mbi llojin e ndikimit që çoi në formimin e Hënës, dhe të tregojë detaje të reja rreth historisë së vetë Tokës./bota.al/ KultPlus.com

jme