Përkrahur nga Platforma Heritage Space VII – CHWB Kosova dhe financuar nga Qeveria Suedeze, është hapur thirrja për projektin Tregim Kolektiv.
Nëse ju keni fotografi që i mbani afër zemrës, të cilat datojnë nga vitet e 90-ta në Kosovë, atëherë ju mund të merrni pjesë në krijimin e një arkive fotografike; një libër që synon ripërtërije të kujtesës kolektive përmes rrëfimit të kujtimeve harmonike si simbol i bashkimit gjatë shtypjes politike & shoqërore në Kosovë 1990 – 1999.
Arkivat personale të fotografive familjare mbajnë një tregim që shpalosë historinë e identitetit tonë rezistues përgjatë periudhës para-dhe-gjatë luftës.
Hartuesit e këtij projekti, kanë njoftuar se pasi ju të kontaktoni për bashkëpunim, ata do të vijnë personalisht për të mbledhur fotografitë tuaja.
“Çdo fotografi do të qëndrojë me ne për vetëm disa ditë, përderisa të skanohet, dhe do të kthehen menjëherë pas skenimit. Materiali do të trajtohet me shumë kujdes dhe respekt. Në kthim, ju do të merrni një kopje dixhitale të të gjitha fotografive të dorëzuara bashkë me origjinalet, dhe një kopje të librit, i cili do të jetë një selektim i këtyre fotografive si realizim i një albumi kolektiv”, thuhet në njoftim.
Për të gjithë ju që jeni të interesuar të kontribuoni në këtë projekt mund të shkruani në email adresën: [email protected] apo Instagram: @arkiva1990 dhe Facebook: https://www.facebook.com/Gresanuu/
Afati i fundit për dorëzim: 30 Shtator, 2023. / KultPlus.comㅤ