‘Time’ publikon dhjetë fotografitë më të mira të vitit 2020

Teksa viti ikën është e vështirë të kujtohet gjithçka që kemi jetuar përgjatë tij, por janë pikërisht fotot ato që i thërrasin kujtesës.

Ndaj “Time” ka publikuar 10 fotot e 2020-ës, me një titull dhe një shpjegim përkrah.

“Një dritë në mes të errësirës”


Kjo foto është shkrepur gjatë pranverës në Brooklyn. Qëllimi ishte sensibilizimi i njerëzve dhe tregimi i së vërtetës, që virusi Covid-19 vret. Më 22 prill, Meridith Kohut fotografoi Kyle Edwards duke kontrolluar me fener nga brenda një prej frigoriferëve rimorkio që mbante kufomat e virusit. “Secila qese me një trup të pajetë përfaqësonte kaq shumë dhimbje dhe vuajtje, jetë të humbura dhe familje të shkatërruara”, thotë Kohut.

“Trishtimi dhe zemërimi i tyre ishte i vërtetë”

Në një xhami në Teheran, më 5 janar, gratë iraniane vajtojnë Kasem Soleimani pas vrasjes së tij në Bagdad. “Ato ndiheshin të lënduara dhe donin të hakmerreshin”, kujton fotografja Newsha Tavakolian. Brenda, atmosfera ishte e fortë. “Kam kërkuar gjatë se si mund ta kapja këtë moment dhe gjeta këtë skenë, një moment të qetë mes një vorbulle njerëzish. Gruaja duke ngritur grushtin ndërsa mban posterin, të tjerat në mendimet e tyre. Ato po endeshin përreth, vetëm me ndjenjat e tyre”.

“S’mund ta harroj fytyrën e saj”

Hoda Kinno, 11 vjeçe, po mbahej në krah nga xhaxhai i saj Mustafa pas një shpërthimi masiv në portin e Beirutit, më 4 gusht. “Kur arrita në vendndodhje, nuk mund të besoja atë që po shihja”, shkruan fotografi Hassan Ammar. “Po bëja fotografi të gjithçkaje kur pashë burra që mbanin dy vajza të plagosura në autostradën përballë portit. Unë ndoqa njërin derisa arritën në një automjet ushtarak që ishte duke u ngarkuar me njerëz të plagosur për t’u evakuuar në një spital.

Në ditët më pas, Ammar mbeti kureshtar se si kishte shkuar më tej gjendja e saj. U deshën rreth dy javë, por Ammar e gjeti familjen në jug të kryeqytetit. Shpërthimi i kishte shkatërruar ata. Associated Press raportoi se Hoda pësoi një thyerje të qafës dhe dëmtime të tjera, kurse motra e saj 15-vjeçare, Sedra, u vra. “Ajo ditë në Bejrut është një ditë që ndryshoi jetën tonë”, shton Ammar, “më ndryshoi mua si njeri dhe fotograf”.

“Ajo nuk donte ta lëshonte”

Më 24 maj, motra e fotografit Al Bello e telefonoi për t’i thënë se familjarët e saj do ta vizitonin në Wantagh, N.Y., dhe donin ta përqafonin të gjithë; një qese plastmasi e varur nga një litar rrobash do të shërbente si një barrierë mbrojtëse mes tyre. Kurioz, ai shkoi atje. Pasi Mary Grace takoi nipin e saj në “stacionin e përqafimit”, ajo filloi të qante. Takimet e tyre zgjatën për 45 minuta.

“M’u duk vërtet prekëse”

Ato po mbanin homazhe për gjyqtaren Ruth Bader Ginsburg në 26 shtator të këtij viti. Ishin mbështetëset konservatore të gjyqtares Amy Coney Barret duke u lutur në dyert e gjykatës.

