Fotot e rralla, si duket fëmijëria në pjesë të ndryshme të botës

Massimo Bietti është një fotograf italian që udhëton nëpër botë dhe kap momente të jetës së fëmijëve.

Ai tashmë ka vizituar fëmijë në Indi, Rusi, Norvegji dhe shumë vende të tjera. Disa prej tyre jetojnë në zonat më të largëta dhe secila fotografi na jep një vështrim të shkurtër të mënyrave të tyre të jetesës.

Thelbi i thjeshtë, por provokues i këtyre imazheve të bënë përshtypje. Kështu ju ftojmë të ndiqni fotogalerinë e mëposhtme./ KultPlus.com

Franco Fontana, fotografi i njohur italian vjen me ekspozitë në Tiranë

Fotografi i madh italian Franco Fontana do të hapë ekspozitën “Grand Tour Italia” në Tiranë. Fontana është një fotograf ekologjik, dhe i suksesshëm në shumë zhanre fotografish.

Këndvështrimi i tij është fokusuar kryesisht në përdorimin e ngjyrës e gjeometrisë. Skena nga jeta sociale, pamje nga jeta rurale, industriale apo urbane, krijojnë një antagonizëm të ngjyrave të forta, pothuajse të ekzagjeruara dhe linja të mrekullueshme në artin fotografik të Fontanas. Ai njihet si një nga eksponentët më të mëdhenj të fotografisë italiane.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 6 tetor, në orën 18:00 në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa ekspozita do qëndrojë e hapur një muaj rresht, deri më 5 nëntor.

Peizazhi italian në blicin e Fontanas

Nëpërmjet blicit të tij, peizazhi italian shfaqet si një figurë gjeometrike pothuajse përfekte. Ky peizazh është i mbështjellë në një atmosferë të tejdukshme që ngjall tonet rilindëse. Hapësira e fotove mbushet nga ngjyrat e plota, të verdha, jeshile dhe bojëqielli. Janë gjuha e një fotografie që punon rreth poezisë së ngjyrës e që vjen për të transformuar natyrën në forma abstrakte, shkruan Shqiptarja.
Franco Fontana lindi në Modena të Italisë në vitin 1933. U shfaq si fotograf autor në vitin 1961. Që nga vitet ’70 ai ka punuar në kërkim të një stili esencial kompozicional, bazuar në fushat e ngjyrave. Nga vitet ’70 deri më sot Fontana ka realizuar më shumë se dyzet libra në Itali, Francë, Zvicër, Spanjë, SHBA dhe Japoni dhe i ka ekspozuar punën e tij në më shumë se 400 ekspozita personale dhe kolektive në muzetë dhe galeritë në mbarë botën. Veprat e tij mbahen në muze të rëndësishëm në nivel botëror, ku ka fituar shumë çmime dhe ka qenë një nga më të preferuarit e National Geographic. Fontana sfidon me ngjyrën dhe për të vetë ngjyra është më e vështirë se bardhë e zija.

Në një intervistë për National Geographic, Fontana ka thënë se “Ngjyrat e mia janë një plotësim i artit të bardhë e zisë, një mbivendosje për ta sjellë fotografinë te kërkesat që ka vetë fotografia me ngjyra. Ngjyra është një arritje e pashmangshme në evolucionin e fotografisë”. Ekspozita, kuruar nga vetë Franco Fontana, mbërrin në Tiranë, pas prezantimit në Split, Rijekë, Zagreb, Beograd dhe Cetinje dhe në Itali. Ekspozita e Franco Fontanas “Grand Tour Italia” është mundësuar nga Instituti Italian i Kulturës, Ambasada Italiane në Tiranë dhe Qendra e Hulumtimit e Arkivimit të fotografisë së Friuli Venezia Giulia (CRAF). / KultPlus.com