Nis sot në Tiranë Forumi Ndërkombëtar i turizmit “FESTA”

Në Tiranë nis sot forumi ndërkombëtar i turizmit  “FESTA”, i cili do të mbledhë për 3 ditë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “java dedikuar turizmit, sot fillon me Forumin Ndërkombëtar “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri.

Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të politikës nga Ballkani dhe Europa, agjencive dhe përfaqësuesve të industrive që operojnë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit si dhe pjesëmarrjen e veçantë të Frans Timmermans, zv/president Ekzekutiv i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër, ky forum do të nisë me një ceremoni zyrtare të hapjes mbajtur nga Bettany Hughes historiane, autore dhe një prej figurave televizive më të njohura në Britaninë e Madhe.

Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brand-imi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.

Për të gjithë ata që janë pjesë e industrisë së turizmit dhe udhëtimit, datat 3, 4 dhe 5 prill do të jenë një mundësi për të dëgjuar ekspertët e fushës, për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit./ atsh / KultPlus.com