“Ishte interesante sepse njerëzit po shëtisnin rreth saj dhe u kërkonin miqve të tyre të bënin fotografi sikur të mos e kishin vënë re atë grua që qante atje në Gjykatën e Lartë”, thotë Schaff. “Unë u ula atje për një kohë, duke parë, dhe pastaj këto katër gra u ngritën dhe ngritën duart lart. Unë pashë dorën e saj në fytyrë, përbërjen e saj dhe dualitetin e emocioneve që të gjitha ndjenin. Dukej vërtet prekëse për mua”.

“Askush nuk mund ta prekte atë”

Hector Retamal, një fotograf i AFP me seli në Shangai, arriti në Wuhan me tren më 23 janar, ndërkohë që qyteti po bllokohej. “Wuhani ishte bërë me të vërtetë një qytet fantazmë”, kujtoi ai në fillim të këtij viti. “Njerëzit në rrugë ishin të paktë: për të blerë ushqim, për të shkuar në një farmaci ose për në spital.”

Më 30 janar, Retamal dhe një koleg i tij po ecnin pranë një spitali kur panë një burrë në tokë, një bllok larg spitalit. “Ishin dy gra që shikonin burrin pa bërë asgjë. Kur na panë, na bërtitën. Më duket na thanë që të mos afroheshim më pranë se mund të infektoheshim”, kujton Retamal. Pas pak, mbërritën të tjerët me kostume mbrojtëse; ata iu afruan burrit, por nuk e prekën.

“Është e vështirë të zbulosh se çfarë dinte ai”

Fotografi Peter van Agtmael ka ndjekur Donald Trump dhe tubimet e tij që nga viti 2016. “Fillova të mësohesha disi me mënyrat e tij dhe shprehjet e tij, të cilat kishin një lloj qëndrueshmërie. Edhe brenda spontanitetit dhe lëvizjes së tij të lirë, kishte qëllim dhe kontroll”, thotë fotografi.

Më 4 nëntor, menjëherë pas mesnatës dhe me pritjen që vota që mbetej për t’u numëruar (fletëvotimet postare dhe votat e hershme) do të ndryshonin rezultatin, van Agtmael hyri në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë shumë, shumë të heshtur. Trump u drejtohej votuesve amerikanë, por mes gamës standarde të shprehjeve të tij kishte tension. “Kishte gjithashtu një tension të qartë, stres dhe zemërim dhe për një moment, kur zv.presidenti Mike Pence po fliste, ai lloj kontrolli rigoroz i disa prej emocioneve të tij ra për vetëm disa sekonda”.

“Mbeti pas zjarrit”

Pas zjarrit në Australi kjo koala ishte tharë nga zjarri. Një vullnetar i hodhi ujë sipër për ta hidratuar. Në atë zjarr u dogjën mbi 3 miliardë kafshë. Foton e shkrepi Adam Ferguson.

“Ajo ditë formësoi gjithë vitin tim”

Kur George Floyd u vra nga policia në Minneapolis ishte e hënë. Deri të premten, Amerika ishte ndryshe. Malike Sidibe, 23 vjeç, u zhvendos për të marrë pjesë dhe fotografuar një protestë për herë të parë në jetën e tij. Në Brooklyn, më 29 maj, ai pa protestuesit që luftonin me policinë. Sidibe thotë sot: “Ajo protestë ndryshoi mënyrën se si unë e shikoj botën.”

“Me të vërtetë dukej si një shfaqje e forcës”

Më 13 mars, disa javë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Talibanët nënshkruan një marrëveshje paqeje, fotografi me qendër në Kabul, Jim Huylebroek dhe kolegët e tij shfrytëzuan qetësinë e luftimeve për të vizituar kryengritësit në provincën lindore Laghman. Gjatë rrugës, automjeti i tyre u ndalua nga një Njësi Talibane. “Ata na trajtuan në një mënyrë miqësore, por gjithsesi tensioni ndihej,” thotë Jim. Ndërsa gazetarët përgatiteshin të vazhdonin rrugën, dy fëmijë ecën rrugës dhe kaluan mes luftëtarëve. “Për mua,” thotë Huylebroek, “kjo tregon realitetin e ashpër në të cilin rriten fëmijët.” / KultPlus.com