Mbahet Forumi Shkencor Promovues në shënim të 150 vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës

Organizuar nga Kolegji AAB në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë, Entin Botues “Gjergj Fishta” dhe Shtëpinë Botuese “Drita”, në Kolegjin AAB u mbajt Forumi Shkencor Promovues “Gjergj Fishta – jeta dhe vepra”.

Ky forum, krahas aktiviteteve të tjera u organizua në shënim të 150 vjetorit të lindjes së poetit kombëtar Gjergj Fishta, ndërsa pati për qëllim prezantimin e figurës poliedrike, kontributit dhe veprës shumëdimensionale të Gjergj Fishtës, prezantimin e veprës së plotë me 10 vëllime të tij, si dhe promovimin e dy botimeve të fundit të fondit të fishtologjisë.

Në hapje të forumit, kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se AAB jo vetëm si një nga qendrat më të mëdha universitare në rajon por edhe si një nga qendrat kryesore kulturore e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm shënimin e këtij përvjetori, ndonëse të kufizuar për shkak të kushteve pandemike.

Tafa tha se Gjergj Fishta është një ndër figurat më emblematike të kombit shqiptar. “Në rrafshin krijues Gjergj Fishta ishte padyshim shkrimtar i madh. Veprat e tij u bënë frymëzuese për luftën dhe përpjekjet tona për ekzistencë dhe liri. Në rrafshin veprues Fishta ishte një veprimtar i madh kombëtar, pjesëmarrës i shumë ngjarjeve që i dhanë jetë proceseve të emancipimit dhe zhvillimit kombëtar.” Ai theksoi edhe rolin e Fishtës si humanist e klerik duke theksuar se Fishta ishte klerik atdhetar dhe se fenë kurrë nuk e ndau atdheu e kombi.

“Gjergj Fishta ishte atdhetar i madh e mbi të gjitha ishte shqiptar frymëzues nga më të mëdhenjtë. Me vargjet e tij u frymëzuan breza të tërë për rrugën e fitimit të lirisë e pavarësisë. “Lahuta…” e Fishtës u bë referencë e idealeve për luftën e drejtë për integritet e sovranitet të shqiptarëve…”, tha Tafa. “Megjithatë, tha Tafa, Fishta dhe vepra e tij nuk e pati gjithmonë rrugën të shtruar me lule, sepse u anatemua dhe u dënua nga regjimi i Shqipërisë moniste. Kundër tij u bënë bashkë dy diktatura: diktatura e Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ai u dënua ndërsa vepra e tij u ndalua.”, theksoi Tafa.

Ndërsa, drejtori i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, njëherësh profesor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, foli për rolin e Fishtës si përfaqësues i shkencave sociale e humane.

Ai fjalën e tij e nisi me përshkrimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, për Gjergj Fishtën, sipas të cilit Fishta përveç tjerash ishte “përfaqësues kryesor i letërsisë reaksionare kerlikale që mori pjesë gjallërisht në jetën kulturore dhe politike për të forcuar pozitat e klerit katolik. Luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare, përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe vepra e tij “Lahuta e Malcisë” është një panoramë poetike e ngjarjeve  historike nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri në pavarësi të pasqyruara nga pozitat e klerit katolik. Gjergj Fishta himnizoi prapambetjen, patriarkalizmin, padijen. Lartësoi mercenarizmin, etj.”.

Sokoli tha se ky përshkrim për Fishtën kishte për qëllim që krimin ta transferojë nga regjimi te shkenca, për të mohuar rolin e tij. “Fishta ishte më i mallkuari nga të dënuarit, tha Sokoli, sepse kërkohej të konsiderohej i paqenë”.

Edhe sot ka zëra që vlerësimin për Fishtën e çojnë edhe më larg se qëndrimi i Fjalorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i vitit 1985, duke thënë se Fishta ishte bashkëpunëtor i fashizmit, tha Sokoli, duke nënvizuar se kjo ishte arsyeja pse Instituti Shqiptar i Sociologjisë e ka shpallur vitin 2021 si vit i Gjergj Fishtës, si një detyrim moral dhe intelektual.

Duke u kthyer te roli dhe kontributi i Gjergj Fishtës, Sokoli tha se Fishta është një intelektual universal, një personalitet profetik i kulturës shqiptare, shkrimtar, madje siç e kanë quajtur edhe të huajt themelues i një shkolle filozofike shqiptare. Krijimtaria e tij pavarësisht formës ngarkohet nga një peshë filozofike. Por filozofia e tij është një filozofi sociale, ai vëzhgoi ngjarjet e kohës së tij, i pasqyroi në krijimtarinë e tij, por edhe reagoi duke mbajtur qëndrim intelektual. Ai ishte një njeri i veprimit jo thjesht i krijimit, nënvizoi Sokoli.

Forumi promovues shkencor në shënim të 150 vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, vazhdoi edhe me referime të pjesëmarrësve të tjerë, si prof.dr.Xhavit Beqiri, i cili foli për gjuhën dhe stilin e Gjergj Fishtës në krijimtarinë e tij.

Në këtë aktivitet po ashtu u promovuan edhe kompleti i veprave të Gjergj Fishtës, nga Enti Botues “Gjergj Fishta” dhe dy tituj të ri “At Gjergj Fishta: vende-vite-vepra”, i Besa Hoxha Beqirit dhe “Teatri i Gjergj Fishtës” i autorëve Tonin Çobani dhe Ndue Ballabani./KultPlus.com

Forumi Shkencor Promovues ‘Gjergj Fishta – jeta dhe vepra’ shënon 150 vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Në këtë aktivitet po ashtu u promovuan edhe kompleti i veprave të Gjergj Fishtës, nga Enti Botues “Gjergj Fishta” dhe dy tituj të ri “At Gjergj Fishta: vende-vite-vepra”, i Besa Hoxha Beqirit dhe “Teatri i Gjergj Fishtës” i autorëve Tonin Çobani dhe Ndue Ballabani. / KultPlus.com