Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari Blinken tha se Forumi i organizuar nga Presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.
falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.
Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.
“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka cituar Sekretari Bliken fjalët e zonjës Albright.
Sipas tij, sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë.
Albright ka inkurajuar edhe gratë kosovare, kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.
“A do t’u jepet atyre një shans i barabartë për të shkëlqyer në klasë, për të pasur sukses në vendin e punës, për të ndjekur ëndrrat e tyre në çfarëdo fushe të angazhimit që mund të zgjedhin – të bëhen biznespersona ose mjekë, gazetare, programuese kompjuteri, madje në të ardhmen edhe presidente e kryeministre të Kosovës?”, ka cituar Blinken, duke potencuar se që nga ajo kohë, Kosova ka votuar dy gra presidente, respektivisht dy më shumë se Shtetet e Bashkuara.
Ai ka përmendur edhe gratë iraniane me kauzën e tyre kundër shtypjes, sikurse edhe ato kubaneze, të cilat vazhdojnë të protestojnë duke bërë thirrje që regjimi t`i respektojë të drejtat e njeriut dhe t`i plotësojë nevojat themelore të njerëzve.
Në adresimin e tij, Blinken është ndalur edhe te lufta brutale e Presidentit Putin kundër Ukrainës, duke cituar një mendim të Albright.
“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, Albright.
Në fund të adresimit të tij, Blinken ka thënë se duke iu përmbajtur porosive të Albright, do të triumfojmë përsëri. / KultPlus.com