Ekspozita “Qëndro i Qetë dhe Buzëqesh” nga Korab Basha dhe kurator Elton Koritari hapet në kuadër të ‘Fotoist’ të premten më 30 gusht nga ora 19:00, para Hotel Grand.
Titulli i këtij projekti ambicioz të fotografit Korab Basha, fjalë për fjalë mund të përkthehet “Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”. Basha ripërdor dhe riinterpreton sloganin e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar i cili gjatë luftës së dytë botërore motivonte britanikët për të qëndruar të qetë dhe për të vazhduar, për të ecur, për të mbajtur gjallë optimizmin, pavarësisht kërcënimit të afërt të pushtimit nazist. Madje, edhe pse nuk u publikua kurrë në atë kohë por u rishfaq pas më shumë se 50 vitesh, ky slogan, me një rikthim triumfal në pop-kulturën bashkëkohore, vazhdon të jetë një simbol i fortë i rezistencës dhe durimit në përballje me sfidat e jetës, jo vetëm në aspektin propagandistik të tij. Në stuhinë e vazhdueshme të tensioneve ushtarake dhe politike, sot ushtria e Kosovës mishëron dhuntinë e të qendruarit në ballë të vendit dhe e bën këtë duke u mbështetur fort në humanizmin e saj.
FSK është një ushtri e qytetarëve të saj dhe kjo gjë paraqet një moment historik dhe të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “Keep Calm and Smile” thekson qëndrueshmërinë, integritetin moral dhe mbështetjen e fuqishme në popull të forcave të armatosura dhe simbolizon kështu një qasje të guximshme ndaj sfidave të Kosovës bashkëkohore. E akoma më shumë, në këtë ekspozitë, ata me buzëqeshjen e tyre përfaqësojnë forcën dhe krenarinë e popullit shqiptar në përballje me çdo sfidë, ashtu si përherë në historinë tonë. Vajzat dhe djemtë që mbushin sot rreshtat e kësaj ushtrie, janë pasqyrë e të gjithë kosovarëve që duan të lënë pas të kaluarën dhe në fund të shikojnë nga e ardhmja. Me një buzëqeshje.
FSK është e qartë si dielli se nuk ekziston për të sulmuar askënd, përkundrazi ajo vetëm mbron integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, ngritur mbi bazat e rezistenzës dhe qëndresës së Ushtrisë Çlirimtare, e cila lindi pikërisht për të mbrojtur njerëzit e saj të të masakruar prej dekadash, të lodhur nga një e kaluar mizore dhe të dërrmuar nga mohimi i parimit të vetëvendosjes. Sot, qytetarët e Kosovës, në shtetin e tyre të fituar me vetëmohim dhe sakrificë, ndjejnë më shumë se kurrë dëshirën për ta mbyllur me të shkuarën dhe më në fund të shikojnë të ardhmen drejt në sy, larg dhunës, të lirë. Me një projekt të qartë në vizionin e tij dhe me këmbëngulje të admirueshme për ta realizuar atë deri në fund, Korab Basha na tregon jo vetëm sesi ushtarët e Kosovës shohin pra nga e ardhmja, pikërisht ashtu siç ndihet dëshira për të ardhmen në zemrën e çdo qytetari kosovar por edhe se pas shumë vitesh ndërhyrjesh të çmuara nga ushtritë e huaja, është një arritje e madhe për Kosovën që të ketë një ushtri të sajën dhe më shumë se kurrë ta shijojë këtë simbolikë të vogël, por të madhe. Artisti hyn thellë edhe në kontekste më globale sesa trevat tona. Ai na sugjeron se në fund të fundit, paqja fillon me një buzëqeshje./express/KultPlus.com